top of page

HIPOKRIZIA E POLITIKANËVE TANË


PËRÇARJA JONË DHE HIPOKRIZIA E POLITIKANËVE TANË


Opinion

Nëqoftë se Shqipëria nuk po gjen qetësi në rrafshin politik, kjo pa dyshim që ka ardhur si pasojë e dy të këqiave të mëdha: përçarjes dhe hipokrizisë. Përsa i takon PËRÇARJES, ajo për mendimin tim, vjen jo vetëm nga gjeni ynë historik, por edhe nga kultivimi i urrejtjes që e mbajti ndezur regjimi komunist, duke e etiketuar me termin “Luftë kalsash” e cila aq shumë i mëshoi ndarjes në partizanë e ballistë, sa edhe sot e kësaj dite, pra në demokraci, pas 80 vjetësh, bijtë e tyre janë gati t`i hidhen njëri - tjetrit në grykë, kur bota mbarë asqë e vret mendjen për këto punë. Është e kuptueshme se e gjithë kjo bëhet për elektorat, se fundja as kanë luajtur ndonjë rol këta trashëgimtarë që as kishin lindur atëherë, dhe as që mund të bëhen përgjegjës, përsa ngjau te ne në ato rrethana; pra pse u përqafua ideologjia komuniste dhe vendi u vu nën diktatin jugosllav dhe as pse pati bashkëpunim me forcat pushuese të cilat edhe për demagogji, mundësuan bashkimin kombëtar. Rreshtimi politik i atyre viteve plot çoroditje për kushtet e luftës, tani i përket së shkuarës dhe asgjë nuk mund të ndreqet si do të dëshironte njëri apo tjetri. Ajo që duhet ndrequr është agresiviteti, përçmimi, përjashtimi, diskriminimi e poshtërimi i forcave politike në kuadrin e vendosjes së pluralizmit politik. Grindjet e pafund dhe jo për parime dhe ideologji, mes politikanëve tanë janë bërë të padurueshme, për të mos thënë edhe pengesë, për përparimin e mëtejshëm të vendit. Kundërshtari politik, ironikisht vazhdon të quhet armik. Aq e theksuar është kjo, sa edhe duke pirë kafenë në tavolinë, duhet kujdes se me atë që ke përballë, mund të hyjnë në punë edhe grushtat. Të majtët akuzojnë të djathtët e anasjelltas, për çdo dështim e mosarritje. Kudo, deri edhe në ato dasmat e pakta që bëhen, apo në ato shumë vdekje që ka çdo ditë, dëgjon të ngrihet zëri me simpati apo antipati për drejtues partish. Dikush shahet sa u del shkumë nga goja e dikush lëvdohet e ngrihet në qiell. Ndërkohë ata edhe në një çështje madhore si ajo e Kombit, nuk janë në një mendje. Dhe e gjithë kjo vetëm nga ambicia për pushtet. Por në thellimin e kësaj përçarjeje, duhet pranuar se një rol jo të ndershëm luajnë edhe të huajt, e sidomos diplomacia aktuale e SHBA, të cilën do duhej vetëm mendja e Henry Kissingerit për ta analizuar. Dhe këtu nis e keqja tjetër: HIPOKRIZIA. Realisht, ne jemi vendi më proamerikan në Evropë. U shpresua te mbështetja e këtij vendi të fuqishëm dhe demokracia që përfaqësonte. Dhe ashtu si pakuptuar, i lamë dorë të lirë ambasadorëve të saj që të merrnin frenat e vendit në dorë, gjersa zonja guvernante Juri Kim nuk përmbahej në deklarimet e saj pro qeverisë dhe kundër opozitës. Kuptohet se ajo nuk i kishte nga vetja këto qëndrime haptazi të njëanshme. Ato ishin rrjedhojë e politikës pragmatiste të DASH. Dhe sikurse dihet, ata e kishin gjetur “mollën e sherrit” me atë “non gratën” e famshme. Fillimisht u shpartallua për të mos e marrë veten për një kohë të gjatë, opozita. Ndërsa opozitarët, pas urdhrave që erdhën që mat`anë oqeanit, merreshin dhe merren me njëri - tjetrin, qeveritarët bënte si i donte qejfi. Ata kishin forcën e kartonave dhe shpërfillnin dhe shpërfillin ç`do nismë