Harta e shatërvanit tek “Mobileria”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Aug 14, 2020
- 1 min read

Menekshe tek “Dinamo”
Nga Fatmir Terziu
E kreh Bulevardin minifundi i ndezur
Yjet shëtisin pjerrtazi ndër butësi
kur fllad i lehtë i Krastës
nuhat poshtë diagonales së hapave
vitet ikin si shkuma e bardhë
ju ktheheni, lakuriq dhe vetëm në gotën time
me aromën e kafesë dhe kaçurelit,
buzët e tua: kujtime që zgjon loja me gotën
sytë e tu: trajektore e shkulur nga retina
në një trotuar të fryrë pas shiut shtriqet Hëna
kolovitet mes xhamave dhe garoni bashkërisht
për të zgjedhur mes luleve.
E kështu gota më zbeh ngjyrimet
sytë e mi shpotisin me yjet
atje tutje trupi im i lehtë vetë
zgjohet i dehur nga menekshetë.
2019-2020
Harta e shatërvanit tek “Mobileria”
Nga Fatmir Terziu
Ndërsa dremiste porja buzëplasur e Tokës,
Ajo i përkiste lutjes së stërkalave
me një botë të çuditshme
me dy syçka të ndritshme
të lodhur nga sinfonia e takave
në dy krahë të një kumurie
cfilitet e lëngët poshtë
në një hapësirë të mistershme
duke ëndërruar të hyjë prej vitesh në atlasin
ku hartat janë sozia e gjeografive
me vende të shkelura me sy,
me tempuj të ngritur në tru,
vetëm për të shuar etjen
e një copë barri të lagësht
që mbin enkas drejt buzëve të shatërvanit.
Pasditeve ne shkruanim në arratisjen nga fëmijëria
hartat e përlagura të shatërvanit tek “Mobileria”.
2019-2020
Comments