Hashim Thaçi i mërzitur dhe Edi Rama që sillet si fajtor!


Kimete Berisha


Hashim Thaçi dhe shokët e tij nuk akuzohen pse luftuan për Liri, nuk akuzohen për çlirimin e Kosovës, por për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

1. Në vitin 2000, një vajzë 11 vjeçare u josh dhe u vra nga një ushtar paqeruajtës amerikan në Kosovë. Prindërit e saj kanë kujtuar se paqeruajtësi nuk vret fëmijë. Por, vrau. Ushtari vrasës u dënua me burg të përjetshëm në Gjermani, ndërsa ushtria amerikane mbeti ushtri amerikane, më e dashura, më e besueshmja dhe më e rëndësishmja për ne.

2. Nuk akuzohet UÇK-ja, kur akuzohet një ushtar i saj. Ashtu siç nuk akuzohet prindi kur fëmiu i tij e bën një krim.

Nuk akuzohet e nuk gjykohet lufta për liri, sepse UÇK ishte aleate e NATO-s, por akuzohen individët, të cilët mund të kenë bërë krime dhe kjo s'është lajm.

Nuk është lajm që s'ka fis pa pis.

Që s'ka ushtri pa ndonjë kriminel.

Do të ishte lajm, sikur të gjendej një ushtri, një Institucion apo një Shtëpi e Zotit pa njerëz të ligë. Pra, lajm do të ishte nëse do të ishte zbuluar se diku-dikur në një botë ideale, paska pas ekzistuar një Institucion pa njerëz të këqij...e jo e kundërta.

3. E UÇK po, shfrytëzohet nga ushtarët e saj sa herë që ata i ndjek Drejtësia.

Nuk po gjykohet qëllimi dhe ideja e UÇK-së për Liri, por po akuzohen individët, të cilët kujtojnë se UÇK i shpëton nga Drejtësia.

UÇK e ka sjell lirinë, por nuk të mbron nga Drejtësia.

Hashim Thaçi dhe shokët e tij nuk akuzohen pse luftuan për Liri, nuk akuzohen për çlirimin e Kosovës, por për eliminimin e kundërshtarëve politikë.

Prandaj, s'kanë pse fshihen pas UÇK-së.

UÇK të ka shpëtuar nga armiku, por jo kur armik e ke vetveten.

4. Hashim Thaçi është shumë i mërzitur.

Mërzia e tij tregon se ai ka qenë i bindur se do të dijë të 'luaj lojën' dhe të dal nga raporti i Dick Martyt pa therr në këmbë.

Nga raporti famkeq ose të nxjerr drejtësia ose harresa, ama jo kompromisi dhe jo Kosova.

Aq shumë është mërzitur për akuzën sa ia lejoi vetes të flas për ndjenja, që aspak nuk i shkon.

Tha se e ka zemrën e përgjakur por nuk e ka të thyer.

Zemrën e thyen veç dashuria, se edhe mjekësia e njeh sindromin e zemrës së thyer, por ama, ata që e njohin Hashim Thaçin të gjithë i kanë zemrat e tyre të thyera, kështu që askush nuk ka mjaftueshëm zemër që të merret edhe me zemrën e tij të lënduar.

Hashim Thaçi ka kujtuar se nuk ekziston dhimbja e zemrës së thyer, derisa e ka ndjerë dhimbjen e zemrës së tij.

Po dhimbka.

5. Zemrën e lënduar të Hashim Thaçit më së shumti po e qan Edi Rama.

Kryeministri shqiptar i ka shpall 'luftë' krejt botës për shkak të Hashim Thaçit.

Ta merr mendja do me dhënë jetën për të, si robi për Liri.

Është kah sillet aq i nervozuar me fatin e Hashim Thaçit, sa që po duket fajtor.

Edi Rama po duket bashkëfajtor dhe arkitet i fatit të Hashim Thaçit.

Veç një fajtor vuan me zë kaq të lart, me kaq shumë zhurmë dhe me gurmaz të shqyer.

Vuajtja ka etikë, krenari, dhe pak poezi, prandaj kur vuan të këshillojnë: vuaj me marifet.

Edi Rama nuk është i mërzitur për fatin e Hashim Thaçit, por është i nervozuar me fatin e tij.

Aq i nervozuar sa ka ardhur në Kosovë t'i 'pajtojë' politikanët shqiptarë, duke i bërë edhe më shumë nervoz, duke i frymëzuar të çohen kundër krejt botës dhe kundër komplet shekullit 21.