top of page

Hajredin Madana ...


Hajredin Madana mban gjithnjë me vete një timbër kënge dhe një ritëm zemre për Radomirën


Prof Dr Fatmir Terziu


Rradhëherë të ndodh që të kthesh një kohë të tërë në një gdhënjkë kafeje. Sa pak na ndodh kështu. Thjesht, kur ke ndenjur një kohë të gjatë dhe të duket sikur ke kaluar vetëm një minutë. E pas kësaj minute ndjen se ke takuar një Njeri, tek i cili janë me gjithë tërësinë dimensionale, vetë njerëzorja, thjeshtësia, e padukshmja, e arsyeshmja, jetikja. Aty pikërisht sheh dhe ndjen traditën, kulturën, respektin, mirrënjohjen. Aty ndjen mungesën e gjatë të asaj që ke ndjerë dikur në rininë tënde dhe ke harruar kohën kur je prezantuar me të, ke përhumbur në një mori përditësish që të gjesh e të paktën ndoshta të kërkosh të ndjeshmen e tillë, që kryefjalë ka Njeriun e Mirë. Ky njeri i tillë është dibran i qetë, që vjen nga bukuritë natyrore të Radomirës. Ky njeri që është një gen më vete, arti, komunikimi, mirësie, muzike dhe tradite, dhe që thjesht është shqiptar i tillë i respektuar, pra është Hajredin Madana.

Hajredin Madana është artist i lindur. I lindur me këngë në gojë, i rritur me muzikë në shpirt dhe i mbrujtur me gëzimin e këngës, haresë, timbrit dhe jehonës që përcjell mesazhi i një kënge. Dhe kur e dëgjon në krah të vëllait të tij, Arifit, natyrisht bëhen dy bilbilë Radomire, rrëzë Korabit, ku përveç melodicitetit ndjen mes këngëve të tyre edhe përshpirtjen muzikale të ajrit të pastër që është i rrethuar nga pishat që ja shtojnë akoma më shumë bukurinë vendit që ua ngjizi këtë dashuri për këngën që në moshë të vogël. E kush nuk e ka dëgjuar këngën e tyre në oda, në gëzime, në familjaritete të gëzueshme, në festivale fooklorike, në konkurime e në koncerte. Kush nuk ia ka bërë veshët pipëz kur këndohen këngët „Or bilbil i malit“; „Për Radomirën“; „Jemi dy vëllezër“; „Ndesh me ditë ç'kufi ka Luma“ e të tjera. Në këtë dualitet, në këtë melodicitet, e në këtë timbër natyrshëm bëhen bashkë të gjitha ato që ke dëgjuar për fshatin Radomirë, ose të gjitha ato që të mbesin në mendje e nuk të hiqen kur e ke vizituar atë gjatë një ngjitje në Korab.


Kur dëgjon të flasë Hajredin Madana, e natyrshëm dhe ndjen këngët që ai këndon, thjeshtë në një bisedë të tillë të lirë mirëkupton vetë atë që të sjell memorja për vendlindjen e tij. Aty rifreskon kujtesën dhe mëson se Radomira, është pjesë e 100 fshatrave dhe pozicionohet rrëzë Korabit, ku mespërmes fshatit kalojnë edhe burimet e ujit që bashkohen me lumin e Veleshicës dhe përveç freskisë zhurma qetësuese e rrjedhjes së ujit e bën edhe më të veçantë këtë zonë. Hajredin Madana mban gjithnjë me vete një timbër kënge dhe një ritëm zemre për Radomirën. Edhe këtu në Croydon të Britanisë së Madhe, pikësëpari të rifreskon biseda vetë bukuritë magjepsëse të këtij atraksioni turistik. E Hajredin Madana flet aq ëmbël, aq qetë, dhe të sjell në këtë planshet kohor merirjen e gjallë, ndërsa përhumbesh dhe ndjes se Radomira është në duart e tua dhe ti je gati për tu ngjitur në Malin e Korabit që është pjesë e Parkut Natyror Korab-Koritnik, udhëton i përmallur në bjeshkët e Dibrës rreth 35 km larg Peshkopisë, ku zbulon para syve një copë të gjelbër magjike, e cila të befason nga bukuria e lëndinave, maleve dhe përroit përrallor të Veleshicës.

Në bisedë e sipër të del në sy e në ndjesi ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në faqet e Korabit që janë një resurs më vete, ku eksplorohen mes fjalës edhe monumente të tjera natyrore si Liqeni Zi, apo edhe Kroi i Mbretit, të cilat kanë specifikën e vetë në këtë zonë. E ndërsa Radomira është dhe një bazë ku shijohet mikpritja shqiptare, aty mes bisedës rigjen forcën që të japin mikpritja dhe besimi si elementë, të cilat i japin vlera të veçanta sociale kësaj zone duke u harmonizuar dhe mjedisin përreth, madje ku përdoret edhe motoja “Shtëpia është e zotit dhe e mikut”. Hajredin Madana na thotë se „Radomira dallohet për numrin e lartë të bagëtive, që është dhe ekonomia kryesore e kësaj zone si në te gjithë Kalanë e Dodës. Kjo e ka bërë të njohur edhe për baxhot që merren me përpunimin e qumështit dhe nënprodukteve të tjera. Dhe një vizitë në këtë zonë do ju bëjë të provoni shijen unike të produkteve të freskëta që banorët i përgatisin me shumë dashuri. Të gjitha këto elementë e bëjnë tërheqës fshatin për të gjithë turistët që kërkojnë të eksplorojnë e të marrin diçka ndryshe nga vizitat e tyre.“ dhe natyrshëm kjo është një krenari e ligjshme. Por më e vyrtytshme kjo krenari bëhet për kohën e bisedën që ndjen duke përhumbur vetveten tekasa ke gjetur Njeriun.


Me një disiplinë skënderbegasi, dhe me një talent e një zgjursi që në bangat e shkollës fillore kur shkëlqente në rezultate, Hajredin Madana, ushqeu edhe brezat që ai edukoi dhe u mësoi edhe matematikë, edhe modelin e të qënit njerëzor kudo që janë. Për këtë mjafton një shembull. Ishte viti 1992 dhe Hajredini u bë shofer i një makine Audi. Me këtë makinë për disa vite ia doli mbarë. Ai lëvizte gjithëandej. Edhe njerëzit sapo kishin filluar të lëviznin në hapësirën e tej kufijve të Shqipërisë, mundësi të cilat nuk i kishin më parë se të trokiste 90-ta. Me këtë makinë ai udhëtonte edhe tek gjaku i tij në Gostivar. Me këtë makinë ai u gjend një ditë në Rinas. Kur u gjend aty, një djalosh i bëshëm i trokiti në xhamin e makinës. Ju përshëndes mësues Hajredini. Ju më keni bërë ky që jam sot. E di pse, se fjalët dhe këshillat e tua më bërë të jem shembull në punën time në Angli. E ai, pra njeriu në ulësen e shoferit, Hajredin Madana, i tha shkurt se kam bërë vetëm detyrën.

VAZHDON SË SHPEJTI TEK REVISTA NË PRINT „ALBANIAN POST“.

248 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page