Në kohë pandemie
GJUMI S’MË THËRRET
Puntorie Muça Ziba
Zhgërryhem në shtrat
kapakët e syve i mbyll,
shtirem sikur fle
gjumi s’më thërret
gjumi nuk më zë.
Jorgani më bëhet rrasë guri
më rëndon mbi kurm
më rëndon mbi qepalla
më rëndon mbi shpirt...
Dhe nisi me e gris
dhe nisi me e ngrënë,
me dhëmbë e grmcoj.
Hidhem në shtrat
zhgërryhem në pluhurin e tij
dhe shtrihem si ngjalë,
shtirem sikur fle.
Mbulohem me mëndafsh të endur
fijëzat më rëndojnë si gur
s’më lënë të fle,
e, i grisi ato fije
si fije nervore
dhe i gëlltiti.
Përpëlitem si zogëz e rënë përdhe
zhgërryhem,
mbulohem me vitet e mia
dhe vitet më rëndojnë
dhe vitet më bëhen rrasë guri.
Unë vitet i gris
dhe ua shtrydh mendjen
ua shtrydhi sytë
ua shtrydhi zemrën,
derisa del njaj musht.
Unë mushtin e ngas
e mushti shkumon
unë e pi mushtin
e gëlltis,
derisa thartohem
derisa idhëtohem
derisa helmohem
e mbetem pa gjumë
dhe vdes për gjumë
netëve krahë nxirë...
Comments