top of page

Gjergj Kastrioti Skënderbeu ne veprat e studiuesve nordikë



Gjergj Kastrioti Skënderbeu ne veprat e studiuesve nordikë (Ismail Rugova; Korrik 2018; Malmö, Suedi)


Fama e madhe qe fitoi Gjergj Kastrioti Skenderbeu ne saje te luftërave te tija te suksesshme kundër Perandorisë osmane e beri atë objekt trajtimi nga shumë studiues te profileve te ndryshme shkencore. Veprat e veçanta kushtuar heroit kombëtar te shqiptarëve përfaqësohen nga me tepër se një mijë vëllime të shkruara në njëzet e më shumë gjuhë dhe të botuara në njëqind e sa qytete të botës. Poashtu, veprës se Gjergj Kastrioti Skenderbeu ju kushtuan edhe me mija artikuj shkencorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës se këtij heroi të madh jo vetën shqiptar por edhe evropian. Vargun e gjatë të bibliografisë botërore për Skënderbeun e plotësojnë veprat jo vetëm me përmbajtje historike por edhe vepra letrare, romane, drama, tregime, mandej vepra të artit figurativ, si gravura, piktura, skulptura, e shumë vepra muzikore opera, opereta etj.

Në ketë kontekst vepra dhe personaliteti i tij u bë objekt studimi edhe ne vendet e nordike duke u marrë si një shembull i atdhedashurisë, por edhe i aftësive dhe taktikave luftarake prej nga do të mund te mësonte shumë Evropa e asaj kohe.


I

Në bazë të asaj deri me sot, botimi i parë që i kushtohet personalitetit të Skënderbeut nga vendet nordike është një punim anonim në gjuhën danishte i vitit 1709, me titull ”Sandfærdige Beskrivelse om de tre Mægtigste Tørckiske Keysere, og derhos Arrigste Tyranner […] Derhos de tre Berømmeligste Krigs-Heldtis Historier, som udi de Tider heri Christenheden haver levet” (“Përshkrim i saktë për tre mbretër turq të famshëm dhe tiranë të pamëshirshëm”), marrë nga shkrimi Ulrik Kristofer Smidt.[1] Në këtë botim behët krahasimi në nes të tre tiranët osmanë, Sulltan Murati II (Amurath), Mehmetit II (Mahomet), dhe Sulejmanit (pasha Soliman). Në anën tjetër lartëson mbi këta despotët, kryetrimat e krishterimit: John Corvinus,[2] Scanderbeg[3] dhe General Nikola Zrinski.[4] Nga vet titulli shihet qart se ky punim anonim lartëson udhëheqësit luftarak të krishtërimit kundruall tiranëve të perandorisë osmane. Ky botim ruhet në arkivin e Universitetit të Kopenhagës. Në mungesë të referencave tjera nuk mundemi të zgjerohem më shumë për këtë shkrim.

II

Shkrimi tjetër që i referohet personalietit të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, po ashtu është i shkruar në gjuhën daneze, por me një autor të njohur në botën akademike botërore, respektivisht nga Ludvig Holberg (1684-1754), shkrimtar dhe historian i njohur danez me prejardhje norvegjeze. Holberg, u lind më 3 dhjetor të vitit 1684 në Bergen të Norvegjisë dhe vdiq me 28 janar 1754 në Kopenhagë. Ai ishte biri i një ushtaraku të famshëm norvegjez me gradë të lejtnantit. Prindërit e tij vdesin qysh në fëmijërinë e hershme ndërkaq Ludvigu mbeti nën mbikëqyrjen e xhaxhai të tij. Në letrat daneze thuhet se përkushtimi i tij për personalitete të historisë botërore në fakt ishte një përkushtim kushtuar kujtimit të babait të tij.

Holbergu në botën akademike është i njohur më shumë si shkrimtar, satirist, dramaturg sesa si historian. Jeta e Holmbergut përshkruhet me shumë peripeti; me shumë rënie dhe ngritje. Ai qysh në moshën e re udhëton shpesh në Evropën e atëhershme dhe si njohës i mirë i latinishtes ndeshët me literaturë të duarndurshme kushtuar heronjëve të asaj kohe. Në Danimarkë dhe Norvegji emri i Ludvig Holmberg zënë venë në piedestalin e kulturës së këtyre dy shteteve. Për nder të këtij kolosi, janë të ngritura tri fondacione: Shoqëria Holberg e vitit 1922, Medalja Holberg, që daton që nga viti 1934 dhe Trupa e Holbegut, ngritur si institucion teatral në vitin 1950 në qytetin Århus.


Faksimil i librit të Stephan Zannowich, Biblioteka Mbretërore e Suedisë, Stokholm.

Në përmbledhjen e vet historike që i kushton personaliteteve të shquara ushtarake të Mesjetës së vonshme te Holberg më së shumti mbresa ka lënë personaliteti i Skënderbeut. Në veprën e vet ”Adskillige store Helte og berømmelige Mænds sammenlignede Historier (1739–1753)” (“Shumë heronj dhe burra të shquar - tregime krahasuese”), Hollberg e përshkruan Skënderbeun si një nga luftëtarët dhe prijësit më të mëdhenj të historisë. Citati i Ludvig Holberg kushtuar Skënderbeut, me të drejtë lartësohet nga citatet më të vlerësuara ndër enciklopeditë botërore: "Med eet Ord at sige: Ziska var udi det 15de Seculo en af de største Generaler, og Scanderbeg udi heele Historien den største Stridsmand, Anfører og tilligemed Heros." (Për ta thënë me një fjalë: Zhishka* ishte gjenerali më i madh i shekullit të 15-të, ndërsa Skënderbeu i gjithë historisë, ai ishte luftëtar, komandant e njëkohësisht hero.)

