top of page

I ngjitur denjësisht në kurorën e letërsisë shqipe


Vëllimi i gjashtë poetik, “Hakerat e mjegullës” i poetit Zyhdi Dervishi, është ngjitur denjësisht në kurorën e letërsisë shqipe


Nga Kujtim Mateli


Poezia e Zyhdi Dervishit është përjetim i thellë i realitetit ku jetojmë, brenda të cilit lëvizin njerëz të lirë që kanë për mision ta bëjnë shoqërinë njerëzore të ndiejë më pak dhimbje shpirtërore, ta tkurrin dimensionin e ligësisë duke i hapur rrugën së bukurës që të celë si lule në çdo qënie njerëzore. Misioni i poetit është hyjnor. Në këtë luftë me të keqen që ende nuk është zhdukur nga planeti ynë dhe që derdh helmin e saj mbi individë dhe popuj, poeti bashkon zërin e tij me miliona zëra të tjerë dhe bëhet luftëtar, por edhe prijës për të ndriçuar mendjet dhe ngrohur zemrat e lënduara nga fatkeqsitë. Poeti e shikon shoqërinë si vatrën e lirisë ku miliona duar dhe zemra bashkohen me njëra-tjetrën dhe të përcjellin në botë paqen dhe mirësinë për ta mposhtur përfundimisht të keqen. Arma e poetit në këtë luftë, është poezia e tij luftarake, me ngarkesa të forta emocionale, me një figuracion të pasur që është në harmoni me strukturën poetike, e cila ngrihet mbi antiteza të fuqishme.

Poezia e Zyhdi Dervishit i ka fillesat që në rininë e tij, por ajo hodhi shtat dhe mori udhën për te njerëzit në vitet `90, me vëllimin poetik “Qiej të përthyer” 1999 dhe vazhdoi gjithnjë e në ngjitje me vëllimet poetike:

“Jehonëlebetia” 2004, “Vetëklonimi i maskave” 2009, “Mokra e hijeve” 2014, “Në kryqin e udhëkryqit” 2019 dhe “Hakerat e mjegullës” 2022.

Vëllimi poetik: “Hakerat e mjegullës” është libri i gjashtë poetik i autorit, i cili copëzat nga jeta e përditshme i ka kthyer në realitete estetike me të cilat komunikon me lexuesin me artin e fjalës që duket se nuk do të shterojë kurrë.

Poezia “Shpirtbardhësi” ka për objekt një dukuri natyrore, siç janë burimet e bjeshkëve që zbresin nga lartësitë dhe u shërbejnë njerëzve që jetojnë poshtë në luginë, në qytete apo qendra të banuara. Pa ato burime të kristalta në lartësi malesh, jeta poshtë do të ishte më e varfër, më pak gjelbërim e lëndina të lulëzuara. Njerëzit do të kishin më pak prodhime e ujë të pijshëm. Dukuria natyrore shoqërohet natyrshëm me atë njerëzore. Burimi i bjeshkëve të kujton bariun lart në male që kullot tufën e bagëtive, nën diellin përvëlues apo shtrëngatat e shirave, një sakrificë njerëzore që u shërben të tjerëve, i shërben jetës në qendrat e banuara apo në qytete. Pa ato sakrifica të jetës baritore, nuk do të rriteshin fëmijë të shëndetshëm. Natyra dhe njeriu lidhen fort në fisnikërinë e tyre të pazgjidhshme dhe të përjetshme.

Poezia “Liria-liri” jep dy pamje të ndryshme fitimtarësh. Fitimtarë që ngritën harqe triumfi për veten e tyre, por nën to nuk parakaluan të lirë. Fitimtarë që ruheshin me eskortë nga frika e popullit të vet, fitimtarë hipokritë nën harqe hipokrizie. Këta janë ata që luftojnë për veten e tyre dhe ngrejnë harqe triumfi po për veten e tyre.

Një pamje tjetër është ajo që ndodhi me kryeheroin tonë Gjergj Kastrioti. Ai nuk ngriti harqe triumfi, por parakaloi bashkë me popullin e vet nën harkun që formonte kupa qiellore, nën harkun që formonte drita e lirisë:

“Ballin e madh

sa gjithë hapësira e lirisë

ia flladitën vetëm rrezet e yjeve

dhe të diellit.’’

2

Poeti ka një lidhje të fortë me atdheun, historinë dhe identitetin tonë kombëtar. Ajo është lidhje shpirtërore pa të cilën invidi, sidomos në këto kohë të trazuara të erërave globale, nuk do të mbijetonte me fytyrën e vet, por do të tjetërsohej deri në pangjashmëri nga bashkëkombasit e tij. Fytyra jonë është atdheu, fytyra jonë është historia, është identiteti ynë i patjetërsueshëm. Nëse i ruajmë këto vlera, ruajmë në radhë të parë veten tonë, bëhemi më të paprekshëm nga virozat e kohëve moderne.

