top of page

HEDONIZMI, STOICIZMI DHE AGNOSTICIZMI




HEDONIZMI, STOICIZMI DHE AGNOSTICIZMI NË “RUBAIRAT” E OMAR KHAJAMIT

Enver Zhinipotoku

1.HYRJE

Shumë nga kryeveprat e letërsisë botërore do t’i kishim të botuara shumë më vonë, ose nuk do t’i kishim në nivelin që i kemi, po të mos ishin shqipërimet brilante të Theofan Stylian Nolit. Njëra prej këtyre përkthimeve të Rushit Bilbil Gramshit (pseudonim i Nolit për këtë botim), me të cilin në vitin 1926 e shqipëroi veprën në vargje “Rubairat” të Omar Khajamit . Sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” I-II, fjala “rubairat” ka kuptimin e strofës me katër vargje të poezisë lirike të popujve të Lindjes, ku vargu i parë, i dytë dhe katërt rimojnë në mes veti, ndërsa i treti është i lirë. Kjo gjë mund të vërehet në 331 strofat katër rrokëshe të rubairave khajamiane. Madje, nëse nuk kënaqemi me këtë shpjegim, mund të shtojmë se te Rubairat e Khajamit, secili varg ka kuptim më vete.

Ky krijim në vargje, që na është ruajtur nga mesjeta e hershme e Lindjes, që për nga kryeidetë që shtjellon, mund të quhet “hymn ditirambik hedonist”, u kushtohet dy poetëve persianë të asaj kohe Nizami Arusi dhe Hafiz Shirazi, që i shpëtuan “Rubairat” nga humbja, që t’i kemi ne sot.

“Rubairat”, siç thotë Nolin në parathënien e tyre, “janë ndër veprat poetike më të bukura të botës. Janë po aq të kjarta, sa mund të merren vesh lehtë prej cilitdo këndonjës të zakontë, aq të thella për nga kuptimi, sa një rubai vlenë disa togje vëllimesh, aq modern nga mejtimet dhe ndjenjat, sa na duket që auktori i tyre ka rrojtur në kohërat tona dhe në zemër të Evropës”.

Që nga shekujt IX-XVI të epokës sonë, Persia ka pasur një Rilindje kulturore, filozofike e letrare me emra të mëdhenj: Firdusi, Avicena (Ibn Sina), Omar Khajami, Attari, Nizami Arusi, Saadiu, Xhelaludin Rumii, Hafiz Shirazi, etj. Në këtë periudhë të Perlindjes Persiane, ka pasur një luftë, midis lirisë së mendimit dhe dogmatizmit fanatik fetar. Në shekujt para lindjes së Khajamit VIII-X, Persia ishte bërë arenë e konflikteve midis feve të ndryshme si: paganizmit greko-romak, zarathtrustizmit e mithraizmit persian, brahmanizmit dhe budizmit hindu dhe judaizmit, krishtërimit e islamizmit. Këto konfrontime fetare te Khajami janë reflektuar thellë dhe vërehen qartë gjatë gjithë veprës së tij të famshme, në të cilën dy ide themelore dominojnë kryekreje, ide që i ndalon islamizmi: dashurinë ndaj gruas dhe pasionin ndaj verës. Në introduktin (parathënien) e Nolit, si njohës i shkëlqyer i kësaj kulture dhe i këtyre mospajtimeve fetare, përmend tri shkolla që ndikuan më vonë në gjithë kulturën botërore:

1.grupin e intrasigjentëve (në krye me Khajamin), që luftojnë kundër dogmës fetare islamike, që ndalon lirinë e të menduarit, dashurinë ndaj gruas dhe pasionin ndaj verës;

2. Mistikët dhe neoplatonistët sufinj, të cilët pranojnë islamizmin sa për sy e faqe, por janë kundër lirisë së mendimit;

3.Grupi i racionalistëve sunit, të cilët kërkojnë pajtim të islamizmit si religjion me filozofinë dhe shkencat. Grupi i parë identifikohet me Khajamin, i dyti përfaqësohet nga mjeku Avicena (Ibn Sina) si shiizëm dhe bektashizëm, dhe, së treti, me Avereosin (Ibn Rushdi), si transmision i kulturës së Lindjes me atë greko-romake në kulturën evropiane.