Më qëllim që lexuesi të këtë më lehtë të kuptoj edhe citatin e lartëpërmendur po jap një pasqyrë të shkurtër për përsonalitetin e Jan Zhiska. Jan Zhishka i lindur përafërsisht në vitin 1376, ka vdekur me 1424. Zhishka ishte një ushtarak dhe fisnik bohem i Çekisë së sotme. Pas një karriere të bujshme ushtarake si mercenar në Poloni, kthehet në vëndlindje dhe vihet në ballë të lëvizjes hussite.[5] Kundër kësaj lëvizjeje kisha katolike në atë kohë ndërmorri ekpedita të mëdha ushtarake që njihen si kryqëzata. Në pesë përleshjet që pati Jan Zhishka me forcat ushtarake katolike, ai i mundi ato dhe ju shkakëtoi dëme të mëdha si në njerëz ashtu dhe në paisje ushtarake. Çelësi i fitoreve të tij qëndron në futjen e doktrinës së re ushtarake e posacërisht në lëvizjen dhe zhvendosjen e forcave altilerike me karroca dhe vagoneta. Në kohën kur jetoi dhe më vonë u bë i njohtur me emrin gjeneral Zhishka.

Teksti prej 31 faqesh kushtuar Skënderbeut është përkthyer dhe përshtatur nga Arben Çokaj, me titull: ”Ludvig Holberg: Gjergj Kastrioti -Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori”, botuar në “Zemra Shqiptare” me 16.01.2010. Nga vështrimi im kam konstatuar se punimi nuk është përkthyer nga danishtja, por nga gjuha gjermane sepse tekstit origjinal të Holbergut i mungojnë disa nuanca në përkthimin shqip. Duhet nënvizuar se citati në fund të përkthimit është i përgjysmuar dhe i nxjerrur jashtë krahasimit që bën autori midis Zhishkës dhe Skënderbeut. Përpos këtyre vërejtjeve, përkthimi është i nivelit të lartë me një terminologji e gjuhë shumë të avancuar dhe si i tillë ka vlerë për ata që do merren me Ludvik Holberg. As titulli i punimit 71 faqesh, kushtuar Zhishkës dhe Skënderbeut nuk ceket në përkthim. Në origjinal, biografia është e ndarë në dy pjesë dhe quhet: “Ziska og Skanderbeg”, në përkthim: “Zhishka dhe Skënderbeu.”

Shikuar nga aspekti i metodik, fillimi i këtij punimi paraqet një devijim të metodologjisë së shkencës së historisë, por në këtë kohë biografitë ende shkruheshin në forme gjysmë prozaike dhe historike. Holberg nuk i referohet ndonjë date apo viti të ngjarjes, por biografinë për adhuruesin e vet, Skënderbeun e fillon kështu: “Pak para pushtimit të Kostandinopolit dhe rënies së principatave te lindjes, në Epir qeveriste një prijës me emrin John Castriotus (Gjon Kastrioti) i cili kishte katër djem, më i riu nga këta ishte Georgus (Gjergji) e unë këtu do të përshkruaj tërë jetën e tij”.[6]

Ludvig Holberg, në biografinë e tij kushtuar Skënderbeut, përshkruan beteja, ngjarje të rëndësishme dhe portretizon heroin e vet, Skënderbeun. Përshkrimi i jetës dhe veprës së Skënderbeut bëhet i shkurtuar dhe nuk devijon nga të dhënat e deriatëhershme për Skënderbeun. Në përgjithësi kjo biografi arrinë të paraqes një tablo reale të jetës dhe veprës së Skënderbeut duke marrë parasysh volumin e vogël të biografisë. Holberg, parapëlqen të përshkruajë heroin dhe heroizmat e tij dhe, nuk përfillë fare datat se në çfarë kohe u zhvilluan ngjarjet për të cilat i përshkruan në biografi. Sa për ilustrim, po cekim një shembull, ku heroi i Holbergut lartësohet edhe me këtë krahasim; ” Derisa një epirot me emrin Ballaban Badera, ishte gjenerali i parë osman që kapërcej mbi muret e kalasë së Kostadinopolit, Skënderbeu kishte arritur ta mposhtë ushtrinë turke dhe ta çliroj vendin e vet, Epirin.”[7]

Si në biografitë tjera edhe në biografinë e tij për Skënderbeun, Ludvig Holberg, shkurton përshkrimin e ngjarjeve dhe aty këtu tejkalon ngjarje dhe beteja të rëndësishme të epokës së Skënderbeut. Në të shumtën e rasteve përshkrimi i epilogut të betejave përshkruhet edhe numerikisht, pa hyrë në aspekte të detajuara të ngjarjeve.

