top of page

Heronjtë kanë veç ditëlindje




Bedri TAHIRI


HAMËZ JASHARI N'GRYKË TË TOPIT...


-Ah, ç'ma kënaq e shpirtin e zhuritur, ore bir! Tamam, vaji i burrit është kënga!- i tha një pasdreke të gjatë dimri i ati, kur çiftelia ishte dalldisur dhe s'kishte të ndalur.

-Nëse është ashtu, më s' do të merrem me të kurrë!- u nxeh djaloshi bukurosh, që ende nuk e kapte mirë këtë urti popullore dhe hamendej për ta braktisur artin më të vjetër njerëzor.

-Jo, ore të paça për jetë, jo, nuk e ka atë kuptim që mendon ti. Kënga është mësim, është edukim, është përkujtim e mbi të gjitha është histori. Përmes saj burrat nderojnë burrat e përjetësojnë trimat. Ata nuk qahen, nuk lotohen, por këndohen. Ne që nuk patëm shkolla e libra, patëm këngë, të cilat edhe na mbajtën gjallë. Shpirti ynë luftarak gjalloi në telin e lahutës e të çiftelisë,- e këshillonte ai dhe e bindte duke recituar vargje të fuqishme nga "Lahuta e Malcisë".

Dhe, paskëtaj, Hamza shkrihej i tëri në melodinë dehëse të këngëve të trimërisë. Thellë në zemër i flinin Skënderbeu, Mic Sokoli, Ahmet Delia, Isë Boletini, Bajram Curri, Azem e Shotë Galica. Por, ajo që ia ndizte shpirtin flakë ishte kënga për Zhuj Selmanin. Nuk bëhej dasmë a gazmend pa këngëtarin e ri me zë bilbili, që edhe të vdekurit i ngrite nga varri. Veçan kjo ngjiste në odën e tyre të madhe e të bukur që bëri emër në Drenicë e më larg.

Për të qenë kjo edhe s'ishte fort e hershme. Pasuria më e madhe është mashkulli i mirë!- thoshte Xhemail Abria. Fat të tillë pati edhe kjo derë fisnike. Peri i saj i jetës qe tëholluar shumë, deri në këputje, por mbijetoi. Katër breza vetëm me nga një bimë. Stërgjyshi, Murati, mbeti në luftën ruso-turke, duke lënë një djalë, Fazliun. Edhe kjo lozë çeli vetëm një lule, Muratin. Medet, farë e sosur!- pëshpëritshin ata që u dhimbste zemra. Kur u vra Azem Galica mbi kulmin e kësaj shtëpie shkrepi një rreze shprese. Muratit i lindi djali i vetëm, Shabani. Sa u gëzuan të gjithë. Djepin nuk e linin të prekte në tokë dy motrat e tij, Fatimja e Raza.

Kësaj here fati u tregua më dorëlirë. Shaban Jashari lis me rremba. U martua me një malësore, me Zahide Gecin nga Llausha, dhe shtëpisë i dhanë jetë. U lindën katërmbëdhjetë fëmijë. Prej tyre u rritën tetë, tre djem: Rifati, Hamza, Ademi dhe pesë vajza: Hava, Zyla, Qamilja, Zoja dhe Halimja.


Djaloshi me shpirt artisti


Sihariq i dytë i kësaj familjeje, që gëzoi edhe trarët e shtëpisë, ishte Hamza. Lindja e tij thoshte shumë, thyente bindjen e oxhakut me një mashkull. Ai erdhi në këtë botë në shkurt të vitit 1950. Kjo u shënua me tri krisma mamzereje. Mësimet e para dhe ato të mesmet i zuri në Skënderaj. Ishte nxënës i dalluar në sjellje e në mësime. Natyrë e zgjuar që veçohej nga të tjerët. Inteligjent e kurioz i pashoq. Lexonte shumë, çka i binte në dorë, por për libra kombëtarë e shqelmonte edhe gjumin. Këtë e dëshmoi më vonë biblioteka e tij e pasur personale.

Në formimin e këtij personaliteti komplet ndikonte edhe vetë edukata e shëndoshë familjare. I ati, mësuesi i "papërshtatshëm" i sillte libra të "ndaluar" dhe i mësonte këngë të "egra", për çka mund të merrte edhe ndonjë vërejtje a qortim në shkollë. Shqipërinë e kishte ëndërr të pashuar. Qysh si maturant ia mësyu kufirit, por forcat serbe e kapën dhe e dënuan.

