top of page

Ibrahim Ibrushi – promovuesi i përparimit, i mirësisë dhe i dashurisë njerëzore


Ibrahim Ibrushi – promovuesi i përparimit, i mirësisë dhe i dashurisë njerëzore

(Parathënie e librit “Ibrahim R. Ibrushi: REAGIME”- “Maluka, T. 2022)

Nga Prof. As. Dr. Astrit BISHQEMI

1.

Hej, si të ndodhka ndonjëherë në jetë! Dikur, së bashku me të ndjerin Shpëtim Haxhihyseni, kemi punuar mbi një libër të tërë për mikun tonë, Ibrahim Ibrushi, dhe gjende nuk i paskemi thënë të gjitha! Pushteti, njerëzit, bashkëqytetarët gramshiotë e nderuan. I dhanë edhe titullin “Qytetar nderi” i Gramshit. E përsëri nuk e paskemi njohur e pasqyruar sa e siç duhet në atë libër Njeriun (po, po, me Nj të madhe, sigurisht) me emrin Ibrahim Ibrushi.

U dashka lexuar edhe ky botim.

Dhe mua më thërritka nevoja, detyrimi moral që të rrok penën dhe të shkruaj rishtazi për të, për ndjenjat që më pushtuan, kur lexova e redaktova këtë vëllim. Se në të shpërfaqet edhe më qartë portreti i plotë i protagonistit dhe autorit Ibrahim Ibrushi.


2.

Ky libër përmban materiale jetësore: letra, kujtime, reagime, përshëndetje e përgëzime etj. të dërguara qoftë edhe në fejzbuk, intervista, krijime artistike etj, etj. Dhe po t’i shikosh hollë-hollë, të gjitha këto shkrime hedhin dritë mbi jetën e Ibrahim Ibrushit tashmë si pensionist, që rri e shkërmoq çaste delikate që i kanë lënë mbresa të pashlyeshme nga jeta familjare, shoqërore, apo nga puna në sektorë të shumtë: mësues, drejtor shkolle, inspektor arsimi në rreth, përgjegjës organizimi e arkivi në Komitetin Ekzekutiv të Gramshit. Një relikte, një urim, një përgëzim, një ngushëllim… Një jetë jo e qetë dhe e pashkëputur nga shoqëria.

Tani vitet e pensionit e të pleqërisë po i jeton në Elbasan. Veç në mendjen e në zemrën e tij ende është i gjallë Gramshi me miqtë e me shokët, me njerëzit e qytetit e të fshatit, me jetën shkollore e atë zyrtare, me përparimet që ia bëjnë zemrën t’i rrahë me hov dhe me mangësitë që e dridhërojnë, ia prekin dhe ia heqin humorin e ditës. Kësisoj, ai përsëri është në rresht. Me zemër plot dashuri për njeriun e punës e të suksesshëm.


3.

Përmasa promovuese e këtyre materialeve që përmendëm shtrihet nga një fjalë, fjali a shprehje e thjeshtë, e qëlluar, shqiptuar nga një person, vazhdon në një poezi apo shkrim i shtypit të ditës hartuar nga ndonjë i njohur, qoftë edhe i panjohur, rritet me përgëzimin e autorit për një libër të suksesshmëm, shpërthen nga një arritje, nga një nderim, nga një vlerësim shtetëror me Medalje të Artë i Ministrisë së Arsimit dhënë një nxënësi gramshak.

Çdo nxitje, çdo impresionim është i rastësishëm, i çastit, i shtypit, i televizonit, i fejzbukut, i jetës së përditshme, i meditimit. Ja, gjyshi ndjek bisedat e fëmijëve: nipërve, mbesave, stërmbesave…, rreth jetës shkollore. Por si edukator çmon majanë e fjalëve. Te vogëlushja Rabina vlerëson një pyetje drejtuar kushëririt moshatar në atë bisedë: “Pse, o Isli, me detyrim mëson ti? Nxitjen për të nxënë e priske nga të tjerët?! Atë duhet ta kesh vetë!” E pra, është një problem i madh edukativ: stimuli, motivimi i të mësuarit, i të nxënit, i përfitimit të dijes. Dhe gjyshi, ish-mësues, edukator i përjetshëm, e kap këtë detaj dhe e trajton me një letër të tërë përgëzuese që i dërgon vogëlushes, duke promovuar mendimin e saj, pyetjen e thekur e me vlerë aq të madhe në jetën e shkollarit të sotëm.

