top of page

Historia e njohur e Rexhës...


Viron KONA


Historia e njohur e Rexhës

në një roman mbresëlënës të Sokol Demakut


Të njohësh të vërtetën, edhe nëse ajo dhemb, është më mirë se të jetosh një gënjeshtër”.

D. McGuire


Nuk është e panjohur historia e Rexhës. Ajo është bërë ndër më të njohurat në një periudhë kohore mbi 140 vjeçare. Është një histori prekëse, emocionuese, që të mbush me një dhimbje të thellë për fatin e keq të Rexhës, djalit të mbetur jetim në fshatin Stubëll afër Medvegjës, rrethi i Jabllanicës. Në dekada kjo histori ka zënë vend të pashlyeshëm në kujtesën popullore, është e trashëguar në breza, është rrëfyer dhe rrëfehet gojë më gojë, është kënduar dhe këndohet nga këngëtarë të muzikës së lehtë dhe popullore, të cilët përcjellin njëri më dhimbshëm se tjetri këtë histori thellësisht prekëse dhe drithëruese. Për këtë histori janë shkruar edhe qindra vargje poetikë, janë shkruar e botuar tregime dhe skica artistike, janë kryer studime serioze. Me fuqinë tërheqëse e të dhimbshme, me ndikimin emocionues që kjo histori ka mbi njerëzit, me bukurinë melodike dhe zërat e këngëtarëve, me kohë dhe dalëngadalë, historia e Rexhës fatkeq është bërë gradualisht pjesë e folklorit shqiptar, madje duke marrë edhe atributet e një legjende të dhimbshme popullore dhe të një mesazhi që populli u përcjellë brezave.

Por kjo histori është shoqëruar edhe me një dyshim të pashprehur apo dhe të shprehur nën zë, nëse ai djalë, ditën e dasmës u vra në grazhd aksidentalisht i goditur nga kali, apo u vra prej dikujt tjetër... E vërteta sado e hidhur dhe e dhimbshme të jetë, ajo gjithësesi duhet thënë. “Të njohësh të vërtetën, edhe nëse ajo dhemb, -thotë D. McGuire,- është më mirë se të jetosh një gënjeshtër”. Krahas mendimeve disi të ndryshme të shprehura nga studiues dhe rrëfyes popullorë, kësaj here, i mirënjohuri Sokol Demaku, poet, shkrimtar dhe përkthyes, një nga përfaqësuesit e njohur të kulturës, traditës dhe të letërsisë shqiptare në Suedi, i kushton historisë së Rexhës romanin e tij të titulluar “Çou Rexh, çou djalo!” Romani porsa ka dalë në qarkullim nga Shoqata Sokol Demaku Shtepia Botuese në Borås, Suedi, shtypur në “Lena Graphic”, Prishtinë 2022.

Mbi 140 vjet një histori intriguese, që fsheh një mister të madh.

Veç pushtuesve, bajlozëve që kemi pasur në shpinë,

disa nga ne i bëjnë të keqen njëri-tjetrit...


Mbaj mend që, në vitin 1982, me ansamblin folklorik “Labëria” të qytetit të Vlorës, morëm pjesë në dy festivale folklorike në Turqi, në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Bursës dhe në atë të Stambollit (dhamë shfaqje edhe në qytetet Gemblik, Izmit, Kytaja, Jarëmxha etj). Ansambli, në programin e tij prezantonte artistikisht edhe historinë e Rexhës nëpërmjet valles dhe melodisë së njohur, të kompozuar nga Lorenc Antoni. Vija re atëherë që shikuesit (shumica shqiptarë të Kosovës të emigruar në vite në Turqi) e ndiqnin me vëmendje të madhe, gjithë përqëndrim dhe emocion vallen dhe muzikën. E ndienin se ajo ishte ndër perlat e muzikës popullore shqiptare, por ata dinin aq mirë e deri në detaje edhe historinë e Rexhës, djalit të mbetur jetim, që e rriti nëna e tij, e cila pranoi të martohej me kunatin, vëllanë e burrit të ndjerë, me qëllim që t`i përkushtohej rritjes së birit të saj të vetëm, por që ditën e dasmës së madhe, kur nusja e tij hyri në oborrin e shtëpisë, Rexhën - dhëndër e “goditi kali” në grazhd dhe ai ndërroi jetë!?

