top of page

Gjinkallat po shtohen



Fatmir Terziu

1.Gjinkallat po shtohen


Dhe gjëmbaçët u shtuan

vdesin në gojëra të uritura gomarësh!

Dhe fijet e thata të barit gjithnjë e më të thata.

Dhe fusha

gjithnjë e më shumë fajtore ...

… pse u mbush me lëpusha,

pse u bë nevojtore

për lopë të hasdisura, për mushka.

Kjo është kaq e papranueshme!

Sepse akoma do të kesh mëshirë për kafshatën.

Buka e sofrës do të shtrohet në gjoksin tënd,

prerë nga shpata e psherëtima.

Gjinkallat po shtohen, deri në neveri

kumbimi i një shtrati të tjetërsuar,

vetëm ai tingull ka mbetur,

idiotësi

Kjo është kaq e papranueshme!

Sepse nuk vijmë vetëm nga e shkuara

jemi edhe e sotmja e huaj mëkatare,

nuk duam të humbasim dhe nga e ardhmja,

ku ka mbetur e jona,

si një çelës nga një kuti postare

dhe si një kalendar me telefona.

Prandaj ju dëgjoj çdo natë

nën sekretimin e fosforit dixhital

dhe nën ankimin e çmendur të pushit xheloz

ku hidhni fall me e pa filxhan.

Përditë e më shumë kotësi,

kotësi,

e papranueshme si trishtimi

kjo është idiotësi.


2.Burimi i Garit


Qielli është një shapkë,

lëre të pikturohet.

Ndaj po mundohem të gjej gjuhën e reve,

duke u përpjekur ta kuptoj me ty,

shqetësimin tënd,

përgjigjen që mendova se mund të derdhej si uji yt në gotë,

dhe unë kam mbetur me lotët e tu përtej syve,

mbi beton,

duke u marrë me agoninë e zhvatjes së tyre.

Dhe unë dua që gjithçka të ketë kuptim,

por nuk ka,

nuk ka … as aty në burim.


3.Dhe heshtja u bë vaj

(Një aksident)


Dhe heshtja u bë vaj

ishte dhe uthull.

Trazohej në venat e saj. Sytë

vështronin sikur e njihnin,

dhe në heshtje dukej se flisnin:

„Do të më mungosh përgjithmonë"

fliste tatuazhi i saj në qafë,

menjëherë pranë njollës së buzëkuqit që i dilte në faqe,

flitej për dashurinë,

për familjen,

për të ardhmen.

Por rrotat e makinës nuk e njihnin dashurinë,

për vajzat si ajo s'kanë pakt,

janë tigra të egër,

të pandreqshëm dhe jetëmarrës me thonj në asfalt,

Ajo u mbrol nëpër botën e syve,

lëvizja në thellësi ishte plot magji,

nuk e di se si kthehej bota mes tyre,

ajsberg në ftohtësi.

Grija po zvarritej në asfalt,

aty ishte Ajo, shoferi, të dy kishin ngrirë,

megjithëse ajo ishte e ftohtë,

ngjante sikur tërë ambientin e kishte shkrirë.


37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page