top of page

IMAZHE POETIKE


IMAZHE POETIKE PËR DY DASHURITË QË NDRYNË NË SHPIRT


Valbona Ahmeti (1973), synon pandalur që të prek ndjeshmërinë e jetës me fjalën dhe vargun që e provokojnë muzën e saj. Ajo, në vazhdën e krijimtarisë së saj poetike sjell për lexuesin edhe librin e dytë me poezi “Drenicë – zë i lirisë”, në kupolën e së cilës bashkëveprojnë mbi gjashtëdhjetë njësi poetike, të konceptuara në tri cikle, “Atdhe-fuqi hyjnore”, “Derdh vargje”’ dhe “Fshehtësi shpirti”.

Pothuajse gjithë lënda poetike shtrinë veprimtarinë tematike në dy rrafshe, që e preokupojnë parreshtur autoren: Atdheu, si temë bosht dhe, Dashuria, që është strumbullar i dyfishtë i kësaj poezie, ku e takojmë herë si dashuri për njeriun e shpirtit, herë për të afërmit e saj, për heronjtë, për lirinë; herë si dashuri për atdheun, vendlindjen, si opsione të pashterrura frymëzimi. Derisa autorja jeton në kontinentin e largët të Amerikës, në Kanada, e ndodhur larg vendlindjes, në kujtesën e saj ka të freskëta kujtimet e rinisë, pastaj kohën e vuajtjeve, të rezistencës heroike e deri tek liria, që përmes vargut poetik mëton t’i bashkërendoj në itinerarin e ëndrrave të saj të ndryra në shpirt, për të krijuar kështu një imazh sa më të plotë për atdheun, mallin e të cilit e ndien, pavarësisht ku ndodhet fizikisht.


Atdheu nga prizmi i largët tejoqeanik


E prirur të krijoi opusin e saj poetik sa më të qëndrueshëm, Valbona Ahmeti nuk rresht së kërkuari tema nga më të ndieshmet, qofshin ato edhe të dhimbshme, për të trajtuar sa më denjësisht imazhin e vendlindjes, siç e takojmë në poezinë “Drenicë - zë i lirisë”, ku gjithçka identifikohet me qëndresën dhe heroizmin e paepur të njeriut të trojeve arbërore “skalitur në kulla guri”duke iu referuar kushtrimit liridashës: “kur thirre Liri/ Dardanin e mbuloi Nuri” (po aty, fq.18). Historia e lavdishme e popullit tonë do të ketë lënë dëshmi të panumërta për luftëra e heroizma nëpër shekuj. Personalitete të dëshmuara në këto periudha kohore gjejnë vend edhe në poezinë e Valbonës, e cila, duke qenë mes mallit dhe dashurisë për atdheun, do t’i portretizojë me ngjyrimin e kohës, për t’i dhënë kuptim idealizimit të veprimtarive të tyre, për aq sa konsideron se e kanë vendin në piramidën e kauzës sonë kombëtare. Në këtë kontest, sikur ndodhen në bashkërenditje të vazhdueshme dashuria me nostalgjinë, në kërkim të vendit në truallin e etërve, por nga brenda ndien një përgjigje që e rëndon në shpirt. Ajo bashkë-bisedon me malin, simbolikë e përgjithësimit me trungun kombëtar, ku përgjigja e bën edhe më të fortë, për të kërkuar vazhdimisht rrugën e riatdhesimit, jo vetëm si synim, po edhe si veprim konkret.


“Ankth e dridhje e kapluan malin

rrëmbimthi ca fjalë m’i tha

-lis i thatë dhe i rrëzuar këtu je

rrënjët thellë i ke n’Atdhe!”


(“Rrënjët thellë i ke n’Atdhe!”, fq. 25)


Vetë qëndrimi larg vendlindjes, kërkon tjetër mënyrë të takimit me njeriun e vendlindjes, me gjithçka e preokupon mallin e krijuesit, pastaj edhe kundrimi i ngjarjeve dhe njohja me personazhe të shumtë ka tjetër pamje. Kjo përqueshmëri e ndjenjave shpirtërore prek thellë dhe ëmbël në shpirtin e krijueses, e cila tashmë ka ndërtuar strategjinë e fushëveprimtarisë së saj poetike, duke vënë kordinatat tematike në fushat e cekura të interesimeve në trajtimin e temave dhe ngjarjeve që e provokojnë unin e saj krijues në çdo situatë.

Kështu, në vargun e Valbona Ahmetit takojmë frymën e dashurisë së pashuar për atdheun, ku veçohen, sidomos poezitë: “Atdhe - fuqi hyjnore”, “Drenica ime”, “Kosovë fisnike”, “Prekaz - Kështjellë e Lirisë”, “Reçaku”, etj.

Por, nuk është lënë pa u trajtuar edhe heroi, dëshmori, personaliteti dhe veprimtari i devotshëm, njeriu i kohës, që iu përkushtuan me tërë qenjen e tyre shpirtërore kauzës së atdheut. Këto përkushtime i takojmë, përveç tjerash edhe te “Pishtarit të lirisë”, “Anton Çetta plak i urtë”,“I përjet- shëm qoftë për Ty kujtimi”, “Shën Tereza”, dhe “Nexh-mie Pagarusha”, ku portretizimi i tyre vjen ashtu si do ta ketë pikasur imagjinata e saj, e ravijëzuar thellë në kujtesë, për t’ia përcjellur pastaj lexuesit, përmes vargjeve që i gurgullojnë nga shpirti.

