top of page

HALLVË POLITIKE E POROSITUR


Thani Naqo

tregim


-Hiqmu nga sytë o, ballist i derrit! – u dëgjua një zë i çjerrë burri nga sipër tendës së qoftores. Në pallatin përballë, në katin e tretë, një burrë i moshuar, krejt pa flokë e barkmadh, ishte nderur mbi kangjellat e ballkonit. Ai po mundohej të shpaloste një parrullë, shkruar në beze të kaltër, me germa shtypi, të bardha, JEMI E ARDHMJA E ATDHEUT.

-Komunistë të qelbur, – përshkoi ajrin, si thikë, lebetima e një gruaje që nxorri kokën nga dritarja e dhomës së gjumit. Me siguri ishte e shoqja e atij që po nderte parrullën. Duke shtruar flokët me gishtat e të dyja pëllëmbëve, klithi si e çmendur: -Ardhi koha jonë dhe do t’u shkelim me këmbë, si kërmijtë!

-Ha-ha-haaaa! – qeshi me të madhe një grua e kolme, bionde e bardhoshe, që nga ballkoni i katit të dytë. Përmes rrjetës së hekurave pashë vithet e saj të gjëra, të cilat i qëlloi me të dyja pëllëmbët. Pastaj, biondina vithegjërë, filloi të shkundë, si e tërbuar, çarçafë dhe kuverta mbi kokat e kalimtarëve që ecnin përgjatë trotuarit.

-Shiko-shiko, hajvani, kur të thyejë qafën, – thashë dhe tregova me dorë barkmadhin e nderur mbi parmakët e ndryshkura.

-Ah, sikur ta thyejë qafën, - tha qoftexhiu dhe bëri kryq para gjoksit. – Është nga fisi i Dokove, borgjezëve, – sqaroi për barkmadhin. – Po të fitojë e djathta, thonë Dokot, do t’i marim dyqanet dhe truallet që na sekuestroi komunizmi. Mirëpo Dokot kot i mprehin dhëmbët; edhe bufi e di se të djathtët Enveri i groposi me kohë. Eh, Doko, Doko, – mërmëriti qoftexhiu me mllef. Megjithëse duart i dridheshin nga inati, ma mbushi gotën sërish me raki, mbushi e një gotë për vete dhe e piu me një gllënjkë. E kisha fare pranë fytyrën e qoftexhiut. Syri i prishur, i majti, më ngjasoi me shikëllën e lisit kur e zë bryma dhe shikëlla e lisit më kujtoi se edhe mua më takonte një pjesë nga Koria e Kaçakut, sipër fshatit. Ndërsa vazhdoja të kullufisja qoftet avullushe, ëndërroja për korijen me lajthishta e dushkera, por dëgjova ato që i dija; Partitë Politike po mbinin si kërpudhat pas shiut dhe do vinte një ditë kur ato do mprhenin jataganët dhe.... Për veten e tij tha se kishte qenë komunist, tani qoftexhi, kurse unë bari dhish, dhitë i shita, korija nuk më ngushëllonte, se më qe ngritur mendja të ikja ku sytë këmbët dhe... Këtë qoshkë vend, midis dy pallateve, do ta pushtonte pak e nga pak dhe me marifet. Sot një gur dhe nesër një dërrasë, gjersa t’i hidhte çatinë. Pastaj, - u mburr, - do porosit një tabelë prej llamarine xingato, me gërma të mëdha e të zjarrta, QOFTORJA ÇAKËRRI. Së fundi tregoi me kokë barkmadhin dhe shtoi:

-Që para dhjetë viteve Dokua më tha:

“Ky truall ka qenë pronë e gjyshit. Kam tapinë.”

“Nuk pijnë ujë tapitë e sulltanëve e të mbretit,” – i thashë.

“Atëherë, do të ta heq kokën,” – më kërcënoi Dokua.

"Sherri më la me një sy, – i thashë Dokos. – Mos u kruaj pas meje. Jam nga fisi i Sherrxhinjve.”

“Me që je nga fisi i Sherxhinjve, thuaji sat’ shoqe ta bëjë gati hallvën,” – më tha Dokua. - Imitoi, me duar, sikur ia hoqi siguresën bombës...

“Edhe ti, me që je nga fisi i Tapive, thuaji sot’ shoqe ta bëjë gati hallvën,” – i thashë Dokos, shtoi qoftexhiu, - dhe ja tregova këtë, - tha e që poshtë banakut nxorri një automatik kallashnikov.

-Kam dhejtë vjet që e mbaj të mbushur...

Pagova të ngrënat e rakinë dhe i rashë sheshit përmes. Ndërkohë që gjuha më përcëllonte nga erëzat dhe hundën ma lezatonte aroma e rigonit dhe e piperit të zi, u dëgjua një breshëri kallashnikovi.

-Çakërri e vrau Dokon, - thirri dikush nga mesi i turmës së frikuar.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page