top of page

Hollësi të reja ...


Kopi Kyçyku Hollësi të reja për Nazaretin, vendlindjen e Krishtit

Zbulimet e fundit tregojnë se Nazareti i lashtë ka qënë më i madh nga sa besohej dhe në antitezë me kulturën materiale e shpirtërore të Perandorisë Romake. Nazareti njihet nga publiku i gjerë si qyteti në të cilin Jezus Krishti kaloi fëmijërinë, por një sërë zbulimesh arkeologjike nxjerrin në dritë më shumë hollësi për këtë qytet në kohërat biblike, shkruan “Live Science”. Një studim i freskët, i kryer për struktura të ndryshme arkitekturore dhe për gjetje të tjera gjithfarësh në Nazaret, dëshmon se banorët e këtij qyteti e patën hedhur poshtë kategorikisht kulturën materiale dhe shpirtërore të Perandorisë Romake dhe ngritën krye në vitin 70 të erës sonë. Shkencëtarët theksojnë faktin që Nazareti ishte në kontrast të plotë me qytetin fqinj Sepforis, i cili, sipas zbulimeve arkeologjike, pat përqafuar kulturën romake. „Dallimi kulturor ndoshta krijoi atë që në fakt ngriti një mur të padukshëm ndërmjet Nazaretit dhe Sepforis-it” shpjegon Ken Dark, drejtor i Nazareth Archaeological Project në librin e vet Roman-Period and Byzantine Nazareth and Its Hinterland (Routledge, 2020). Ndryshimet ndërmjet të dy qyteteve të lartpërmendur bjenë edhe më lehtë në sy kur analizohet revolta antiromake e vitit 70, pikërisht atëhere kur banorët e Nazaretit u detyruan të gjenin strehë nëpër shpella. Në kontrast me këtë situatë, monedhat e prodhuara në Sepforis në atë periudhë tregonin se ky ishte një “qytet i paqes”. Dëshmitë arkeologjike tregojnë se vendbanimet rretheqark qytetit Sepforis kishin bërë të tyren më shumë a më pak kulturën materiale romake. Banorët aty përdornin enë prej gëlqerorësh me prejardhje romake, që përputheshin me kërkesat e standardeve të detyrueshme fetare. Të dhëna të tjera arkeologjike flasin për faktin që banorët e Sepforis-it përdornin jashtëqitjet njerëzore si pleh, gjë që ishte e ndaluar nga mozaizmi, por që banorët e Nazaretit e kishin hedhur poshtë. Aspekt tjetër që arkeologët e nënvizojnë ka lidhje me praktikat funerare. Nazaretasit parapëlqenin t’i varrosnin të afërmit në varre të quajtur “kokhim”. Këta varre hapeshin në shkëmb dhe mbuloheshin me një gur të madh. Në këtë këndvështrim, sipas ungjijve, ata ishin të ngjashëm me varrin në të cilin u shti Jezus Krishti. Shkencëtarët venë në dukje një fakt që figuron edhe në ungjijtë: mësimet e Jezu Krishtit nuk u pritën mirë në qytetin e tij të lindjes dhe kjo mund të shpjegohet me mospranimin e gjithçkaje që mund të kishte lidhje me Perandorinë Romake. “Mesazhi gjithëpërfshirës i shpëtimit, i paraqitur nga Jezusi, po ashtu mund të ketë qënë i dyshimtë për vendësit, të cilët mund të kenë dashur të ngrenë një barrierë kulturore ndërmjet tyre dhe romakëve” shton Dark.

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page