Nga vatra më foli zjarri me flakët e tija
Ti je zoti im i pari, unë jam si fëmija
Nëpër prush e nëpër flakë flitet gjuha ime
Nuk kam alfabet në kartë shkrim e drejtëshkrime
Kur erdha, një gjuhë dëgjova, ajo ishte jotja
Darkë më darkë e mësova, ditën e mbuloja
Ishte para historisë kur s’kish vatër prushi
I dha diell dashurisë, drurë e gurë i zbuti
Kjo është gjuha ime e shpirtit, tingulli liri
Që lart nga qielli zbriti tek qumështi në gji
Kjo gjuhë e parathënë në qeshje çilimiu
Sa preku gjoksin Nënë, me qumësht gjuhën piu
Si më dëgjon Zoti kur i bëj ankime
Si mund të flasë loti që rjedh nëpër vajtime
Dert i diellit t’lodhur ku zuri të qeshë
Tek kjo gjuhe e folur, tek kjo gjuhë princeshë
Që ëmbëlson fjalën si mushti i hardhisë
Dritëson uratën kur i flet fëmijës
Zogjtë e qiellit gjërë i thëret e vijnë
Gjuhë e gjuhëve Mëmë u duket violinë
I jep dhimbjes shpresë, brengës i jep dritë
Dashurisë besë, errësirës sytë
Të fton: eja folmë, s’jam gjuhë, jam muzikë
Se mua më zgjodhën për ju vetë perënditë
Kur sokëllijnë trimat betejash pa kthim
Fshihen vetëtimat, qiejt psherëtijn
Dimri nguros gunën, shkon e lidh tufanet
Furtuna nduk gjuhën, bora rënkon mallet
Jam gjuhë që jam vrarë dhe pse gjuhe kam lindur
Dhe gjak më kanë marrë, por s’jam gjakprishur
Shpesh jam kryqëzuar, shumë më kanë mohuar
Tek ndiqnin majmunët, unë isha vet shkruar
Kur perden hiqte moti zgjimi syrin hapi
Mallkimin piq dhespoti sulltani nxin fermanin
Si zjarrin ne e mbanim ket gjuhen e te pareve
Te shkruhej na e ndalnin si vet detin persianve
Por kot që na mundonin se gjuha ish liri
Një dritë që vjen nga Zoti, ta fikësh s’ke fuqi
Për çdo gërmë, një lumë gjak e kryegjak
Të mos zhbëhej në gjumë ky kombi i pafat
Ju Nëna, motra, bija dhe gra për gjenerata
Ju lutet Shqipëria, ju falet gojë mjalta
E shtrydhni vetëtimën, e bëni qumësht Nëne
Me të risni fëmijët se gjuha ësht’ gjak zemre
Në radhë me gjuhët motra si lulet plot radhuan
E lirë për ne është bota, ne gjuhë shumë duam
Kur dheut tonë t’i kthehen fëmijët fluturak
Me fjalë shqipe të dehen, me gjuhën tonë mjaltë
Mbi gjthë krimet mizore, mohimi i gjuhes është
Po s’ja mëson fëmijës, s’je nënë por je nepërkë
Se veç identiteti është drita në liri
Atë që s’e bën shteti, o Nënë bëne ti!
Eshref Ymeri: Përshëndetje, i nderuar Kristo, dhe urime për poezinë e bukur, në të cilën i keni thurur një himn të merituar Kryezonjës Sonë, Gjuhës Shqipe, kësaj Gjuhe Perëndie, siç e quante Naimi ynë i dashur. Strofa e fundit e poezisë suaj më kujtoi strofën e famshme të të Madhit Atë Gjergj Fishta: Pra, mallkue njai bir Shqyptari, / qi këtë gjuhë të Perëndis’, / trashigim, që na la i Pari, / trashigim s’ia len ai fmis. Urime dhe suksese në krijimtarinë poetike. Eshref Ymeri Los Anxhelos, K aliforni 26 janar 2021