top of page

GJIN SHURBI...


MONOGRAFIA

BIBË KAZA: GJIN SHURBI, ETALON I NËPUNËSIT TË ADHURUAR


Nga Halil RAMA-Mjeshtër i Madh

· Në këtë monografi, autori B.Kaza ka ndriçuar me mjeshtri, jo vetëm historikun e një prej familjeve më në zë nga Shurbajt e vendosur në Shebe, si një ndër katundet me emër dhe me jehonë në histori, në periferi të trevës së Kthellës historike të Mirditës, që me kohën u mëkëmbën dhe u shtuan, por edhe personalitetin e shquar të kësaj familje, Gjin Shurbi


Gazetari, studjuesi e avokati i mirënjohur Bibë Kaza sjell për lexuesin një libër monografik interesant për personalitetin e Mirditës Gjin Shurbi. Në mënyrë kronologjike lexuesi gjen në këtë libër, mbresa, konsiderata, rrëfime dhe analiza për figurën, punën dhe vlerat e Gjin Preng Shurbit.

Që në kopertinën e librit “GJIN SHURBI, ETALON I NËPUNËSIT TË ADHURUAR”, lexuesi kupton se monografia i kushtohet një personaliteti që për vite e dekada shërbeu me ndershmëri, vizion e përkushtim në institucione e sektorë të rëndësishëm.

Bibë Kaza na e sjell atë pas një pune të thellë studimore, në gjashtë pjesë, me lëndë të pasur e tematikë të larmishme.

Kështu, nëse në pjesën e parë mësojmë një historik të shkurtër mbi shurbajt në Shebe, gjenealogjinë dhe përshkrimin brilant të kullës unike-simbol qëndrese, në pjesën e dytë përshkruhet hollësisht familja e madhe e personazhit të këtij libri.

Referuar studimit të Prof. Aleksandër Meksit “Ipeshkvia Arbanese dhe Principata e Arbërit”, botuar në gazetën “Mirdita”, Korrik 2015, autori shkruan se “Prindërit, ndoshta jo rastësisht zgjodhën ta pagëzojnë Gjin, që përveçse emër shenjti, tradicionalisht ishte një emër nderi, më së paku qysh nga Gjini – emri i të cilit u përjetësua me Dukagjinin plot shkëlqim në histori, si dinasti disashekullore dhe territor, apo edhe më herët nga Gjini (1199-1207), i biri Progonit, nën sundimin, apo në zotërimet e të cilit kishin qenë dikur edhe trojet ku lindi Gjini i monografisë sonë dhe treva e Kthellës, krahas trevave në mes dy Fanë-ve lumenj dhe vendbanimet e tjera deri në lumin Mat”. (Fq.33).



Dhe pikërisht Gjini (i kësaj monografie) do të ishte mishëruesi dhe përçuesi i vlerave më të mira të familjes së tij, për të cilin siç shkruan autori B.Kaza, “përveçse si mësues pasionant model, spikati edhe si veprimtar shoqëror, aq sa edhe politik, i angazhuar me rininë në aksione e veprimtari të larmishme, si dhe në dobi të mbarë komuniteteve ku shërbeu”.

