top of page

I padehur: Doja të isha i 500001-ti





Nga Fatmir Terziu


Mendova, „gota bosh nuk e deh njeriun“. Ishte dyshim? Ishte ndryshim? Ndryshimi im nuk ishte tek dyshimi. Anasjelltas?! Dyshimi ishte ndryshimi. Ndryshimi. Gota tashmë ishte thyer… dhe natyrshëm mbetej ndryshimi. Ndryshimi, mbeti koha që kam shpenzuar, më saktë ato pak minuta, kur shikoja copëzat e mbetura të gotave të thyera të binin në rrugicën e shtruar me fjalë të padëgjuara ndonjëherë më parë. Aty aksidentalisht e besoja edhe ndryshimin. Aty momentalisht e zverdhja edhe dyshimin.

Gjithmonë zgjatja dorën për të mësyrë në xhep, por për zotin, dora ikte në drejtim të paditur. Dhe natyrisht, duke mos gjetur asgjë. Dhe aty, dhe për aq kohë, midis ndryshimit dhe dyshimit, po dhe aq midis dyshimit dhe ndryshimit, mendja më saktësonte rimbursimin e pijeve. E përgjigjja mbetej vetëm gota. Habitesha duke menduar: „gota bosh e deh, apo nuk e deh njeriun“?! E aty në fakt nuk mund të heshtja!

„Them se nuk mund t'i rimbursoni pijet, apo jo?“ Banakieri nuk qeshi. Unë pashë rrethin tim që bëhej më i vogël, i lodhur nga marrëzitë dhe pirja u bë dyshimi dhe ndryshimi i një shakaje. Shikimi u turbullua si rreshtimi i kokrrave të fasules me ngjyrë në një shishe me qelq të hollë. Dhe me çdo pije që pashë, kujtoja banakierin të familjarizohej me gotat bosh. Dhe po aq dhe me copëzat e tyre anembanë.

Një tjetër? Trokita lehtë mbi një shishe bosh. Përdora mënyrat e kopjuara dhe sigurisht dhe të miat. U qasa mbi banak me një buzëqeshje të pikturuar ngjashëm me vajzën në kornizën përballë. Padashje ajo po bëhej terapistja ime. Me atë terapi kisha harruar punën e pagesës. E fundja ishte pagesë. Po pas asaj pagese? Të gjithë qeshën sa u shqyen. E dini pse?

Dora e majtë kishte mbetur mbi banak, dhe e djathta nën një mjegull gri në të zezë që shfaqej si një ekran i zymtë në sy. Trupi? Eh sikur ta dija kush ishte trupi në atë moment?

E unë isha gjithandej. Vetëm aty nuk e di a mund të isha. Gota bosh. Gota të thyera. Copëza që iknin e vinin si të ishin flutura varrezash.


Dhe ata pinë e pinë më shumë se sa duhej. Pastaj si skifterë brofën pranë syve të mi të mjegulluar duke luajtur role të ndryshme. Eh, çfarë filmi po shikoja në çast. Pashë shkallët të përthyheshin si balerina. Brenda një tubi të hollë bënte sondazh me sytë e mi një shtëllungë e fortë si zjarri. Ishte luftë e paparë. I pashë që ata po luftonin. Nuk pashë asnjë shkëndijë andej matanë. E gjitha ishte aty dhe afrohej pranë e më pranë. Zakonisht aty bëhej dashuri. Në atë moment nuk ndodhte një gjë e tillë. Asnjë dashuri. Asnjë e thënë, asnjë e dhënë, asnjë dashuri e marrë.

Edhe unë kisha pjesën time në atë film. E kisha të vështirë të luaja, por isha i detyruar të dua, kur urreja veten. Nuk e di në fakt nëse vetja ishte e vetmja. Atë gjë në fakt doja të ndieja. Po ndieja?

Patatet e skuqura në qypa të vegjëll e të lyera me salcë dhe me yndyrë po më gudulisnin pjesën e pasme të fytit. U mendova pak. Jo kjo nuk ishte tek ndryshimi. Nuk ishte as tek dyshimi. U shkunda dhe u kujtova. Kishte ndodhur natën e fundit që shkova atje. Atë natë e gjeta veten ngjitur me një kokë busti duke thurrur ëndrra deri sa më zuri lemza. Askush nuk më tha të paktën si zakonisht „Shëndet!“.

Dikush foli: „a nuk ju shqetëson kjo kërma këtu? Yf, çfarë ere?“. Fshiva gojën dhe mbeta me të në dorë. Duhej të kthehesha në shtëpi. Ec e gjuaj trotuaret. Shqelmova e shqelmova copat e qosheve të rrugës, duke i thyer. Kur i pashë në atë derexhe i përqesha anët e bordurave. U gajasa sa të mund me mbeturinat e plehrat e kazanëve, që kishin gojët e tyre më të hapura se e imja. Kisha ngrirë duke përqafuar mbeturinat.

E kuptova përmes dritave të rrugës që hija ime nuk ishte errësira e vetme që më ndiqte natën. Nga cigaret dhe nga mendja ime derdhej mërzia dhe inati i qytetit që kishte kaq shumë zhurmë atë natë. Frenat ulëritëse në asfalt po më bënin një lloj ngushëllimi me këmbët e mia të ngatërruara. Nuk e di në fakt nga ta nis me ato të ngatërruara. Duart ishin një kryqnajë më shumë me hijet që lëshoheshin nga pemët e trotuareve. Më kapën thashë me vete. Më kapën?! Bërtita sa të mund. E zhurmat s'kishin të mbarruar. Fitore… Fitore… Fitore … Dhe aty ndjeva botën duke u rrotulluar. Ishte natën. Nata që më ndryshoi mendimin e ndryshimit nga dyshimi. Ishte ndryshim, apo dyshim? Ende jam në dilemë. Në të gdhirë ndjeva se ishte një vendkalim. Një i tillë që ndodh në tre të mëngjesit. Dikush më lëshoi ​​dorën, por unë dëshiroja të ecja, vazhdoja të ecja. Doja të isha i 500001-ti. I pari drejt milionshit. Sa i lumtur isha me këtë ecje.

37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page