top of page

I DELEGUARI



(tregim humoristik)

Kostandin Vogli


Si për t’u ngrohur e për t’u çlodhur në faqen jugore të kodrës, shtrihet si një velënxë e vjetëruar fshati Dervan. Ishte muaji shkurt dhe i ftohti i kishte ngrirë duart, prandaj ato i kishte ngjeshur në xhepat e palltos. Që kur kishte zbritur nga një makinë “Ifë”, po mundohej t’i ngjitej kodrës dhe gati një orë zvarritje këmbësh, ju duk se kaloi gjysma e ditës. Retë e errëta që vërdalloseshin mbi kokën e tij, po shtyheshin nga një erë e lehtë, por shumë e freskët. Nga zbukurimet që u kishte falur vjeshta, pemët ishin të gjitha të shkundura. Kjo pamje i dha njëmërzitje te deleguarit, sepse mendoi se nuk do të mbaronin deri në darkë këto rrugica të baltosura dhe të bajgosura, sa të arrinte ne këshillin e fshatit. Hunda e hollë dhe me kurriz të theksuar i ishte skuqur më tepër nga veshët e kërcyera pak si të lepurit. Gojën e kishte mbyllur me dy buzë të holla si të ngjitura me zamkë. Kur mbaronte frymëmarrjen i detyruar nga e përpjeta, avullin e nxirrte vetëm me hundë. Një pallto e vjetëruar, ashtu si dhe kostumi që kishte veshur ja mbanin trupin pak ngrohtë. Këpucët e reja që kishte blerë pak ditë më parë, i ishin ngarkuar deri në mes me baltë e bajga lopësh, sado që mundohej ta zgjidhte rrugën. Fije-fije shumë nga flokët i ishin arratisur dhe shumë sipërfaqe i kishte përfituar balli. Një kapele me vija kishte ngjeshur deri mbi vetullat e trasha. Sytë si thëngjij të shuar pa pikë jete, i nxirrnin në pah pamjen e shpirtit si e zeza e syve të tij.

Ishte i mbushur me mllëf, sepse po gdhëndej si shumë tregu i zi në atë fshat. Hapur fare po bëhej kondrabanda. Pikërisht për të mbërthyer me gozhdë kondrabanden, partia e rrethit kishte zgjedhur njeriun më të devotshëm te shtronte këto fshatra, shokun Ejkun.

Shoku Meditin si sekretar Partie dhe kryetari I pushtetit shoku Nderim vrapuan për ta pritur. Shokët e udhëheqjes së fshatit e pritën me nderime dhe e ngrohën me një dopjo raki dhe kafe të ngrohtë në kafenenë e fshatit. I thoshin kafe, por më shumë rëndonte gruri apo qiqëra e përzier me të. Kafeneja si një stallë e vogël kafshësh, vetëm me zgarën me pak prrush për të zier xhezveja. Dy kavanoza ndodheshin të rreshtuara në banakun prej dy dërrasash. Njera me llokume, tjetra me karamele gjysmë lekshe të asaj kohe. Në sallën e shtruar me pllaka shtufi, diku edhe të dala nga koha, ishin vetëm dy tavolina ndofta që të shekullit të kaluar të vjetëruara e të krimbura. Katër burra luanin domino me nga një gotë përpara. E vetmja dritare e vogël dy fletëshe, e fuste erën nga plasaritjet. I deleguari shoku Ejkun ndjeu një të dridhur. Të tre personat e rendësishëm u ulën në tavolinën tjetër dhe mbasi qanë hallet e tyre, e vunë në dijeni edhe për hallet e fshatit.

Ishte koha kur pushteti popullor kishte shpallur monopol drithërat e bukës, orizin, sigurisht edhe ullinjtë. Kush kapej me grurë, miser apo oriz të blerë arrestohej. Kush bënte vaj me këmbë fshehur burgosej. Orarin e mbledhjes me gjithë fshatin e vendosën njëzëri për në orën gjashtëmbëdhjetë. Arsyeja, errësohej shpejt dhe fshatarët do ta kishin të zorshme për t’u kthyer në shtëpitë e tyre nëpër llucra, bajga dhe të pa ndriçuara.


Me një cope të kuqe të vjetëruar ishte e mbuluar tavolina ku ishin ulur, në mes i deleguari shoku Ejkun. Në krahun e djathtë sekretari i Partisë shoku Meditim, në krahun e majtë kryetari i pushtetit shoku Nderim, sekretarja e rinisë shoqja Mendime u ul pranë sekretarit. Dhe pranë tavolinës shumë servila dhe informatorë vullnetarë.

