top of page

Halil Rama e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si "antikorp" gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj


Halil Rama e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si "antikorp" gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj


LIBRI I 18-të, - HALIL RAMA, TREGIMTAR PUBLICISTIK I SË VËRTETËS


Halil Rama shpalos hapur krenarinë e vet si "muhurrak Dibre", por po aq zellshëm reçensionon libra përtej nahisë së tij duke futur në lupën e vet Besnik Mustafain, Shefki Karadakun, Fatmir Terziun, Shaban Muratin, Shpend Topallajn etj. Libri është një "mozaik publicistik", shkruar thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrjedhshëm



Nga SHEFQET MEKO

Minneapolis, SHBA





Halil Rama vjen në tregun e librit shqiptar me botimin e tij të 18-të “Fluturon Shqipja mbi Korab”. Thjesht dhe bukur, me gjuhë të pasur dhe me një ndjesi njerëzore, autori rrëfen, përshkruan, tregon fakte, ngjarje, jetë heronjsh, kontribute njerëzore, karaktere dhe viktima, të vërteta rrëngjethëse të dekadave të shkuara. Ai "ngjyen" penën e vet tek e vërteta historike se si një sistem që iu afrua shqiptarëve si shpresë dhe shpëtim i kalvarit historik të vuajtjeve dhe zhgënjimeve pa fund, hap pas hapi, ditë për ditë, u kthye në një "humnerë njerëzore".

Fati i ish-kontribuesve të fillimeve komuniste dhe luftës antifashiste në Shqipëri, si Rrahman Parllaku, Dali Ndreu, Liri Gega, Gjystina (Flora) Sata - Dishnica etj, u kthyen në tragjedi ose dhimbje e torturë pa fund…


Autori rrëfen qetë, ai nuk bën "gjykatësin" as "prokurorin", por mbetet tregimtar publicistik i së vërtetës dhe realitetit që fshihej, retushohej, shtrembërohej dhe qëllimisht mbulohej nga heshtja që dhunshëm dhe "pa ba za" diktohej nga zyrat e pushtetit të kohës. Jeta e atëhershme kishte vetëm "një korsi": me pushtetin ose në ferr. Për ne që mbijetuam dhe u bëmë "stëngëza" të asaj kohe që trumbehej si "demokraci e vërtetë" (shënomëni dhe mua), duket se aplikuam heshturazi thënien amerikane "Gjithkush do që të shkojë në parajsë, por asnjë nuk dëshiron të vdesë…".

Ata që nuk e pësuan nga ajo kohë, ata që nuk shkuan në gjyqe, në kampe internimi, burgje apo më keq, pra "ishin kaluar", por tani flasin ndryshe duke u vetshpallur "kundërshtarë të sistemit", veç gënjejnë, veç mashtrojnë pafytyrësisht duke u vetofruar si "heronj rezistence" të asaj rezistence që realisht nuk ndodhi…Ne të gjithë duhet të pranojmë "mëkatin e heshtjes" duke u kërkuar falje atyre që vërtet guxuan dhe e pësuan. Kurrë nuk është vonë të kërkosh falje. Sinqeriteti është virtyt i shpirtit, por jo e analistëve shqiptarë. Ky është si një "fill qëndisës" në botimin që ofron për lexuesit autori.

Në librin që po shfletoni, Halil Rama vjen si një "marathonomak" i publicistikës së sinqertë, duke treguar aq shumë për Dibrën, dibranët, historinë, traditat dhe Muhurrin e tij të dashur, për heronj dhe idhuj personalë, për veteranë e njerëz që duan të jenë në dobi dhe shërbim të vendit për aq sa janë gjallë.

Si kryeredaktor i gazetës kombëtare "Veterani" autori nuk e fsheh dashurinë për luftën, sakrificat dhe triumfin partizan, për ata veteranë që deri në fund duan të shërbejnë…Për gati dy çerekshekulli ai ka shënur në fletoren e vet të gjitha ngjarjet, momentet, heronjtë dhe viktimat e Dibrës, që ai e do aq shumë dhe krenohet, dhe po aq, pa ngurrim dhe me mburrje, duke e quajtur si "zemra e kombit". Është një meritë e merituar. Dibra me djemtë dhe bijat e veta, me heronjtë e artistët, me politikanët dhe gazetarët, me traditat dhe historinë, me këngët dhe legjendat, me Skënderbeun dhe luftëtarët, me "kunjat" ironike që deshifrohen jo lehtë dhe "odat e mençurisë", ka marshuar me ego dhe ambicje në poltronin historik duke u ulur këmbëkryq e pak fodullçe, por me krenari të fituar nga të vërtetat që rrëfehen edhe në faqet e këtij botimi.