Ama kot. Dielli nuk ndalej me të shara, as lumi me kërcënime. Mendjekthjelltësia e tij nuk turbullohej fare. Kudo shquhej dhe linte gjurmë të pashlyera, në muzikë, në art, në sport. Për valltar të mos flasim fare, kur hidhej në ajër me xhamadan e tirq galana secili e merrte për Besim Zekthin a Rexhep Çelikun. Në vizatimet e tij shpërthente natyrshëm bota e çiltër dhe jeta e lirë. Me një fjalë, ishte shpirt artisti, që çmonte dhe adhuronte të bukurën.

Edhe në skenën teatrore shkëlqente. Mishërohej me personazhet dhe rolet e tij depërtonin në shpirtin e çdo shikuesi. Nuk harrohen kurrë Dyl Mehmeti te "Fosilet" e Azem Shkrelit, Musë Mehmeti te "Hakmarrja" e Jusuf Kelmendit, Marash Pali te "Shtatë shaljanët" e Ndrek Lucajt, Zari te "Agu" i Din Mehmetit etj. E kishte përgatitur mjaft mirë edhe Bejtush Agën nga "Halili e Hajria", por nuk arriti ta realizonte...

Rolet i mësonte shumë shpejt. I pëlqenin ato karaktere të forta, ashtu siç ishte vetë- kujtojnë kolegët e tij. Ca nuk iu ndanë as në përjetësi, si: Naser Kodra, Nazmi Jashari, Qazim Jashari dhe Sejdi Shala- Reka.

Por, mbi të gjitha, Hamzë Jashari ishte mjeshtër i artit luftarak.

Edhe pse mbaroi studimet në SHLK të Pejës dhe hyri në punë në Fabrikën e Municionit, ku punoi deri më 1990, mbeti po ai që ishte, bile më i fuqishëm e më i pathyeshëm. Nuk pajtohej dot me padrejtësitë e kohës. Zëri i tij sindikalist u dëgjua edhe lart në BSPK.

- Ç'të bëjmë me njëzet ton barut që i kemi, si t'ia dorëzojmë Serbisë, e cila pastaj të na vrasë me ta? - u kishte thënë një ditë, kur priteshin masat e dhunshme edhe në Fabrikën e tyre.

- Për këtë pyete Osa Kukën,- ia kishte pritur njëri me qesëndi.

- Osa Kukën e kam pyetur moti, por thashë t'ju pyes edhe juve, - i qe gjegjur trimi, pa humbur gjakftohtësinë e i vendosur në rrugën e nderit.

Ca nga ca bota e tij vinte duke shpërthyer. Kur një ditë kishte thënë se i kemi bërë pak armë për vetëmbrojtje shumë kishin shprehur skepticizëm se mund t' ua merrnin si në shumë vende.

-Varet, por Hamzë Jasharit, Jasharëve të Prekazit e qe besa edhe Drenicës, nuk do t'ua marrin armët!- kishte përfunduar ai, dhe më s'ishte dukur në Prishtinë, se më 1991 dolën fjalët e tij.

As në jetën familjare fati nuk e la prapa. Feride Mecini nga Klina e Epërme iu bë shoqe e jetës dhe patën nëntë fëmijë: Bekimin, Selvetën, Afeten, Besimin, Lirinë, Blerimin, Besartën, Fatimen dhe Blerinën.


Një trimëri me njëqind mjeshtëri


Kokë katërqind dërhemësh ky Hamzë Jashari!- gjykonin të gjithë ata që e njihnin e që u kishte rënë të rrinin sado pak me të. Dhe, nuk gabonin fare. Jo kot, asnjë veprim s'bëhej pa dijen tij. Ai ishte ideologu kryesor edhe i ilegales edhe i trupave të para të armatosura në Drenicë. Mbi të gjitha çmonte urtësinë e maturinë. Një trimëri me njëqind mjeshtëri, ishte motoja e veprimit të tij. Pa grykëhollën nuk vjen liria! - erdhi në përfundim ditën kur Ademi me shokë morën rrugën për në Shqipëri. Ata do të ushtronin atje e ky me të tjerët do ta mbante t1akadanin e ndezur në zemrat e liridashësve sypatrembur ...