Sikurse në 24 biografitë e veta që i ka përmbledh në librin e lartpërmendur, Ludvig Holber, shkurton biografitë e tyre në një shkallë shumë të theksuar. Holberg nuk përmend se cilave burime i referohet, por nga studimi i kësaj biografie del qartazi se burim kryesor e kishte biografinë e Marin Barletit, të cilën ai nga 460 faqe, e shkurtoi në 31 faqe. Holberg, kështu vepron me të gjitha biografitë e veta: Për shembull biografinë e Xhingis Khanit (1162-1227) nga 562 faqe e redukton në 24 faqe, po biografinë e Katarina Aleksieva (1729-1796) e redukton në 14 faqe. Rëndësia e kësaj biografie për personalitetin e Skënderbeut, nuk duhet të vlerësuar në volumin e paktë prej 31 faqesh, por duhet marrë në konsideratë kohën dhe hapësirën kur është prezantuar biografia e Skënderbeut.

Duhet theksuar se Ludvig Holberg ishte një nga personalitetet më të çmuara në botën e kulturës, si në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi. Ai kishte një influencë të jashtëzakonshme në çarqet intelektuale te kohës dhe, sigurisht se ishte i pari që shpërndau idetë iluministe në shtetet Nordike.

Lirisht, mund të konstatohet se Ludvig Hollberg ishte i pari dhe më i madhi studiues që i kushton epokës heroike të Skënderbeut në tërë shtetet Nordike, duke përjashtuar punimin anonim që e paraqitëm në fillim të këtij punimi.



Ludvig Holmber (1684-1754), nga piktori danez Jörgen Roed (1847)

Ludvig Holmber (1684-1754), nga piktori danez Jörgen Roed (1847)


Studiuesit shqiptarë deri me sot nuk janë marrë drejtpërdrejt me Ludvig Holberg. Holbergu përmendet në simpoziume e punime shkencore si biograf i Skënderbeut duke vëne në pah famën e tij si një kolos i madh i letrave daneze. Shkrimtari dhe intelektuali i mirënjohur Ylli Polovina, në portalin ”Shqip”, ( 9 janar 2018) me titull:” Monumenti i madh në mes të Romës” na jep informacion për botimin e librit të Lundvig Holberg, përkthim në gjuhën italishte. Parathënia e këtij libri është shkruar nga pasardhësi i fundit i Skënderbeut Georgio Maria Castriota Scanderbeg (Xhorxho Maria Kastriota Skënderbe). Në pesë rreshtat e kapitullit të fundit të tekstit hyrës për librin e Ludvig Holberg shkruan: ”Në emrin tim dhe në përfaqësim të gjithë familjes time, këtij botimi i uroj suksesin më të madh, duke besuar po ashtu se do të përbëjë edhe një urë ndërmjet Evropës së vjetër dhe asaj të re, ku me të drejtë në këtë të fundit pret të gjej vendin e vet edhe Atdheu i Stërgjyshit tim të madh, Shqipëria”

Personalitetin e L. Holbergut në gazetën ”Dita” e prezanton, profesori i mirënjohur shqiptar, Xhevat Loshi në një intervistë të gjatë në këtë gazetë. Ndër të tjera profesor Loshi na bënë me dije se që nga viti 1985, libri i Ludvig Holberg gjendet në bibliotekën kombëtare të Tiranës, të cilin libër ja kishte dhuruar drejtori i bibliotekës Kombëtare të Islandës, Dr. Finbogi Gudmunson gjatë një vizite që i kishte bërë Shqipërisë.[8]

Historiani danez Ulrik Kristtofer Schmidt[9], në dokumentin e publikuar në vitin 2015 lidhur me 24 biografitë e Ludvig Holberg, ndër të tjerat thuhet: Si përfaqësues i iluminizmit në vendet nordike, Ludvig Holberg zë një vend të rëndësishëm në lansimin e ideve të reja. Pa Holberg këto ide ndoshta nuk do arrinin, apo do arrinin shumë më vonë. Sa i përket biografisë së Holbergut kushtuar Skënderbeun, ky historian i ri vë në pah se biografia e tij, ka ngjashmëri të dukshme me të dhënat e Barletit. Nëse shikojmë me kujdes ngjashmëritë do i hasim në emrat komandantëve otomanë, siç ishin: Assambeg, Jussumbeg, Carazabeg, Ballabanus dhe Jagup. (Holberg 1739: faqe 375, 376, 378, 381 te Barleti 1577: faqe 129,130, 130,140, dhe 143.) Ngjarje të ngjashme gjejmë edhe te përshkrimi i komandantit otoman me prejardhje shqiptare Ballabanus Badera (Ballaban Badera) i cili ishte i pari që kapërceu muret e Konstatinopolit, në vitin 1453, kur (kryeqendra e Bizantit) dhe u pushtua nga osmanët. Ky studiues vë në pah se Ludvig Holberg përpos biografisë së Marin Barletit, për këtë shkrim kishte pasur nëpër duar edhe biografi tjera në gjuhën latine, gjermane e frënge.

III

Shkrimi i radhës për personalitetin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut i cili gjendet në Skandinavi mbanë titullin: ”Den Store Castriotto af Albanien kallad Skanderbeg”, botuar në shtypshkronjën e Anders Zetteberg, në vitin 1788.[10](në Stokholm) Në përkthim: ”Kastrioti i madh i quajtur Skënderbeg” me autor Stephan Zanowich (1721-1786), autor me origjinë kroate.