2. JETA DHE VEPRIMTARIA E OMAR KHAJAMIT

Mbi jetën e Khajamit dihet pak dhe atë në formë legjende.Lindi në gjysmën e parë të shekullit XI midis viteve 1025-50 dhe vdiq më 1123, pas Krishtit në Nishapur të Khorasanit. Studjoi në shumë fusha të asaj kohe: teologjinë, filozofinë, historinë, letërsinë, mjekësinë, fizikën, astronominë dhe matematikën. Në astronomi ishte më i madhi deri në shekullin e XV, deri tek Koperniku e Kepleri. Kalendari i Khajamit, i vitit 1074, është më i saktë se ai gregorian i vitit 1582, që përdoret edhe sot. Ishte luftëtar i madh i lirisë së mendimit, që ishte ndër liritë kryesore të njeriut, që e kishin anticipuar më heret shumë shkolla filozofike greke. Duke luftuar dogmatizmin e synitëve, misticizmin e sufinjëve dhe absolutizmin politik persian, u bë armik i të gjithëve dhe për t’i zbutur kundërshtarët fanatikë, u detyrua të shkojë në pleqërinë e thellë haxhi në Qabe, që e egërsoi edhe më shumë poetin kundër fesë dhe e zhgënjeu edhe më shumë se që ishte. I përndjekur prej qarqeve fanatike, u kthye i lodhur nga pleqëria në Nishapur, ku vdes në vitin 1123.

Khajami ishte martir i lirisë së mendimit. Ai, njësoj sikur Sokrati, që u dënua me kupën e helmit për të mbrojtur të vërtetën, duke bërë kështu një vdekje pedagogjike përmes mesazhit të tij, kurse Khajami, megjithëse kundërshtar me të gjitha grupet fetare fanatike dhe regjimin e kohës, as nuk u vra, as vetëvra, por vdiq i lodhur dhe larg miqëve, i vetmuar, që tregon për frymën e tolerancës që mbretëronte në Persinë e shek.XII. Varri i tij, i rrethuar me trëndafilë e hardhi rrushi, siç e kishte kërkuar Khajami në plotë vargje të Rubairave të tij, në një teqe në Nishapur, i vizituar prej sufinjëve, edhepse Khajami i kishte luftuar sa ishte gjallë.

Khajami si dijetar ndër më të mëdhenjt e kohës së tij, shkeli me kompetencë në shumë fusha të dijes, duke lënë gjurmë të thella, shkroi shumë vepra, por veprat e tij janë humbur e nuk dihen. Është ruajtur një traktat për gjeometrinë e Euklidit; një algjebër e botuar frengjisht; një traktat metafizike, poashtu frengjisht, i botuar më 1906.

Meqë vazhdimisht ishte në luftë me qarqet fanatike fetare, Khajami asnjëherë nuk qe popullor në Persi. Ai prore u trajtua si “dinsëz”, përqeshës i fesë, antifetar, antidogmatik, kryeluftëtar i mendimit të lirë, në mesin e një populli, që ishte mësuar të dëgjojë përralla të gjata e poezi të koklavitura. Megjithatë, intelektualët sufinj edhepse ishte në luftë edhe me ta, e respektuan dhe dy prej tyre, Nizami Arusi dhe Hafiz Shirazi, ishin ata që i ruajtën “Rubairat” dhe shpëtuan nga asgjësimi, për të arritur deri tek na.

3.HEDONIZMI DHE LUFTA KUNDËR ASKETIZMIT NË RUBAIRAT E KHAJAMIT


“Natën kur flinja, më tha shpirti pi,

Në gjumë dhe në varr, s’ka lumturi:

Ngrehu sa rron, zbraz Kupa e puth Çupa

Ke shekuj të flesh në qetësi!”

