top of page

GJERGJI DEL NGA BURGU



Kur Gjergjin e njoftuan që të bëhej gati, pasi të nesërmen do të lirohej, ai nuk foli fare. Madje as që mendoi gjë. Çuditërisht as u gëzua. Pa një herë rreth e rrotull dhe me vete tha: Ja kjo ishte e gjitha. Nuk e kishte përfytyruar kështu daljen nga ferri i Burrelit, ku kishte qëndruar katërmbëdhjetë vjet. Të thuash se kjo i erdhi befasisht, nuk e thua dot, pasi kishte kohë që të burgosurit, me atë nuhatjen e tyre të mprehtë, gati e dinin se kjo ishte punë ditësh. Atij vetë i kishin mbetur dhe katër vjet të tjera për të bërë, por ngjarjet po rrokulliseshin aq shpejt, sa ata të udhëheqjes në Tiranë, jo vetëm që po tregoheshin më të butë, por dhe nuk kishin nge të prisnin Gjergjin me shokë, sa të kryenin të gjithë dënimin që u kishin dhënë. Tani u kishte ardhur radha atyre që të mendonin për kokën e vet. Por tani për tani, për Gjergjin, këto nuk kishin fare rëndësi. Ata të shtëpisë nuk do t`i njoftonte me ndonjë telegram, se nuk kishin kur të vinin dhe me se të vinin aq shpejt. Pastaj, kë të lajmëronte; vëllai ishte internuar shumë larg, kurse e ëma ishte shumë e moshuar. Kështu që i përmblodhi ato dy gjëra që kishte, dhe i futi me kujdes në një çantë doku të zbardhur nga vitet. Nuk harroi edhe lugën e aluminit. Ajo tani për asgjë nuk do t`i shërbente më, por ai do ta vendoste diku në xhamin e bufesë që ta kishte përherë para syve. Fundja ajo ia kishte mbajtur shpirtin gjallë. Me të kishte kapërdirë atë lëngun që i thoshin supë. Me të edhe kishte kuvenduar, pasi ajo i sillte plot kujtime të largëta. Kishte qënë fëmijë dhe me një lugë të tillë ushqehej, kur e merrte pas e ëma, maleve. Se Gjergji që shtatë a tetë vjeç kishte qënë “partizan” në mal. Dhe ku? M`u në shtabin e Përgjithshëm. Me Komandantin. Por ku donte t`ia dinte Komandanti për këto histori. Pastaj po me lugë alumini, ishte ushqyer në shkollën “Skënderbej”, në atë të oficerëve dhe atje në baterinë e largët në Kep të Rodonit. Vetëm kur kishte shkuar për studime në akademinë e Rigas, kishte ndryshuar gjithçka. Këtu hahej me kulturë; lugët ishin të kromuara e vetëtinin nga pastërtia. Sidoqoftë atë lugë ai do ta ruante si relikte të shtrenjtë të vuajtjeve të tij.

Atë natë ai nuk fjeti fare. As shokët e dhomës nuk fjetën. Kishin se ç`të bisedonin.

Të nesërmen paradite, morën çantat dhe shkuan në një zyrë ku do të bënin formalitetet e rastit. Pastaj ashtu siç ishin në grup, dy nënoficerë i përcollën deri te dera e jashtme që të nxirrte në rrugë. Kur po kalonte atë portë të zymtë Gjergji ktheu dhe një herë kokën pas dhe ndjeu se i rrëshkiti një pikë loti. Po të ishte vetëm ai do të ngashërehej. Por tani duhej të mos e jepta veten në sy të shokëve. Ai nuk ishte ligështuar kur e torturonin në hetuesi. Nuk kishte qarë kur i kishin vdekur shokët, gjeneralë dhe heronj të popullit, ndër duar, duke qënë të burgosur si ai, se ashtu i tekej Komandantit vampir. Lot atij nuk i kishin dalë kur sillte ndërmend të birin që e kishte lënë fare të vogël dhe kishte gjithë këto vite pa e parë. Ai nuk ishte ligështuar edhe kur shihte nënën e gjorë që me aq sakrifica e ndiqte atë në burg, duke hipur nëpër kamionët e ndyrë të kromit, mes atij të ftohti që të hynte deri në palcë. Por sot nuk e dinte se ç`pati. Sa i fortë dhe sa i dobët qenka njeriu - mendoi dhe bëri për nga axhensia, ku shpresonte të gjente ndonjë makinë, dhe ku ishin drejtuar dhe shokët e tjerë. Kalimtarët i shihnin me kurreshtje dhe keqardhje. Asnjë arsye nuk kishte Gjergji për të ulur kokën, por përsëri, as vetë nuk e dinte, pse nuk donte të shihte askënd në sy. Turpi le t`u mbetej atyre që e sollën aty, pa asnjë faj...