Pas asaj shfaqjeje, një burrë i moshuar, që kishte ardhur në koncertin tonë me të gjithë familjen dhe fisin e tij, në bisedë me ne, midis të tjerash tha: ”Shumë mirë që përcillni këto ngjarje nëpërmjet artit. Është art i dhembjes së një populli të shumëvuajtur. Ja dhe kjo valle e melodi prekëse, e dhimbshme, që na bëri të mos mbajmë dot mallëngjimin dhe të lotojmë...Por, duket se, veç të huajit, bajlozit që e kemi në shpinë, disa nga ne i bëjnë të keqen njëri-tjetrit...!?” Nuk e kuptova atëherë, nëse ato fjalë ai i tha në përgjithësi, apo dinte ndonjë version tjetër lidhur me vdekjen e Rexhës. Sot që po shkruaj këtë artikull, më erdhën në kujtesë fjalët e tij dhe thashë me vete se ai i moshuar nga Kosova, me siguri do të kishte më shumë dijeni rreth historisë së kësaj kënge.


Studiuesi e hulumton ngjarjen,

shkrimtari përveç hulumtimeve, vë në punë edhe imagjinatën e tij krijuese


Edhe shkrimtari Demaku është i mendimit se Rexhën, atë djalë të admiruar nga të gjithë e aq të shtrenjtë për nënën e tij, nuk e vrau kali në grazhd, siç thuhet në këngën e njohur, por e vrau xhaxhai (mixha) i tij, për shkak se martesa e Rexhës dhe krijimi i një familje të re, do të çonte në ndarjen përgjysmë të pronës... Pra ajo vdekje dhe rrëfimet që e shfaqin atë si aksidentale, duket se shoqërohen me hijet e dyshimit. E atë mendim dyshues shkrimtari ia arrin që të “vërtetoj” artistikisht, duke “argumentuar” në mënyrë letrare se ajo vdekje nuk ishte aksidentale. Historia, ashtu si dukuria e ajzbergut, ka brenda saj pjesën e padukshme, të nënujëshme, të fshehur, që dikur edhe zbulohet. E, ndërsa studiuesi e zbulon atë me hulumtime, shkrimtari e zbulon në mënyrën e vet, me arsyetime por dhe me imagjinatë letrare, duke e përgatitur lexuesin gradualisht, kapitull pas kapitulli deri në zbulimin e plotë të saj. Kështu, edhe fjalët që thuhen, të shprehura hapur apo nën zë, sikurse edhe episodet e ngjarjet që vijnë radhë në roman, përgatitin në mënyrë graduale lexuesin drejt zgjidhjes përfundimtare të atij lëmshi të mbetur i mistershëm dhe enigmatik nëpër mjegullat e kohëve.

Faqe pas faqeje, në romanin e Demakut, të shkruar plot ndjenjë dhe emocion, shprehet mendimi dhe opinioni artistik i shkrimtarit i shoqëruar me përshkrime të ndiera, me episode dhe detaje shprehëse të jetës së një fshati e krahine shqiptare këtu e mbi 140 vjet më parë, por dhe duke skalitur, tipizuar e portretizuar personazhe artistikë me ngjyrat dhe karakteristikat e kohës. Romani e zhvillon historinë në vijë të drejtë, figurativisht do ta krahasoja me një det të qetë, që nis e dallgëzon, që diçka fsheh nën rrymat e nënujshme të tij, teksa befas shpërthen në sipërfaqe duke ngritur një stuhi të fuqishme.


E keqja shpesh herë ndodh në çast


Familjet e të dy vëllezërve jetojnë të qeta, punojnë në pronat që kanë në fshatin e tyre. Njëra ishte familja e vëllait të madh, Qazës (Qazimit) me Mihanjen (bashkëshorten) dhe fëmijët e tyre; Familjen tjetër e përbënte Ferati, vëllai më i vogël, së bashku me bashkëshorten, Shahe dhe djalin e tyre, Rexhën, i cili është ende një fëmijë afro dy vjeç. Familjet e të dy vëllezërve u shërbejnë bashkërisht prodhimeve bujqësore e blegtorale për të mbajtur jetën, ndërkohë që mbi kokë kanë sunduesin e huaj.