të dy gjysmave opozitare; të madhes dhe të voglës. Deri këtu gjithçka është e njohur. Por unë desha të ndalem te keqpërdorimi i mirënjohjes ndaj Amerikës që këtu përdoret rëndom si përligje e çdo nënshtrimi ndaj saj. 110 vjet më parë Presidenti i nderuar Woodrow Willson i doli në mbrojtje Shqipërisë. Pavarësisht kësaj, ambasadorët amerikanë që erdhën këtu pas këtij momenti, asnjëherë nuk i kaluan caqet e detyrës së tyre. Kurrë nuk ndërhynë në punët e brendshme të vendit tonë. Dhe mbetën përjetë miq të mirë e të nderuar tanët. Shihni kujtimet e Herman Bernsteinit dhe keni për t`u bindur për këtë. Ama, kur Willsoni përkrahte Shqipërinë, as baballarët e zotërinjve Joe Biden, Antony Blinken e deri Escobarit nuk ishin në këtë botë. Këta janë të respektuar, por kur orientojnë politika përçarëse apo të dëmshme për pjesën tjetër tonën Kosovën, kur e konsiderojnë Shqipërinë domenin e tyre, dhe me të mund të bëjnë si të duan, kur e thonë hapur se reformën në drejtësi e bëmë ne dhe këtu dalin ca të papërgjegjshëm që duan të na mbushin mendjen se prej tyre varet ajo, nuk ka sesi të mos ndihesh i fyer dhe i turpëruar. Të jesh në aleancë me dikë, nuk do të thotë të bëhesh vasal i tij, qoftë ai edhe shumë i madh. Shtetet ndërtohen mbi bazë dinjiteti e sovraniteti e jo vartësie diskredituese. Sa herë ndërrohen administratat në SHBA nuk është e thënë, që t`u nënshtrohemi atyre. Ata i kanë zgjedhur votuesit amerikanë që mësë shumti nuk e dinë se ku bije Shqipëria, e jo ne. Prandaj, të mos jesh dakord me gjithësa ata na thonë si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtmen, është diçka krejt normale në kuadrin e shprehjes së lirë të mendimit. Ne këtu kritikojmë pa drojë politikanët dhe qeveritarët tanë e jo më të tjerë, kur na sjellin andrralla. Të jesh aleat me SHBA është plotësisht në nderin dhe interesin tonë, por përse duhet t`i fetishizojmë udhëheqësit kalimtarë të asaj superfuqie? Edhe atje kanë bërë gabime trashanike. Kujtoni kohën e presidentit Richard Nixon dhe bombardimet e tmerrshme në Vjetnam për gati 20 vjet, si dhe milionat e të vrarëve pa asnjë faj, pa shkuar më tej. Epo si të themi ne; se fajin e ka administrata e tanishme amerikane? Pra, ata nuk mund të jenë përgjegjës për sa kanë bërë pararendësit e tyre, ashtu sikurse nuk ka pse t`u detyrohemi për ç`ka bëri mirë Willsoni për ne. Por ajo që duhet theksuar është edhe anashkalimi i opozitës e cila edhe pse e ka fare të qartë, pasi kjo ja bën mu, se kjo përçarje në radhët e saj është nxitur kryesisht nga diplomacia amerikane, nuk marrin guximin ta thonë hapur, por vazhdojnë të betohen e stërbetohen për miqësi e besnikëri me administratën e aleatit strategjik. Me këtë pozicion, opozita shqiptare as ka për t`u bashkuar dhe as ka për të fituar për një kohë të gjatë. Ata nuk duhet të bëjnë sikur nuk e kuptojë se nga u vjen e keqja e lënies së vendit pa opozitë, gjë e cila në demokraci është fatale. Kjo do të thotë që më shumë se atyre, dëmi i bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por edhe për sa thashë në këtë vështrim modest, gjithkush ka të drejtë të mos pajtohet me mua. Zv. Presidenti i dikurshëm amerikan Hubert Horatio Humphrey jo më kot tha një herë se “E drejta jote të flasësh nuk përmban edhe detyrimin tonë

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page