Si pritën ca, u duk një “Skodë” nga ato me turi e cila ndaloi te këmbët e tyre. Shoferi, një mesoburrë, zeshkan që mbante në kokë një kasketë, prej nga i dilnin kaçurrelat e dendura, që nga kabina u foli:

- Eja, hipni të gjithë. Asnjë lek nuk u dua. Shyqyr që dolët shëndosh!

Rrugës i zuri një shi i rrëmbyer që i lagu e i bëri qull, por ata as që deshën t`ia dinin për të. Në Laç arritën aty nga mbasditja dhe pritën trenin që vinte nga Shkodra. Treni Gjergjit iu duk shumë modern. Rëndësi kishte që aty sikur u ngroh pak. Shihte nga dritarja dhe vinte re se asgjë nuk kishte ndryshuar. Po ai peizazh, vetëm se tani fëmijët nuk ia zinte syri rrëzë kanaleve, duke kullotur lopën. Ato ishin tufëzuar.

Kur mbërritën në Tiranë, ishte errur. Me shokët Gjergji u nda qysh në stacion dhe sado që njeri prej tyre i tha të merrte autobusin urban që ndalonte diku aty pranë, përsëri ai kishte dëshirë që rrugën ta bënte në këmbë. Hapat i hidhte si me drojë. Kishte kohë pa ecur aq gjatë. Shihte djathtas e majtas dhe i ngjalleshin kujtime. Kur mbërriti te bulevardi kryesor, iu kujtuan paradat, ku kishte parakaluar para atij që tani as emrin nuk donte t`ia përmendte. Sa naivë kishin qënë. I kishin besuar një përbindëshi të pabesë. Vazhdoi ashtu duke parë fytyra të panjohura, gjersa këmbët e çuan te shtëpia e tij. U ngjit me gjunjë të dredhur në katin e dytë dhe trokiti në derë. E ëma kur e pa sa nuk i ra të fikët. Vetëm tha:

- Po si kështu mor bir? - dhe puth të birin e qaj.

Gjergji, pas pak i kërkoi asaj t`i ngrohte ujin se do të bënte një banjë. E ëma i tha se e ke gati dhe shkoi e ndezi një dush me vajguri. Kur ai u fut në banjë, nëna me anë të një fëmije, i çoi fjalë të bijës. Ajo nuk vonoi dhe erdhi. Gëzim i madh atë natë, por Gjergji e pa se ato vinin vërdallë, se nuk dinin ç`të gatuanin për darkë. Varfëria kishte pllakosur tërë Shqipërinë. Me gjithatë, ato diçka sajuan. Gjatë darkës Gjergji dëgjoi që e ëma dhe e bija, po bisedonin nën zë, për të zënë radhën për ndonjë shishe qumësht. Kur mësoi se radha duhej zënë qysh nga mesi i natës, i vendosur tha:

- Për qumësht do të vete unë, ju vetëm më tregoni ku është dyqani.

- Por ti je i lodhur - i tha e ëma.

- I lodhur, i pa lodhur, atje do të vete unë, mjaft je ngritur që me natë ti.

Ata të tre gjumë nuk kishin, se do çmalleshin. Aty nga ora një pas mesnate, Gjergji u ngrit, u vesh dhe si mori dy shishe bosh, doli nga shtëpia. Dyqanin e gjeti kollaj; atje të çonte dhe zhurma që bënin ata që ishin grumbulluar për të zënë radhën. Shumica ishin pleq. Të shkretët - tha me vete Gjergji, dhe pa i folur askujt, qëndroi në fund. Pa tij erdhën plot të tjerë. Bisedat e atyre njerëzve të pagjumë, ishin të rëndomta; shumica shanin. Dhe ky ishte ndryshimi që konstatoi Gjergji; tani frika ishte vrarë. Kur afroi radha e tij, gati ishte gdhirë. Gjergji nuk u ndie kur shitsja i tha se ka mbetur vetëm një shishe për ty. E mori atë duke e falenderuar shitësen, pasi të tjerët pas tij mbetën duarbosh, dhe u nis për në shtëpi. Në atë gjysmë errësirën e shkallëve, iu pengua këmba dhe u rrëzua. Për të vrarë nuk u vra, por shishja e qumështit, iu thye. Mallkoi nëpër dhëmbë dhe u fut në shtëpi. E ëma sa e pa e pyeti:

- Hë Gjergji, more?

- Jo e mori dreqi - ia priti ai. - Rashë te shkallët dhe atë shishe që bleva, e theva.

- Po si re o bir, a u vrave?

- Jo, për të vrarë nuk u vrava, por si dreqin e bëra këtë?

- U pengove gjëkundi?

- Jo moj e uruar, po unë paskam harruar të ngjis shkallët këto katërmbëdhjetë vjet. Dhe qeshi hidhur.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page