top of page

“Hija e atij Tjetrit” brenda hijeve të diskursit


Hija e atij Tjetrit” brenda hijeve të diskursit

Prof Dr Fatmir Terziu


Paraqitja e narrativit


Hija e atij Tjetrit” është një apel për paqe. Paqja, e prodhuar me një jetë plot “hije”, është arsye e kësaj forme të ndërgjegjësimit, për negociatat jetike ku e afërta e kompletimit, dhe bukuria si qasje e Luljetës, bukuria e së cilës edhe pas pesëdhjetë vjetësh, është admirim njerëzor, dedikojnë një përfundim të një enigme të strukur herë në sjellje, e herë në matastazat e një kulture, që fajëson vetëm derivatin e një stigme të padëshiruar. “Hija e atij Tjetrit” është një nga punët krijuese më të reja të prozës së shkrimtarit Petraq Janko Pali, ku “hija” paraqitet sikurse impozohet, ajo ka më shumë në të tërën një qasje të re, por me një shpirt të sfumuar narrativi me diferencën që shkon deri në mesazhin sqarues. Është në fakt si një ëndërr që kalon me efikasitetin e një peri në vrimë të gjilpërës, për të sakrifikuar mjetin e dhënë në shërbim të vetë mjetit që narrativi e shtjellon si një paqe në tërësinë e rrëfimit.

Njohja, leximi, takimi, përshkrimi, anatomia e vendit dhe gjeografisë në lidhjen që qas parësorja e hyrjes natyrshëm kanë një kënd të arsyeshëm, brenda të cilit nis dhe shtjellohet ideja me të cilën autori kërkon ta mbajë lexuesin në tension. Më tej sqima e narrativit shkon në detaje, ku femërorja qaset nga tërësia që e dallon në një tension të tillë narrativ, ku gjoksi, linjat e deri tek ana estetike e veshjes, sigurisht e detajuar bien jo më në një sy të narratorit, as në atë fantazi që vjen nga një sy, por shkojnë në shumësin e lexuesit, ky sytë tashmë kërkojnë më shumë hapësirë, vend dhe kohë shtjellimi. Prezantimi në këtë pikë dhe shkaku më tej janë më shumë se dilema e “nga ta filloj?”. Janë të tilla pasi forma e rrëfimit është disi lineare, ajo nuk është më thjesht një preokupim, por një zhbirim në detaje për atë që bëhet impenjim.


Njeriu në metastazën e “hijes”


Në rastet kur njeriu mbërthehet në metastazën e “hijes”, dhe kur “hija” ka një aktformë mashkullore, sigurisht që ajo përballë elementaren femërore, është vetë mesazhi që e bën narrativin një komunikim më të thukët. Burri “hije”, në këtë rast nuk është thjesht një qasje maskuline, as një produkt tipologjik i këtij maskuliniteti, por një diskurs ku gjuha formëzohet dhe formon arsye të ndryshme, deri në zhbirimin e fundit, ku narrativi formon atë që lexuesi e pret me kërshëri.

Narrativi i “Hija e atij Tjetrit” nuk është vetëm një monolog, një dialog, një rrëfim, por një strukturë e përzier, ku vetë gjuha e thjeshtë e bën të jetë një arsye më shumë e lexueshme, e arsyeshme, e kapshme, e dedikuar për të gjithë kjo formë narrativi, ku më shumë qaset forma didakte, se sa ajo e përfshirë në kërkim, filozofi, proverbialitet, figuracion, shtjellë të domosdoshme stili. Autori qëndron në udhën e vet. Mbetet i thjeshtë. Shkruan “popullorçe”, pa sforco, pa huazime, pa etiketime, e madje pa ndonjë qasje në tematika të ngjasuara rishtas. Në këtë pikë një formë e tillë edhe mes vlerave estetike duket se komunikon, pasi është e lehtë të kapet filli, e detyruar të shkojë aty ku ndoshta duhej të ishte atkt-detajimi i mesazhit.


Ridimensioni i narrativit


Në tërësinë e vet kjo prurje e re e Palit duket edhe si një prozë e shkurtër, edhe si një novelë, edhe si një roman, edhe si një skicim me gjatësi narrative, por në brendësi është një fakt, një tentativë e metuar si art. Është e tillë se ka fjali të thjeshta. Ka lehtësi në kuptim, madje ka dhe shenjëza narrative të tilla që e akumulojnë prozën pa e detyruar të shkojë deri në fund, ku kupton se “jeta ime dhe mamit tim kishte vajtur dëm”; “jeta vazhdon me të papriturat e saj”; “Me ndihmën e “hijes”, të cilin e urreja në kulm”; “nuk iu afrova kurrë më pas marrjes së maturës”; “më futën në punë në rrobaqepësinë e qytetit, kundër dëshirës time.”; “Po bëhej gjithnjë e më e rëndë jeta ime me ta”; “Hija monstër”, hera -herës më kanoste, të mos i tregoja mamit, se do na helmonte të dyjave.”; “Unë ia pata frikën atij…” etj.

Është shumë e ndjeshme si prurje narrative, ndoshta jo aq sa nga ideja dhe tematika, por nga mënyra se si narrativi i tillë e bën të besueshme, sikurse ndodh, apo ndodhte në kohën që e lexon, pasi sikurse ndjejmë është më shumë se sa një simplicitet, një shpërthim kur narrativi luan rolin e vet tek jeta, frika, dhimbja, lufta, emocioni, dashuria, stresi, e keqja, privilegji, situata, drithma, lakuriqësia, e depërtueshmja, inati, grisja e brekëve, zemërimi, qarja, akti, lagia e shalëve, adhurimi, seksi, dhunimi, e tëra e efektit të hijes, dhe deri tek fjalitë sqaruese: “Gënjeshtari, i pabesi, e urreja me neveri. Ime më, ishte grua e mbaruar, asaj i kishte plasur cipa.”


Duke përfunduar


Karakteri, jo më si shumës, por si një lëvizje brenda shumësit të narrativit lëviz, emetohet, ftillohet dhe kërkon në mendje të zërë një vend duke lënë hapësirë për zhvillim të mëtejshëm gjykim dhe finalizim të idesë. I gjithë ky karakter ka një lidhje me “hijen”, monstra e kësaj hijeje shkon në mjaft labirinthe ku kuptojmë se kjo “hije” ishte preteksti i kuptimit të mesazhit “u “miqësua” (ndoshta kundër vullnetit të saj) me time më dhe me mua.” Jo më kot autori shprehet se “hija” ishte burrë i tmershëm. Ndaj lindin mes narrativit gjykimet dhe morali nga organizatat, transferimi nga qyteti, shtatëzania, sepse është koha kur “sigurimsat donin ta mbanin me të gjitha kushtet shtetin në këmbë”, e më tej emigrimi, helmi vdekja dhe situatat e tjera në burg dhe arrestime, e bëjnë “Hija e atij Tjetrit” një narrativ të ndjeshëm, të arsyetuar për t’u lexuar.

106 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page