top of page

GRISILDA DOÇI ME ROMANIN E PARË


GRISILDA DOÇI ME ROMANIN E PARË, DITËN E LINDJES


Është vërtetë kënaqësi kur ndeshesh me librin e parë të një autoreje të re në moshë. Ca më shumë kur vepra që të jepet është një roman, që konsiderohet si gjinia më e vështirë në fushën e krijimtarisë letrare. Dhe duke u shtyrë më tej, gëzohesh kur sheh se tema që ajo ka zgjedhur prek problemet e mëdha të kohës. Dhe jo vetëm aq, por i trajton ato me një këndvështrim interesant dhe gati - gati të pa praktikuar më parë te ne. Zakonisht shkrimtari e merr materialin nga realiteti i jetës dhe duke e stërholluar artistikisht, e hedh në letër. Por ja që ndodh që këtë realitet, pa humbur vërtetësinë, të na e japë të përthyer, me synimin që të ruhet nga përsëritjet e asaj që kemi parë vetë apo kemi lexuar më parë nga të tjerët. Arti në përgjithësi dhe letërsia në veçanti ta krijon mundësinë që të gjesh forma nga më të çuditshmet, për të vënë në lëvizje fantazinë. Dante Alighieri në plot 14.233 vargje, me fantazinë e tij, natyrisht gjeniale, na i përshkroi “Ferrin”, “Purgatorin” dhe “Parajsën” te “Komedia Hyjnore”, aq mjeshtërisht, sa edhe neve na duket se kemi qenë atje mes personazheve të tij dhe kemi marrë pjesë në fatet e tyre. Dhe ja tani Grisilda, “luftëtarja gri”, nga gjermanishtja e vjetër, që mban emrin e një heroine të Xh. Bokaçios, çka e shndërroi në “grua e mirë dhe e dhimbshme”, shtatë shekuj më parë, vjen me “Zana e Malit”, titull që edhe pse pohon se nuk ka lidhje me legjendat tona të eposit të kreshnikëve, ku Zana endet maleve dhe pyjeve duke ndihmuar trimat, përsëri t`i kujton ato. Në ditët që shoqëria shqiptare po kalon, në luhatjen mes shpresës dhe zhgënjimit, ku po lulëzon indiferenca dhe apatia, e sidomos braktisja e atdheut nga të rinjtë kryesisht, dhe roli i intelektualëve po bëhet inekzistent, të portretizosh një femër që e mbrujtur nga ideale të pastra dhe humane, shkon në fshat, jo thjesht për të ndrequr jetën e saj apo për t`u pasuruar, por për të ndihmuar e ndryshuar jetën e të tjerëve, afër mendjes që duket utopi dhe naivitet. Ajo si e tillë do ngjasonte vetëm me Nekludovin, çifligarin e princit Leon Tolstoi, dhe do ishte krejt e pabesueshme, për të mos thënë se do të shkaktonte të qeshura dhe qesëndisje. Duke e nuhatur këtë, Grisilda i është shmangur rrëfimit klasik dhe ka zgjedhur të gdhendë qëllimet dhe veprimet e personazhit kryesor, arkitektes Zana, ashtu sikurse ajo do të dëshironte të ish. Është fakt se mes nesh mungon shembulli. Ju e mbani mend sesi komunizmi i krijonte këta shembuj që shpesh merrnin edhe trajtat e karikaturës humoristike. Sot, marrëdhëniet sociale kanë pësuar një krisje të madhe, ku interesi dhe dëshira për fitime të pamerituar prevalon. Grindje e mërira pa fund për ndarjen e pronave. Këtu ka pjesën e vet edhe trashëgimia kulturore, tribalizmi, mentaliteti mesjetar, ku ende Kanuni herë pas here ngre kokë. Në thënien e Martin Luther Kingut Jr. se “Ose do të mësojmë të rrojmë së bashku si vëllezër, ose do të ngatërrohemi së bashku si budallenj”, sikur po triumfon kjo e dyta. Ja, të tillë e gjen situatën edhe Zana atje në fshat, ku e presin me këmbët e