Prof. Dr. Eshref Ymeri, poligloti dhe eruditi shqiptar, ka një bindje të vetën: "E humbëm Shqipërinë e tërë, sepse nuk ditëm ta mbanim. U tkurrëm nga Danubi gati deri në Shkumbin, sepse historikisht u "grindëm mes vedit" duke harruar misionin e kombit që është qëndresa dhe qeveribërja, jo tkurrja e kaosi…". Ymeri, ky nacionalist modern nga Vlora e flamurit, e thotë këtë me dhimbje, sepse në enciklopedinë ruse të 2-3 shekujve më parë ka gjetur faktet historike për "sinoret reale shqiptare". "Humbëm dhe po humbasim", gati bërtet përkthyesi dhe eruditi vlonjat që jeton në Amerikë, duke qënë "ikanak" si unë. E sjell këtë detaj sepse, nëse nuk do ishim tkurrur siç na dënoi historia "sipas festes", Dibra do ishte "Konstadinopoja" shqiptare, as Tirana, as Prishtina, as Lushnja nuk do ishin kryeqendra administrative shqiptare. Vetëm Dibra do ishte. Vetëm ajo. Sepse është në zemrën e lashtë të atdheut shqiptaro-ilir. Vetëm Dibra është si Berlini gjerman, e ndarë më dysh: Dibra e Madhe dhe ajo e këtejmja. Dhimbje por e vërtetë. Historia dhe fati na ofroi shansin e të "qënit perandori", por nuk ditëm e nuk mësuam. Në vend të arrinim këtë, mbetëm "jeniçerë" perandorish.

Në librin e vet me përmbledhje publicistike Halil Rama i mëshon pikërisht kësaj: fatit të madh të Dibrës, që ishte "zemra e atdheut", por nuk u bë kurrë. Ndaj ai sikur "ngushëllon" veten kur thotë "Fluturon shqipja mbi Korab"… Por autori nuk mund të jetë faktor "gjeo-politik", ai është publicist që thjesht "mban shënime dhe rrëfen". Ai ofron "odën dibrane" si variantin e parë të "demokracisë moderne" që mbeti për fatin tonë "brenda mureve të veta" dhe sikur u fsheh nën minderet dhe qilimat e bukurpunuar nga duart e arta dibrane, dhe "humbi" diku duke u kthyer në mallkim dhe dëshpërim. Autori përpiqet të jetë sërish optimist kur anashkalon këtë "tragjedi shqiptare" dhe na rrëfen për Skënderbeun dhe "sofrën e tij", për vendlindjen dhe krenarinë që la, për trashëgiminë që sikur na turpëron kur vështrojmë historinë.

Muhurraku Rama nuk fsheh krenarinë kur shkruan për Hazis Ndreun, këtë popullor të Dibrës, ai shpalos pasionin për Mjeshtrin e Madh, Bujar Kapexhiun (utopistin që ngriti dolli "për të bukurat sinjorina" (Sa keq, përsëri ikje, braktisje, dorëzim e "arratisja" e Kapexhiut me anije ishte "shembulli i parë" paçka se dëshpërues…), e zbret në "sofrën dibrane" duke na sjellë aq shumë njerëz të tjerë të spikatur të kulturës dhe artit dibran popullor dhe "kaladibrançes" së famshme…

Halil Rama shpalos hapur krenarinë e vet si "muhurrak Dibre", por po aq zellshëm reçensionon libra përtej nahisë së tij duke futur në lupën e vet Besnik Mustafain, Shefki Karadakun, Fatmir Terziun, Shaban Muratin, Shpend Topallajn etj. Libri është një "mozaik publicistik", shkruar thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrjedhshëm.

Halil Rama e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si "antikorp" gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj, që ka çibanizuar lemeritshëm shtypin, rrjetet sociale, median dhe ekranet shqiptare. Në këtë plan nuk mund të hesht pa thënë "Faleminderit Rama" si një ikanak që e vetmja pasuri shqiptare përtej Atllantikut, më mbetet gjuha shqipe. Pikërisht me këtë gjuhë të shëndetshme ai portretizon karakteret e veta, rrëfen me pasion bëmat dhe ëndrrat dibrane, tregon për Muhurrin dhe mermerin e tij, për mësuesit që e edukuan dhe ata të thjeshtët e fshatit të vet, që i dhanë jetë një miniere unike në Ballkan: Minierës së mermerit të kuq "Guri i kuq". Ai nuk ndruhet për kritikat që mund t'i vijnë, por thjesht si ato "thuprat e Skënderbeut" para vdekjes, sikur i bashkon të gjithë e flet për të gjithë. Vetëm kur të mësohemi të respektojmë veten dhe cilindo, cilindo nga ne, vetëm atëherë do ringrihemi në vlerat që dëshirojmë. Kjo është arsyeja që Halil Rama nuk harron askënd. Ai rrëfen edhe për organistët, buldozieristët, magazinierët, brigadierët, kuzhinierët dhe portjerët e minierës, që e rriti dhe i dha shkëlqim në shpirt, një shkëlqim mermeri që e gjen vetëm tek ai produkt - thesar i Muhurrit. Nëse Arçibald Kronin do të kishte jetuar "brenda" Halil Ramës, me siguri do të kishte shkruar romanin tjetër "Dhe yjet shkëlqejnë mbi mermerin e kuq"…