Po përmasat gjeografike të letërkëmbimit? Kapin jo vetëm atdheun tonë (e në veçanti vendlindjen, Gramshin e rrethinat e tij), po çapin edhe më përtej, në tërë rruzullin tokësor: Anila Hazizi – Zvicër; Shkëlqim Selimi – Angli; Besim Elezi, Ylli Kristiani e Mira Ibrushi – Itali; çifti Topçiu – Izrael; Shyqyri Fejzo apo Mirela Miraka – Gjermani; Izet Ceci e Hasim Dedja – ShBA; Flora e Mustafa Ibrushi dh e Kosta Sulioti – Greqi etj. etj.

Përmasa kohore? Më tepër se një gjysmë shekulli. Një relikte, një letër e vëllait të ndjerë, Kadriut, mban datën 7.5.1968, një tjetër, më e freskëta, nga Tirana, më 20.06.2022


4.

Edhe pa e mbaruar së lexuari tërë këtë libër voluminoz, madje, sikur vetëm një rrëfenjë të tij të kemi përshkuar, atë me titull “Pse nxënës i shkëlqyer…?”, që të përjetojmë Mësuesin tek Ibrahim Ibrushi. Aty na shpaloset historia jetësore e një nxënësi të shkëlqyer, Agim Zogut. Me gjithë dëshirën për të vazhduar shkollën e mesme, nuk i jepet e drejta e studimit. Dëshpërimi e pushton të tërin. Po ai përsëri çan në jetë, ndonëse përmes vështirësive të panumërta. Plotëson arsimin e mesmë e të lartë, përvetëson violinën, profesionin e rrobaqepësit, i pari në qytet kompjuterin, nga fshati zbret e vendoset në qytetin e Gramshit dhe më tej “mësyn” Elbasanin e Tiranën. Del në këtë rrëfim masakra që bënte e ashtuquajtura luftë e klasave në sistemin e kaluar monist. Po edhe sjellja njerëzore e Ibrahimit si mësues, si qytetar. Ndonëse në një shkollë fshati, fletoret e nxënësve të tij i mbështjell që të gjitha me tabak të bardhë dhe cakton një nxënës me shkrim të bukur për t’i shkruar ato përsipër. Shqetësohet e interesohet si prind për fatin e nxënësit të shkëlqyer. E ndjek jetën e tij në vijimësi edhe kur është larguar nga shkolla. Dikur i dhuron atij makinën qepëse, kujtimin e së ndjerës nënë, ish-nxënësit fatkeq për të ushtruar profesionin e rrobaqepësit dhe për t’i ndezur një fije shprese në jetë…

Diku në një shkrim tjetër na del Ibrahimi drejtor. Ja, nën drejtimin e tij shkolla e Galigatit bëhet institucion pararojë në rreth. Madje,“bleu televizorin e parë në fshat me të ardhurat e veta të siguruara nga puna mësimore praktike e ajo fizike në ndihmë të bujqësisë, i cili u vendos në vatrën e kulturës…”

Po, po, mësues në shkollë e në jetë. Edhe sot e kësaj dite, Ibrahimi pensionist ashtu ka mbetur. Ja, një ditë e ftojnë në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” në Elbasan të zhvillojë një bisedë për librin artistik me nxënësit e klasës V. Ai përgatitet me seriozitet, si dikur me ditarin e mësuesit, duke shënuar me shkrim qëllimin e bisedës që do të zhvillojë, metodat e mjetet që do të përdorë, çështjet mësimore që do të trajtojë, llojet e librave me titujt e autorët e tyre, përforcimin dhe përfundimin e bisedës. I keni këtu që të gjitha. Do t’i lexoni.


5.

Ja një relikte tjetër e rinisë, fejesës, ruajtur që nga viti 1971. Ai i ri që kryen shërbimin ushtarak, ajo e re, kooperativiste e thjeshtë, ende pa arsimin e mesëm. Të dy zemërndezur shkëmbejnë letrat e para. Ai i drejtohet me ndajshtimin shoqe, ajo me shoku im i dashur. I dërgojnë nga larg njëri-tjetrit përqafimet e tyre.

