I PAHARRUARI ALQI KADENASI, KA MBETUR I GJALLË NË ZEMRAT TONA


SHPENDI TOPOLLAJ


In memoriam


Në 5 maj mbushet viti që kur nuk e dëgjoj më zërin e ëmbël dhe të dashur të shokut tim të hershëm, Alqi Kadenasit: “A ke kohë të pimë një kafe?” Si nuk kisha kohë për atë njeri të mrekullueshëm, i cili qysh kur ishte ende i vogël, nxënës në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, rrezatonte pjekuri e mirësi. Takimi dhe bisedat me të më jepnin kënaqësi dhe më ngjallnin plot reminishenca të bukura, pasi ai gjithmonë evokonte me zjarrin e zemrës Barmashin, prej nga vinin të parët e tij, atë fshat të magjishëm me atë viroin ku rridhte uji akull i ftohtë, atë vend pra ku baballarët tanë më 6 korrik të vitit 1943, fare pranë xhadesë, i bënë trimërisht atë pritën historike ushtrisë pushtuese gjermane, çka na bën krenar jo vetëm si kolonjarë, por edhe si shqiptarë. Ne kujtonim shokët dhe mësuesit tanë të papërsëritshëm, që vinin shpirtin e tyre për të na mësuar neve: Stavrin, Gjylizaren, Sadeten, Ismetin, Gaqon, Filipin, tre Vironët, Dritën, Perikliun, Violetën, Shpresën, Leonorën, Irakliun, Kozmanë, Fluturën, Llukën, Hamidenë etj. oficerët e përkushtuar që nga komandanti i shkollës Luto Haxhiu e deri te kapter Nokja apo kuzhinieri buzagaz Qirjakua. Fotografia e Alqit, për katër vjet me radhë qëndroi në tabelën e nderit të shkollës, pasi ai shkëlqente si në mësime ashtu edhe në sjellje. Në jetë morëm drejtime të ndryshme, por për fat, të dy shërbenim në Durrës. Kështu që e ruajtëm të paprekur miqësinë me njëri - tjetrin. Atij ju ngarkuan detyra të rëndësishme, deri Drejtor i Drejtorisë së Arsimit dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit. Gjithmonë është përpjekur t`ua zgjidhte shqetësimet njerëzve pa i ndarë ata sipas preferencave partiake. Mundet që dikush edhe ta ketë lënduar, ngaqë jo gjithmonë arrihej të plotësoheshin kërkesat e tyre të shumta, por Alqi si një niçean i vërtetë, ndiqte parimin “Nuk vritet me zemëratë, por me qeshje”. Ai më citonte një herë Platonin që kishte thënë se “Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.” Dhe ai kurrë nuk abuzoi me pushtetin që ju besua; mbeti i ndershëm dhe i papërlyer, si uji i kristaltë i fshatit të tij. E për më tepër, me kurajë qytetare, urtësi e largpamësi, ai e tha fjalën e tij të mençur, sidomos në kushtet kur te ne po vendosej demokracia. Shkroi shumë artikuj problemorë nëpër gazeta dhe së fundi doli me librin dinjitoz “ESE Opinione, Reagime, Qëndrime”. Ishte shembulli më elokuent se si duhet të jetë pozicioni i intelektualit në kushtet e reja, ku mund të kemi pikëpamje të kundërta, pa harruar se jemi vëllezër. Por këtu u shpërfaq edhe kultura e madhe e Alqi Kadenasit, i cili asnjëherë nuk i qe ndarë letërsisë. Me karakterin e tij të fortë dhe modestinë që nuk ju nda asnjëherë, më është dashur gati një vit që ta bindja atë për ta promovuar librin e tij. Më pas, më tregoi se kishte të tjera plane për të shkruar, por fati i keq nuk e la. Alqi Kadenasi meritonte shumë, por u largua papritur nga jeta, duke i dhënë asaj shumë më tepër se ç`mori. Dhe në pastë thënë ndonjëherë diçka përsëmbari Nikolo Makiaveli, është kjo: “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”. Kurse ne që e deshëm aq shumë atë njeri dhe intelektual me vlera dhe virtyte të rralla, s`na mbetet veçse të përsërisim fjalët e M.T.Ciceronit se “Jeta e të vdekurve është e vendosur në kujtesën e të gjallëve”. Ja përse edhe unë vazhdoj të pres se mos dëgjoj atë zërin e ëmbël “A ke kohë të pimë një kafe?”

25 views

Shkrimet e fundit