Nderi dhe krenaria e fisit dhe familjes së tij emërndritur do të ishte Gjini në të gjitha funksionet drejtuese në rrethin e Mirditës, ku ndonëse kalemxhinjtë mediokër të kohës apo të ndonjë klani a partiaku të lartë të molepsur në rreth, do përpiqeshin ta pengonin me çdo kusht e mjet, ai do t’i sfidonte ata me ndershmërinë, përkushtimin dhe vizionin bashkohor në detyra e funksione të rëndësishme. Kështu ai kreu më së miri funksione e detyra si: Drejtor i Kooperativës së Konsumit Rrëshen, që më pas u quajt Ndërmarrja Tregtare (1960-1962), Shef i Organizimit dhe Sekretar i Komitetit të Partisë të rrethit e njëherësh edhe Sekretari i Komitetit të Partisë të Ndërmarrjes Minerare në Rubik (1962-1965); Kryetar i Bashkimeve Profesionale (1968-1975); Drejtor i Ndërmarrjes Gjeologjike të rrethit Mirditë (1975-1978); Drejtor i Parkut të Mallrave në Mirditë, detyrë që e kreu gjatë tre viteve (1978-1982); Kryetar i Këshillit Popullor të qytetit Rrëshen (1982-1986); Përgjegjës i Seksionit të Punës në Komitetin Ekzekutiv Mirditë, (1986-1988); Përgjegjës i Seksionit të Kuadrit në Komitetin Ekzekutiv Mirditë, detyrë që e kreu deri me datën 17.11.1991, kur Gjin Shurbi doli në pension të parakohshëm, me kërkesë të tij.



DIMENSIONI NJERËZOR DHE POTENCIALI INTELEKTUAL I GJIN SHURBIT

Në kapitujt e tretë dhe të katërt, autori i kësaj monografie ofron një spektër të gjerë të informacioneve, fakteve e detajeve deri më tani të panjohura, të personalitetit të Gjin Shurbit. Dhe këtu ai nuk sjell thejeshtë mendimin e tij por vlerësime të bashkohësve për personalitetin e Gjin Shurbit. Janë këto mbresa, rrëfime, konsiderata autentike si dhe fjalë zemre nga të afërmit që ndriçojnë peshën e mendimit, dimensionin njerëzor, potencialin intelektual dhe shpirtin krijues, humanizmin dhe sakrificat e këtij personaliteti të shquar të Mirditës e gjithë Shqipërisë. Kështu, nëse Mark Tirta e konsideron personazhin e kësaj monografie veprimtar të shquar, nder i Mirditës; Petraq Kalemi, bashkëpuntor fisnik dhe mik të vërtetë; Gjon Bushpepa, ish-sekretar i Komitetit të Partisë së Rrethit Mirditë, njeri të punës, sakrificës dhe fjalës së mbajtur; shkrimtari Pjetër Nikolli burrë të spikatur vlerash; Nikoll Brozi një shembull të vlefshëm për brezat, ish-ministri i Industrisë Viktor Doda, vlerëson aktin e dorëheqjes nga Gjin Shurbi që sipas tij “jepet jo vetëm kur përgjegjësia bie mbi ty”.

Dhe jo vetëm këta, por edhe 15 personalietet të njohura mirditore bëhen pjesë e këtij libri me opinionet e vlerësimet për bashkohësin e tyre që frymëzon dhe do të frymëzojë brezat.

Ilustrimi me foto të shumta, dokumentat arkivore, mbresat, përshtypjet dhe ndonjë poezi në kapitullin e pestë (In memoriam) e bëjnë më të këndsëhm e tërheqës këtë monografi.

Prandaj edhe Gjovalin Ndoja (në parathënie) e vlerëson këtë libër, aktual në përmbajtjen e tij, prapavijë e një historie suksesi që na duhet për të krahasuar nëpunësit e lirisë, që të rrjepin edhe “kockën e fundit”, me idealistët e sistemit të përmbysur, që dolën në pension të pashpërblyer, por aspak të penduar në ndershmërinë e tyre…


