top of page

GRIMCA DRITE NGA ZVICRA




Agim Shehu


GRIMCA DRITE NGA ZVICRA


Një poet thotë se «duke udhëtuar nëpër Zvicër piktori gjen në çdo hap një tablo, poeti një figurë dhe filozofi një refleksion». Është vëndi ku dy gjërave nuk u shpëton dot njeriu, vdekjes dhe ligjit. Si rrallëkund aty Zoti fal gjithmonë, njeriu - nganjëherë, natyra - asnjëherë. Natyra zbaton paanësisht dhe detyrueshëm ligjshmërinë universale të harmonisë nga Gjithësia te Njeriu. Brënda kësaj ligjësie fshatrat-qyteza në pllaja alpesh ditën bisedojnë me njeriun, natën me Perëndinë. Saktësinë e simbolit kombëtar, Vilhelm Telit që goditi mollën mbi ballin e të birit zvicerani e ktheu në saktësi kohe matur përpikmërisht me orën e famëshme prodhuar prej tij.

- Me një vëndas dolëm shëtitje në gjunjë të Alpeve. Rrëketë e ujrave me bardhësi dëbore hapen lirshëm anash sipër barit…Sa afrohen në qytet mblidhen menjëherë e rjedhin si të pafaj brënda shtratit. Shoku më pyeti me humor, ‘pse ujrat duke iu afruar qytetit bëhen të disiplinuara e s’guxojnë të dalin sipër xhadesë’!? Po rrotulloja në mëndje arsyet. M’u kujtuan përmbytjet e bujëshme të vëndlindjes sime që s’pyesin as njeri as perëndi, po ato qenë larg e tjetërsoj për të më ndihmuar përgjigjen. I rendita ca spjegime: se në qytet janë bërë kanale të thella; se ujët hollohet ngaqë me të ujiten vreshta e kopështe qyteti; se i hanë anash liqenët e Zvicrës…

Miku vëndas mblodhi buzët i kënaqur që s’po bija në të e m’u përgjegj: «Drejt qytetit ujët futet në shtratin e vet se ka frikë nga Policia e rreptë financiare»!

-Siç dihet, Zvicra flet në tri gjuhë: gjermanisht, frengjisht dhe italisht. Shkuam për një punë te një zyrë në Bazel. Punonjësja, një zonjë fisnike në pamje e në sjellje, me buzëqeshje të ëmbël në fytyrë si të na njihte me kohë po na spjegonte gjermanisht kërkesën tonë. I kënaqur nga qartësimi, në fund e pyes si në intimitet nisur nga gjuha që fliste: «Ju, zonjë…gjermane»?..Ajo u mvrejt menjëherë: «Jam zvicerane, Zotni! Nga vini ju»!? E kuptova menjëherë marrëzinë që kisha bërë e m’u nxi jeta. Bëra një nënqeshje si i pafaj ngaqë kisha pyetur vetëm për mirë, por kjo nuk më ndihmoi. Shoqëruesi im i spjegoi se isha ngatërruar, ngaqë në vëndin e tij një krahinë shqiptare ku flasin dhe greqisht, fqinji e quan greke!..Ajo shtoi qetësisht: «Këtë zotnia duhet të vejë ta ndreqë në vëndin e vet pa ngatërruar këtu dhe Europën. Sipas tij, Austria që flet gjermanisht qënka ‘Gjermani’, apo Amerika që flet anglisht është Angli!!»…U largova duke marrë me vete dhe buzëqeshjen time të vetmuar.

-Miku im avokat kish dëgjuar Uikileaksin për Shqipërinë e më pyet për ngjarje nga më dramatiket të vëndlindjes. I përmënda me dhimbje më tronditëset që m’u kujtuan: Një hallemadh që kish marrë hua te shoku, vdiq papritur! Shoku, po ashtu në hall, shkon tek qe shtrirë pa jetë, i ngrë pllakën e varrit e i thërret: ‘Ngreu më laj borxhin pastaj futu prapë brënda’!..Nga vdekjet e shumta jashtë radhe me vrasje e vetëvrasje varret janë shtrenjtuar, aq më tepër për të varfërit. Në prag të votimeve, një klienti të vdekjes pronari i varreve i thotë: «Voto për Partinë time të të fal…një varr»!..Miku im, regjizor me emër me banim në Nju Jork kish përgatitur varrin e vet. Gjatë vizitës në vëndlindje shkon ta rishohë! Befas vështron i hutuar se pa lejen e të zotit një tjetër ish futur para tij brënda!..Fqinji ynë jugor po ngre varrezat e ushtarëve pushtues të Shqipërisë, por i mungojnë eshtërat për sasinë që kërkon. Një hallemadh nga Përmeti s’kish të holla t’i blente libra fëmijës. Shkon nxjerr eshtrat e gjyshit e të gjyshes, i fut në trastë e ia çon priftit grekoman për shitje. Prifti ia zvogëlon tejmase blerjen ngaqë eshtrat e gjyshes qenë prej femre e të gjyshit ishin të shkurtëra për një kufomë ushtaraku!..Nipi ngrin i hutuar, pa ditur ku t’i shpjerë eshtërat e të parëve të tij!..