E keqja ndodh në çast, kështu është jeta, papritur e pakujtuar vëllai i vogël, Ferhati vdes nga një sëmundje zemre. Një gjëmë për familjen, në radhë të parë për bashkëshorten e tij, Shahe dhe birin e saj të vetëm, Rexhën, por edhe për vëllanë e madh, Qazimin dhe familjen e tij. Kjo ishte një ngjarje tragjike edhe për të gjithë fshatin, sepse Ferati gëzonte respekt të madh në fshat dhe siç shkruan Demaku: “Te secili shihej dhimbja, shihej ajo ndjenja e keqardhjes për një vdekje kaq të hershme të një njeriu, i cili gjithë mundin dhe kohën e kishte orientuar në mbajtjen dhe prosperitetin e familjes dhe të afërmëve. Sepse Ferhati ishte ai, i cili i dilte në ndihmë çdo njërit, secilës familje që kishte nevojë për ndihmë...” Por e keqja u bë dhe nuk ç`bëhej më. Nusja dytë e shtëpisë, Shaha mbeti e ve, kurse Rexha, biri i saj i vetëm, mbeti jetim.

Përshkrimet e autorit janë mbresëlënëse, për nga stili dhe mënyra sesi janë shkruar, teksa rrëfimi rrjedh me një gjuhë të thjeshtë dhe nga faqja në faqe bëhet tronditës. Zija i pushton të gjithë, e në këtë atmosferë shkrimtari përshkruan figurativisht edhe situatën e krijuar, gjuhën popullore që përdoret në kësi rastesh fatkeqësish, shprehjet e urta e ngushëlluese. Ai që u nda nga jeta kishte moshë të re dhe këto lloje vdekjesh zor të ngushëllohen, ato janë si rrufeja në qiell të kthjellët, kurse vuajtja që shkaktojnë është shumë e madhe. Përvoja popullore gjithnjë ka ditur t`u bëj ballë këtyre ngjarjeve, sidomos me fjalën “melhem”, që lehtëson dhimbjen dhe zbut hidhërimin, por edhe me qëndrimin e njerëzve të fisit, fshatit etj. pranë familjes që është pushtuar nga dhimbja e madhe.

“Ligje” të pashkruara


Pasi u qetësua disa situata, Qazimi, duke e bashkëbiseduar më parë çështjen me bashkëshorten e tij, Mihanjen, pas rreth një muaji të ndarjes së të vëllait nga jeta, mbledh familjen dhe familjarët e nuses së mbetur e ve, fton mikun e shtëpisë, Beqën dhe, sipas zakonit vendosin se çdo të bëjnë me nusen. Mendimet ishin të ndryshme, por brenda “ligjeve” të pashkruara e të paracaktuara në kësi rastesh. Vejushja mund të largohej nga shtëpia dhe të martohej duke e lënë djalin aty, ose ajo të martohej me njërin nga anëtarët e familjes, në këtë rast me të vëllanë e burrit, me kunatin e saj, Qazimin. Por ja, vjen përgjigjja befasuese e Shahes: ajo nuk dëshiron të martohet përsëri, s`do që të largohet nga ajo shtëpi, ku kishte ardhur nuse dhe kishte lindur djalin, Rexhën, me burrin e saj, Feratin. Ajo dëshironte të qëndronte aty dhe t`i përkushtohej rritjes së birit të saj të vetëm, Rexhës.