Salla që nuk ngrohej as në verë, ishte shumë e ftohtë. Por e ngjeshur me gra, burra, të reja e të rinjë, nga frymëmarrjet po ngrohej dalngadalë. Sekretari dhe kryetari bënë prezantimin me të deleguarin, shokun Ejkun dhe qëllimin e ardhjes së tij në fshatin e tyre. Ata folën e folën se ardhja e të deleguarit, i cili do të dërmonte tregun e zi jo vetëm në fshatin e tyre, por në gjithë fshatrat e krahinës ku do të shkelte këmba e shokut Ejkun. “Domethënë, - tha sakretari i Partisë, shoku Ejkun do të mberthejë kontrabandën. Megjithëse ne rastet i kemi patur shumë të pakta”. Pastaj me një duartrokitje, ku me ate rast fshatarët ngrohën dhe duart, fjalën e mori shoku Ejkun.

Për rendësinë e këtijë takimi me popullin e fshatit Dervan, një popull revolucionarë, foli gjatë shoku i deleguar. “Dhe ashtu si në revolucion, - tha ai, së bashku dhe tani nën udheheqjen e Partisë e Pushtetit Popullor, do t`ja dalim me sukses kësaj luftë kundra kondrabandës. Pasi mbaroi, pa nga sekretari për t’i dhënë shënjë që ta merrte ai fjalën.

Pasi mbështeti të deleguarin për misionin që kishte marrë dhe për të vërtetuar se ata e kishin filluar këtë luftë që më parë, sekretari permëndi një rast të përfolur shumë, të cilin sa herë organizohej një mbledhje, ai dhe kryetari i këshillit drejtonin gishtin të çohej në këmbë Suzusi. Dhe tani sekretari i shëtiti sytë nëpër sallë dhe i nguli ato në fytyrën e verdhë të Suzusit duke ja bërë me gisht të çohej. Kur u çua në këmbë edhe i deleguari vërejti një njeri të tharë, të verdhë e të mballosur. Mëngët e pantallonave të Suzusit mbeshteteshin mbi një palë skarpinja, ku brënda tyre i dalloheshin një palë çorape të leshta, por të vetmet të pa grisura të thurura nga e shoqja. Trikua përmbi këmishën me jakë të mballosur që kishte veshur si me të mirën për mbledhje, jo vetëm që kishte ndërruar ngjyrën, por kishte marrë pamjen e një harte të shumëpërdorur. Në anën e djathtë të gjoksit të sosur kishte një mballosje në formën e një topi të shfryrë, e cila nuk i kombinonte fare asaj trikoje. Pantallonat të mbërthyera me një pullë të madhe palltoje e gjetur diku në rrugë dhe pa rryp. Pulla e shtërngënte aq shumë, sa i tregonte se barku ishte i çfryrë prej disa ditësh. Një mballomë e madhe i`a varte ca si tepër pantallonin në prapanike. “Na fol pak si e bëre kondrabandën e misrit, duke e ditur se blerja e shitja e drithrave bujqësore është monopol i shtetit dhe quhet treg i zi”. “Unë more shoku sekretar, nuk e kam kuptuar dhe nuk e kuptoj akoma se ç`domethënë kondrabandë. Mos neve jemi bandit, apo jemi kundra bandave. Po eshtë ashtu, jemi në rregull. Luftojmë bandat. Atë kuptim ka. Jua kam sqaruar sa herë më çoni duke më kërkuar llogari se ç`farë kam bërë një vit e gjysmë më parë. Por di vetëm një gjë. Që juve ma konfiskuat. Më latë fëmijtë pa bukë se misërin ma morët. Që të rrojë një tjetër aty në qytet, fëmijtë e mi të hanë lakra. Domethënë një familjes i merret buka dhe i jepet një tjetre. Kështu mendoni juve. Tani përse më çove. Duke më demaskuar akoma, nuk jeni kënaqur!? Kondrabandist, kondrabandist. Kjo don të thotë se për një vit e gjysmë nuk ka bër njeri treg të zi. Kënaqem”.