Heshta të shihja përshtypjen e mikut tim. Ai rrinte i habitur e në fund foli si me vete: «Mesa duket, Shqipëria pret lindjen e një Shekspiri»!

-I thashë më tej, se ‘Europa po tregon një dëshmi të fortë humanizmi tek ndihmon dhe ushtarakisht në shpëtimin e popullit nga diktatori Kadafi. Zvicra sikur s’po duket këtu’!..U mendua pak e ma ktheu: «E sotmja nuk gjykohet saktë po e ndave nga e kaluara, me merita a të meta qofshin. E përshëndesim këtë ndërhyrje qeverish Euroatlantike, por kur ata putheshin në pritje të bujëshme me Kadafin siç e publikojnë dhe fotografitë, policia e Gjenevës, ti e di si qytetar i saj, djalin e bujshëm të Kadafit e arrestoi në vilën e tij buzë Liqenit. Për veprimin dinjitoz të saj nuk pyeti asnjë kërcënim të babait diktator pasi me rrahjen e shërbëtores së vet kish fyer humanizmin universal të njeriut! E mjaftueshme për të gjykuar më saktë»!

-Me mikun nga Kosova zbritëm nga vetura e tij para shitores së gazetave. Makinën e la diku jashtë rregullit. Dy policë në lagjen Grand Lancy po vëzhgonin diçka (në Zvicër gjatë shërbimit policët nuk janë kurrë vetëm). Njëra qe police tepër e hijëshme. Me flokë të verdhë në flori, sy blu prej qielli, uniforma e tregonte statujë Apolloni. Kur i frynte bilbilit të bëhej se u fliste zogjve. Unë po ndiqja fluturimin e ca zogjve që ngjanin se shihnin semaforin para se të kalonin matanë. Policja po na afrohej. «E ke keq makinën» i thashë ngadalë. Pa pasur kohë ta rregullonte, ai foli i buzëqeshur: «Ç’kënaqësi të arrestohesh prej saj»!..E pashë në sy nëse e kish megjithë mënd! Në semafor u ndez e gjelbëra. Në parullën shkruar mbi tramvaj u thuhej udhëtarëve: «Vetëm zogjtë fluturojnë më lirë.» Zogjtë humbën në qiell. Miku im u ndodh ballë përballë me policen e hijëshme…

-Në festën kombëtare të 2 Gushtit një fqinja jonë e re, gjimnaziste para se të nisej te lodrat e bujëshme buzë Liqenit u vesh e u rregullua si të qe djalë. «Sonte dua ta shijoj festën si mashkull, pa më shqetësuar si femër» na tha me humor…M’u kujtua anekdota që tregon Sami Frashëri për Zvicrën: «Princesha Marie gjatë vizitës në Francë u vesh si djalë. Shpoqëria e lartë e priti me tërë nderimet. Mbi të gjitha ajka pariziane, bënin ç’bënin e përqafonin dhe e puthnin këndshëm, pa pyetur për njeri tjetër. «Mos u shqetësoni, u tha ajo mënjanë shoqërueseve, ato e bëjnë se më pandehin mashkull»!

-I them mikut avokat: «Juve ju lusin të hyni në Bashkimin Europian e nuk pranoni! Ne i lusim e nuk na pranojnë. Na e jepni ne favorin që ju bëjnë meqë s’harxhoni asgjë»! «Si e bëni ju kërkesën»? më pyet. «Po vinte demokracia e të parën lëshuam thirrjen gjer në ngjirje: ‘E duam Shqipërinë si Europa’. «Kurse ne përgjigjemi: ‘E duam Europën si Zvicra’, këtu është ndryshimi. Fatkeqësisht, ju keni merak më shumë për kornizën se për tablonë brënda kornizës» m’u përgjegj miku.