Dita e 31 dhjetorit 1991 qe prova e parë praktike për luftëtarët e lirisë. Dhe, me sukses të kënaqshëm ia dolën mbanë. Tre vëllezërit: Rifati, Hamza e Ademi, të ndihmuar edhe nga anësh, çajnë rrethimin e hekurt. Sahit Jasharit i kishte rënë të shkrehte plumbat e parë.

-Dorëzohu, se s'ke kah ia mbanë, o Adem Jashari!- çirreshin kot katilët sypërdalë nga frika. Nga helikopteri plagosen dy të rinj nga Prekazi, plagoset edhe Vesel Selimi nga Açareva, që me armë kishte ngarendur që andej për t'u ndihmuar trimave. Në sheshin e lagjes Jasharaj edhe shumë të rrahur e të maltretuar. U keqtrajtua rëndë edhe mixha Shaban, i cili u tha zuzarëve: Si s'keni turp ore, merreni me gra e fëmijë. Ja ku i keni djemtë, në male. Ata po e kërkojnë atë që u takon, lirinë, e ju po mundet kapeni!

Në betejën e dytë, të 22 janarit 1998, Hamza u tregua hero i vërtetë. Natë pa hënë ishte kur hienat tinëzare, duke i lëpirë buzët, përvidheshin drejt kullës qëndresë. Shkonin për t'i zbatuar planet kobzeza, që vite e vite ishin elaboruar nëpër kancelaritë makabre serbe. Në shënjestër sërish familja e mësuesit dhe burrit të paepur, Shaban Murat Jashari. Po të njëjtit edhe shtatë vjet më parë kishin provuar ta gjunjëzonin këtë vigan, por ishin ndarë keq. Me gjithë rrënjë të zhduket kjo familje kryengritëse, që të tjerët të marrin mësim!- u kishin thënë nga lart dhe urdhri duhej zbatuar.

Papritmas nata u bë ditë nga flaka. Mortajat, mitralozat dhe bombat vallen zjarr përnjëherësh. Toka u dridh, por themelet e kullës nuk u tundën. Predhat plasën kudo, në oborr, në ahur, në shkallë. Breshëri plumbash vërshuan nëpër dyer e dritare. Kudo rrëmujë marramendëse. Mungesa e rrymës, e ndërprerë qëllimisht, bënte të veten. Por, zallamahia çmendëse qe e shkurtër fare ... Shpejt u shua. Hesapi pa hanxhinë doli ters. Bumerangu u kthye së prapthi. Dyert e oborrit ishin të vogla për t'i zënë përnjëherësh gjithë ikësit e tmerruar.

-Na rrethuan keq qafirët, fill pas syfyrit. Kur u turrën brenda, filluam të mbrohemi. Isha veç me nipat e rinj, Fitimin e Besimin. Fill m 'u kujtua Ahmet Delia dhe amaneti i tij për ruajtjen e nderit familjar dhe të pragut të shtëpisë. Kjo edhe është detyrë morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet,- shprehet të nesërmen xha Shabani para vizitorëve të shumtë.

- Atë natë nuk qëllova në shtëpi, isha te dajat në Llaushë,- thotë Adem Jashari. Që në krismën e parë e kam ditur se na kishin sulmuar. E kemi ndezur veturën dhe kemi nxituar. Por, kur arritëm këtu çdo gjë kishte marrë fund. Hamza me babanë dhe me të tjerët ua kishin thyer turinjtë bishave...

Përjashta kudo gjurmë barbarie e vandalizmi mesjetar. Kulme të shembura, mure të rrënuara, armë të mbetura, predha mortajash të pashkrehura, bagëti të vrara. Kulla e plagosur lëshonte rreze atdhedashurie.

- Fort mirë e dimë se moti jemi në shënjestër të pushtetit shovinist serb, por jemi betuar të mos luajmë nga vatrat tona stërgjyshore. Ademin e kanë dënuar në mungesë me njëzet vjet burg. Edhe shokët ia kanë dënuar: Ilazin, Sahitin, Samiun, Rexhepin, Hashimin, Jakupin, Fadilin, Avniun, Idrizin, Nuredinin, Rafetin, Zenunin, Aliun ...Por, kot. S'ka luhatje nga nuga e lirisë. Ca fjalë të pakripë, që po i thonë ca shpirtshitur, po e rëndojnë më shumë se topat e armikut. Edhe Azem Galica i urrente shumë kukudhët, andaj i qëronte pamëshirshëm. Por, nejse, ne do t'ia lëmë kohës,- nis qetë-qetë rrëfimin Hamza, duke mjekuar qenin besnik, që po jepte shpirt nga plagët e rënda ...