para dhe i thonë se ti nuk ke asnjë të drejtë pronësie këtu, pasi je bijë, pra femër. Por ajo këmbëngul dhe është e vendosr të marrë sipas ligjit atë që i takon. Nuk është agresive në arsyetimet e veta, por flet me urtësi e llogjikë të hekurt. Kalon me zgjuarsi edhe provokimet që i bëhen. Motua e saj tani është “unë jam Zana që do i jap fuqi vetes sime, edhe pse jo, edhe bijave të tjera që ua mohojnë të drejtat”. Dhe nuk mjaftohet me fjalë, por nis nga veprat. Nuk druhet nga asgjë dhe s`do t`ia dijë as për Kryebashkiakun që teksa interesohet për hallet e fshatit dhe të fshatarëve i kërkon llogari: “Çfarë bëhet me fondet e bashkisë?” Asnjë pengesë nuk e ndal, dhe me guxim e punë jo vetëm rregullon jetën e saj, por ndikon edhe në përmirësimin e jetesës të të tjerëve. Flet hapur me ta dhe u fiton zemrat atyre. Ata fillimisht habiten duke thënë se a është në vete kjo, që ndërsa të tjerët largohen, ajo vjen të jetojë këtu. Por përgjigja është te puna, te rezultatet që ajo jep, te e reja që Zana fut në atë mjedis të prapambetur, te vizioni që ajo ka në pajtim me kushtet e kapitalizmit, duke shfrytëzuar fillimisht mundësinë që i dha shitja e shtëpisë në qytet. Me prodhimet e saj në bujqësi, blegtori e pemëtari, ajo shndërrohet edhe në një filantrope, duke shpërndarë falas deri bukën e gojës. Për bindjet e saj, ajri, buka dhe uji duhet të jepen pa para. Me këtë shpirt bujar, këtu ajo gjen edhe përkrahje, te shoqja e saj e qytetit Drilona, te fatkeqja e nënshtruar Mirjeta, e deri te komisari i Policisë Epidamni me të cilin dashurohet. Ajo ndikon që edhe mikeshat e saj ta krijojnë familjen e tyre të shëndoshë dhe mbi baza dashurie të vërtetë. Ndaj dhe bën çmos që një vajzë ende të parritur që i kishin dhënë burrin e madh me detyrim, ta çlirojë prej tij. Ajo i drejton prindërve të vajzës fjalët e vlefshme për këdo: “Ajo mund të jetë bija juaj, por nuk është pronë e juaja që ju ta martoni me kë të doni. Moralisht, një prindi nuk i ka aspak hije t`i shkatërrojë fëmijërinë, adoleshencën dhe rininë fëmijës së tyre të mitur. Nuk e keni aspak të drejtën t`i ndaloni shkollimin dhe ta detyroni të marrë burrë. Përkundrazi, prindi duhet të jetë këmbëngulësi më i madh që fëmija të shkollohet, të gjej profesion, të rritet, të piqet, të formohet, t`i marrë frerët e jetës në duart e veta, pastaj të marrë vendime për martesë”. Dhe duke vepruar kështu, Zana e romanit të Grisildës, edhe pse nuk është as ajo Zana e bukur e Alpeve tona që frymëzonte lahutarin e maleve dhe as ajo Atena Palada e grekëve që ndihmonte Diomedin e Odiseun te Homeri, me bukurinë e shpirtit të saj, mbetet një personazh i nderuar dhe i dashur për këdo që e lexon këtë roman, i cili është shkruar me gjuhë të pastër dhe fjali të thjeshta e të shkurtra që nuk të lodhin aspak. Se jo më kor Anton Çehovi, thosh se “Nuk mjafton të dish të shkruash bukur, por të shkruash me talent, d.m.th. Shkurt”. Ndaj, duke i uruar ditën e saj të lindjes dhe ditën e daljes në dritë të romanit të parë, le ta sigurojmë se është në rrugë të mbarë me prozën e saj, ndaj dhe presim të tjerë libra akoma më të arrirë.

169 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page