top of page

Halil RAMA: Dokle promovon bujshëm legjendat e Gorës


Libri “Vallëzim me Hënën”, një magji poetike e rrallë, e veçantë, mistike dhe e besueshme

 

 

Dokle promovon bujshëm legjendat e Gorës

 

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

 

·      Nëse në hyrje të librit, autori i bën të ditur lexuesit se “Gora, në kufijtë e saj etnografikë tradicionalë, paraqet një unitet gjeografik, ekonomik dhe historiko-kulturor”,  folësit në këtë takim promovues do ta konsideronin këtë vepër, një libër unik, i njëllojtë me “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit

 

 

Salla “Aleks Buda” e Akademisë së Shkencave në Tiranë, asnjëherë nuk ka qenë më e tejmbushur me dashamirës të librit se sa mesditën e djeshme, 18 prill 2024. Dhe s’kishte se si ndodhte ndryshe.

Namik Dokle që ka befasuar, jo vetëm lexuesit shqiptarë (të Tiranës e të hapësirës mbarëshqiptare në botë) por edhe spanjollë, boshnjakë etj, dje u ndje i ngazëllyer me praninë e qindra personaliteteve, jo vetëm të letrave, por edhe të politikës shqiptare, në promovimin e librit të tij të sapobotuar nga shtëpia botuese “TOENA” (ndër më susksesshmet në tregun e librit), me titullin intrigues “Vallëzim me Hënën”. Një libër i llojit të veçantë, që i sjell lexuesit 52 legjenda të vendlindjes së tij, me një stilistikë të veçantë.

Nëse në hyrje të librit, autori i bën të ditur lexuesit se “Gora, në kufijtë e saj etnografikë tradicionalë, paraqet një unitet gjeografik, ekonomik dhe historiko-kulturor”,  folësit në këtë takim promovues do ta konsideronin këtë vepër, një libër unik, i njëllojtë me “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit.



Kështu, Behar Gjoka, një ndër personalitetet e njohura të kritikës letrare, pasi vlerësoi pesë romanet e këtij autori të mirënjohur e mirëpritur nga lexuesi: “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e sajbotës”, “Vajzat e mjegullës”, “Covid 1984”e “Dhjetë gramë nder”,  tha se “në përmbledhjen e 52 legjendave në librin “Vallëzim me Hënën”, Dokle sjell  artistikisht vlerat shpirtërore të Gorës. Ai vjen unik, si Kuteli me ‘Tregime të moçme shqiptare”. Kjo për faktin se disa nga legjendat e këtij libri vijnë ashtu siç tregohen, sot e kësaj dite, nga më të moshuarit dhe pasionantët e folklorit goran, të tjerat janë të mbështetura mbi subjekte baladash të njohura të Gorës dhe një pjesë e vogël janë ringjallur nga kujtime të pjesshme, apo nga copëzat e mbrame të legjendave në humbje, drejt harresës.

Ky libër është unik në llojin e tij edhe për faktin se Dokle sjell për lexuesin legjenda të trashëguara e përcjella ndër breza nga goranët, “gjuha e të cilëve është një sllavishte arkaike, e pakultivuar në shkolla dhe në libra, ‘e përmbytur’ nga struktura gramatikore dhe fjalë të maqedonishtes, serbishtes, bullgarishtes, shqipes dhe turqishtes….”.

Po si ka mundur të mbijetojë kjo gjuhë dhe kulturë e veçantë, kur në asnjë libër nuk shkruhej, në asnjë shkollë nuk mësohej, në asnjë radio apo televizion nuk transmetohej?! Ajo ka jetuar dhe jeton përmes këngëve, balladave dhe legjendave të saj, përmes traditave dhe zakoneve të mira mijëravjeçare. Sot e kësaj dite, në shumë fshatra të Gorës, vajzat mblidhen çdo mbrëmje para portave të tyre dhe këndojnë këngët e tyre lirike, në të cilat kuvendojnë me djemtë, me zogjtë, me yjet dhe hënën, i shprehin qiellit dhe tokës dëshirat dhe vuajtjet, ëndrrat dhe zhgënjimet e jetës. Dasmat e Gorës janë festivale të mirëfillta të këngës, valles dhe të kulturës materiale të saj. Edhe pse të myslimanizuar, sot e kësaj dite, festa më e madhe e tyre është Shën Gjergji, që festohet jo pak, por pesë ditë më radhë…. Copëza të kësaj kulture (“jetime, por e pavdekshme”) janë edhe legjendat e Gorës, që i paraqiten për herë të parë lexuesit”. (fq.10-11).   

