top of page

HUMBËS TË KËSAJ PRANVERE


Vullnet Mato

HUMBËS TË KËSAJ PRANVERE




Nëntëdhjetë ditët më të bukura,

me gjithë ngjyrat, që ka flutura,

kemi humbur nga kjo murtajë.

nga fillim-marsi, deri në maj...

Kemi humbur lulet e pranverës,

kemi humbur flladitjet e erës,

Kemi humbur njerëzit e farefisit,

humbëm panoramat e mjedisit.

Kemi humbur ligjërimet e zogjve,

duarshtrëngimet e shoku-shoqeve,

kemi humbur fqinjët në pallate,

humbëm plazhe dhe klube nate.

Kemi humbur krushq e dasmor,

humbëm vallëzimet dorë përdorë

humbëm datëlindjet, të bashkuar,

humbëm urimet, kur duhej uruar.

Kemi humbur soditjet, në vitrina,

humbëm bredhjet me makina,

ndryshkëm veturat, pa punuar,

ndryshkëm zërat, pa kënduar.         

Humbëm lokalet me miq të dashur,

humbëm bujarinë për të qerasur,

Kemi humbur kafet, tek ekspresi,

përshëndetjet: “Mirëmëngjesi!”.

Kemi humbur shëtitjet e magjishme

fundjavët me dreka të shijshme,

lamë bosh stadiumet dhe llozhat

mbushëm me qeska plehrash, koshat.

Kemi humbur bulevardin e madh,

mbyllur si delet brenda në vath,

dëgjuam, ku vdekja po hedh valle,

nëpër botë e komshinj mëhalle.

Mbetëm me bijtë emigrantë, ndarë,

sikur të ishim disa shekuj më parë,

kur s’kish makina e avionë, po kuaj,

për të ardhur nga larg, një muaj. 

Kemi humbur punën dhe qetësinë,

mezi përballojmë skamjen dhe urinë.

Mbushëm jetën me ditë stresimesh,

boshatisëm ditët me jetë gëzimesh.

Mbetëm në pritje, pa afat caktuar,

me fytyrat, krejt shpërfytyruar,

gratë pa tualet, flokët bishtdhelpra,

burrat parruar, si cjepë me mjekra.

Lutemi zotit e mençurisë në shkencë,

na ktheni normalitetin, me urgjencë!

Ne të mbeturit, vdekja s’na merr dot,

kot mundohet e zgjatet, fare kot!...

Kemi nga një qiell të kaltër, në sy,

në ballë, nga një diell-përjetësi. 

Kemi ne zemra, të sigurtën vaksinë,

dashurinë e njeriut, për njerinë....

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page