top of page

IKU DHE GORBAÇOVI...


IKU DHE GORBAÇOVI...

(NJERIU QË NDRYSHOI BOTËN...NDOSHTA PADASHUR) Nga Kristo Zharkalliu.

Më kujtohet kur u zgjodh Gorbaçovi në krye të Bashkimit Sovjetik,ndodhesha në Igumenicë për pushime. Ishim disa vetë në një shtëpi dhe po ndiqnim lajmet në televizion. Kur spikeri tha se Gorbaçovi ishte zgjedhur në krye të superfuqisë komuniste, të pranishmit, shumca e të cilëve ishin ‘’të majtë’’ duartrokitën që më në fund BS do të largohej nga pleqtë që ishin zgjedhur dhe kishin vdekur njëri pas tjetrit, pas vdekjes të Brezhnjevit- dhe se udhëheqësi i ri do të çonte...komunizmin përpara,me idetë e tij të reja si ‘’perestrojka’’ dhe ‘’gllastnost’’që kishte shpallur.Unë qesha me entusiuazmin e të pranishmëve dhe thashë këto fjalë (nuk e di se si më erdhën në kokë):’’Zgjedhje e Gorbaçovit në krye të Moskës, është fundi i komunizmit!!!’’Më sulmuan të gjithë duke më quajtur antisovjetik dhe antikomunist (E vërteta ishte se antisovjetik isha dhe ata e dinin këtë...madje këtë titull ma kishte vënë poeti i njohur Janis Riços kur ishim bashkë në interenim në ishullin Jaro në kohën e jundës fashiste të kolonelëve të zinj..) por nuk kaloi shumë kohë që parashikimi im të vertetohej...madje shumë nga të pranishmit në atë mbrëmje që më kishin kundërshtuar, më vonë më përgëzuan.. THUA TA KISHTE PARASHIKUAR KËTË Gorbaçovi? Unë nuk e besoj! U kap në befasi dhe ai.. si u kapëm të gjithë ne të tjerët!...Kishte besuar se mund të demokratizonte BS dhe vendet e tjera ‘’socialiste’’ duke harruar se ç’ kishin bërë paraardhësit e tij disa vite më parë në Hungari, Poloni dh së fundi në Çekosllovaki,kur në këto vende ishte shfaqur një lëvizje liberale për demokraci...Duket se Gorbaçovi ishte ëndërrimtar i pandreqëshëm që të besonte se në mënyre të qetë dhe paqësore mund të ‘’demokratizonte’’ Basshkimin Sovjetik dhe vëndet e tjera që sundoheshin nga Kremlini. Nuk kishte kuptuar siç dukej se një demokratizim të sistemit do të shkatërronte plotësisht sistemin diktatorial komunist.. .Prandaj u duk se u kap në befasi kur po pushonte në Krime (në këtë vend ishte traditë të pushonin sunduesit e Kremlinit-madje edhe ukrainasi Hrushov atje pushonte!) dhe pa në televizion (pa e lajmëruar njeri!) Jelçinin të parakalonte mbi një tank në Shershin e Kuq duke marrë pushtetin...si puçist! Ai vrapoi në Moskë por ishte tepër vonë...Bashkimi Sovjetik nuk ekzistonte më...’’republikat’’ shpallnin pavarësinë njëra pas tjetrës...akoma dhe Krimea ku pushonte u bë pjesë e...Ukrainës së pavarur (do ta mirte vite më vonë Putini (me luftë gjakatare) që përpiqet të paraqitet si një...Stalin i ri!”!) Por farsa historike nuk përsëritet dy herë...

Nuk ka as dyshimin më të vogël se Gorbaçovi ishte njeriu që shthuri ‘’perden e hekurt’’ duke zbuluar se sa të shtypur kishin qënë ata popuj nga pseudosocializmi stalinist- deri tek Brezhnjevi- ndonse pasardhësit e Stalinit e kishin dënuar gjoja për krimet (që vazhduan t’i bënin dhe ata por gjoja të...demokratizuar!) Se sa ishin të demokratizuar ata popuj u duk nga shthurja e plotë që ndodhi me perestrojkën dhe gllastnosin që kishte shpallur. Nga një ditë në tjetrën BS u shthur dhe mbeti një Rusi e vetme dhe shakaja më e madhe ishte kur pijaneci Jelçini qesharak shpallte ...pavarësinë e Rusisë nga ...republikat e tjera sovjetike!!!

Gorbaçovi do të mbetet në histori si udhëheqësi i fundit i ish Bashkimit Sovjetik. Që andej e tutje rrjedhja e ngjarjeve nuk mund t’i kontrollonte kush se popujt nuk duronin dot më shtypjen dhe varfërinë dhe korrupsionin e militantëve të pushtetit. Gorbaçovi u mënjanua dhe qëndroi i mënjanuar rreth tridhjetë vjet. Patjetër do të kujtohet si njeriu që i hoqi tullën e fundit të ndërtesës komuniste që u shëmb nga një ditë në tjetrën. Popujt kishin paguar haraçin e diktaturës mesjetare 70vjeçare dhe vazhduan të paguajnë deri sot nga mbeturinat e një regjimit anitinjerëzor. Gorbaçovi kishte besuar se mund të ndërtonte një socializëm me fytyrë njeriu...veçse nuk ka njerëz të tillë në botë dhe këtu ndoshta qëndronte dhe naiviteti i tij. Por historia vazhdon të na tregojë se asgjë nuk ndryshon në botë se vendi që lindi Goraçovin, tashmë ka një ‘’Stalin’’ të vogël në krye dhe ky është Vladimir Putin...që ëndërron një Rusi të madhe. Sidoqoftë ne do ta kujtojmë me mirënjohje Gorbaçovin dhe le të shpresojmë se nuk do ta harrojë historia.

KRISTO ZHARKALLI, Athinë 1 shtator 2022.

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page