Dhe mua më bije detyra të zëvendësoj numrin shumës të përemrave ju me ti. Kësisoj, ua përlyej me të kuq buzët letrave. Por pas kësaj pune si redaktor burokrat që kërkon të moderojë shprehjet e thjeshta të dy zemrave të njoma e të ndezura rinore, pendohem dhe u vë kryqin shënimeve të mia. Lëri në thjeshtësinë e tyre ato letra relikte, lëri ashtu siç i ka ruajtur prej më tepër se një gjysmë shekulli Ibrahimi. Vetëm asisoj e shprehin mirë thjeshtësinë e tyre, kohën e tyre. Janë më emocionuese ashtu dhe më të besueshme për këdo.


6.

Ka një rrezik ky libër, kjo antologji, siç mund ta quajmë, rrezikohet të kthehet në një thes me shumë gjëra, në një magazinë intime, familjare. E aq më e fortë është kjo ndjenjë tek Ibrahimi, i cili një pjesë të jetës së tij e ka kaluar në institucionin e Arkivit. Kësisoj, që t’i japim kësaj përmbledhjeje një vlerë më të madhe për lexuesit e përgjithshëm, mundohem si redaktor të seleksionoj.

Në një rast gjej dy shkrime të mrekullueshme për punën mësimore të dy mësueseve elbasanase. Analizohet puna e tyre nën syrin e sprovuar të një ish-mësuesi, ish-drejtori, ish-inspektori të arsimit të rrethit, pensionistit Ibrahim Ibrushi. Evidentohen anët pozitive të punës së tyre të shkëlqyer mësimore-edukative dhe, në përfundim, u sugjerohet drejtorive të shkollave t’u propozojnë instancave përgjegjëse për dekorim.

Me syrin e redaktorit lë vlerësimin për mësuesen e dytë, letrën e falënderimit për atë. Shkrimin e parë, që është shumë i ngjashëm me të dytin, e heq. Edhe kështu Ibrahimi e ka promovuar mirësinë, punën cilësore të të dyjave mësueseve në fjalë.

Gjithashtu, heq pjesë shkrimesh e shkrime të plota që nuk trajtojnë çështje të rëndësishme apo interesante, por të thjeshta e të panevojshme, kanë përsëritje të plota apo të shumta me shkrime të tjera apo pjesë e tyre që janë jashtë çështjes apo shkrimit për të cilin shkruhen. Në ndonjë rast kemi lënë shkrime edhe me përsëritje të shumtë, ku trajtohet e njëjta çështje ose e përafërt, si shkrimet për nxënëset e dekoruara me Medaljen e Artë në Gramsh, të cilat trajtojnë këtë çështje të veçantë e shumë të rëndësishme, janë shumë emocionuese dhe janë bërë publike deri në gazetën “Shpresa” apo pjesë e arkivit të shkollës së mesme “Sh. Guzi” në Gramsh.

E shoh që Ibrahimit nuk i vjen mirë. Megjithatë nuk më kundërshton. Më ka vënë redaktor, më ka vënë “prift” dhe nuk i lejon vetes të ma rruajë mjekrën.

Duke përfituar nga kjo tëheqje e autorit, propozoj që të tëharr edhe disa urime e përgëzime telegrafike, që nuk kanë ndonjë interes e mesazh të dukshëm për lexuesit e tjerë. Përpiqem të lë vetëm ato përgëzime e ato letra ku komenti “qahet” e ngrihet në nivel analize, siç shprehet bukur e saktë një falënderues, Meçan Hoxha. Diku ia arrij qëllimit, diku jo. Unë do të shtoja: edhe kur del “dorë e dytë”, kur përgëzon dikë për një shkrim të botuar për dikë tjetër, Ibrahimi do të të shtojë diçka me interes. Fjala bie, kur përgëzon Xhevit Dërmyshin për vlerësimin që i ka bërë librit të Hysen Godoles. Aty, si pa rënë në sy, skicohet me dorë të sigurt portreti i autorit të atij libri, Godoles, të cilin Ibrahimi e njeh mirë.


7.