Në një analizë më të hollësishme të këtij libri, publicisti i mirënjohur Bedri Islami, nisur nga fakti se legjendat, ndoshta më shumë se të vërtetat, e kanë magjepsur gjithnjë njerëzimin, tha ndër të tjera se “Nëse nuk e ke dëgjuar thirrjen e legjendës, nuk ke për të dëgjuar asgjë tjetër. Netët e legjendave janë të panumërueshme. Është pafundësi bota e tyre, ashtu si në një mijë e një zërat e tyre, mund të dallosh atë që ke më për zemër, legjendat që kanë lidhje me vendin tënd, me çastet e shndërrimit të së vërtetës në një realitet tjetër, që, edhe ashtu është përsëri i besueshëm, legjendat janë të dashura përgjithmonë, por edhe një ditë, ashtu si dashuritë e mëdha. Legjendat i duam gjithë jetën. Legjendat janë toka e mëngjesit e jetës sonë. Janë edhe toka e mbrëmjes. Ata janë në fillesën e jetës dhe në perëndimin e tokës së mbrëmjes së jetës sonë”.

Parë nga ky këndvështrim, B.Islami vlerëson se “Namik Dokle na ka sjellë një magji poetike. Të rrallë. Të veçantë. Mistike dhe të besueshme. Të afërt, aq sa të zihet fryma herë pas here. Mistike dhe reale. Të pazakontë, e përsëri të njohur. Nganjëherë më dukej se po kaloja në caqet e ‘një mijë e një netëve’ e, herë tjetër, takohesha me rrëfenjat e Mitrush Kutelit. Kisha ndjesinë e poezisë, por edhe të pikturës. Isha i dyzuar, mes asaj që kisha lexuar në romanet e tjerë të Dokles dhe misterit që po më shfaqej”.

Në të njejtën linjë, Prof. Ethem Ruka – mik i veçantë i autorit,  e vlerësoi këtë libër një botim shumë interesant, me stil të jashtëzakonshëm e gjuhë shumë të pasur, me të cilën “i ka bërë qilizëm Gorës”. Sepse sipas tij “me këto legjenda që më parë i ka modifikuar në subjekte të romaneve të tij, Namiku, mjeshtërisht ka marrë thelbin, brumin, filozofinë e këtyre legjendave, i ka gatuar ato mjeshtërisht dhe i sjell për lexuesin me freskinë që ato bartin”. Professor Ruka tha se Gora, kjo krahinë pak e njohur na vjen me histori të rrallë përmes këtyre legjendave.

Impresionues qe edhe vlerësimi i Irena Toçit – Drejtore e Shtëpisë Botuese “Toena”, që e vlerëson Doklen si autorët më të veçantë.

Vetë autori i mirënjohur Dokle, pasi ka falendeuar pjesëmarrësit në këtë takim promovues mbresëlënës, ndër të tjera the se ka i dëgjuar legjendat nga gra të Gorës shumë të moshuara e shumë të mençura, si Majka që jetoi 106 vjeç dhe sot trashëgohet nga brezi i gjashtë. Ndërkohë ai i shprehu një mirënjohje të veçantë piktorit Pashk Përvathi për kopertinën mjaftë të arrirë artistikisht të këtij libri.

I një rëndësie të veçantë për publikun, qe dhe lajmi që dha Dokle për botimin e këtij libri edhe nga botuesi i tij në spanjisht si dhe në gjuhën boshnjake.

Për të lexuar me një frymë këtë libër, lexuesi do të nxitej, qoftë dhe nga vetë titujt intrigues të legjendave: “Magjistarja 300 vjeçare”, “Vij nga fundi i botës”, “Atje ku dielli lind dy herë”, “Me të drejtën e Zotit”, “Motra shpëton vëllezërit”, “Trëndafili i dashurisë”, “Përroi që flet”, “Kavalli i Neven Pejos”, “Flutura e Gashçenit”, “Qumështi ï Hënës”, “Pushkatimi për një puthje”, etj, etj.

Mjafton qoftë dhe një lexim i shpejtë për të kuptuar se sa thellë ka hyrë autori Dokle në foklorin e kësaj krahine që bart në vetvete thesare shumë të çmuara etnokulturore.

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page