Kryetari këshillit mendoi se do kritikohej nga i deleguari dhe ndërhyu duke i thënë me një zë të zbutur të ulej - Boll me ti Suzus, se kemi edhe problem të tjera! Duke menduar se nga thonjtë e udhëheqjes shpëtoi, u ul me shumë forcë në kariken me ristela, por përfundoi në dyshemenë e shtruar me baltë e bajga për një sekont. Një zë therës u dëgjua. Shoku në krah e çoi në këmbë, por ngjitur në mullaqe mori me vehte edhe një ristel të thyer. Suzusi rënkoi thellë kur shoku i shkuli ristelën. Gozhda, që i kishte hyrë goxha ishte e ndryshkur. Në pantallona u pa një rrjedhë gjaku. Dhëmbja therëse u dëgjua në gjithë sallën. Të lehtësonte dhimbjen, automatikisht e shtërngoi me pëllëmbë, por ajo ju njollos me gjak. Pëllëmbën u a tregoi fshatarëve dhe ata shprehën keqardhje. Ndërsa nga tavolina dëgjuan zërin e kryetarit të këshillit. “More gomar, - e ofendoi ai. Nuk e di ti që ato karike janë të krimbura, si u ule aq rendë?! Duro prapanicën tani. – dhe qeshi. Qeshën shumë në sallë, ndërsa shumë u keqardhën. Ik në shtëpi dhe vuri një leckë me raki. Tetanoz nuk kemi.

Kryetari i këshillit, shoku Nderim, i ngritur në këmbë, ishte baraz me Ejkunin të ulur në karike. Dy pëllëmbë e një sfulqi. ( Hyp këtu shiko Stambollin). Suzusi e harroi për një moment dhëmbjen dhe gjakun që ju var shalëve, ku pantalloni i zhubrosur dhe i mballosur ju skuq deri në fund të këmbëve, vetëm të shpëtonte si kondrabandist. Vrapoi të dilte jashtë i shoqëruar nga të qeshura, por më shumë ndien keqardhje. Suzusi doli, por brënda mbledhja vazhdonte. Të qeshurat e nervozuan të deleguarin, i cili u çua vërtik si çiftja kur u drejtohet zogjve në qiell me gishtin në këmbëz.

“Po shokë fshatarë. Në të gjitha fshatrat e rrethit, por sidomos në fshatrat tuaj lulëzon tregu i zi. Po bëhet kondrabandë. Shumë njerëz po tallen, ose direktivat e Partisë i vënë në lojë. Janë monopol shteti drithrat, -tha duke ngritur grushtin përpjetë. Quhet kondrabandë tregu i zi dhe i hidhen hekurat kush nuk do që të bindet. Burgoset!”, -tha me solemnitet, sikur ai si person do të dekorohej nga Partia.

Ishte akoma në këmbë me grushtin përpjetë, kur një grua mbi të tetëdhjetat nuk duroi më dhe me shumë vështirësi ishte ngritur duke u mbështetur tek shkopi që ajo e quante bastun. Sekretari u pre në gjithë trupin kur e pa atë në këmbë, ose më mirë, kur e pa të përkulur mbi shkopin e saj, sepse e dinte dhe e njihte mirë se mëmë Syloja po e acaronte gjithmonë me kritika dhe nuk do t’i vinte mirë ku para të deleguarit do të lëshonte breshërinë e saj. Duke shtërnguar me të dy duart kërrabën e bastunit, sytë e thelluara në zgavra i shëtiti mbi tavolinën e kuqe. Fytyra e saj gjithë zhapa që mbështillnin kokallat ju drejtua sekretarit, i cili me një zë të zbutur i tha: “Përse je nunduar dhe ke ardhur në këtë mbledhje ti mëmë Sylo. Zotrote nuk të kërkoi njeri. Ik në shtëpi dhe rehato kokallat, se duke qëndruar në atë stol je lodhur”. Mëmë Syloja nuk ja vari fare sekretarit, por me shumë rromuze ju drejtua të deleguarit. “More ti i deleguar, ç`kërkon nga këta kokalladalët. Nga këta lëkurërrudhurit. Nga këta që u kullon bytha ujera nga puna dhe të pa ngrënët. Na thoni se bëjmë Kondra…, por i deleguari ja preu i çuar i alarmuar në këmbë duke e pyetur ashpër. “Ku e ke djalin apo vajzën, nipërit, mbesat që vjen vet në mbledhje?” Ajo uli kokën, sepse menjëherë filluan ta sqarojnë dhe kthente kokën sa nga sekretari tek kryetari. “Unë more i deleguar nuk kam as burrë, as fëmijë, as vëlla e as motër, as nipër e mbesa. Disa m’i ka vrarë gjermani, të tjerët më kanë vdekur. Po të drejtohem shoku i deleguar. Kini mëndje ju, apo kini lajthitur të gjithë. Ç`kërkoni nga ky popull i tharë, i vdekur e i pa varrosur?! Të gjithë familjet e këtyre nuk kanë bukë. Rrojnë me lakra dhe me ndonjë patate, por edhe me të blerë apo ndërruar nga pak misër aty ku gjejnë, se u vdesin fëmijtë. Partia nuk mendon kështu si ju. Ajo ka rrugë të pastër, ju e ktheni me bythëpërpjetë”. Mëmë Sylos i punonte ajo mëndja e pa plakur edhe për pak diplomaci.