Këtij libri në gjuhën suedishte vite me radhë nuk i dihej autori e as përkthyesi. Emri i autorit të këtij libri në Suedi bëhet i njohur, tek në vitin 1811, nga historiani francez Joseph- François Michaud i cili dëshmon se autorsia e këtij libri i takon Stephan Zannowich, ndërkaq përkthyesi i këtij libri nuk është i njohur deri në ditët e sotme. Autori, këtë biografi për Skenderbeun ua kushton: Lartmadhërisë së tij, Perandorit Joseph II, Perandorit të Gjermanisë dhe mbretit të mëparshëm të Romës .

Libri ka 131 faqe plus 6 faqe të parathënies dhe gjendet në Bibliotekën Mbretërore të Suedisë por edhe në shumë biblioteka rajonale të vendit. Para se të botohej në Suedi, libri i njëjtë ishte botuar në vitin 1779 në Gjermani dhe Francë e dy vite më vonë edhe në Rusi.

Në rrethet akademike suedeze ky autor pothuajse tërësisht është i panjohur. Ai nuk përmendet në asnjë enciklopedi apo monografi të historianëve të shekullit të tetëmbëdhjetë. Në shtypin e asaj kohe ishte i njohur si mashtrues dhe aventurier. Nuk ka shënime që ai ndonjëherë kishte shkelur tokën e Suedisë. Vepra e tij, në përkthim në suedishte botohet dy vite pas vdekjes së tij.

Me 1990, albanologu i njohur suedez Ullmar Qvick, për lexuesit shqiptar, jep një prezantim të këtij libri nga Stephan Zannowich në gazetën periodike” Qëndresa”[11]

Stephan Zannowich, ka lindur në Budvë, që atë kohë i takonte te ashtuquajturës Albania Veneta. Sot ky qytet bregdetar i takon Malit të Zi.

Vetën e ka prezantuar si pasardhës i Skënderbeut dhe si shqiptar. Por, për qëllime të përfitimeve nuk ka ngurruar ta prezantoi vetën edhe si kroat e ndonjëherë edhe malazez. Me zgjuarsinë e tij ishte bërë i famshëm duke depërtuar në oborre mbretërore dhe në sferat më të larta intelektuale të Evropës se asaj koha. Nga të dhënat biografike mësojmë se, duke falënderuar aftësive të tij mashtruese, në një kohë kishte arritur deri te një pasuri e madhe. Kjo pasuri i kishte dhënë mundësi të bëhet anëtar i lëvizjes masonike në Lion të Francës. Stephan Zannowich, shoqërohej me mbretin e Prusisë, me mbretëreshën e Rusisë, Ekatarinën dhe me intelektualë të mëdhenj të kohës, si me Zhan Zhak Ruso, Volterin e shumë të tjerë. Përpos këtyre njohjeve ai kishte lidhje romancash me kontesha dhe zonja në mbarë Evropën.

Në gjuhën shqipe nga kjo monografi kemi të përkthyer vetëm testamentin, nga i njëjti libër, por nga botimi frengjisht dhe quhet, ”Testamentin e Skënderbeut” Kështu është titulluar fragmenti i fundit i këtij libri. (”Le Grand Castriotto D`Albanie, Histoire”. Kjo pjesë e këtëj libri është përkthyer shqip nga Aurencë Bebja, Francë, me 03.08.2016. Ky përkthim është i botuar në shumë gazeta shqiptare dhe diskutimet e polimizimet për të ende janë të hapura vazhdojnë.

Cili ishte motivi që e shtyri autorin të merret në këtë kohë me Skënderbeun? Nga kush ishte i influencuar dhe nga kush përkrahej? Në këto dy pyetje përgjigjja mund të gjendet në qëllimet e tij si njeri. Pra, qëllimi i tij ishte depërtimi i tij në oborret mbretërore dhe në qarqet intelektuale. Në kohën e iluminizmit, duke u marrë me personalitetin e Skënderbeut, e dyert për depërtim hapeshin shumë lehtë. Evropa dëshironte që sa më shpejtë ta heqë nga trualli i saj perandorinë osmane. E figura e Skënderbeut qarkullonte gjithandej, si një komandant e burrë shteti që mundi dhe e poshtëroi Portën e lartë përplot një çerek shekulli. Padyshim , se Zannowichin e përkrahnin dhe e financonin princër, mbretër e baronë, ndërsa pretendimet e tija për Skënderbeun përkraheshin pa hamendje nga iluministët e kohës. Autori i këtij libri gjen inspirim dhe influencim nga mjedisi i tij shoqërues. Në qarqe ku ai kalonte kohën, emri i Skënderbeut lakohej shpesh dhe përdorej si shembull i rrezistencës.