Janë vargjet me të cilat fillojnë Rubairat e Khajamit, si një ndër mrekullitë e vargënimit dhe njëra ndër veprat poetike më të bukura në botë, për të përfunduar me strofën 331, në të cilën shprehet ky mesazh i poetit Persian:

“Dhe kur të shuhem nën Dhe të zi’

Dhe kur të bëhem prap Balt’ e Hi;

Mbrumëni Poçe, sillmëni Dolli-

Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!”

Është një parabolë e shkëlqyeshme hedoniste, që shpreh qartë kritikën ndaj fanatizmit fetar, që ndalonte dashurinë ndaj gruas dhe verës, kërkesës fundamentale të filozofisë epikureane që ta shfrytëzojmë jetën për kënaqësi të kësaj bote, sepse vie vdekja e na gjenë dhe kemi kohë të flemë në qetësi. Sikur fillimi, sikur fundi i kësaj poeme lirike janë një optimizëm i pafund kënaqësish njerëzore, kundër fanatizmit dhe asketizmit fetar, të cilët predikojnë se kjo botë është e rrejshme, është hiç dhe çfarëdo që bëjmë në këtë botë, është përgatitje për botën tjetër!

Në të dy strofat e përmendura ka një ironi kundër asaj që mëson feja për jetën, Në të dy këto rubai, Khajami na del hedonist, vazhdues i denj i shkollës optimiste për jetën, themelues i së cilës ishte filozofi grek Epikuri, shekulli III p.e.re. E mira e kësaj bote, mëson kjo shkollë është kënaqësia, kurse porosia fundamentale e saj është: “Jeto dhe kënaqu sa më shumë!” Shkalla më e lartë e kënaqësisë është lumturia, e cila arrihet kur sigurohet ai nivel kënaqësie, të cilën Epikuri e quante “ataraksia” (paturbullueshmëri shpirtërore). Meqë jeta është e shkurtër, e vdekja vjen e na gjenë, atëherë kënaqësia dhe qëllimi i jetës në këtë botë është të kënaqemi sa më shumë, përkundër asketizmit, i cili na mëson të mos kënaqemi, të heqim dorë prej kënaqësive sensual dhe të vuajmë.

Khajami në shumicën e rubairave të tij na del optimist në jetë, sepse madhështia e jetës, konfirmon në plotë raste, është kënaqësia, e asesi vuajtja. Zoti, që është qenie e gjithëfuqishme natyrore, nuk na ka krijuar që të vuajmë, por që të kënaqemi dhe ta shfrytëzojmë jetën me kënaqësitë e saj.

“Një Ëngjëll më tërhiqte në Xhami,

Një Djall po më zvarriste në Dolli,

Po Ver’ e kuqe e fitoi Davanë;

Gërshet këtej- edhe andej Hardhi!”

Edhepse Ëngjëlli e thërret në xhami, poeti i rebeluar pranon ftesën e djallit në dolli si hedonist epikurean që ishte, që të kënaqet në mes të gërshetit të vajzës dhe dollisë së verës. Sepse:

“Pse s’pi më pak?”- më thonë njerëzia,

“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”

Një: Faqe e vajzës; Dy Rubin i Verës,

Ja shkaqet si Kristal nga qartësia!”

Duke qenë hedonist ekstrem, Khajami porositë:

“Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbej-e

Dhe adhuro-e si Alltar prej Feje,

Njëqind Qabe s’vlejnë sa një Zemër;

Zemër kërko Haxhi, jo gur Qabeje!


Se mjer’ ai që Dashuri s’ka ndjerë,

Dhe Zemra s’i ka ndritur në Pranverë:

Pa Verë e dashuri, çdo ditë e shkuar;

Prej meje s’numërohet asnjëherë!”