Ky vendim i nuses së ve u prit mirë nga familjarët dhe miqtë e ardhur posaçërisht për këtë çështje dhe, ashtu u vendos. Por, me kalimin e ditëve e javëve, Qazimi sikur s`po ndihej mirë. E mundonte pyetja, “thua kishin vepruar drejt që vejusha Shahe thjesht të qëndronte e pamartuar aty, apo...?” Duke u këshilluar edhe me mikun e shtëpisë, me Beqën, Qazimi vendosi që të zbatonte zakonin e krahinës, që ta merrte për grua të dytë Shahen, kurse Rexhën ta rriste si birin e tij së bashku me bijtë e tij që kishte me Mihanjen. Pra do të ishin përsëri një familje e lidhur ngushtë, ndërkohë prona e tyre, toka e gjëja e gjallë, shtëpia dhe çdo send tjetër, do t`i kishin të përbashkëta…

Qëllime dhe plane të fshehta


Shaha e pranon këtë martesë të dytë të saj me vëllanë e burrit të ndjerë, në fillim me druajtje, por pastaj edhe ajo nisi të mësohet... Veçse, bashkëshorti i saj, Qazimi, kushedi pse nuk i afrohej Shahës në shtrat dhe, ndonëse ajo e kishte dëshirën që t`i bënte një vëlla të birit, ai dukej i vendosur në qëndrimin e tij disi të çuditshëm e misterioz. Autori, na e shpjegon shkakun e distancimit të Qazimit në shtrat me Shahen. Ai ishte i kërcënuar nga bashkëshortja e tij Mihanja, e cila nuk donte kursesi që burri i saj të kishte fëmijë me gruan e tij të dytë. Madje ky konflikt u bë i përhershëm, sidomos kur vinte java e dytë, kur Qazimi flinte me Shahen. Konflikti u shtri edhe midis dy grave. Mihanja kërkonte shkak për sherr me Shahen dhe hidhte romuze ndaj saj. Teksa konflikti në familje acarohej më tej, autori e përgatit lexuesin për një situatë tjetër të rëndë që pritej të ndodhte në atë familje. Dukej se po afrohej një stuhi tjetër, pritej të ndodhte, një ngjarje mbase edhe më e rëndë sesa vdekja e papritur e Feratit. Ishte një ngjarje, që dukej se po gatuhej përditë në shpirtin e zi të Mihanjes, por edhe të Qazimit, tek i cili “krimbi” dhe babëzia për ta patur pronën e familjes për vete dhe vetëm për djemtë e tij, e jo për Rexhën, sa vinte e rritej. Duket se këtu vepronte fjala e urtë se “Burri është “koka” e familjes, por gruaja është “qafa”, e cila e kthen “kokën” nga të dojë.” Mihanja e kishte atë fuqi ndaj bashkëshortit, Qazimit, por tek ata të dy “kishte gjetur tenxherja kapakun”. Qëllimi i keq ishte “pjellë” e të dyve, ata vetëm sa prisnin rastin ta zbatonin. Çfarë, kur dhe si?

Rexha rritej e burrërohej, fshati dhe vajzat e admironin, ai ishte ndër djemtë më të përmendur në fshat e krahinë…Në këto kushte, Qazimi, pas këmbënguljes së Shahes, vendosi që ta fejonte dhe më pas ta martonte Rexhën. Vijon në roman gjetja e një nuseje për Rexhën nga shkesi, kumbara Brahim dhe vendimi më pas për martesën e Rexhës në një dasmë të madhe, të cilën shkrimtari Sokol Demaku e përshkruan hollësisht dhe me detaje, duke zbuluar përpara lexuesit doket e zakonet e krahinës, ku nderi dhe besnikëria ishin ndër kërkesat e para për bashkimin e një çifti të ri. Në vijim ai përshkruan me hollësi rritet e një dasme shqiptare të krahinës së Jabllanicës, me elementë befasues, me mënyrat e veshjeve origjinale, me llojshmëri veprimesh e qëndrimesh, të cilat, siç dihet, pasurohen vazhdimisht nga brez në brez, në dekada e shekuj. Pos këtyre përgatitjeve dhe atmosferës që krijon një gëzim i madh familjar, siç është dasma, Mihanja dhe shpirti i saj i zi, ashtu dhe i bashkëshortit të saj, Qazimit, zienin nga zilia, egoja, xhelozia, babëzia. Fshehurazi, ata shfaqeshin tinëzarë, shfaqeshin edhe më të egër në qëllimin e tyre.