Shoku Ejkun u revoltua sa nuk e mendoi se mëmë Syllon do ta fyente rendë. “Plakë llafazane. Fashiste. Ti je armike e popullit dhe e Partisë. Flet në këtë mënyrë zotrote, se nuk kemi kë të të arrestojmë. Kurse ti na qelb burgun. Largou nga kjo sallë me fshatarë të nderuar”. “Do largohem more i deleguari ujk, por ti më ha bajgat mua”. “Ejkun, jo ujk mori mëmë Sylo”, - e kritikoi dhe korrigjoi kryetari i këshillit.”Këta pordhëshkarët frikësoni ju, e jo mua. Por edhe këta nuk kanë faj se u tremben hekurave. Boll janë nja tre burra të pa fajshëm në burgje nga ky fshat”. Dy të gatshëm…e kapën mëmë Sylon nga krahët e thara dhe pothuajse të shkëputur nga toka, se aq peshonte, e nxorrën jashtë duke i mbyllur me forcë kanatet e portës. “Kjo plakë lëshoi shumë helme. Ajo gojë nepërkë kuptohet që është armike e pushtetit popullor. Vetëm duhet bindur populli, (se asaj nuk kemi se çfar t’i bëjmë) se Partia jonë është largpamëse. Sot vërtetë jemi në vështirësi, por nesër me ndihmën e B.S. do rimëkëmbemi. Që do ta mbajë fjalën Partia jonë, do të vij dita. Ajo ditë që do të hamë me “lugë të florinjtë”. Duartrokitje nga të entusiazmuar dhe nga të detyruar.

Sekretari Partisë u çua dhe tha edhe disa fjalë pothuajse gadra – madra, sepse nuk kishin faj, nga katër klasë shkollë kishin të gjithë.

Pa nga i deleguari dhe u dha fshatarëve lajmin e mirë se shoku i deleguar nesër në mëngjes do iki i bindur, se këtu në fshatin tonë nuk do të ketë asnjë rast kondrabande. Të çohemi dhe të brohorasim për…, por ai nuk arriti të permënd asnjë, sepse njëherësh u hapën dy gojë dhe brohoritën, Parti- Enver jemi gati kurdoherë etj. Etj. Dhe çanë sallën ndërmjetë brohoritjeve si triumfatorë. E fundit pas tyre vrapoi sekretaria e rinisë, të cilës nuk i erdhi radha të fliste fare.

Armandi, i cili brënda në sallë nuk kishte bërë zë fare, sepse po mendonte se si do ta mirëpriste shokun e deleguar me të ngrënë e me të fjetur në konakun e tij, u fut midis tyre. Udhëheqësit e fshatit e mirëpritën dhe i njoftuan të deleguarit, se për të darkuar dhe për të fjetur do të shkonte me shokun Armando në konakun e tij. E zgjodhën Armandon, sepse udhëheqësit e fshatit i gëzoi se kishte ruajtur gruaja një grusht oriz dhe ajo si amvise e mirë do të gatuante një birjan të shijshëm.

Duke përshkruar rrugicat me gjerdhe dhe duke u ruajtur nga baltrat dhe bajgat, Armando që e mbante për krahu, e prezantoi që jashtë portës me shufra, me konakun e tij. Ishte errësuar dhe shtëpia e Armandos shokut Ejkun ju duk akoma më e errët. Me turinjë të thartuar, u fut brënda ku e priti e zonja e shtëpisë. Armando e ftoi të ulej pranë ozhakut dhe të dy zgjatën duart të ngroheshin. Dhoma ishte e ftohtë. Oxhaku nuk ngopej me dru. Herë bëhej flakë, herë era e kthente tymin dhe me gjithë të deleguarin po e qanin errësirën me lotë.

