Anton Nikë Berisha
I DESHE NJERËZIT ME DASHURINË E HYJIT
(Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, tashmë e shpallur e shenjtë)
Kush i shërben të varfrit, i shërben Hyjit.
Gandi
Ti jetove me dashurinë e Hyjit,
limfë e gjakut tënd,
frymëmarrja jote e veprimit
që të drejtoi me ngrohtësi të prushtë
tek të varfrit e më të varfërve,
tek të gërbulurit,
tek të mbyturit në mjerim,
të harruar dhe nga vetvetja.
Asgjë nuk të ndau nga Drita e Hyjit:
“Derisa të keni dritë, besoni në dritën
që të bëheni bijtë e dritës[1]”;
asnjë pengesë jetësore,
asnjë shqetësim shpirti
se çdo gjë e mbështete tek Ai
dhe jetove në njësim të plotë me Të.
Dashuria e Hyjit
t’u shndërruan në etje
për t’i dashur të tjerët
dhe tek hiri i Tij t’i afrosh.
E dite mirëfilli se
kush u shërben të varfërve,
i shërben vetë Hyjit;
t’i duash e t’u shërbesh të tjerëve,
t’u sjellësh pak ngrohtësi në shpirt
atyre që jetojnë në vuajtje e dhimbje,
pa lot dhe pa ëndrra
që dhe vdekjen e presin të trishtë.
Ti u kujdese për ta me dashuri nëne
dhe gjakove që së paku fundin e denjë ta kenë:
të vdesin me një buzëqeshje –
siç është vullnesa e Hyjit.
Me zjarr dashurie i binde njerëzit
se Hyji është i Tejlartë,
ngushëllues i përhershëm –
i dhembjes;
këmbëngule të mbështeten në Të,
Hirin e tij të tyre ta bëjnë,
po dhe ta bartin tek të tjerët;
ta duan tjetrin si vetveten,
ashtu siç Hyji i don ata.
Në të varfrit e më të varfërve,
në të mjeruarit,
në të përbuzurit,
në ata që i çmonin për mbeturina,
ti e vërejte vetë Hyjin
dhe me Dashurinë e tij i deshe
e kërkove që dhe të tjerët t’i duan ashtu.
Pra, kur krymbat dhe minjtë
trupin e gjallë të njerëzve buzë rrugëve e hanin
ti u ndenje pranë dhe u kujdese për ta
dhe vuajtjet e tyre të tuat i bëre;
se në sytë e tyre i pa vuajtjet e të Tejlartit,
që u bënë plagë të shpirtit tënd
e të nxitën të veprosh pa u kursyer.
Sa e sa herë e përsërite:
“Hyji na krijoi që të duam
dhe të jemi të dashur”.
Meqë u bëre Ungjill i gjallë
për të varfrit e më të varfërve,
për të vetmuarit
(Vetmia është sëmundja më e rëndë, pate thënë)
njerëzit t’u përkulën e të quajtën NËNË;
se ti i binde me veprim, me flijim tënd,
me lutjet e tua që të njësuan me Hyjin e me ta.
Secilit i bëre vend në zemrën tënde
dhe e porosite si nënë:
“Mos harro se besimi në Hyjin të bën të lumtur,
të bën të lirë, siç të bën të lirë e vërteta,
ndërsa këto të bëjnë
të duash më shumë Hyjin në tjetrin,
t’i gjendesh në orë të vështirë.
E the dhe e zbatove:
S’është e rëndësishme çka bën
po sa dashuri vë
në atë që bën.
E tash, duke kaptuar Qiellit,
të shoh nëpër vrushkujt e Dritës hyjnore
me buzëqeshje shkëlqimtare në fytyrë
jehun e ujëvarës magjepse –
e me lëvizje të lehtë krahëtimi
hir e dashuri tek ne të sjellësh,
ashtu siç bën Nëna zoge kur kthen në çerdhe
zogjve të saj dashurinë t’ua përligjë.
Kozencë, fund tetori dhe fillim nëntori 2018
Plotësuar më 24 gusht 2022 në Prishtinë
[1] Gjo 12, 36.
Comentários