Dhe, në delirium, nga kënaqësitë e kësaj bote, Khajami klithë:

“Ah, mbushni Kupat! Zemra na thërret,

Se koha nëpër këmbë na shket;

E djeshmja vdiq, e nesërmja nuk na gjen;

Ç’mërziti, kur e sotmja ka lezet?”

Si etuziast për jetën që ishte, poeti sugjeron opinionin që për të kaluarën nuk duhet mërzitur, e ardhmja ende nuk dihet çfarë do të jetë, na mbetet ta shfrytëzojmë të tashmën, atë që e kemi përpara ta kullosim:

“Të shkuarat mos i kujto me lot,

Dhe për të pritmet (të ardhmën) mos u lodh më kot;

Sa kohë në livadh je, kullot;

Nga drapër i vdekjes nuk shpëton dot!”

Sipas Khajamit dashuria ndaj dy gjërave, që i ndalon feja, janë të domosdoshme për njeriun dhe mbi to i vendos Rubairat e tij: Dashurinë ndaj femrës, nga e cila dashuri, lind dhe ekziston bota, si dhe nga pirja e verës jo deri në tepri sa ta humbim vetëdijen, por deri në atë masë sa të disponohet shpirti njerëzor, prandaj porosit poeti:

“Pi, pi, sa kohë ligjëron bilbili,

Puth, puth, sa është i qelur trëndafili!”

Dilemën: nëse vera është haram të pihet, apo jo deri në masën sa njeriu di për vetvetën, Khajami si poet dhe njohës i shkëlqyeshëm i mësimeve fetare e ka zgjidhur përmes pyetjes që i bënë Profetit Muhammed a.s. dhe përgjegjes që i kthen ai në strofat 211 e 212:

“Të Madhit Muhammed i çon selam,

Dhe e pyet, Imami Omar Khajam:

“O Pejgamber, më thuaj, mor aman,

Pse Dhallën bën hallall, Verën haram?”


Përgjigjet Muhammedi me selam:

“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!

Dhalla hallall për lolot, mor aman,

Verën për t’Urtët, nuk e bëjë haram!”

Dashurinë dhe pasionin ndaj këtyre gjërave, që poeti i ngriti në piedestalin e veprës së tij, duhet të jenë të përhershme, andaj porositë pa ngurrim:

“Ku të gjesh Verë, pije pa mejtuar,

Ku të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar;

Se as për mjekrën time as tëndën,

S’kujdeset Zot i Madh i lavdëruar!”

Duke i ngritur deri në hipostazim, dashurinë për femrën dhe pasionin për Verën e kuqe, poeti duke i folur vetës, u flet lexuesve të tij dhe gjithë njerëzimit:

“Lëviz Khajam, se Kup e Vdekjes vjen,

Se Fati nën Rrotë të mbërthen:

Pi Lëng, puth Lule! Lartë në Qiell s’i gjen!

Se Feja me Parajsën të gënjen!”


4. STOICIZMI SI FILOZOFI NË RUBAIRAT E KHAJAMIT

Përveç hedonizmit epikurian, që si fill i kuq fund e krye përshkon Rubairat, në këto vargje mahnitëse, gjejmë edhe kryemendimin e filozofisë stoike: njeriu duhet të përballojë me guxim e devotshmëri çdo situatë që i sjell jeta dhe durueshëm ta kapëcejë çdo sfidë. Meqë Zoti, si qenie e plotëfuqishme ka vënë rend botëror të pranuar për të gjitha qeniet, dhe këtë rregull nuk mund ta ndryshojmë, sepse nuk është në fuqinë tonë, e mira e së mirës është të pajtohemi pa hezitim me ato që sjell jeta. Prandaj, sipas Khajamit, ndaj vrazhdësive të jetës duhet të jemi stoik dhe të përkorë. Fati i njeriut, sipas stoicizmit është i predestinuar (i paracaktuar), ndaj të cilit duhet të nënshtrohemi pa hezitim e përtesë, sepse:

“Ç’kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?