Dasma u kthye në mort


Nusja, Ferideja, sapo ka mbërritur në shtëpi. Shkrimtari Demaku shkruan: ”Nga një kënd i padukshëm Rexha kishte hipur në një trung dhe fshehurazi mundohej ta shihte sa më mirë nusen e tij, që ende nuk e kishte takuar. Derisa gratë merreshin me rehatimin e Ferides, atje në oborr Qazimi, i cili dukej sikur i humbur, kërkonte Rexhën që të merreshin me rehatimin e kuajve të dasmorëve. E gjeti dhe u drejtuan për në stallën e kuajve...” Këtu, në mënyrë logjike shkrimtari Demaku ngre dyshimin: Përse, pikërisht atë ditë dasme duhej të shkonte dhëndri në grazhd dhe të merrej me sistemimin e ushqimin e kuajve të krushqve, kur aty ishin edhe djemtë e Qazimit, apo edhe të tjerë, që mund të angazhoheshin fare mirë me atë punë? Pastaj, e pabesueshme, si mund të godas kali njeriun. Kali është një kafshë e butë, e lidhur ngushtësisht me njeriun, e, për më tepër, kur atij, ato çaste i ofrohej ushqim!? Kali veçse i ka shërbyer tërësisht njeriut. S`i ka bërë keq askujt në jetë, edhe kur ish i egër, edhe i zbutur. Në betejë kali mbron me jetë zotin e tij, në paqe ai është gjithnjë i ngarkuar, meskëputur. Sa histori të tilla kemi ne shqiptarët për marrëdhëniet me kuajt dhe dashurinë e ndërsjellë të njeriut për kalin dhe kalit për njeriun! E pra, shumë dyshues është ky “shkak” që shprehë kënga popullore për vdekjen e Rexhës, duke bërë “përgjegjës e fajtor” kalin për vdekjen e tij!? Shkrimtari Demaku, shkruan:Qazimi ishte si i çarut, i nxirë në fytyrë, sikur nuk kishte pikë gjaku në trup. Edhe Rexha kur e pa u habit, si duket edhe pak u frikësua nga kjo gjendje e axhit të tij, një mërzi e madhe ishte kjo por iu sollë në kokë se ndoshta mund të jetë nga lodhja, nga ngarkesa me dasmën dhe do i kaloj... Kur hynë në stallë dhe u gjenden pranë grazhdit të kalit të parë, Qazimi e goditi mu në ballë me cykën e sopatës nipin e tij, i cili ra në grazhd të kalit pa shpirt. E la ashtu të gjakosur, të shtrirë në mes të kuajve dhe doli me qetësi nga stalla e u drejtua për në odën e mysafirëve të ftuar, të cilët plot gaz e hare festonin martesën e Rexhës. Nuk e ndërroi as çehren e fytyrës. Ashtu i nxirë në fytyrë, i mërrolur sikur edhe më herrët, hyri dhe kërkoi që të servohej darka, sepse duhej që të vazhdohej me ceremonitë e dasmës... Nga mesi i darkës njerëzit filluan ta kërkojnë Rexhën, t`i urojnë martesën dhe të hanin darkën bashkë me të. Sa interesante, nuk gjendej askundi si ta kishte përpirë toka. U ndërpre edhe darka, u ngritën i madh e i vogël në kërkim të dhëndrit. Por, askund, nuk duket i gjallë. Edhe vet Qazimi ishte vu në kërkim të nipit, por as ky nuk e gjente dot. Ishte kjo lojë e tij, ishte kjo pabesia e tij ndaj një jetimi, ndaj një djaloshi që askujt, as tymin e duhanit nuk ia prishte. Koha kalonte e u dëgjua zëri i Qazimit nga stalla e kujave:

- O Zot, ç`ka na paska ndodhur, ejani, ju lutem sa me shpet! - Të gjithë, turr e vrap e në stallë.

-Si ka ndodhur kjo, a thua more? - pyeste ai vet. Po me siguri ka ardhur të ushqej kuajt e njeri nga ata e ka goditur mu në ball dhe ka ngelur i vdekur në grazhdë të kalit.

