top of page

Ilirë e pasardhës


Astrit Lulushi Shqiptarët besojnë se janë pasardhësit e ilirëve, ose të paktën janë të vetmit sot që kanë ruajtur aspekte të shumta të kulturës antike ilire. Kjo tezë lindi gjatë mesit të shekullit XIX dhe mbrohet me pasion prej tyre. Disa mund t’a konsiderojnë këtë edhe si nacionalizëm bazuar në histori, ku një kulturë moderne përpiqet të lidhet me një kulturë nga e kaluara për t'i dhënë vetes një ndikim më të madh në aspekt shoqëror. Pjesa më e rëndësishme e provave është gjuha. Vetëm disa emra dhe fjalë të izoluara të fjalorit nga gjuha e lashtë ilire kanë mbijetuar deri në ditët e sotme. Disa pyesin nëse ndonjë gjurmë e kësaj gjuhe të vjetër mund të gjendet akoma në gjuhët moderne, siç është shqipja. Lidhja midis gjuhëve ilirishte dhe shqipe mbetet e përgjithēshme, kjo edhe për faktin se studimet rreth saj nga vendasit kanë ngecur, por edhe sepse tregohen mospërfillës ndaj vulgarizimit të shqipes, veçanërisht nga zyrtarë e politikanë të cilët tregojnë me këtë se nuk dinë as gjuhë e as politikë. Shqiptarët, sot të shquar për kundërshtim ndaj ndryshimeve, në të kaluarën kanë qenë të gatshëm për ndryshim të emrit, fesë e zakoneve të tyre, dhe kur ua do rasti thonë se pushtuesit i detyruan. A mos vallë asnjë popull në botë nuk ka qenë i pushtuar ndonjëherë? E vërteta mund të jetë se banorët u zhvendosën ose ikën dhe pushtuesi e mbushi vendin me të tjerë të bindur, u dha toka, ofiqe e çifliqe, u dha pushtet, dhe askush nuk mbeti i papërlyer për të treguar se si ndodhi. Ata që kishin ikur, trashëgimtarët e vërtetë, gjithnjë me mendje tek atdheu, dërgonin ide për rilindje, të cilat nuk pērfilleshin e përçmoheshin brenda vendit. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në planet që ka sa patriotë aq edhe tradhëtarë dhe statusi i tyre ndryshon në varësi të regjimit. Edhe një naiv mund t’a kuptojë se kjo është e njëjta politikë, ku sunduesi edhe pse ikën, lë pas njerëz të tij, për të treguar se pa atë vendi nuk bëhet. Gjuha shqipe, siç njihet sot, u dokumentua për herë të parë vetëm në shekullin XIV - XV, dhe që nga ajo kohë (duke u bërë edhe emër i kombit), ka pësuar ndryshime. Shqipja pa dyshim që ka fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera, por ka edhe fjalë bumerang, që i ka hedhur dhe pastaj i janë kthyer si huazime. Disa emra personalë mund të pasqyrojnë një origjinë ilire. Për shembull, emri Bardyllis, një nga më të famshmit e mbretërve ilirë, është ruajtur në emrin modern shqiptar Bardhyl, ‘yll i bardhë’ - a është kjo dëshmi se shqipja është pasardhëse e vërtetë e ilirishtes, apo shqiptarët thjesht përvetësuan një emër të huaj? Një lule a dy nuk sjellin pranverë. Një tjetër pikë konflikti është gjenetika. Kritikët e idesë se shqiptarët janë ilirë shprehen se shqiptarët nuk kanë lidhje gjenetike me ilirët. Në fund të fundit, ilirët jetuan dy mijë vjet më parë, dhe midis asaj kohe dhe tani, shumë kultura të tjera u zhvendosën në zonë: grekë, romakë, gotë, gjermanë, hunë, sllavë, turq, etj. Pa dyshim, pastërtia e një grupi gjenesh 100 përqind ilire është kompromentuar në mënyrë thelbësore nga prania e kaq shumë njerëzve që migruan në zonë gjatë njëzet shekujve. Dhe nëse do të merrej një mostër ADN-je shqipe do të tregonte një përzierje me greqishte, latinishte, sllavishte, turqishte etj. Është e vështirë të shprehet një mendim për një temë kaq të diskutueshme, prandaj mendohet se kjo polemikë ekziston më shumë për arsye politike. Provat gjenetike kanë treguar se gjetja e një gjeni të pastër ilir është e pamundur, po ashtu edhe provat gjuhësore janë skicuese. Pra, pretendimet e kulturave moderne për një lidhje ilire janë të pasigurta, siç janë edhe provat me anë legjendash. Pavarësisht sa u tha, të gjitha të dhënat sugjerojnë se ilirët erdhën nga Anatolia, migruan në Evropën Jugore gjatë epokës së hershme të bronzit (3000 pes), pastaj u kthyen në Anatolia, ku krijuan Trojën, dhe erdhën përsëri në Europë si trojanë të mundur a refugjatë lufte. Para kësaj një kulturë para-indo-evropiane duhet të ketë ekzistuar. Cilët ishin këta njerëz që kishin jetuar në atë që do të bëhej Iliria? Për fat të keq, nuk dihet as se si e quanin veten ose tokën në të cilën jetuan pasi ata nuk lanë asnjë shkrim, gjuha e tyre nuk njihet. Dëshmia e vetme për një kulturë të veçantë që ekzistonte në këtë zonë para Ilirëve vjen nga arkeologjia, dhe të dhënat sugjerojnë se ajo ishte pellazge.



62 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page