Rrëfenja që përmendëm pak më sipër për nxënësin Agim Zogu, përfundon me një kërkesë të autor Ibrahimit. I sugjerohet ish-nxënësit ta hedhë në letër, ta shkruajë gjithë historinë e tij të dhimbshme e përpjekjet e patreguara drejt arsimimit e dijes. Libri do të jetë i vlefshëm për brezat e rinj.

Një nxitje të tillë, madje edhe më me ndihmesë konkrete, pensionisti Ibrahim Ibrushi ka dhënë edhe me një rast tjetër, për çiftin Topçiu.

Që të hyni paksa në temë, shpjegoj që Alajdin Topçiun, së bashku me bashkëshorten Loreta, i patën emëruar në Gramsh në vitin e largët 1967. Ai - përgjegjës i muzikës në pallatin e kulturës së qytetit, ajo - mësuese. Jetuan e punuan aty me thjeshtësi e ndershmëri për 24 vjet me radhë. Gjysmën e kësaj kohe në Gramsh e gjysmën tjetër, çin e më çin, në një fshat të tij, në Sotirë. Shkaku? Një njollë biografike e vëllait të Alajdinit. Një jetë e tërë me privacione, tërë vështirësi, përpjekje, sakrifica e përkushtim… Me ardhjen e Demokracisë, çifti Topçiu emigroi në Izrael, ku jeton e pleqëron edhe sot e kësaj dite.

Për këtë çift në këtë libër ka dy shkrime të Ibrahimit. I pari mban datën 1. 9. 2021 dhe i drejtohet Loretës. E përshëndet atë për faktin që, ndonëse ishte me kombësi izraelite, punoi më mirë e më me ndërgjegje se çdo mësuese vendëse shqiptare, duke arritur rezultate të larta me nxënësit e saj si në Gramsh, ashtu edhe në Sotirë. Dhe, siç e ka zakon Ibrahimi i ndjeshëm, arritjet e të tjerëve e lumturojnë: “Të falenderoj nga zemra që më dhurove kaq shumë lumturi e krenari me figurën tënde të mrekullueshme…”.

Shkrimi i dytë “Puna frytdhënëse cilësore e mjeshtrit të mrekullive muzikore” është i mëvonshëm. Në të autori përshkruan jetën dhe veprimtarinë e muzikologut Alajdin Topçiu, vlerëson e ngre lart punën e tij të sukseshme, madje edhe atë studimore “për krijimin e dy perlave të folklorit muzikor polifonik të Gramshit e të atij shqiptar: simfoninë baritore të fyejve dhe simfoninë instrumentale të Orkestrinës, që janë vlerësuar shumë e kanë merituar dekorimet përkatëse”. Me arritjet e shkëlqyera të këtij muzikologu grupi përfaqësues i Gramshit meritoi përgëzime, vlerësime e vende nderi disa herë radhazi në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, në vitet 1968 – ’88, si dhe vlerësime e duartrokitje në turnetë jashtë Shqipërisë.

E ku është në këtë mes ndihmesa konkrete e Ibrahim Ibrushit, do të pyesni ju. Jua tregoj unë. Ai nuk u mjaftua me shkrimet e tij për të nxjerrë në pah punën e frytshme të këtyre njerëzve dhe të poromovojë përparimin. Kontaktoi në telefon me ta dhe, në fillim të këtij viti, u propozoi atyre të shkruanin një libër për veprën e shkëlqyer të Aladinit në Gramsh, i vuri përpara kësaj detyre morale duke i shpërfaqur rëndësinë që do të kishte kjo vepër për vetë familjen, ca më tepër për Gramshin, për shoqërinë. Çifti i mplakur i përgjigjej se nuk kishte kurrsesi mundësi e forca shëndetësore për t’i hyrë një angazhimi të tillë. Po Ibrahimi i ofron me pash ndihmesën e vet. Si ish-mësues letërsie, harton pikat e kompozicionit të librit, përmbajtjen e secilit kapitull etj. etj. Për muaj vazhdoi kontakti redaktorial pothuajse i përditshëm në celular me Izraelin. Jam vetë dëshmitar i kësaj pune misionare.

