top of page

IKJA E FITIT


IKJA E FITIT

Nga Fatmir Terziu


Karabobe dhe caraca kishte moti

në duar të njoma shkrihej hana,

fresk ishte nata, po afrohej i ftohti

Fiti ndërronte vetëm dy fustana.


Ishte koha kur piqeshin dhe fiqtë,

mishi i freskët ishte tek dyqani,

dyqanxhiu i kënaqte shpejt miqtë,

por sytë andej nga rruga e fustani.


Fustani me hojna nurriste sokakut,

dridhej mu në mes të Namasgjasë,

dyqanxhiu i temperohej banakut,

kishte rënë mu në pikë të sevdasë.


Ishte lodhur dita me sytë në xham,

Fiti ikte e vinte si ndonjë shejtankë,

shpirti ia ndjente se e kishte xhan,

por dridhej se bëhej me një damkë.


Nata si natë uli njërin sy në sokak,

dyqanxhiu uli qepenat me ngadalë,

Fiti u ndez në fytyrë sa s'mori flakë,

Dyqanxhiu u fik u bë mbi të palë.


Javët shkuan e sokaku mbeti bosh,

Dyqanxhiu shëtiste syrin më kot,

fustani nuk po dukej në asnjë qosh,

mbi xhama shiheshin vetëm lotë.


Gjyshet u mblodhën lexuan Kuranin,

mallkuan Hënën që u struk atë natë,

u ulën të largojnë nga qyteti shejtanin,

mos bëhej më tutje tjetër mëkat.


Dyqanxhiu e harroi gjumin në sy

Fiti dergjej në shtrat ashtu e fryrë,

i thoshte vetes si do t'ia bëj tani,

përditë i largoheshin klientët e tij.


Nga xhepi nxorri një qese me flori,

e ftoi aty xhevapxhiun e mëhallës,

kishte kurdisur një tjetër poshtërsi,

t'ia nxinte më shumë faqen natës.


Qyteti u zgjua me buzët në këngë,

të gjithë fshinin me dhimbje sytë,

qepenat e dyqanit ishin mbyllur rëndë,

aty dergjej trupi i Fitit vetë i dytë.


Floriri kishte blerë natën dorë më dorë,

e për alltinë aty askush më nuk po bëzan,

e përcollën shkitaz tek selvitë Fitin e gjorë,

thonë se Kumuriat mbajtën zi në Elbasan.

34 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page