“Shoku i deleguar e kemi shtëpinë të ftohtë. Por jo vetëm e imja. Miku pa për rreth dhe aprovoi me kokë. Fëmijtë kishin vendosur përmbi frona fletoret dhe po bënin detyrat, të ulur në jastëqe nga zhaka të mbushura me kashtë orizi. Herë- herë çoheshin, ngrohnin duart në oxhak dhe vazhdonin mësimet. Nën saçin me prrush përsipër po piqej birjani. Se ç`far po piqej nën saç, i deleguari nuk e dinte. Por aroma e sekretoi dhe ju njom goja. Në sufra e zonja e shtëpisë u kishte servirur ato që kishte. Një shishe të vogël me raki dhe ata duke trokitur gotat, nga pjata merrnin me gishta nga një kokërr ulli dhe përtypnin qepë të shtypur, të cilën e goditi me grusht Armandoja dhe ajo hodhi lëngun në sipërfaqen e sufrait. “Gëzuar me këto që na gjete, por diçka të shijshme do hamë kur të ngrihet saçi. Disa vezë që kishim nikoqirja i ka hedhur në tepsi”. Buka e misrit po thekej në anë të vatrës. Aroma e bukës i shtoi sekrecionet të deleguarit, i cili e kishte ndier urinë më shumë se kurrë. Por jo më pak edhe të zotët e shtëpisë. Kandili përmbi oxhak, një llambë me vajguri, në dhomën që nxinte dhe nga të pa lyerit, sepse ishte shumë e vështirë të gjëndej gëlqere, nuk ndriçonte mjaftueshëm. Ullinjtë po rralloheshin në sahanin prej tunxhi, prandaj sofra u furnizua përsëri me ullinjë e qepë.

Më në fund Sosia e ngriti saçin dhe një aromë oreksi u rrotullua nëpër dhomë. Të dy fëmijtë brohoritën. Sipërfaqja e pjekur, vënde – vënde po flluckonte. Në pesë tasa alumini që vendosi Sosia në sipërfaqen e sufrait, do të hidhej nga një pjesë birjani. Tepsia u vendos në mes.

I deleguari me sy të hapur tej mase, vërejti se tepsia kishte birian me oriz. Në vend që të kënaqej se diçka të shijshme do të hante dhe do ta ngopte e ngrohte barkun e uritur, i çuditi të gjithë me qëndrimin që mbajti dhe formën që i mori fytyra. Shumë serioz e pyeti të zotin e shtëpisë. “Shoku Armand, ku e gjete orizin që paskeni pjekur këtë tavë!” Armandi me një buzëqeshje, se nuk e mori aq seriozisht, i tha se gruaja për një rast të tillë e ka ruajtur një grusht. “Dhe rast më të mirë nuk ka, kur një i deleguar të nderon të darkojë në konakun tim. Është nder për familjen time vizita juaj”. Ejkuni nuk e la të shprehej më tepër. “Unë të pyeta se ku e gjete orizin, more shok. Sigurisht që e ke blerë në tregun e zi. Pikërisht për këtë kam ardhur dhe organizova atë mbledhje me fshatarët”. Armandoja u prek në sedër. “Unë po të nderoj ndërsa ti më kërkon llogari, se ku e kam gjetur një grusht oriz, përse kështu thotë Partia dhe pushteti popullor, që asnjë rezervë të mos kenë fshatarët për të ngrënë. Sipas teje, çfarë do hanë fëmijtë?!

I deleguari, shoku Ejkun, vazhdonte të këmbngulte se ku e kishte bërë kondrabandën dhe me kë. “Në cilin treg të zi e bleve orizin shoku Armando”. I zoti i shtëpisë mundohej ta përmbante zemërimin dhe i foli përseri shumë butë. “Do hamë shoku Ejkun, se do të ftohet biriani”. “Jo shoku Armando. Se ku e ke blerë dua ta di. Në këtë kohë kur Partia jonë po bën luftë të ashpër kondra kondrabandës”.