Madje, edhe një detaj tjetër shtesë. Bashkëkohës i Alejdinit, në Shtëpinë e Kulturës Elbasan, përgjegjës i muzikës kishte qenë muzikologu Sulejman Balza. Ibrahimi nuk e njihte atë dhe më kërkoi të ndërmjetësoja për ta takuar e biseduar me të që ta vilte edhe më tepër për punën e arritjet e Alajdinit…

Dhe u gëzova kur këtë muaj, qershor 2022, miku im Ibrahimi, më njoftoi se libri përfundoi së hartuari dhe po radhitet në kompjuter. Ndërsa, nga ana tjetër, autori i atij libri, Alejdini, falenderon Ibrahimin: “ Bëtë një gjë shumë të veçantë e të jashtëzakonshme, që deri më sot të paktën unë nuk kam parë e as kam dëgjuar […] Punuat e na ndihmuat me dashuri e përkushtim maksimal dhe me dashamirësi të sinqertë si atdhetar e qytetar i denjë i Gramshit”.

A nuk duhet përshëndetur kjo ndërmarrje e mikut tonë, Ibrahim Ibrushi? A nuk përbën ajo një model të vërtetë njerëzor për mua, për ty, për të gjithë ne?

Sa bukur promovon sukseset, përparimin, mirësinë dhe dashurinë njerëzore!


8.

Shfletojmë një shkrim tjetër. Gruaja, Fatmira, është në një çast të vështirë. I ka ndodhur një fatkeqësi, ka ndërruar jetë e ëma. Asaj i është fikur ndriçimi. Zemra i heq e i vuan. Bashkëshorti, Ibrahimi, ndonëse larg, mundohet t’ia lehtësojë shpirtin. I shkruan. E ngushëllon. I vë në dukje tërë mirësitë e nënës së saj. Ti lexues, pasi të jepet rasti ta lexosh atë letër, ndoshta mund të rrudhësh buzët: “E ore, e, por e ka ngritur ca në qiell atë grua të thjeshtë fshatare. E ka quajtur “nënë vigane, nënë heroike, lavdi emrit dhe veprës së saj”... Hiperbolizime. Ç’do të mund të thoshte e të shkruante paskëtaj më shumë Ibrahimi për humbjen, fjala bie, të një gruaje me shkollë të lartë e njohje publike, me vepër të shquar politike, shkencore a letrare për tërë kombin tonë?!”

Po, unë të jap ca të drejtë. Veç mesazhi i botimit të asaj letre në këtë antologji është i njëjtë: promovimi i së mirës, i shpirtit të artë të një gruaje të thjeshtë, i një nëne që është përpjekur me mish e me shpirt, që është robtuar gjatë gjithë jetës për të qenë shtyllë e familjes. Për më tepër, shpirti i saj i artë po i shpaloset së bijës, bashkëshortes, për t’ia lehtësuar vuajtjet e humbjes së kësaj nëne.

Mos, o Zot, mundohu t’ua bësh në jetë këtë ngushëllim e lehtësim të afërmëve të tu, i dashur lexues, qoftë në përmasa më të vogla! Promovon mirësinë e shpirtit.

Teksti numëron disa letra ngushëlluese. Zemra lëngon prej humbjes së të ndjerëve dhe mundohet edhe në këtë rast të promovojë mirësitë e fatkeqëve, boshllëkun që lënë pas këto humbje të pakthyeshme. Por edhe stili i autorit sikur merr jetë në to. Herë-herë i drejtohet të ndjerit sikur ta kishte të gjallë aty përpara vetes dhe ia numëron të mirat, burrërinë dhe punët e vlefshme që ka bërë. Kjo është shumë me ndjenjë dhe të gëzon për përjetësimin e veprës së mirë të të ndjerit. Lexojeni, për shembull, fjalën për Rifat Halilin dhe patjetër që do të më jepni të drejtë.


9.

Në një rast të kundërt, familja ka gëzim. Emrat e dy fëmijëve janë shënuar te libri kombëtar si nxënës ekselentë. Lumturohen fëmijët, lumturohen prindërit, lumturohen gjyshërit. Dhe ky gëzim duhet festuar. Duhet shtruar një darkë me tryezë plot, madje edhe me një ëmbëlsirë në mes, qoftë një tortë. Dhe ti, o gjysh, që më je shtruar në krye të tryezës, në mes nipave, të afërmish dhe miqsh, duhet të ngrihesh e të thuash fjalën tënde, të përgëzosh nipat. Këtë ka bërë edhe gjysh Ibrahimi. Madje, fjalën e tij e ka përgatitur me shkrim që të tingëllojë sa më bukur e të zgjojë ndjenja në zemrat e vogla. Lexoje edhe ti, të lutem.