- Si mbaruam syfyrin, u ngjita në dhomën time,- vazhdon ai,- pasi zumë vend pranë furrës së bukës. S'kanë kaluar as pesë minuta kur krisën armët. Selvetja ime dhe Iliriana e Rifatit janë ngjitur lart dhe më kanë ndihmuar për t'i zbrazur kriminelët që vërshuan nga ana e epërme. Ato edhe ishin plagosur, por s'më kanë thënë derisa mbaroi beteja. Babai, poshtë në odë, nuk më kishte dëgjuar, që nga torturat e vitit 1991 nuk dëgjon me veshin e majtë, dhe në mëngjes më tha si me tallje: Ku je, ore Hamzë, mos ta hëngri pula kapsollin, që nuk ia shkrepe hiç? Unë qesha si zakonisht dhe në fillim nuk i thashë asgjë.

Dhe, nuk më lë vetëm, më përcjell edhe më. Më shpjegon për Fabrikën, që e njihte në detaje, e cila tashmë ishte shndërruar në kamp ushtarako-policor, për pirgun e lartë 36 metra, prej nga vëzhgoheshin edhe brenda, për vrasjen e të pafajshmit, Hysen Manxholli etj. Ne kemi vendosur t' i presim këtu, gjallë a vdekur! - përfundon në të ndarë, me ton bindës që s'të lë të meditosh.

Sa i lakmoja këtij burri trim e mendar! Pedant e elegant në veshje, në sjellje e në bisedë. Uniforma laroshe e UÇK-së i shkonte fort bukur atij trupi shtathedhur e tip atleti. Revolja në brez dhe bombat nëpër gjoksore ia shtonin edhe më madhështinë. Hero mitik më dukej tek ecte përkrah meje ...


Mic Sokoli i ditëve tona


-Drenica na turpëroi fare. Mbi një shekull luftëra e beteja dhe nuk ia dolëm mbanë, ta gjunjëzojmë. T'fu, daltë fare, ç'vend i mallkuar! - shfreu me tërfëllimë e plot inat kryesatanai, duke e rënduar fort lapsin e kuq mbi hartën e zhubravitur, varur në murin ngjyrë blu. Por, kësaj radhe të erdhi fundi, bëri, pasi e futi në rreth. Hë, dëgjuat?' Lajm tjetër nuk dua, përndryshe...u hakërrye me zë të ngjizur nga pija e shumtë e natës së mbrëmshme, duke i rënë fort tavolinës.

Vartësit e tij, që ia dinin huqet dhe e kuptonin mirë fjalën përndryshe, dolën pa bërë zë... Hëm, dreqi ta hajë! Nuk i dihet, zuri ta brejë krimbi i dyshimit. Koka i rëndonte nga pagjumësia...

.-O daja Osë, sonte nuk po e zgjasim shumë, se me Ademin keni bërë rrugë të gjatë e jeni lodhur dhe, thënë të drejtën, disi nuk po u besoj fare para agimeve,- foli Hamza, duke dalë për të vëzhguar përjashta. Të gjithë u pajtuan që të provonin për një sy gjumë. Dhe, kishte pasur të drejtë trimi.

E enjtja e 5 marsit 1998 zbardhi me bubullima shurdhuese. O Madhëri, shkreptinte moti apo dridhej toka?! Jo, asnjëra, as tjetra. Lagjja Jasharaj bombardohej nga qielli e nga toka. Qyqavica plakë ngeli e pagojë. S'kishte faj, ende s'iu kishin tharë lotët nga masakra e Qirezit dhe e Likoshanit.

Kësaj herë ishte më ndryshe. Adem Jashari ishte bërë tmerr për Beogradin. Edhe ëndërr e shihnin. Dhe, ishin dërguar forcat e njësive më speciale të vendit, mbi tetë mijë veta, komandosë e xhelatë profesionalë, me arsenalin e armatimit më modern ushtarak. Tre rrathët e hekurt shtrëngonin si me darë. Nga kodrat përreth minahedhësit e topat e mëdhenj villnin pareshtur helm nepërke.