Çdo gjë u shkatërrua, çdo gjë u dogj për një minutë, u ndërpre kënga, u ndërprenë të gjitha ahengjet...”


Dyshime të pashprehura!


Mbase edhe njerëz nga fshati ishin dyshues se si mund të ndodhte ajo goditje fatale e kalit, ndërkohë që askush nuk e besonte dot se ishte xhaxhai (mixha) autori i vrasjes së Rexhës. Edhe fshatit i dukej krejt e pabesueshme që, xhaxhai (mixha) të vriste nipin e tij Rexhën…Kurthi ishte përgatitur me shumë dinakëri dhe nuk linte asnjë gjurmë dyshuese! Shkrimtari duke ndriçuar portretin e Shahes, shkruan: “Nëna e shkretë, nëna Shahe, edhe ashtu e lodhur, e shkatërruar nga koha, tani ishte e tretur dhe e shkatërrruar tërësisht. Ajo e dinte se kjo ishte gënjeshtër e kunatit, se kali nuk e kishte vrarë djalin e saj, por ajo nuk guxonte dhe nuk kishte mundësi ta thoshte sepse askush nuk do ta besonte një grua për këtë. Gjatë tërë ditës zia kishte mbuluar Shahen dhe shtëpinë, së bashku me të gjithë dasmorët, krushqit, mysafirët, të cilët prisnin që të vinte koha e varrimit të dhëndrit. Ndërsa vajtuesja nisi t` ia thoshte me zë: Çohu mor Rexh, o dil te lama,/Dasmë të madhe po të ban nana,/Çohu Rexh, o çohu djalo,/Çohu ma i miri nanës, oo,/Se s`ka nana tjetër, oo!/Oh, more kalë t`u thaftë jela,/Qysh ma mbyte Rexhën shkelma, /Çohu Rexh, o çohu djalo,/Çohu sokoli i nanës, o,/ Se s'ka nana tjetër, o!/Po vin krushqit rrethit malit,/Rexha i vdekun në grazhd të kalit,/Çohu Rexh, o çohu djalo,/ Se ma fike derën, o,/Sot ma i bukur po m`dukesh, o!/ Nesër Rexhën n`dhe t`ma shtini,/Çohu Rexh, o çou djalo,/Çohu ma i miri nanës, ooooo,/Se s`ka nana tjetër, ooooo!


Koha mbulon, por edhe zbulon gjithçka

Ishte Shaha në fillim më dyshuese dhe çdo çast e më e bindur se shkak për vdekjen e birit të saj të dashur,”dritën e syve të saj” nuk ishte goditja e kalit, por vrasësi i vërtetë ishte xhaxhai (mixha) i tij, Qazimi. Autorët e morën me vete krimin. Sa ishin ata gjallë, askush nuk dyshoi dhe nuk ua ngarkoj atë akt mizor, kriminal dhe gjaksor. Vetëm pas vdekjes së Qazimit dhe Mihanjes, Shaha, personazhi kryesor i ngjarjes dhe i romanit, e rrëfen me vërtetësi e detaje ngjarjen, rrëfen shkaktarin e vërtetë të vdekjes së birit të saj të vetëm e të shtrenjtë, Rexhës...

Në epilogun e romanit, Sokol Demaku shkruan: “Vitet kalonin e edhe Shaha shuhej nga dita në ditë sepse ishte e vrarë në shpirt. Pas ca vitesh Qazimi kishte ndërruar jetë e, një vit me parë, e shoqja, Mihanja. Kishte ardhur koha që të dihej e vërteta për vdekjen e djalit të saj, edhe pse edhe ditën e vdekjes, edhe ditën e varrimit tek të pranishmit kishte plotë dyshime se Rexha nuk kishte vdekur nga shkelmi i kalit por nga dora e Qazimit. Tani Shaha kishte treguar gjithë ngjarjen nga vdekja e të shoqit, Ferhatit e deri te vrasja e të birit të saj dhe se për gjithë të këqijat dhe të ligat në shtëpi ishte kreatore e tyre Mihanja e, realizues i gjithë të këqijave ish kunati e, së fundmi burri i saj, Qazimi.