Gëzo të sotmën, ler belat’ e kotta:

Ç’më qahesh?Zaret s’mund t’i luash,

Veç se ashtu si t’i ka hedhur Rrota.


Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!

Kur vete keq, më kot po derdhet loti:

S’pyetesh, as për gas, as për vajtim;

Durim!- Kështu i Urti tha që moti!”

Khajami ironizon se Zoti nuk duhet të dënojë njeriun për asnjë mëkat, sepse si të tillë, si qenie mëkatare dhe të kufizuar e krijoi vet:

“Me fyt e zemër- o Zot, kur më krijove,

Dhe Ver’ e Vajza përballë më shtrove,

E dinje pa dyshim që do tu sulem:

S’kam faj! Kam bërë ashtu si e caktove!

Njeriu nuk ka asnjë faj, siç del në konkludimet e Khajamit në këto vargje, sepse njeriun Zoti e ka krijuar si qenie instiktive, lakmiçare, që në çdo situatë e manifeston vetën dhe sjelljet e tij si inkarnim i Qenies së Zotit:

“Me baltë më gatove: Ç’faj të kam?

Me lesh e li m’arnove: Ç’faj të kam?

Mbi ballë dhe të Mirën e të Ligën:

Me urtësi m’i shkrove: Ç’faj të kam?


Me Llomë e Pluhur, kur na kreve,

Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:

S’bëjmë gjë pa dijen tënde e lejen;

Qysh nesër pra na djeg në Ferr të Feve?”

Pra, këtu Khajami nxjerr një inkonsekuencë të fesë, që nuk e pranojnë asesi dogmatët dhe fanatikët fetarë.Nëse njeriu, asgjë nuk mund të bëjë pa urdhërin e Zotit, atëherë përse Zoti nuk i kontrollon dhe ndalon veprimet e këqija dhe që nuk i do, por na dënon për to?! Nëse është i Gjithëfuqishëm Zoti, gjë që e pranon çdo fe, atëherë, pse na lë të gabojmë Zoti, vetëm që të na ndëshkoj, apo…?

Në dialogun me Zotin, i cili është i Gjithëfuqishëm, sipas asaj që shpreh në Rubairat e tij, na del se Khajami kërkon përgjigje racionale nga Krijuesi për shumë gjëra, që e presin njeriun si ndëshkim për mëkatet që bën: ferri, mëkati, zjarri:

“Kush rroj m’i Tok’ e s’mëkatoj? Më thuaj!

Ai që s’mëkatoj a rroj? Më thuaj!

O Zot, kur keq për keq ma kthen njëlloj,

Mos qenkemi të dy njësoj? Më thuaj!”

Meqë njeriu është qenia e vetme racionale, që nuk lind me dëshirën e tij dhe çdo ditë si qenie e gjallë lakmon e mëkaton, Khajami në Rubain 263 konstaton dhe pastaj pyet:

“Më linde sipas dëshirës tënde fuqiplote,

Më le të mbytem nëpër llomë e lote;

Tani tregom, ç’është më e fortë:

Mëkati im, apo Mëshira jote?!”

duke paralelizuar dhe matur mëkatin njerëzor dhe Mëshirën Hyjnore, të cilën çdo fe e predikon se kjo e fundit është më e fuqishme se çfarëdo mëkati njerëzor, meqë Zoti është Gjithëfalës dhe Mëshirëplotë.

Sipas Khajamit, ashtu siç del nga Rubairat e tij, frika nga Ferri, ku Zoti mund t’i dënoj njerëzit, është trillim i klerikëve, sepse nëse Zoti është i Gjithëmëshirshëm, ai nuk ka nevojë t’i dënojë njerëzit, sepse fati njerëzor sipas filozofisë stoike, që e gjejmë me bollëk në shumë strofa të Rubairave, është i paracaktuar dhe atë nuk mund ta ndryshojmë. Nëse Zoti na krijon kur të lindim pa mëkate, çfarë logjike ka që ai, ose ne vet të futemi në grackat e mëkatit për tu dënuar?! Prandaj Ferrin e kanë krijuar fanatikët e fesë, për t’i frikësuar njerëzit.