Deri ku shkon kjo lidhje në histori, cilët janë të parët tanë që me gjak e sakrifica i ruajtën trojet mbi të cilat ne jetojmë, trojet ku thurrim ëndrra dhe ato çelin si lulet në stinën e pranverës për ne dhe për fëmijët tanë ?

Ne do të jemi të fortë dhe të paprekur nga joshjet e një bote magjistare që të çon në muzgje humnerash, kur të ruajmë historinë dhe të ndriçohemi prej saj, kur të kërkojmë rrënjët e fisit tonë të stërlashtë sa vetë zanafilla e kësaj bote:

“Hapa një varr të lashtë ilir

dhe aty gjeta kockat e mia.

Kockat-neone shumëformëshe

më ndriçuan kthinat e shpirtit

të lodhura nga muzgvetmia.” (Poezia “Arkeologjia ime”)

 3

Poezia e Zyhdi Dervishit ka në fokus të saj dukuritë globale që shqetësojnë njerëzimin. Po shkatërrohet shtëpia jonë e përbashkët, toka ku ne banojnë po pëson ndryshime. Detet nuk janë si më parë, ku mund të shihje fytyrën, valët i largohen bregut si kokalla të vdekurish nga rrezet radioaktive, poshtë në luginë lumit i ka humbur kthjelltësia e dikurshme:

“Rrekem të shoh ballin tim

Në sytë e dyzuar të pellgut të lumit.

Nga azotemia e kimikateve

Dhe retina e pellgjeve

është verbuar.” (Poezia “Mërgimtar”)

As vesa e mëngjesit nuk është si më parë, e ka humbur atë pamjen e kristalë.

Ç`po ndodh kështu?

Ç`po bëjmë me shtëpinë tonë të përbashkët që askush nuk kujdeset?

Pse po e helmojnë planetin tonë?

Për këtë marrëzi kolektive më shumë heshtim se sa flasim: “Në tokën e të parëve të mi,-thotë poeti,- jam një eremit i përmalluar/ nga e djeshmja dhe e ardhmja/ krejt i larguar.” (Poezia “Mërgimtar”)

4

Realiteti në të cilin jetojmë, nuk është ai që dëshirojmë. Po pse ky realitet deformohet e shpërfytyrohet përkundër dëshirës së milionave njerëzve që e duan atë të pastër si bora e majave të maleve apo si ujëvarat që zbresin nën harqe ylberesh?

Kush janë dhe sa janë ata që e kanë tkurrur dinjitetin njerëzor?

Shoqërisë njerëzore nuk i kanë munguar kurrë luftëtarët, ata që i kanë rrëzuar nga froni tiranët, ata që i kanë pastruar rrugicat e pushtetit nga pisllëku vdekjeprurës i korrupsionit. Megjithatë, nga ky mjedis i ndotur, njeriu ka nevojë të largohet përkohësisht, të qetësohet në një dimension tjetër për ta kuptuar më mirë të vërtetën:

 “Me shpatat e vetëtimave

Kupën e qiellit dua ta gris.

… nga e çara do të arratisem

se nuk kam fuqi

që në këtë dreqo-botë

kaq të lerosur

të bëhem pis.” (poezia “Klithmë”)

Largimin nga realiteti poeti e kërkon edhe në jetën e tij të përjetshme, duke kërkuar që banesën e tij të fundit t`ia ngrejnë në kreshtën e një majëmali. Atje do të jetë larg jetës boshe që bëhet në qendrat e banuara, larg jetës boshe që krijohet rrugëve që mbajnë emra njerëzit të pamerituar. Nuk na mjafton fakti që na qeverisin njerëz të pamerituar, por edhe nga e djeshmja ngrejmë në piedestal po njerëz të pamerituar. Ndaj duhet të jem larg:

“atje ku nuk të fshikin ethet

e hijeve të piedestaleve

të kërrusur nën peshën

e boshit të monumenteve-

magmë erërëndë.” (Poezia “Ankthi nga zbrazëtia”)

5

Në poezinë e Zyhdi Dervishit koha në tri dimensionet e saj: e shkuar, e tashme dhe e ardhme tregon për vazhdimësinë e jetës, lidhur fort me qënien njerëzore. Gjithsecili jeton në një hark kohor që i përmban të tria dimensionet. Por kur ta vrasin të tashmen, çfarë duhet të bëjë njeriu?