Për të dhënë një pasqyrë të qartë për këtë libër, duhet të rikujtojmë ndryshimet e mëdha që ishin bërë në atë kohë në Evropën Perëndimore. Mendimit krijues ju kishin hapur horizonte më të gjëra. Idetë liberale rreth mendimit dhe shprehjes së lirë kishin krijuar kushte për një kulturë dhe zhvillim më të hovshëm. Autori i biografisë së Skënderbeut, posedonte një kulturë dhe dije që mund të plasohej lehtë në qarqet kulturore të kohës. Në këto rrethana, Stephan Zannovic, shkruan biografinë e tij për Skënderbeun. Ky libër në thelb është një platformë politike me ndikime të rrymave moderne të kohës. Qëndrimi i tij ndaj fesë është në një linjë me iluministët e kohës, pra, këtu vërejmë se Zannowich praqet qëndrimet e tij liberale karshi fesë, bile disa herë ashpërson gjuhën ndaj klerikëve dhe ndaj vetë papës. Në katër faqet e para të librit shprehet qenia shpirtërore e vetë autorit.[12]

Përshkrimi i gjendjes së tij shpirtërore bëhet me patetizëm, me vrulle e hove të larta. Gjendjen e vetë e lidh ngushtë me fatet e atdheut të Skënderbeut. Shqipëria përshkruhet si e mjerë pas vdekjes së Skënderbeut. Skllavërimi, gllabërimi dhe poshtërimi i shqiptarëve nga pushtuesit turq (osman) është i tmerrshëm. Për këtë gjendje të rëndë, shprehet autori, kam qajtur me orë të tëra. Kushtrimi i Zannowicit, për t’i ardhë në ndihmë atdheut të Skënderbeut, bëhet duke lidhë fatin e tij personal me fatin e Shqipërisë. Duke përshkruar gjendjen në Shqipëri dhe rolin e vetë ai shprehet: ”E gjithë kjo vuajtje do marri fund kur trupi im do gjendet në varr”.

Në këtë libër, siç u cek më lartë, autori Zannowich, përveç portretizimit të heroit, trajton edhe çështje politike, të drejtësisë, shtetëformimit, drejtimit të shtetit dhe barazisë e drejtësisë. Libri, shpesh shtjellon edhe çështje diplomatike. Ndërmarrjet e Skënderbeut në luftëra, janë të paraqitura si alternativë e vetme midis fitores dhe vdekjes. Pos këtyre çështjeve, në fund të librit do hasim edhe shtjellime për hierarkinë kishtare, sesi duhet organizuar feja dhe cili do të duhej të ishte roli i fesë në shoqëri.

Zannowich, në këtë libër kryesisht merret me ndërmarrjet luftarake, diplomatike e shtetëformuese të Skënderbeut, për një çerek shekulli. Paraqitja e betejave dhe ngjarjeve është e sistemuar sipas modelit të Barletit dhe të dhënat në përgjithësi nuk devijojnë nga kjo biografi e shquar. Në një përshkrim që bënë Zanonwic, lidhur me betejën e Krujës, ai ndalet në përshkrimin e pamundësisë së sulltanit për ta mposhtur Skënderbeun, prandaj i propozon Skënderbeut të ketë sovranitet mbi vendin e vetë, me një kusht, që për çdo vit, ti paguajë portës së lartë taksë prej 5000 lira ari. Refuzimi i Skënderbeut është i qartë dhe i prerë: ” Shpata e Kastriotit kurrë si ka paguar askujt haraç, përpos pagave që iu paguan luftëtarëve të vetë.”[13]

Edhe Zannowich, ndjek traditat biografëve të mëparshëm të Skënderbeut, që përpos heroizmave përshkruajnë edhe tradhtitë që i janë bërë Skënderbeut nga taborri i vet. Duke përmend Moisun dhe Hamzën, Zannowich përshkruan zemërgjerësinë e Skënderbeut për faljen e këtyre dy tradhtarëve. Fundi i librit i dedikohet testamentit të Skënderbeut lënë djalit të tij Gjonit dhe princërve tjerë të Arbërisë. Ky testament, përmban 20 faqe dhe shtyllë kryesore e ka drejtësinë. Kështu shprehet Zannowich, mbi porositë e Skënderbeut para vdekjes dhënë djalit të tij Gjonit:

”Kujdesuni të keni gjithmonë ushtarë të mirë dhe të disiplinuar; që ushtarët tuaj të mos bëhen përtacë, t’i stërviteni dhe të mos i trajtoni si skllevër, por si shokët tuaj. Kur të jeni në luftë ju do të udhëhiqni ushtrinë si gjeneral dhe në betejë do të luftoni si ushtar”.

Një segment tjetër i këtij testamenti është përshkrimi që i bën Zannowicit, rolit të gruas dhe dashurisë. Autori pohon se Skënderbeu i drejtohet djalit të tij me këto fjalë: ”Gratë janë shumë të papërshtatshme të jenë këshilltare. Andaj, mos prano kurrë këshilla nga to. Vepro në atë mënyrë që gratë të bëhen këshilltare të armikut” Në lidhje me dashurinë, Skënderbeu, sipas Zannowicit, këshillon djalin e vetë Gjonin me këto fjalë:” Të jesh shumë më shpesh afër kalit e jo pranë shtratit. Mos lejo që dashuria të udhëheq mbi ty”[14].

Në Suedi, libri është pritë shumë mirë, si në oborrin mbretëror ashtu edhe në qarqet intelektuale. Disa dekada pas botimit të këtij libri, i influencuar nga ajo që kishte lexuar nga Zannovich, shefi i protokollit pranë kabinetit të Mbretëisë së Suedisë, Thure Gustaf Rudbeck (1806-1876), në vitin 1837 boton dramën me titull: Skander-Beg. Kjo dramë edhe pse nuk ka ndonjë vlerë letrare, duhet vlerësuar si një vepër me vlerë historike.

