top of page

Guri i diellit


Guri i diellit

Kostaq Duka                                             Tregim

     Aty nga fillimi i viteve 60-të, në Korçë, në një territor, tokë djerrë, në kufi  me të ashtuquajturën”Bashtë e Ushtërisë”, pemishte me mollë dhënë  nga shteti në përdorim ushtërisë , filluan të ndërtohen një bllok shtëpish dykatëshe , tip elbasançe, me ballkon dhe oborr përpara. Ishte një përpjekje nga ana e shtetit për të zbutur nevojat për strehim duke stimuluar ndërtimin e shtëpive, pronë personale, me nje sasi kredish.Një syresh guxuan edhe pse të trembur për shlyerjen e kredisë.Për supet e nje familjeje punëtori si e imja, (babai  rrobtohej në furrat  e gëlqeres kurse nëna ditë e natë linte sytë duke qepur, sa në shtet, sa në shtëpi), kjo ishte barrë e madhe. Por u guxua falë dhe nxitjes nga ana e gjyshit, babait të nënës, punëtor e trim i madh. Shtëpia arriti u ngrit. Gëzim i madh. Aty në dhomën e ndjenjes të suvatuar thjesht me argjilë e që binte erë pishë nga drrasat e njoma të dyshemesë u shtrua darka me qingjin e pjekur sipas zakonit.Por….shtëpia donte të tjera shpenzime,për futjen e ujit brenda e jo vetëm në oborr, për suvatime etj, etj.Kredia ishte konsumuar krejt…Isha i vogël kur dëgjoja dialogun e dhimbshëm mes prindërve për pamundësinë e gjetjes së të hollave për ndërtimet e brëndëshme të shtëpisë…. Por ja , një ditë fati u qeshi. Dhe kur s’mund të pritej.Nga ana e shtetit po mblidheshin obligacionet (letra me vlerë) duke shpallur dhe një llotari. Shansi per një shumë jo të vogël për  atë kohë u takoj dhe prindërve të mij.Gjithë banorët e rrugicës sonë, përgjithësisht njerëz të thjeshtë,  me rroga të ulta na uruan duke na thënë “Lum ju për këtë fat” Gjyshja ime më kujtohet bëri kryqin dhe u fal…. Me paratë e llotarisë u shtruan tërë dyshemetë, u ndërtuan shkallët e brendëshme prej druri, ku u vendosën  udhë leshi si dhe shkallët e jashtëme  me gurë masivë të skalitur. Ja atëhere kur ndërtoheshin shkallët prej guri, gjyshit i shkoi mendja të bëhej me këtë material guri dhe sofati aty në anë të portës. Shtëpia pa sofat, nuk ka sy, tha, aq më tepër një shtëpi që shikon nga jugu, me diellin mysafir që në të gdhirë. Sofati bëri vënd.Ditë pas dite e vit pas viti të dukej, se ai gur i bardhë , masiv dhe i  rëndë, nën të cilin kishtë gjithnjë lagështi kishte qënë aty përjetësisht, madje para godinës së shtëpisë.Vlera i rritej akoma më shumë edhe nga fakti, se para shtëpive të tjera nuk kishte sofate.Një tjetër, ndodhej diku nga fundi i rrugicës në shtëpia e qoshes, jo shumë i preferuar për ndenje për shkak të zhurmave të makinave që lëviznin në asfalti pranë…. Tani pas gati gjysmë shekulli sofati ka memorjet e veta të pashlyeshme. Ja, babai në pranverë,verë e vjeshtë, kur kthehej i lodhur nga puna para se të hapte derën e madhe të jashtme prej druri ulej së paku dhjetë minuta, duke ja vënë synë diellit në perëndim.A thua mbi rrezet delikate të diellit të pasdites përpiqej të shkarkonte lodhjen e madhe të ditës? A thua kënaqej që ky sofat dhe kjo shtëpi i përkiste atij e ai duhej patjetër si pronar t’i shijonte këto çaste, te funddiellit ?! Qëndronte i përhumbur, në një gjëndje statike. Sytë e gjelbërt, në të kaltër mbeteshin ashtu të hapur si të ishin pjesë e qiellit dhe diellit. Pikëla djerse i mbulonin fytyrën e kuqëremtë.  