Përpos çdo rrethane, historia e Rexhës mori përhapje të gjerë në radhë të parë për shkak të dhembjes së madhe që ka shkaktuar atëherë kur ndodhi, por edhe sot që e dëgjojmë. Ajo nuk harrohet edhe për shkak të mënyrës së mistershme dhe kohës kur ajo ndodhi... Gjithsesi, një histori thellësisht njerëzore, që prek thellë kufijët e legjendës e që dalëngadalë është shndërruar në legjendë, në një legjendë tepër të dhimbshme e dramatike, që sa herë e dëgjon si rrëfim, si këngë, si studim dhe, tashmë si një roman artistik, me zor i mban emocionet dhe... lotët.

Vlera, personazhe,mesazhe


Vlerat e këtij romani janë të shumanshme. Do të veçoja vlerat e përmbajtjes, që në roman janë shprehur me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme, me fjalor e shprehje plot gjallëri, të ndjera dhe të bukura, teksa argumenti dhe aftësisa e shkrimtarit është për t`u admiruar përsa i përket mënyrës sesi ai ngre natyrshëm pyetje logjike rreth episodeve dhe ngjarjeve e, sidomos rreth shkaqeve të ngjarjes fatale, që përbën kulmin e romanit.

Vlera të tjera lidhen me përshkrimet e jetesës së fshatit dhe të krahinës për të cilën bëhet fjalë, pra mbi 140 vjet më parë, ritet, traditat. Aty shfaqen: mënyra e jetesës, mikpritja, besa e dhënë, por edhe paudhësitë e ligësitë, që tregohen e që shoqërojnë shpirtin e njeriut në rrethana të caktuara, të nxitura diku nga injoranca, diku nga zilia, babëzia, xhelozia, apo vese të tjera që struken thellë në shpirtin e njeriut dhe shfaqen papritmas në moment të veçanta, sidomos kur ato kanë të bëjnë me çështje të pronës, përfitimeve të padrejta, çështje të ruajtjes së moralit të shëndoshë, të nderit, të besnikërisë bashkëshortore,të mbajtjes së fjalës së dhënë etj..