Historiografia shqiptare deri me tash nuk është marrë seriozisht me këtë autor. Njohurit për botimin e këtij libri në gjuhën gjermane, frënge, rusishte e suedeze për shqiptarët kanë ekzistuar gati para një shekulli nga shkrimet e Lumo Skendo (Mid´hat Frashëri) ku ndër të tjerat shkruan: ”Ky libër ma vanë u përkthye në gjuhë alamane dhe svedjane”.[15]

Prezantimin e këtij libri dua ta përmbyll me një citat të tijin, faqe 98, pasuesi i dytë: ”Mirëpo gjithë kjo famë dhe kënaqësi përrallore, u zhduk për një çast. Turqit me kuranin në dorë dhe në tjetrën shpatën, e shkretuan këtë vend bukurirash dhe e kthyen në skllavëri. Vrasjet, skllavëria dhe shkretëtira e kaploi Shqipërinë, pas gjitha atyre plagëve që i shkaktoi Muhameth.” (sulltan Mehmeti-shënim imi).”[16]

IV

Një autore daneze qe i kushtoj një punim figurës se Skënderbeut mbështetur në të dhënat e Barletit është edhe Minna Skafte Jensen. Ajo është profesoreshë e greqishtes dhe latinishtes në Universitetin e Danimarkës Jugore. E pensionuar që nga viti 2003. Është anëtare e Akademisë së Danimarkës, Norvegjisë dhe Belgjikës. Është e njohur për hulumtimet që ka bërë për filozofinë antike, sidomos si njohëse e Homerit. Në vitin 1988, ka botuar një punim shkencor kushtuar Marin Barletit, me titull: ”En heltehistorie /Marin Barletius Skanderbeg mellan mundlighed og skriflighed” (“Një histori e heroit/ Skënderbeu i Marin Barletit, midis gojëdhënës dhe të shkruarës”).[17] Botim në gjuhët danishte, anglishte dhe shqipe. Përkthimi në shqip është bërë nga anglishtja nga Almira Muçaj nën redaktimin e Ganimete Hoxhaj. Duke lexuar me vëmendje shkrimin e Mina Skafte Jensen në danishte dhe duke bërë krahasime me përkthimin në shqip vërehen lëshime apo thënë më mirë devijime nga përkthimi prej një gjuhë në tjetrën. Në këtë rast përkthimi në gjuhën shqipe është bërë nga anglishtja. Për ata që do merren me studimin të këtij punimi shkencor të Mina Skafte Jensen, do kishte qenë më mirë që të konsultohet shkrimi origjinal për të arritur te saktësia sa më e përsosur.[18]

Filologia e famshme daneze, Minna Skafte Jensen punimin e vetë prej 16 faqesh, duke përfshirë faqen e fundit me referenca e fusnota, e ka ndarë në nëntë kaptina. Në çdo kaptinë, autorja analizon, rrethanat, kushtet dhe përgatitjet e priftit shkodran Marin Barletit, si një nga biografët më të saktë dhe më të suksesshëm që kanë shkruar për Skënderbeun. Ajo me një mjeshtri të rrallë gjënë ngjashmëri të stilit të Barletit me kronikët antik grekë, e në veçanti me ngjashmëritë e tij me Herodotin.

Rubrika e parë në këtë punim fillon me temën hyrja, ku Minna Skafte Jensen prezanton librin e Marin Barletit kushtuar Skënderbeut, po ashtu ajo na jep një biografi të shkurtër të Marin Barletit, priftit të Shkodrës, i cili pas pushtimit të Shqipërisë nga ushtritë osmane, emigroi në Itali. Ai do jetoi mbetjen e jetë së tij në Venedik dhe Romë.

Duke folur për veprën e Barletit qysh në hyrje, autorja Minna Skafte Jensen shton se. “Han skrev sit store værk hen over en geografisk og tidsmæssig afstand, som kaster et tragisk skær over beskrivelsen af Skanderbegs glorværdige sejre over tyrkerne: trods heltens uforlignelige bedrifter ligger Albanien nu i ruiner, for hans værk faldt fra hinanden efter hans død.” (”Ai shkroi veprën e tij të madhe nga një largësi kohore dhe gjeografike, duke përshkruar me shije tragjike fitoret e lavdishme të Skënderbeut kundër turqve: përkundër ndërmarrjeve të tij heroike Shqipëria tani është shndërruar në gërmadhë sepse puna e tij u shkatërrua pas vdekjes së tij”). Pra, vetë fillimi paraqet një gjendje të zymtë dhe të rëndë, sepse ndërmarrja e tij si kronist ishte një punë tepër e vështirë dhe me përgjegjësi të madhe. Barleti kishte vënë kontratë me lexuesin, me atdheun e tij dhe me nipin e Skënderbeut, Don Ferrante. Duke qenë në këtë gjendje, Barleti është plotësisht i vetëdijshëm për ndërmarrjen e tij, pra, për ta nxjerrë heroin e tij, Skënderbeun, nga pluhuri i harresës.

