top of page

Ildije Xhemali: “Zemrën kam lënë peng”, por e afroj me poezi






Nuk njihemi. Nuk jemi takuar. Nuk dimë asgjë për jetën e secilit dhe… asgjë, por dimë pak gjëra se lexohemi. Kemi një botë të lidhur nga mjedisi internetik. Kështu mendova që ta bëj prezente për më shumë mes lexuesve të “Fjala e Lirë”, ku i kemi botuar disa herë disa poezi të saj. Edhe pse i përkasim një qyteti, edhe pse kemi jetuar në Elbasan. Më së shumti edhe pse kemi punuar të dy në arsim. Ildije Xhemali ka lindur në Çermë të Lushnjës. Është arsimuar në pedagogjiken “Luigj Gurakuqi”, si edhe ka përfunduar Institutin Pedagogjik 3- vjeçar po në këtë qytet për gjuhë-letërsi. Është bashkëshorte, nënë dhe gjyshe, tashmë pensioniste prej 7 vjetësh. Ka punuar në rrethin e Lushnjës, dhe më pas në rrethin e Elbasanit. 10 vitet e fundit para se të dilte në pension ka punuar në një shkollë 9-vjeçare në qytetin e Elbasanit. Ka punuar 40 vite në arsim


Dhe ne iu drejtuam thjesht: “Uroj të jeni mirë. Gjithashtu me shpresën se Dimri ka trokitur me pak bardhësi në hapësirën e gjeografisë ku jetoni, për të bërë detyrën ndaj mjedisit dhe ju ka hapur më shumë hapësirën e mendimit të lirë për planet e reja krijuese. Në të gjithën, atë që lidhet me jetën dhe jetiken, natyrisht është edhe kjo që më bën të komunikojmë. Nëse ndodh kështu disa minuta mbase do ia vlejnë të ardhmes, e pse jo të sotshmes dhe do të mbetet ndonjë pikë edhe për të ardhmen”. Ndaj Ju ftoj miqësisht në këtë bashkëbisedim:

Fatmir Terziu: Nuk më duhet të shkoj më tutje kaq herët nëse pyetja nuk shkon në kanalin e vet, rrreth jetës dhe fjalës suaj për veten. A duhet më shumë për lexuesin dhe për të gjithë “familjen” krijuese?

Ildije Xhemali: Krijime ka boll dhe portale që bëjnë përzgjedhjen e këtyre krijimeve po kështu. Sot çdo krijues gjen mënyra për t’i publikuar krijimet e tij. Sa për lexuesin nuk jam shumë optimiste. Të rinjtë që duhet të jenë të parët dhe më shumica që të lexojnë, më tepër e harxhojnë kohën në rrjetet sociale, se sa në shoqërinë e librit artistik

Fatmir Terziu: Ku shkon lidhja juaj me poezinë, koha me të cilën ajo ju zgjoi frymëzim?


Ildije Xhemali: Lidhja ime me poezinë dhe letërsinë është e herëshme, që kur kam qenë nxënëse në shkollën pedagogjike dhe më vonë si studente dhe mësuese e lëndëve gjuhë-lexim në shkollën 9- vjeçare. Kam shkruar që herët, por tani në pension munda ta botoj një përmbledhjen “Zemrën kam lënë peng” dhe kam gati për botim përmbledhjen e dytë “Petalet e shpirtit”.


Fatmir Terziu: A ka të bëjë mjedisi ku jeton në lidhjen me vargun dhe idetë? Ju si e ndjeni këtë lidhje?


Ildije Xhemali: Lidhja me poezinë është e fortë. Mjedisi ku jetoj si bashkëshorte, nënë, gjyshe pensioniste m’a favorizon të krijuarit e poezive me tematika të ndryshme.

Fatmir Terziu: A mendoni se poezia ka forcë dhe kërkon mbështetje nga një ligjësi më e shtjelluar?

Ildije Xhemali: Poezia ka forcë, por do dhe krahë. Poezitë që i shërbejnë shoqërisë sonë në përparim, emancipimin e saj dhe në njohjen e traditave të bukura të trashëguara duhet të bëhen të njohura, jo t’i lihen rastësisë. Kritika letrare duhet të ringjallet dhe të thotë fjalët e veta. Ligjëshmëria duhet të vihet në baza të forta dhe e udhëhequr nga njerëz të aftë.


Fatmir Terziu: Cili është mesazhi juaj për “Fjala e Lirë?

Ildije Xhemali: Kam pak kohë që e lexoj dhe ndjek “Fjala e Lirë”, por jam shumë e kënaqur me artikujt dhe materialet që shpërndan.

Them që do jem ndjekëse dhe lexuese e saj duke u uruar Juve dhe stafit: “Suksese, suksese!”


Fatmir Terziu: Faleminderitdhe suksese!






169 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page