Të dy fëmijtë, të cilët po prisnin me padurim të uritur dhe sidomos birian që kishin shumë kohë pa e shijuar, kishin ngelur gojëhapur me lugë në duar. E ëma e tyre bëri kryqin e habitur, ndërsa Armandos, po i rrotullohej çatia rreth kokës. Se si të vepronte nuk po vendoste dhe kur e pa se nuk mbante më. “Se ku e kam gjetur unë orizin, do që ta dish? Ajkuni me një shpres se me të vërtetë do t’i tregonte se ku e kishte gjetur, ju përgjigj me një, - “Po!” të vendosur. Armando u çua në këmbë dhe ju drejtua shumë i acaruar. Durimi kishte arritur kulmin. E ka ftuar në shtëpi të darkojë, ndërsa miku i kërkon llogari se ku e ka gjetur atë që i servir për të ngrënë. I deleguari e përbuzi bujarinë. “ Ja ku e kam gjetur, more shoku i deleguar”. I sigurtë se për orizin kishin dijeni shokët e udhëheqjes, vendosi të bente të pa bërën. Hapi dritaren me rrëmbim dhe u kthye. Nga sofra rrëmbeu tepsinë, ku nga nevriku nuk e ndjeu dhe djegien e duarve, vrapoi tek dritarja dhe e flaku atë jashtë. Por jo jashtë në oborr ose në rrugë. Dritarja binte nga ana e kopshtit, ku të zotët e shtëpisë rritnin një derr. Aty ishte dhe qeni që i bënte shoqëri derrit, sepse ishte mësuar se diçka do t’u hidhnin. Por nuk e prisnin një festë të tillë të pa pritur.

“Ja ku e kam gjetur, more shoku I deleguar!” Në moment derri u turr drejt të pa priturës që u ra para turinjve dhe derri si një kafshë e limaksur, e mbushi gojën me oriz, por i erdhi rrotull kopshtit se ju përvëlua goja. Qeni e lëpiu një herë me gjuhë dhe nuk tregohej tamaqar. Në moment u fut ndërmjet tyre dhe macja. Armando u foli që brënda dritares. “Hani ju o të uritur, se ne të uriturit këtu brënda, nuk e hanim dot!” Qeni me macen po grindeshin, por edhe derri nuk e honepste fare macen. Megjithëatë të tre po hanin duke parë bamirësin. Shoku Ejkun po shikonte jashtë dritares gojëhapur. Ishte afruar edhe ai tek dritarja dhe të pestë po shikonin se si e shijonin darkën kafshët.

Këtë veprim të Armandos, Ejkuni nuk e priste. Kishte menduar të bënte presion, për në fakt po priste me padurim të hante me shumë oreks. Kur po shikonte se si e kaptonin birianin derri, qeni dhe macja e pyeti: “Ç`bëre more Armando!?” “Atë që më detyrove bëra, more shoku Ejkun”. Dhe urdhëroi gruan të sillte ullinjë për të darkuar. “Nuk e donte birianin shoku i deleguar”.Ejkuni nuk u dëgjua. E mbylli gojën, sepse i hëngri shumë. Fëmijtë varën buzët, por në sufra u ulën të gjithë, sepse kishnin uri. I deleguari i pa ullinjtë me turi të thartuar, por e nguli pirunin në to. Armando që nuk i kish rënë nevriku, e pa Ejkunin e penduar, që ndofta ëndërronte birianin dhe i tha: “HA ULLINJË NASHTIN SHEJTAN I DELEGUAR!” Ejkunit i kishte marrë fytyra pamjen e ujkut dhe mendoi: Edhe emrin ja paskan gjetur si ka dhe shpirtin. Dhe shpirti paraqitet në fytyrë. Sipas ndërgjegjes që ka gjithsecili i merr forma dhe fytyra. Armando po meditonte duke parë Ejkunin se si e këpuste bukën e misërit të thekur dhe e kaptonte atë me nga një kokërr ulli dhe një copë qepë. Po hante i uritur. Armandos ju vështiros dhe ju drejtua pa i ardhur keq dhe pa u trembur, sepse po të fliste të nesërmen, do të demaskonte veten.

“Shoku Ejkun. Po veprove edhe në familje të tjera aty ku do të shkosh fshat më fshat si tek unë sonde, ullinjë do të hash deri sa të kthehesh në shtëpinë tënde”.

I deleguari shoku Ejkun, me një personalitet të çrregulluar, I hëngri ullinjtë të shoqëruara me qepë, se i hante goja për të thënë. Shikimin nga dritarja e hidhte instiktivisht, deri sa derri, qeni dhe macja mbaruan festën duke lëpirë edhe barin. “Vërtetë mua më hëngri goja, por edhe këta të gjithë të këtij fshati që nga sekretari, ai shkurtabiqi ku bytha e ku koka e kryetarit të këshillit e të tjerët, qënkan kondrabandistë. Në këtë konak edhe mua kondrabandë më dërguan”.

FUND


87 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page