Në kapitullin e dytë, studiuesja Mina Skafte Jensen, heton qysh në fillim të veprës dhe parathënies së parë se; Marin Barleti dhe treguesi ishin një, pra, uni ishte diga e autorit. Pra, shumçka do varet nga ai, në raport me të dhënat dhe shtjellimin që do bëjë. Ai jo shpesh ndalet në tregim, por në këto raste ku tregimi bëhet i tërësishëm dhe me një mjeshtëri superiore. Nuk ka dyshim se në cilën anë mbanë autori, ai padyshim që i thur lavde heroit të tij, ndërsa kundërshtarët i përshkruan si barbarë. Barleti përpos portretizimit të Skënderbeut, përshkruan edhe rolin e vet dhe, cilën skemë duhet ta ndjekë, e nëse duhet bërë sdevijuar jep sqarime. Këtë më së miri e vërejmë në gjysmën e veprës, ku autori paraqet edhe parathënien e dytë. Këtu ai zgjeron gjithë përgjegjësitë dhe barrën që ka marrë mbi vete. Edhe përkundër, se vepra i dedikohej, nipit të Gjergj Kastriotit, Don Ferrante, Marin Barleti në parathënien e dytë fare nuk përmend kontaktuesin e vet, por merret me peripetitë dhe gjithë rreziqet e mundshme që mund ta presin.

Barleti shpresonte se lexuesitë e vet do t’i gjejë në oborret e Romës, Napolit dhe audiencës së tij speciale, pra, lexuesitë e ardhshëm, ku për ta thotë: do të më lexojnë dhe të më kuptojnë lirshëm pa ndonjë vështirësi. Portretizimi i Skënderbeut nga Barleti bëhet nga dy aspekte, e para përshkruhet jeta dhe e dyta veprimtaria e tij ushtarake, shtetërore e diplomatike.

E tërë vepra ndahen në dy periudha: Lufta e Skënderbeut kundër Amurathes (Murati i II, 1404 - 1451) dhe Mohametes (Mehmeti i II,1432 - 1481). Sipas, Mina Skafte Jensen, Barleti gjithmonë në kulm e kishte anën e tij kombëtare. E duke madhëruar Skënderbeun ai shprehet: ”Skënderbeu nuk ishte vetëm një hero madhështor, por edhe shpëtimtar i atdheut të vetë”. Atdheun e tij dhe të heroit të vetë, Barleti kryesisht e quan Epir jo edhe shumë rrallë e quan edhe Albani. Barleti gjithashtu, thekson autorja, merret edhe lashtësinë e kombit të vet; ai pohon se shqiptarët jetonin në Kolkis dhe pranë brigjeve të Detit të Zi e nga këto vende ata edhe e flasin gjuhën e tyre. Ajo më tej shton se edhe Barleti u bashkëngjitet diskutimeve bashkëkohore, ku autorët përshtatin historinë e kombeve të tyre sipas historisë ose Biblës.

Në sythin kushtuar stilit te shkrimit nga Barleti, autorja vë në pah se plani i përgjithshëm i tërë veprës së Barletit është kronologjik, duke përshkruar aktet heroike të heroit të vet. Ndodhë ndonjëherë që Barleti të ketë tema individuale, sikurse është rasti në librin 5-të ku bëhet fjalë për pushtimin e Sfetigradit, kursen në librin 8-të mbizotëron përshkrimi i tradhtisë nga ana e Muses (Moisiut)[19]

Është me rëndësi të theksohet se, autorja si askush më parë, ka shfletuar edhe një nga faktet kryesore të Barletit, se gjithë biografia e tij për Skënderbeun është strukturuar me ndihmën dhe lidhjen e fijeve të tregimit me protagonistë të periudhave të ndryshme. Për shembull: Skënderbeu gjatë fëmijërisë në Adrianopojë kishte lidhje të ngushtë me dy kundërshtarët e vetë me Muratin dhe Mehmetin. Barleti, tërë dramacitetin e veprës e lidh me çështjen thelbësore e ajo është etika e tij personale. Në pjesën e parë të biografisë, Barleti me mjeshtëri përshkruan kontrastin e heroit të tij Skënderbeut me kundërshtarin e tij Amurathes. Skënderbeu përshkruhet si krenar, i kalitur dhe i stërvitur në mënyrë klasike, në anën tjetër Amurathes i vjetër e i vrullshëm. Autorja tregon se Barleti arrin kulmin e konfliktit në biografinë e tij në librin 6-të, ku vetë sulltani Amurath (Murati i II) udhëheq së bashku me të birin Mohamethes, (Mehemeti i II) ushtrinë për ta pushtuar Krujën. Dramaciteti arrihet kur ai para vdekjes ia vënë kurorën të birit të tij dhe i thotë se përkundër të gjithë fitoreve po vdes pa shijuar pushtimin e Epirit. Motivi i Muratit përballë Geogios (Gjergjit) nuk shpreh vetëm moshën: rininë përballë vjetërsisë, vrullin përballë disiplinës, por para së gjithash forcën e një kombi jashtëzakonisht superior, përballë qëndresës së një populli të vogël liridashës.