Edhe kulla e qëndresës dha kushtrimin. Bacë Shabani zbrazi pushkën lajmëtare, si dikur Muji i Jutbinës, kur sinjalizonte kreshnikët për ndonjë të ligë. Trimat u zgjuan gjakftohtë dhe përqafuan armët e lirisë. Na priftë e mbara! - thanë duke i zënë pozicionet. Edhe të tjerët, i madh e i vogël, u përgatitën dhe lufta u ndez ashpër.

- O prite, prite Adem Jasharin!

- O prite, prite Hamzë Jasharin!

Male e fusha jehuan mërishëm. Tej në Kodër, mbi majën e bunkerit luftarak, valëvitej krenarisht flamuri kuqezi. As kënga s'kishte të sosur. Këngë e krisma. Krisma e këngë:


Tek len dielli e praron hana

Zhuj Selman ma nuk bën nana ...


Kënga e trimit i jepte zemër luftës. As frika nuk kishte vend andejpari. Edhe të tjerët, edhe gratë, edhe fëmijët, luftonin e qëndronin. Bashkim, me grupin tënd çaje rrethimin dhe prejau rrugën nga ana e epërme!- u dëgjua për flakë pushkësh zëri i prerë i Hamzës, tek sulej përjashta. Shumë cerberë puthën tokën nga plumbat e tij e shumë të tjerë shkalluan nga mendtë. Kukulelet e tyre i dëgjuan edhe komandarët maje pirgu. Një granatë e mallkuar u shua në gjoksin e tij granit. Tanku serb shtangu dhe u fik në vend. Edhe shumë granata shpërthyen përreth. Ca vdekatarë ranë edhe brenda në bodrum. Aman sa keq! Tmerri ! Lemeri! Katandi! Dhe, dalëngadalë çdo gjë fashitej në heshtje zymtësie. Pushoi edhe kënga, pushuan edhe krismat. As rrezet e diellit, që për të tretën herë po lindte, nuk dukeshin gjëkundi nga tymi e flaka.

Në kullat gërmadha mbante erë e rëndë shkrumbi e baruti, Obobo, ç' atmosferë mbytëse! Gjë e gjallë s'pipëtinte. Sakaq, një si hije e përhitur kapërcente lehtë-lehtë mbi trupat e pajetë. Vallë, ishte fantazmë apo zanë mali?' Ah, jo, ishte Besarta njomëzake, që nën magje kishte sfiduar vdekjen. Dhe, ecte e ecte midis kufomash me lloj-lloj uniformash e surrate të ngjyrosura. I gjeti gjyshin e gjyshen, Shabanin e Zahiden. Edhe të tjerët i gjeti me radhë. Te kulla tjetër gjeti edhe babanë, Hamzën. O zot, gjoksi i tij sa bjeshka, i gropuar si i Mic Sokolit. Të lumtë baba!- tha me zemër, se zëri i ngeci në laring. Edhe lotët i kishin ngrirë në qepalla.


Thërret Shabani bijtë e zotit, Hamzë Jashari n 'grykë të topit ...


Kush fliste kështu? Hapi sytë e rënduar, por s'pa gjë. Puhiza e hollë, që zbriste nga korijet përballë sillte vargjet që kishin marrë dheun. Ata e sollën në vete. Heroizëm i pashoq. Sakrificë mbinjerëzore. Frymëzim brezash e ndërgjegjësim kokash. Resul Bedo do të shkruaj:

Një nga një Jasharjat ranë Armët nga gryka nuk i dhanë ...


Figurën madhore të Hamzë Jasharit, Mic Sokolit të ditëve tona, mjaft fuqishëm do ta skalisë pena e Kadrush Radogoshit:


Drenica të rriti deri në lartësinë e flijimit Ti e rrite atë deri në lartësinë e adhurimit


Dhe, vazhdë e gjakut të nositëve vetëflijues lasgushian ndriu qiellin e zymtuar dhe i dha jetë LIRISË. Kur erdhi në Prekaz, Bernard Kushneri i emocionuar tha: "Dua ta them një të vërtetë të madhe. Prekazi lëvizi gjithë mekanizmat botërorë, që ndikuan për të vepruar konkretisht. Dhe, sikur të kishte pasur çmim NOBEL për Liri, atëherë ai do t'i takonte familjes Jashari."

21 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page