Khajami në Rubairat e tij kërkon që njeriu të jetë zot i vetvetes, jo i të tjerëve, jo i feve, por i vetes:

“Lus Verën, jam pianik: Po, ashtu jam!

Pagan e Heretik: Po, ashtu jam!

Të sajin, më kujton çdo fe: Jo, s’jam!

I Vetes jam besnik: Po, ashtu jam!”

Duke i qortuar klerikët si shpjegues të fesë, në rubain 293, Khajami shkruan:

“Mor Hoxh’ i egër, ma mbaro qortimin,

Mos m’ulëri në dasëm dhe dëfrimin:

Kap me tespihe Qiellin dhe bekimin

Lermë me Hyrinë, Poçen dhe mallkimin!”

Në ujdi me mësimin mbi stoicizmin dhe fatin e paracaktuar, Khajami na del në Rubairat e tij edhe armik i tiranisë dhe i shtypjes, që e ngritë këtë autor në nivelin e luftëtarëve për të drejtat njerëzore dhe kundër tiranisë:

“Më mirë bukë that’ e rrobeshqyer,

Me ujë rro, i lirë, poçe thyer;

Se sa tiran prej skllavësh gjakpërlyer,

A skllav në zgjedh shtypëse mbërthyer.

Mos përdor për shtypje zgjuarësinë,

Mbaj vetën, zotëro me fre mërinë:

Në daç të shkosh në Paqën e pafundme,

Goditje prit, po mos godit njerinë!”

5. DUHET, APO JO TË FRIKËSOHEMI NGA VDEKJA ?!

Sipas Khajamit, pasi ta kemi jetuar jetën pa brenga, duke “pirë e puthur”, vjen vdekja, të cilën duhet pritur qetë e durueshëm. Vet poeti e thotë se nga vdekja nuk frikësohet dot, por nga jeta e pajetuar ashtu siç duhet. Kjo është një porosi kuptimplote, për të gjitha kohërat e të gjithë brezat: përse nuk dijmë ta jetojmë jetën që e kemi dhuratë?!

“Për vdekjen s’dridhem, as s’derdh fare lot;

Më e mirë gjë në botë s’gjendet dot:

Trembem nga Jeta që i Madhi Zot

Më kot m’a dha- e unë ia kthej më kot”.

Nëse nuk dijmë ta shfrytëzojmë jetën, Vdekja na rrëmben pa e shfrytëzuar atë. Dhe, ky është mëkati që bëjmë ndaj jetës së dhuruar dhe ndaj vetes.Filozofi gjerman, Friedrich Nietzsche (Niçe) thoshte:”Jetën duhet shfrytëzuar deri në maximum, që kur të arrijë vdekja e pamëshirshme, të mos na mbetet merak se nuk e kemi shfrytëzuar atë!”

Kënaqësinë e jetës, paturbullueshmërinë e shpirtit, që Epikuri e kishte quajtur “ataraksia”, sipas etikës së tij na çliron prej çdo frike dhe ankthi të vdekjes, sadoqë vdekja dhe bota tjetër i takojnë sferës transcendentale, për të cilat kurrë nuk do të dijmë çfarë janë (nëse ekzistojnë), sepse ato janë jashtë përvojës njerëzore, ekzistencën e të cilave nuk mund ta provojmë.

Në përputhje me etikën e tij stoike dhe pajtimin e mosfrikën nga vdekja, Khajami porositë në rubain 327:

“Me verë kur të jap shpirt, kongomëni,

Ma verë lamëni, bekomëni,

Me fletë pjergulle (hardhie) pështillmëni,

Në kopsht me këng’ e rrush mbulomëni.


Me pemë, trëndafij e me hardhi,

Varrin stolismani, qëndismani,

Rreth meje buzëqeshur, shtrihuni,

Spërkatmëni me Ver’ – e pihuni”.