-Gjitonia e moshuar e pallatit mban një qenush të vogël të bukur që s’e heq nga dora. E thërrasin Xhuli. Një ditë qenushi nguli këmbët pa e ndjekur të zonjën edhe pse ajo e tërhiqte butë me fillin ku e mbante lidhur. Pastaj e la të lirë dhe po e shihte. Ai u drejtua te një shuk letre lënë përdhè jashtë rregullit të pastër zviceran; e mori me putrat e vogla dhe shkoi e hodhi në koshin e madh të plehrave duke kërcyer lart, si të hidhte një top të vogël basketi në rjetë…E zonja atë e ka blerë me rregulla shteti ca mijra franga (baraz dollarë). Qenushi ka të dhëna të sakta në zyrën përkatëse: prejardhjen gjenetike të prindërve pa gjak zagarësh të padenjë (në gjuhën tonë - si e ëma dhe e bija, apo bëmë o babë të të ngjaj)! Në regjistrin zyrtar ka diagnozën për siguri sëmundjesh…Në qafë ka një rreth tërë lulka ku ka të shënuar numurin e telefonit të shtëpisë: nëse humbet nga ndonjë shpërthim instikti me mallin prej kafshe të arratisjes, policia ta rikthen saktë. E zonja e viziton rregullisht për shëndetin duke i dhënë herë herë ilaçe për parandalim sëmundjesh. Në Migros i blen ushqime të veçanta për ta në kuti tërë lule. Në banesë të saj ka strehën përkatëse me lodra prej qenushi. Në banjë e lan me shampo erëmirë dhe e than me makinë korenti. Para gjumit i vihet muzikë e lehtë dhome. Në pushime e merr me vete me tërë salltanetet e caktuara të plazhit. Nëse zonja i vdes e para, jetën e ka të siguruar në bankën kantonale me çekun e pasur në emrin e tij. Nëse pronarja e mërzitur e dëbon në rrugë të madhe, ka gjobë shumë të rëndë për dhunim «të të drejtave themelore» mbrojtur nga Shoqata e kafshëve...

E zonja na i spjegonte të gjitha këto si një detyrim moral që dhe ne duhet t’i dinim për qenushin e saj. Në fund unë i them me pikëllim të përmbajtur se në vëndin tonë, për jetën shumë të keqe të njerëzve themi «ai bën jetë qeni»! Zvicerania ma ktheu me qetësinë e zviceranes: «Kur të hyni në Europë, këtë fjalurtë tuajën mos e merrni me vete»!

-Një emigrant i huaj ardhur pa vizë e mbetur pa punë kish dëgjuar se në Zvicër po të kafshoi sadopak një qen, pronari paguan 3000 fr. shpërblim. Një zonjë po zgjidhte të blinte ca lule ndërsa qenushin e mbante për filli nga pas. Emigranti iu afrua ngadalë si duke parë dhe ai për lule, e i afroi këmbën që t’ia kafshonte. Qenushi e pa mospërfillës me bisht syri dhe u mënjanua nga ana tjetër e të zonjës. Ky e ndoqi lehtë nga pas dhe i zgjati këmbën tjetër. Qenushi e pa me bisht syri dhe lëvizi më tej. Ky ngriti pak pantallonat te këmba dhe ia zgjati, ndoshta nuhaste më saktë erën e mishit e ia kafshonte. Qenushi nxori gjuhën e po ia lëpinte miqësisht me humanizëm zviceran. Emigranti u nervozua dhe i ra me këmbë. Qenushi klithi. E zonja ktheu kokën, pa qenushin që i qe ngjitur për mbrojtje dhe thirri policin. Pas pak, emigranti me këmbën të lëpirë nga qeni asnjanës zviceran hyri në veturën e policisë për t’u sqaruar.

-Në Zvicër një nga dënimet më të rrepta jepet për shfaqjet raciste, sado të rralla. Në faqet e tramvajeve sheh valle të gëzueshme fëmijësh të të gjitha ngjyrave si simbol triumfi të humanizmit në tërë kontinentet.