Autorja nuk ndalon veç tek ata të cilët u flijuan për atdheun, por ajo takon edhe “Poetët”, të cilëve tashmë u takon edhe vetë, si shprehet ajo, “Vlerësojnë mirë peshën e fjalës/ shënojnë brengat me shtizën e zemrës/ në ngjyra shpirti zhytin penën/ të drithëroj vargu ndër deje”, për ta ndërlidhur gjithë rrjedhën e ngjarjeve me trajtimin në mënyrën më të mundshme, që në masë e pasqyrojnë ecurinë e fenomeneve që e përshojnë kohën përkatëse. Ata duhet të jenë vigjilenca dhe grushti i fortë i tundimit që reflekton në kohë dhe situata të ndryshme, sepse:


“kur poetëve u lëndohet atdheu

si të krisur harlisën deri n’zenit

për një t’ardhme të ndriçuar

mbajnë kuvend me yjësitë”


(Po aty, fq. 48)


Një ndërlidhje e mirë kjo me kohërat, zhvillimet dhe ndryshimet e mëdha të kundruara nga syri dhe pena e poetëve, poaq sa vjen edhe kjo poezi ndër më të reali-zuarat në shumësin lëndor të librit.



Dashuria si opsion rikujtimi

Në përmbledhejn poetike “Drenicë–zë i lirisë”, hapë-sirë të konsiderueshme zë edhe poezia për dashurinë, që këtu ka një shtrirje më të përgjithësuar, duke prekur shumë opsione kujtimi nga fëmijëria e ikur, nga bota intime dhe dashuria si frymë e jetës, me të mirat dhe të këqiat që e përshkojnë në çaste të ndryshme.


“Si një bletë çasur luleve

mblodha nektarin e dashurisë

hoje mjalti buzëve u nxora

t’ia ëmbëlsoj vargun poezisë”


(”Varg të lodha”, fq. 52)


Me këtë nektar që i rrjedh nga vargjet, Valbona Ahmeti do të vazhdon tutje, për të kujtuar edhe anën tjetër të veprimit, ku shpreh keqardhje për vargun që e tundon gjithandej kah e shpie fryma inspiruese, duke e ndier veten në faj, meqë “dallgëve të jetës varg të lodha” (po aty, fq. 52), gjatë këtij rrugëtimi të pafund nëpër kujtimet dhe sprovat e panumërta që kalon, për të vazhduar tutje: “nise rrugë shtigjeve t’ikjes/ kënga jonë mbeti n’harrim/ parreshtur refrenin e përsërisë/ -n’krahët e mi do t’kthehesh sërish” (“Do të kthehesh sërish”, fq. 59).

I pambarim del të jetë opusi poetik me këtë tematikë, ku “Fshehtësitë e shpirtit” vazhdojnë të përballen edhe me botën e brendshme, duke shpërfaqur ndjeshëm gjithë atë bukuri që përjetohet përmes vargut:


“Shumë jam lutur t’kem një rast

t’m’i thërrmosh ndjenjat e mia

aq shumë desha t’më shtrëngosh në krahë

t’a kuptosh se ç’është dashuria”


(Po aty, fq. 61)


Ky rrugëtim vazhdon përmes yjeve që bëjnë roje, në shoqëri me hënën lozonjare, në kërkim “t’i shpalosë fshehtësitë e shpirtit”, që “shekuj nata të na zgjas”. Këto vargje na sjellin në kujtesë rapsodin Mehdi Berisha dhe këngën e tij “Zgjate Zot natën një javë”, për të shijuar kështu sa më gjatë dhe pandashëm nektarin e asaj mrekullie. Me asnjë varg tjetër nuk do të përkufizohej realizimi i kësaj ëndrre se sa me vargjet përmbyllëse: ”desha shumë të njohë parajsën/ n’qiellin me yje e kërkova/ gjithë atë ndjenjë që gjatë e desha/ n’buzët tua e shijova” ( po aty, fq. 61).

Portretizimi figurativ i njeriut të saj, duke përshkruar kujdesshëm “hiret e fytyrës sate me kthejnë në t’ëmblat kujtime/ qenia jote zemrën ma ka pushtuar/ edhe kroin po e shterra nuk ma shuan etjen/ veç buzës sate qershizë e pjekur” (“Më dogji etja”, fq. 64) na bën të kuptojmë se autorja ka për qëllim t’i qaset nga afër personazhit të saj për të hapur portat e jetës, përmes së cilave kalohet thellë në brendinë shpirtërore të tij, me të gjitha elementet që e karakterizojnë. Këtu shohim një dritë pozitive që vezullon në krijimin e individualitetit poetik të saj, me besimin se do të vazhdoj edhe në prurjet tjera të radhës.

E tillë është jeta, edhe atëherë kur “Fshehtësitë e shpirtit” farfurijnë gjithandej ku nektari i dashurisë vrullon pandalur, por edhe në çaste të tjera, kur idhtohen këto vlera, për të nxjerrë kështu formulën e jetës, siç thotë Latif Berisha në poezinë “Tri gota”, ku: “U bë idhët e ëmbël/ si është vet kjo botë”.


Premtimi që premton


Më shumë se dy dekada migrim nuk mund të anashkalohen lehtë, pa mos u përballur me kujtimet, mallin dhe dhimbjen për vendlindjen dhe njerëzit e dashur të saj. Këtë situatë e paraqet me orbitën reflektuese përtej oqeanike edhe Valbona Ahmeti, duke i përmbledhur shumë faktorë e faktografi që e ndërtojnë strumbullarin e poezisë së saj. Këtë materje poetike, kryesisht e përshon dashuria për atdheun, njeriun dhe jetën, që në përmasën e realizimit poetik sjellin një realitet të jetuar e përejtuar në shumë aspekte, për të lënë hapur mundësitë që kjo poezi të krijoi opinionin e qëndrueshëm edhe në të ardhmen.



185 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page