Mbi ballë i varej një degëz floku kafe në të verdhë… Kalimtarët e rastit kthenin kokën e shihnin e ndonjë syresh largohej i trembur kur asnjë shenjë reaguese nuk u vinte nga silueta e burrit, gati e ngrirë në sofat….Por në  heshtje ai ishte në shoqërim të plakës fqinjë mbi 90-të vjeç, në shtëpia përballë , që duke qënë e paralizuar, me botën  komunikonte tej xhamit te dritares. E dinte orarin kur babai kthehej nga puna dhe do ulej patjeter në sofati i gurtë. -U kthye Theodhori nga puna, aty është si gjithnjë,- u thosh pjestarëve të tjerë të familjes. Ata zgjatnin kokën në një rit të  zakonshëm të bindur se do shihnin të njëjtën gjë, komshiun e tyre të anës së diellit me pantallona e xhaketë doku në ngjyrë blu dhe një torbë po të doktë, kafe me ngjyra të zbardhura nga  tejpërdorimi. Një psherëtimë keqardhjeje do shoqëronte këtë shikim spontan. Fqinjët ishin të dy burrë e grua intelektualë, me zëmër të butë e shumë të respektuar. Dhe kështu sofati e pati të zotin e shtëpisë për shumë vite mysafirin e parë që e mbante me shumë kënaqësi mbi shpinë. Por  dy vjet pas vdekjes së plakës përkarshi, bashkëshoqërueses së pafjalë në këtë dialog me diellin, i zoti i shtëpisë braktisi  uljet e zakonshme pas pune duke shijuar rrezet e ngrohta të pasdites.   Për disa ditë  u ul sa paradite, sa pas dite, në seanca të shkurtëra veshur me tuta o thjesht me pizhame. Çuditërisht, fytyra dikur e kuqëremtë, sa të dukej se gjaku do pëlciste nga çasti në çast, në këto seanca të shkurtëra nën rrezet e diellit dukej si e dylltë prej çeres së vrarë, të verdhë. Sytë e blertë në të kaltër kishin marrë një hije të plumbtë, sa të dukeshin pa ngjyrë.Mollzat  kishin kërcyer dhe trupi të dukej se humbiste mes rrobave. Pastaj, pastaj s’u pa më. Sofati i priste në vetmi rrezet e nxehta të diellit te mesditës dhe rrezet e ngrohta të diellit në perëndim…Fqinjët nuk zgjatnin me kokën  për të parë nëse ai ishte ulur ose jo ne sofat por diskutonin mes tyre me dhimbje për fatkeqësinë e tij. Dhe një ditë, dera e drunjtë u hap krejt dhe sofati ndjeu ferkimet e pantallonave të kaq e kaq burrave që bartën mbi supe të zotin e shtëpisë. Iku papritur, brenda tre muajve nga sëmundja e kancerit, pa mundur të shijojë një ditë të plotë uljeje, si pensionist, mbi sofatin e gurtë. Sofati vazhdon të jetë aty, i përhershëm dhe pse pak i hirnosur nga vitet. Mbi të janë ulur plot njerëz në vite. Ca kohë mblidheshin rreth tij çunakët e rrugës, që hargaliseshin me tregime aventureske dhe histori dashurie, në stinët e verës, është ulur dhe ndonjë kalimtar i rastit. E megjithatë po të kishte gojë ai do të thosh se edhe pse prej guri ka një plagë gjaku për atë burrin me torbën e hirtë që i shërbeu kaq vite për t’i hequr lodhjen pas pune duke pasur për ndihmës diellin.


#Kostaq #Duka   

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page