Personazhet e romanit shfaqen origjinalë dhe tërheqës për lexuesin. Ata janë të portretizuar dhe tipizuar me gjallëri, janë skalitur e latuar me kujdes, gjuha e tyre është shprehëse, individuale dhe me kolorin e secilit, teksa janë të dallueshme edhe kultura, edukata, sjellja, karakteri. Kështu, Qazimi dallon nga Ferhati, ndonëse ata janë të dy vëllezër. Ferati, i mirë dhe i dashur, human dhe ëndërrimtar, njeri i sakrificës dhe ndihmues për tjetrin. Qazimi, shfaqet individualist, atij i “tërheq “kërraba nga vetja”, është egoist, i përpunueshëm, cmirëzi, intrgues, ndonëse në pamje duket se përpiqet për mirë, por në të vërtetë veprimet e tij fshehin qëllime të këqija. Të dallueshme shfaqen e dhe dy gratë: Shaha, grua me karakter të fortë, e qëndrueshme, e drejtë dhe besnike, e gjerë dhe humane, ajo është në gjendje të marrë përsipër përgjegjësi dhe të përballojë si një zonjë-grua fatkeqësitë që i ndodhin...Kurse Mihanja, grua djallëzore, me kulturë të dobët, ziliqare, cinike, me shpirt të zi, dashakeqe ajo ngre kurthe, bën punë tinëzake, thurr plane të pabesa për të arritur qëllimet e saj jo të ndershme..... Mund të themi se ajo na kujton “Ledin Makbeth” në miniaturë, e cila me fjalët e saj “helmuese“ pjesë të shpirtit të saj, nxit bashkëshortin, i cili është i gatshëm dhe i përshtatshëm për të bërë ligësi, por që e fsheh veten përmes formës dhe sjelljeve gjoja njerëzore. Qazimi dhe Mihanja pranuan dhe organizuan dasmën e nipit, që të përgatitnin kurthin dhe vrasjen e kamufluar. Ata e mbuluan atë vrasje aq mjeshtërisht, saqë askush të mos dyshonte për shkaktarët e vërtetë. Madje ishte “zotësia” e tyre që historia e vdekjes së Rexhës u servir në dekada si një vdekje aksidentale. Rexha, është ndër personazhet e dashur, sjellja dhe gjuha e të cilit nxitin kureshtjen e lexuesit për ta përfytyruar, për të mësuar sa më shumë rreth tij, gjuhës që përdor, kulturës, sjelljes së mirë, ai është i dashur, modest dhe miqësor, në mendjen dhe kokën e tij s`ka kurfarë djallëzie, ai beson dhe e respekton xhajën (Mixhën) sepse e konsideron në vend të babait që nuk jeton. Atij as që i shkon mendja se xhaxhai i tij do t`i shkaktonte atë vdekje të zezë. Beqa, mik i shtëpisë së Qazimit dhe Feratit, ruan marrëdhëniet e miqësisë së ngushtë e të sinqertë, tek ai ata kanë besim dhe i drejtohen kur familja ka halle delikate për të zgjidhur; djemtë e Qazimit, për të cilët lexuesi ndien respekt, sepse ata nuk shfaqin asgjë të keqe, ndërkohë që e duan Rexhën dhe e respektojnë Shahen. Interesantë shfaqet kumbara Brahim, i cili është njeri shumë i afërt i familjes, ai i njeh dhe i “zbaton” drejt traditat dhe zakonet, të cilat, siç thuhet “janë më të forta se ligjet”; vëllezërit e Shahes, njerëz që ndjekin zakonet, traditat dhe shfaqen pozitivë e të besueshëm për aq vend sa kanë në skenën e ngjarjeve... Vajtojcat, janë figura interesante që lexuesi i përfytyron jo thjesht si disa gra profesioniste, të cilat vajtojnë me ndenjë e dhimbshëm, por edhe sepse janë ato që përhapin ngjarjen ndër njerëzit dhe i japin jetëgjatësi.

Personazhet e romanit “Çou Rexh, o çohu djalo!” përfaqësojnë tipa dhe karaktere realë, origjinalë, të vërtetë dhe të besueshëm për lexuesin. Gjuha, portretet e tyre dhe lëvizjet në tërësi i japin gjallëri romanit, e bëjnë intrigues dhe tërheqës deri në fund.

Pas leximit të romanit, lexuesi ende është në atmosferën e ngjarjes, teksa historia dhe melodia e këngës së Rexhës jehojnë nëpër trojet shqiptare, si një kujë-klithmë e fortë vajtuese që vjen nga thellësia e kohës dhe përhapet valë-valë për të mos u harruar kurrë:Çohu mor Rexh, o dil te lama,/Dasmë të madhe po të ban nana,/Çohu Rexh, o çohu djalo,/Çohu ma i miri nanës, oo / Se s`ka nana tjetër, oo!

..............

Bibliografi e konsultuar:

-Sokol Demaku, Romani “Çou Rexh, o çou djalo!”, Shoqata Sokol Demaku Shtëpia Botuese, Borås, Suedi, shtypur në “Lena Graphic”, Prishtinë 2022.

-Demir Krasniqi (1950-2021). Nga “Te Sheshi” D. Krasniqi këngëtar – shkrimtar, në bisedë me Gj.Neçaj më 13. 3. 2016: “Folkloristi Demir Krasniqi: Ju tregoj kush e vrau Rexhën…”

-Tekste shqip: Dervish Shaqa (1912-1985) “Kënga e Rexhës”.

-Kultplus:”Kur Nexhmije Pagarusha këndonte këngën e Rexhës(video) 7 maj2017,17 maj 2021.

-Kënga e Rexhës e interpretuar nga kori i Prishtinës”Kolexhium” 1976

- Kënga e Rexhës është kompozuar nga Lorenc Antoni(1909-1991) nën dirigjimin e Mark Kaçinarit(1935-1985).

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page