6. AGNOSTICIZMI NË RUBAIRAT E KHAJAMIT


Në 331 Rubairat e ruajtura të Omar Khajamit, përveç hedonizmit, stoicizmit, panteizmit, herezisë, mosfrikës nga vdekja dhe ndëshkimi, qet krye edhe agnosticizmi, që për shumëçka në botë që hasim, njeriu nuk ka fuqi mendore t’i kuptojë dhe bota sërish mbetet për të një “terra incognita” (tokë, terren i panjohur).

Duket se “Sendet në vete” (Ding an Sich), siç janë: Zoti, Bota tjetër, Parajsa, Ferri, Shpirti, etj., të cilat i përmend në filozofinë e tij filozofi gjerman Imanuel Kanti, shtatë shekuj më vonë dhe “Sendet për Ne” (Ding fur Sich), të cilat mund t’i njohim, i kishte anticipuar që në shekullin XI, Omar Khajami.

Duke luftuar injorancën dhe fanatizmin fetar si të tillë, që e largojnë njeriun prej njohjes, është vështirë, mbase e pamundur, të gjesh një teolog diku në botë, që ta luftojë kaq pamëshirshëm obskurantizmin fetar, sikundër që bën Khajami:

“Xhami e Kish e Tempull: Robëri!

Këmbanë e Minare: Një batërdi!

Dervish e Prift e Hoxh’ e Kryq e Hënë:

Pengime, që të gjitha për Liri.

Allahu është i madh, çirren, këlthasin,

Nga gjëmë e tyre, tunden e kërcasin,

Për ditë pesë herë Minaret:

Ai s’dëgjon, Vajtimet kot buçasin”

Sadoqë Khajami ishte ithtar i dijes, të cilën mundohej ta mbëltonte e kultivonte në çdo rast, ai në Rubairat e tij ishte edhe skeptik, se botën nuk mund ta njohim në tërësi, ajo dhe fenomenet natyrore të saj që na shfaqen, sadoqë plakemi duke i studjuar, sërish pas atij studimi dhe përpjekjeje që bëjmë, pajtohemi se “mbesim çirak të ri!”

“Natyra, është dhe mbetet një çudi,

Enigmat nuk ia zgjidh dot njeri:

Askush s’del dot nga çarku i forcës së tij,

Dhe mbetet mjeshtri plak,çirak i ri!”

Në frymën që më vonë në shekullin XX filozofi anglezo austriak, njëra ndër mendjet më brilante të shekullit kur jetoi, Karl Popperi, në kontekstin e “filozofisë së tij kritike”, e përpunoi si ide dhe praktikë kur diturinë e quan “të kufishme”, ndërkaq “Paditurinë të pakufishme”, Khajami, nëntë shekuj më heret e kishte anticipuar kur do të thotë në Rubairat e tij:

“Qarkove tërë Tokën? S’është hiç!

Gërmove tërë Botën? S’është hiç!

Thellove dokërra Feje, kokërra Shkence,

Ia çmove Fatin Rrotës? S’është hiç!

Dhe pas një jete të mundimshme, plotë vuajtje e sfida, në luftë për dije e shkencë me të gjitha manifestimet fanatike të kohës, pa pasur asnjëherë as qasje, as mirëkuptim, vie zhgënjimi i poetit:

“Në hapësirë Dheu:Koqe(kokërr)Kumi (Dheu)!

Dija dhe Shkenca janë: Fjalë lumi!

Njeriu, kafshët,lulet: Fluska brumi!

Jeta dhe lufta jonë: Ëndrra gjumi!


“Nga Rrot’ e Fat e Zot’ s’kuptova, hiç!

Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç:

Për dijen shtatëdhjetë vjet luftova,

Më kot i humba, nuk zbulova hiç!


10. 10. 2021 Enver Zhinipotoku, prof.







94 views0 comments

Komentáře


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page