Një i ri me ngjyrë u fejua me një të bardhë. Ecnin ngado të lumtur nëpër qytet, shpesh dorëpërdore me njeri tjetrin. Një i afërm i vajzës i tha atij shqetësimin që kish familja, se mos i dilte i pabesë e pas ca kohe e linte! I fyer për dyshimin ai ia ktheu: «Po përsëris një poet zezak që i fyer kështu, shkruan: ‘Zotni, pabesia nuk është pronë e njerëzve me ngjyrë! Ne kur lindim, lindim me ngjyrë të zezë perëndie. Kur rritemi kemi prapë ngjyrë të zezë. Në vapë kemi po ngjyrë të zezë, dhe në të ftohtë kemi ngjyrë të zezë; në turp apo në zemërim mbajmë besnikërisht të njetën ngjyrë të zezë pa iu fshehur policisë me ndërim ngjyre; dhe kur trëmbemi kemi prapë ngjyrë të zezë…Kurse ju të bardhët, më fal, s’e kam për të gjithë por, lindni me ngjyrë të bardhë; kur rriteni merrni ngjyrë të purpurt; në vapë keni ngjyrë të skuqur; në të ftohtë - ngjyrë hiri; kur trëmbeni - ngjyrë jeshile; në faj apo në turp - fshiheni në ngjyrë të verdhë!..Përsëris, e kam për njerëz si ju që dyshojnë tek ne…’

-Me Gafurin nga Gjilani po ecnim me tramvaj. Në një stacion hynë një grup muzikantësh shëtitës me kitarë e fizarmonika. Mbushën tramvajin me këngë të bukura të tyre «Paloma, muço manjana…viva Espanja» e me radhë. I dëgjonim me kënaqësi e shoku im në zbritje tha: «Na kujtuan disi këngët tona të ëmbëla! Meritojnë një shpërblim». Mbushi dorën me të holla dhe u drejtua te tabakja që na zgjati njëri prej tyre. Befas miku im u kujtua e pyeti: «Nga jeni»? «Nga Spanja» tha njëri gëzueshëm me sy te paratë. Shoku im i futi paratë menjëherë në xhep e afroi sytë shqiptarçe me të: «Njihni Kosovën që t’u jap dyfish» dhe u nis të dilte. Këngëtari spanjoll mbeti i hutuar.

- Avokati kish një kënaqësi pune të tij e nga kjo më erdhi dhe mua me humor: «Dëgjova, Atdheut tënd përsëri i mbyllet dera për në BE, dhe të uroj»! Hapa sytë pa e kuptuar e ai vazhdoi: «Për hyrjen në dasmën e BE-së ju keni orkestrën më të zhurmëshme në Europë, por ju mungon trapezi i zakonshëm i Nuses! Atë e keni të zbrazët kështuqë bëjnë mirë ende të mos ju qasin. Duke ju parë nga afër si jeni do t’u dëbonin prapë e në zakonin tuaj femra e pamartuar është më mirë se nusja e ndarë»!..

- Më pyet miku zviceran Yves: «Si spjegohet që Shqipëria kish diktaturën më të egër nga vëndet ish komuniste, dhe është e fundit në çkomunizmin e vëndit?!» Një çast mblodha supet para se të përgjigjesha e ai shtoi si për të më çliruar gjuhën: «Zvicra s’ka asnjë gjurmë të kaluar komunizmi e megjithatë, kur erdhi për një vizitë Gorbaçovi, sado reformator disi perëndimor, një shumicë deputetësh nuk ndënjën në bisedën me të. Amerikës nuk bën i dot asgjë komunizmi, megjithatë Partia Komuniste ndalohet me ligj…Për fat të keq, shtova unë te mendimi i tij, shqiptarët duan të shkojnë në Europë, por ndërsa një këmbë e hedhim të lirë drejt saj, këmbën tjetër na e mban të lidhur fryma ende e gjallë komuniste. Ai plotsoi më tej: «Ahere e ka spjeguar mirë me një fabull, të hidhur po dashamirëse, një gazetë jona: shqiptarët dhe komunizmi i ngjajnë fabulës se si vunë bashkë një ujk e një gomar. Pas ca kohe shkuan të shohin se ç’i kish bërë ujku gomarit. Ata ia kishin shtruar bisedës duke i buzëqeshur ledhatueshëm njeri tjetrit…» Ai vazhdoi të qeshte çiltër.

- Kaluam te biseda tjetër, e unë e pyes sado që e dija: «Ç’është ai portret në Bashkinë e Gjenevës - një burrë me njerën dorë të prerë!?» Ai spjegoi menjëherë: «Një ish zyrtar të cilit ia kanë prerë dorën pasi kish vjedhur, dhe i tillë të mbetet mësim kundër korrupsionit.» Unë buzëqesha e ai më pyet pse vura buzën në gaz! Iu përgjegja, se po të zbatohej kjo në vëndin tim ende me psikologji të zvarritur komunizmi, do kishim një qeveri me ministra në tërësi pa duar!

Miku im qeshi më shumë se unë.


13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page