IKU QERIM SULA, NJË MAL QË MBOLLI E RRITI LISA



Po, po, një MAL, jo vetëm i Dardhës ku lindi 69 vite të shkuara, por i gjithë Dibrës, i Luginës së Drinit të Zi dhe i Nëntë Maleve.Një LIS, nga ata lisa që i kanë rrënjë thellë në tokë, aq thellë sa nga lartësitë e malit pinë ujë në Drin...Kam bërë njëherë një reportazh, një udhëtim ulur në vendin e parë të “Skodës” së tij, të përpjetës nga Shënlleshe në Soricë e Qan...Asokohe shkruaja...“Këtu kishte trojet e vjetra Eles Isufi, “Gjenerali me Shajak“ e këtu e kishte kaluar fëmijërinë Hazis Ndreu i këngës dhe i valles popullore dibrane. Pak më tej, në Lashkizë kishte lindur Lirie Rasha e pak më poshtë Saje Poleshi e Xhediku i këngës “Cuca e Radomirës“... Të përpjetës së Soricës, jo asaj që ngjitet nga Zall Dardha në këmbë por asaj që ngjitet nga Shënlleshe i isha ngjitur një herë në kabinën e skodës së Qerim Sulës. Nuk mund ta harroj atë çast nga jeta ime, atë ndërthurje të këngës me gulçimën e diezelit të kamionit si në një simfoni të pambaruar, atë madhështi të fjalëve të këngës ku flitej për luftërat popullore të Dibrës kundër pushtuesve, për trimërinë e gruas që në llogore “ngrehte pushkën e piqte bukën”. E kisha dëgjuar atë në skenën e shtëpisë së kulturës, e kisha parë në ekranin e vogël kur jehonën e saj e merrte Kalaja e Gjirokastrës për t’ia dhënë Malit të Gjerë, por kaq të madhe, kaq jetësore, kaq epike nuk e kisha parë e dëgjuar. Qerim Sula kishte në duar timonin e vërtetë të këngës, atë timon që pas çdo kthese ngjitej e pas çdo fjale rritej...Kisha shumë kujtime nga ato male, shumë mall për ata njerëz që gjithnjë kanë tundur dhe tundin djepin e këngës dhe valles popullore dibrane.” Së fundi me të u takova në “Oda Dibrane” 2017... U takova e bëmë një fotografi dhe bashkuam zërat me shpirtin dhe dashurinë që na kish ndarë prej shumë vjetësh...

Abdurahim Ashiku

Athinë, 31 maj 2020

57 views

Shkrimet e fundit