MODEL I DINJITARIT, DERI NË LARGIMIN NGA JETA

Publicisti, shkrimtari dhe avokati Bibë Kaza, në këtë monografi, qartë ka ngërthyer plotësinë e përmasave kombëtare, njerëzore, politike dhe morale të Gjin Shurbit, të atij që për tridhjetëeshtatë një vjet identifikohet si drejtues partiak e shtetëror shembullor, ndryshe nga shumë të tjerë burokratë mediokër të asaj kohe. Ndaj dhe me të drejtë autori Kaza shkruan se : “…imazhi i Gjin Shurbit - model i dinjitarit deri edhe në largimin nga jeta, as at’herë në të ngrysur të jetës dhe as pas kalimit në amshim, nuk kishte kurrfarë nevoje për larje a lyerje, kurim a meremetim fiktiv, assesi për elozhe, kompensim a nderime të munguara, anipsé gjithë jetës Ai i’u përkushtua më të mirës së përbashkët, duke merituar pandërprerë nderime, por shpërfillës që të rend pas tyre, apo rrahë gjoksin”. Për Bibë Kazën, ajo ç’ka lypsej të shkruhej ishte vetëm një përfytyrim a pasqyrim sa më besnik i shëmbëlltyrës së tij, si një testament moral jetësor për brezat, më së paku familjar…(fq.167-168). Kësisoj, autori Kaza, është tejet bindës dhe objektiv në shkrimin e monografisë “GJIN SHURBI, ETALON I NËPUNËSIT TË ADHURUAR”. Mjafton për këtë qoftë edhe dokumentacioni zyrtar dhe arkivor që përbën pjesën e gjashtë të librit. Po në këtë pjesë lexuesi njihet me rendin kronologjik të detyrave të kryera nga Gjin Shurbi; Medaljet dhe Urdhërat që i janë arkorduara atij, (Por, edhe masat ndëshkimore) si dhe Disa kujtime të fiksuara në celuloid. …

Në këtë monografi, autori B.Kaza ka ndriçuar me mjeshtri, jo vetëm historikun e një prej familjeve më në zë nga Shurbajt e vendosur në Shebe, si një ndër katundet me emër dhe me jehonë në histori, në periferi të trevës së Kthellës historike të Mirditës, që me kohën u mëkëmbën dhe u shtuan, por edhe personalitetin e shquar të kësaj familje, Gjin Shurbi.


PAK RADHË PËR AUTORIN BIBË KAZA


Ka lindur më 20.05.1958 në Mashtërkor, Orosh, Mirditë. Pas marrjes së dijeve të para në vendlindje, mbaroi Shkollën e Mesme Ushtarake "Skënderbej" dhe në vazhdim Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, duke mbrojtur diplomën me notë maksimale dhe titulluar oficer xhenier në vitin 1981. Gjithashtu, pa shkëputje nga puna, ka mbaruar studimet në Shkollën e Lartë "V. I. Lenin" më 1988, si dhe fakultetin Juridik të UT, duke u titulluar jurist më 1996. Më pas fitoi titullin "Avokat" më 2003 dhe "Avokat Shteti" më 2010, si dhe është specializuar për të Drejtën Ushtarake në New Port RI, SHBAgjatë vitit 1989. Pas titullimit oficer aktiv, deri në vitin 1987 shërbeu në detyra dhe struktura të ndryshme ushtarake në rrethet Skrapar, Pukë e Tiranë. I aktivizuar paraprakisht si bashkëpuntor shtypi, nga marsi 1987, për gjashtë vjet punoi redaktor e gazetar në Gazetën “Luftëtari” dhe “Ushtria dhe Koha”. Nga viti 1992 deri në 2004, kur përmbylli me nder karrierën ushtarake me gradën "Kolonel", shërbeu në detyra të ndryshme, si specialist ushtarak e nëpunës civil, audit i brendshëm, shef sektori dhe drejtues i Degës Juridike të Ministrisë së Mbrojtjes. Më pas kaloi shef sektori juridik në DSHTD të Ministrisë Jashtme, kurse gjatë viteve 2010 - 2017, punoi si Avokat Shteti, Ministria e Drejtësisë, duke suksesuar kësodore në një sërë detyrash dhe institucionesh ku ka punuar. Veç publicistikes, si pasion vazhdues, ka botuar artikuj profesional e studimor, kryesisht në fushën e të Drejtës Kushtetuese e Ushtarake, si dhe botime të karakterit të mbrojtjes në grupe autorësh. Për përkushtimin dhe performancën në punë është dekoruar nga Presidiumi i KP, si individ, sikurse edhe nënreparti që drejtonte si komisar, më 1986.



22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page