Nuk duhet të dorëzohet, duhet të luftojë. Është dimensioni i së ardhmes që do të përcaktojë identitetin e tij. E ardhmja nuk duhet t`u përkasë vrasësve të ëndrrave njerëzore. Ajo është jotja. Është dimensioni yt ku duhet të shpalosësh vlerat. E nesërmja duhet jetuar ndryshe: pa njerëz tinzarë dhe pa tiranë. Ky ndryshim të përket ty që ta bësh. E keqja që ka pushtuar të sotmen duhet të përplaset dhe të vdesë në brigjet e harrimit. Atje duhet të thërmohet dhe të mos i mbetet as shenja më e vogël në ekzistencën e botës njerëzore. Të ndërtojmë botën e njeriut të lirë. Këtë e bëjnë njerëzit që kontribuojnë për shoqërinë njerëzore dhe nuk kërkojnë asgjë si shpërblim prej saj. Ata duan thjesht, atë gjestin më njerëzor:

“Kodërvarrin tim fare të thjeshtë

ma zbukuroni vetëm me dy ullinj

përherë sy zgjuar.

Fëshfërima e blertë e ullinjve

Do t`i japë oksigjen

Frymëmarrjes sime

Të asfiksuar.’’ (Poezia ’’Simbiozë e blertë’’)

Poema: “Rrënjë dhe lule ulliri” jep kohën në të cilën jetojnë, ku realitete të kundërta bashkëjetojnë midis tyre në shtratin e përkohshëm, ku atdhetarët e vërtetë enden rrugëve dhe të pamerituarit ngjiten tinëzisht shkallëve të pushtetit. Nga kjo përballje midis së mirës dhe së keqes, lind poezia e vërtetë që pushton qindra mijëra zemra që pulsojnë fort nga dashuria për atdheun dhe sinqeriteti njerëzor:

Poezia lind,- thotë autori,- kur si model meçurimi/ ngrejnë në piedestal/ identikitin e njeriut/ ligësisht të marrë/ dhe të urtin pjalëpakët/ përdhunshëm e përbaltin/dhe llucave të përgëra/e heqin zvarrë.” (Poema: “Rrënjë dhe lule ulliri”)

Lukunia e nepërkave të nëndheshme gjendet kudo. Kundër tyre ngrihet njeriu i vërtetë: i guximshëm, por pa përkrahje; me diellin e së vërtetës në sy, por në errësirën e thellë të mendjeve djallëzore përballë tij. Poema ka sjellë një kuadër të plotë të shoqërisë në këtë fillim të Mijëvjeçarit të Tretë, i cili ka mbartur me vete bukurinë dhe madhështinë e shpirtit njerëzor që është krijuar në rrjedhë të historisë, por fatkeqësisht mbarti me vete edhe shumë qaramanë që e ndotin mjedisin në të cilin jetojmë, edhe shumë të pabesë e tinzarë, edhe shumë të tjerë që shpiritin ia kanë shitur shejtanit dhe që me hile ia kanë vatanit. Ky dyluftim, i lindur mbase që në gjenezë të shoqërisë njerëzore, është mbartur në këtë Mijëvjeçarë të Ri edhe në nivele të larta të shoqërisë:

“Poezia lind

kur në tryezë diplomatësh

pihet edhe virtualisht verë dinakërie

me kafka fëmijësh

të vrarë në luftra

dhe pusi pabesie.” (Poema: “Rrënjë dhe lule ulliri” faqe 146)

Poema duke e sjellë këtë realitet që ende vazhdon i ngarkuar me sjellje negative të njerëzve të papërgjegjshëm që në shumë raste ngjiten deri në shkallët më të larta të përfaqësimit të shoqërisë, është thirrje për njerëzit e ndershëm që duhet ta ndryshojnë këtë realitet me luftën dhe përpjekjet e tyre të vazhdueshme.

Përfundim

Poezia e Zyhdi Dervishit e ka prekur gjithë dimensionin shoqëror, ka lindur nga ky realitet, është ngritur dhe lartësuar si një reagim ndaj dukurive negative që e pengojnë njeriun në synimet e tij të bukura dhe paqësore. Ajo është thirrja e njeriut në çastet fatkeqe, por edhe vezullimi i dritës së syve të tij në çastet falume; janë ëndrrat e tij të bardha që në udhëtimet e tyre shpesh shkrihen pa arritur në destinacion, por edhe i njeriut që është zot i vetes dhe i së vërtetës që ai përfaqëson. Poezia e tij na ka dhënë kontraste të forta të qënieve njerëzore. Disa prej tyre u ngjajnë zogjve që rrotullohen ujrave të kënetave. Të tjerët kërkojnë lartësitë për të mbrritur në dimensionin e së vërtetës, e cila zgjerohet pikërisht nga këta njerëz, që misioni i tyre është ta bëjnë botën të pastër si një pikë loti dhe të bukur si një pikë vese mbi petalet e luleve.

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page