”Oo, ç’është gjithë ky fjalim i gjatë, burokratik! Pale, por po u dhuron nipërve edhe librin e vet të porsabotuar. Më tingëllon disi ceremoniale kjo dhuratë” mund të më rrudhësh buzët ti.

Dhe unë të jap ca të drejtë për këtë vërejtje. Se edhe skorje nga jeta, nga puna si drejtor e inspektor mund të ketë njeriu. Veç unë të them: Bëje edhe ti, miku im, që veç gëzime paç në shtëpinë tënde, me familjen tënde. Promovoji suksesin, përparimin, të mirën, lumturinë e rastit, vlerësoji arritjet njerëzore, qoftë edhe në një mënyrë ca më të thjeshtë, duke ua zhveshur ndoshta atë që të duket ceremonialitet. Ti thyeje arrën dhe merri thelbin. Ky është mesazhi që më jep mua fjala e ngohtë e gjysh Ibrahimit.


10.

Gjatë redaktimit nuk vura dorë në periudhat e gjata, veçori e stilit të Ibrahimit, me qëllim që të mbante vulën e vet ky stil elegant dhe i mëvetshëm.

Stil ca si burokratik, do të thoshte ndonjëri. Ne në jetën e përditshme themi, bie fjala, “Do të shkoj në Komitetin Ekzekutiv…”, ndërsa Ibrahimi na shprehet: “Do të shkoj në Komitetin Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit ”, se ky grup fjalësh emërton një institucion e është emër i përveçëm, që duhet shkruar ashtu, por edhe mund të shkrihet me fjalë përfaqësuese, siç theksova më lart. Mund ta akuzosh edhe ca si dorëlirë në enumeracionet vlerësuese me epitete pothuajse tipike e të njejta, që i zbraz me breshëri dashamirëse. Po unë mrekullohem se ku i gjen tërë ato fjalë të ëmbla, mikluese, fjalëmjalta, që mbartin dashuri të madhe, vlerësim, frymëzim e nxitje, që i burojnë e i gurgullojnë nga zemra si uji i kristaltë i përroit malor këtij promovuesi të mirësisë.


11.

Mos po ngutem në këtë vlerësim? Pa t’u vëmë veshin edhe të tjerëve, qoftë edhe në reagimet që bëjnë për vlerësimin e tyre nga autori!

Xhevit Dërmyshi shprehet: “Ibrahimi është nga ata njerëz që rritin e lartësojnë përditë vetveten dhe vlerat duke shpalosur energji krijuese të pandërprera në shërbim të njerëzve, të jetës e të shoqërisë…[…] Njerëz të tillë u bëjnë nder titujve të tillë si: Medalje pune, Qytetar nderi i Gramshit, Nderi i shoqatës Gramshi etj.” (Kujdes, shikoni sa bukur! Jo titujt u bëjnë nder njerëzve, por e kundërta: njeriu i titulluar, në këtë rast Ibrahimi, u bën nder titujve!)

Ecim më tej. Mira Ibrushi vlerëson Ibrahimin: fjalët e tij mbartin dashuri të madhe, vlerësim, frymëzim e nxitje…

Ndërsa Hasim Dedja, që nga ShBA-ja thërret fort: Ibrahim, “je një gur i çmuar për shtëpi, miqësi e shoqëri”!

Në letrën reaguese pensionistja Loreta Topçiu shprehet që nga Izraeli: “Jam shumë e emocionuar, qava. […] Ku t’i gjej unë fjalët e bukura për të të falënderuar dhe uruar ty? Ti i mblodhe të gjitha, mjeshtër i fjalës…”

E pra, do ta quaja këtë libër një poemë të bukur hymnizuese për të lartësuar figurën e njeriut, punën e sjelljen e tij, jetën e ndershme. Çdo reagim, çdo letër tingëllon si një strofë e kësaj poeme të ndjerë. Po, miku im, autori i kësaj antologjie, Ibrahim Ibrushi, është një poet promovues e përgëzues i përparimit, i mirësisë dhe i dashurisë njerëzore.

76 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page