Duke qënë i rritur me mbresat e një miniere qymyrguri, ku më 1980 gati, më "përpinë blloqet e zeza" në thellësitë e errëta të tokës, në vendlindjen time, Pretushë, ku punoja për një kostum studenti, ndihem jo pa zili për këtë përshkrim të saktë, të detajuar e të vërtetë të Ramës, por nuk e konkuroj dot. Ai ka folur bukur edhe për mua "Ikanakun shqiptar", ish-punëtor miniere në pushimet e verës studentore. Faleminderit Halil Rama. Ti je si unë, unë jam si ty. Personalisht nuk shquhem si recensent. Jam thjesht një ikanak nga Shqipëria. I tillë jam, me fat dhe pa fat, aty dhe jo aty, i pranishëm dhe fantazmë, sërish kam emrin tim si "pirsmidë" të ekzistencës sime: Shefqet Meko. Miqtë dhe kolegët e mi amerikanë e kanë veshtirë të ma artikulojnë qartë emrin, por unë miqësisht qesh alla dibrançe dhe u them: "Më thërrisni Meko, Albanian Meko". Halil Rama dhe unë jemi ngritur nga hiçi dhe gati mosekzistenca. Ne të dy, në dy cepa sa të afërt dhe të largët dëshmojmë se e shkuara jonë nuk ishte thjesht ferr, errësirë "rrethuar me klon", burgje e gjyqe, por edhe mundim, përpjekje, dëshira, dashuri, luftë me shpirtzinjtë dhe shpresë". Kjo nuk është nostalgji apo dobësi ndaj të shkuarës. Është thjesht e vërtetë. Lexo shënimet në "vetën e parë" të Ramës. Ai sikur ka "kopjuar" ditaret e mia që i kam këtu në Minneapolis… Unë në mes të Amerikës çdo mëngjes, ndërsa bëj përditë "fiskulturën e mëngjezit", si dikur kur ishim pionierë dhe betoheshim në kor "Gjithmonë gati!", më shfaqet e shkuara si mallkim dhe shpresë, si fat dhe identitet e nuk kam kohë ta shaj, se ajo ka ikur. Shyqyr që iku. Ta kujtosh atë nuk është mëkat, por një reflektim privat. Ndaj "monumentet publicistike" të Halil Ramës në këtë libër, sikur janë "kollonat" e fatit tim, ata luftëtarë si Parllaku me shokë, janë "gurë" të ekzistencës sime dhe në heshtje i nderoj. Për fatin tim, im atë, Feim Meko ishte bashkëluftëtar me Rrahman Parllakun, ndërsa vjehrri im (Zhani Balli), do ishte shofer i Gjeneral Parllakut. Sa fije të çuditshme e lidhin jetën e individit në Shqipëri, aty ku sapo del nga shtëpia me dhjetra ta japin "vaktin me emër"…(!).

Libri i Ramës është një prurje e sinqertë publicistike ku gjejnë veten edhe heronjtë, edhe viktimat, edhe artistët me emër dibranë, edhe ata që ikën anonimë e pa u shfaqur kurrë në publik. Të bën për vete sinqeriteti rrëfyes i autorit dhe besnikëria publicistike, sepse siç shënuam më sipër, për Halil Ramën të gjithë janë të rëndësishëm, secili ka peshën e fjalës dhe të pasionit të vet krijues. Kjo do të thosha është edhe veçantia e këtij botimi përmbledhës publicistik. Rastësisht jam redaktor i këtij libri. Ishte nder dhe dëshirë, por edhe një "vullnet diktatorial" i autorit të rritur nën "diktaturën e proletariatit", që u njohëm mbi 4 dekada të shkuara në koridoret e "Zërit të Rinisë". Halil Rama ngeli në kujtimet e mia ai muhurraku i sinqertë, që si "monument" të brendshëm ka mirënjohjen dhe respektin që nuk shuhet, por si pishtar cilësor, me inkadeshencë konstante ndrit shpirtin e të gjallit. Këtë lloj shansi përsëri ja dedikoj një dibrani tjetër që quhet Ahmet Prençi, i cili mbetet "ambasador i padekretuar" i mirësisë e shoqërisë dibrane, së paku në një hark të konsiderueshëm të jetë sime. Unë prej dekadash nuk jetoj në Shqipëri, por "spirancat" e mallit gjithmonë "ankorojnë" shpirtin e "ikanakut shqiptar" në atë bregdet perëndimor të atyshëm, në Durrës, Shëngjin, Vlorë apo Sarandë. Kudoqoftë, shlodhja mbetet ndjeshmërisht e njëjtë, shlodhje në perëndim të Shqipërisë, ku gjumi pushtohet nga ëndrrat! Sa e vogël është kjo Botë. Sa e pafundme është Gjithësia.

45 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page