Në sythin vijues te titulluar, “Etërit e historisë”, Minna Skafte Jensen bënë krahasimin e tematikës që shtjellohet në 13-të librat e Barletit, me atë të historianit të parë antik, Herodotit. Të dy këta biografë, historinë e përshkruajnë në mënyrë gati identike, sesi një fuqi inferiore ka shpartalluar një fuqi superiore dhe, të dy këta autorë vejnë në pah se gjithë kjo arrihet në emër të lirisë. Faktor tjerë identik që përmend autorja, si te Barleti po ashtu edhe te Horodoti, të dyja fuqitë superiore e kishin prejardhjen nga orienti. Pra, siç ishte rasti me perandorinë e madhe të Persisë dhe me atë të osmanëve. Edhe nga fakti se të dy autorët janë të përqendruar në ngritjen e akteve heroike, të fitoreve të tyre dhe njëkohësisht nuk mbesin indiferentë ndaj fatit në taborrin e të humburve. Si njohëse e shkëlqyer e greqishtes së vjetër dhe latinishtes, Mina Skafte Jensen në këtë shkrim na nxjerr në pah edhe ngjashmëri tjera të Barletit me Herodotin. Ajo cek se të dy këta janë shërbyer nga të dhënat gojore. Horodoti përpos të dhënave gojore ka pas edhe të dhëna të shkruara kur është tema për Egjiptin. Ndërsa Barleti në fillim të librit pohon se gati të gjitha burimet i ka pas gojore, por dikur më vonë e zbutë këtë pohim duke theksuar se edhe në raste kur kishte burime të shkruara ato ishin të zorshme për tu kuptuar. Si Barleti ashtu edhe Herodoti ngjajnë për nga mënyra e trajtimit te burimeve. Ata përpiqen të krijojnë pamje sa më të qëndrueshme për informacionin. Asnjeri prej tyre, nuk ishin dëshmitarë okularë të ngjarje që përshkruan, por ‘informatorët’ e tyre ishin të tillë. Dhe në fund të kësaj teme, Minna Skafte Jensen, konstaton se të dy këta autorë qëndrojnë midis kufirit të krijimtarisë gojore dhe asaj të shkruar.

Për “Pasqyrimin dhe biografinë e princërve”,Minna Skafte Jensen në këtë punim trajton Barletin si njohës të shkëlqyeshëm të stilit latin të shekullit XV e XVI. Barleti shkëlqyeshëm kupton epokën e tij në një perspektivë të antikitetit dhe, kjo manifestohet në faqen e parë të librit ku i referohet Aleksandërit të madh. Të gjitha këto njohuri i afruan Barletit të bëjë përzgjedhje nga një numër madh formash letrare. Tema e ti, Heroi i madh dhe legjendat i shkonin përshtati edhe eposit të asaj kohe. Barleti para se të këtë vendos të shkruante biografinë e Skënderbeut, ai kishte zgjedhe një formë të re të mendimit, pra, atë bashkëkohor. Interesi i Rilindjes për individin i kishte dhënë biografisë si zhanër popullaritet të padëgjuar deri atëherë. Pra, kjo formë u bë formë letrare e të shkruarit. Barleti është i kujdesshëm, pohon Mina Skafte Jensen, nuk bie nën mantelin e fesë.[20] Por nga mendimi dhe paraqitja e tij racionale i ngjason më shumë mendimtarëve antik.

Barleti zgjodhi ta portretizojë heroin e tij krejtësisht të çliruar nga feja. Ai, heroin e rikthen nga antikiteti si pagan dhe e përshtat me kujdes të veçantë duke i mbetur besnik racionalizmit dhe mendimit real. Ajo që ishte me rëndësi dhe përkonte me eposin e kohës, ishte; heroi zgjidhej si model i luftëtarit apo sundimtarit. Barleti, zgjodhi modelin e prijësit, pra, luftëtarit, por me një kujdes të veçantë i dha heroit të tij edhe elemente të filozofit. Skënderbeu duke qenë i këshilluar nga Prifti Pal Engjëlli, përpos njohurive që kishte në gjuhë turke, arabe, greke, latine e ilire ai do njihet shumë edhe me filozofinë dhe historinë e lashtë greke. Duke pasur një kulturë kaq të gjerë Skënderbeu ishte shumë i kujdesshëm ndaj princërve tjerë. Arsyeja pse nuk thirri Kuvendin në Krujë por në Lezhë, ishte e thjeshtë; se të gjithë princërit e Arbërit të ndiheshin të barabartë, nga fakti se Lezha në atë kohë qeverisej nga Venediku. Raporti i Skënderbeut me ushtarët, sipas Barletit ishte shumë korrekt dhe ai gjithmonë i kushtonte kujdes të veçantë ushtarëve të vet. Skënderbeu gjithmonë gjendej në rreshtin e parë së bashku me ushtarët. Dhe gjithmonë i ndante detyrat më të rënda me ushtarët. Autorja e këtij punimi paraqet edhe qasjen e Skënderbeut ndaj lajmëtarëve të cilët i trajtonte gjithmonë me kujdes dhe me respekt. Skënderbeu shkëmbente edhe dhurata me princër e personalitete të kohës. Për këtë çështje tregonte kujdes të jashtëzakonshëm. Në përgjithësi Barleti e përshkruan heroin e vetë si: të butë, miqësor, fatlum, të pjekur, të vëmendshëm, me plot durim dhe me një forcë fizike superiore, me mendje të mprehtë, komandat i mençur e me eksperiencë dhe shumë guximtar.

Barleti në biografinë e tij e portretizon Skënderbeun me shumë nuanca dhe ndonjëherë kaloheshin konceptet e portretizimit të heroit. Për shembull, në një rast ai nuk ndalon ushtarët e vetë të mos i vrisnin pushtuesit turq. Për të mos humbur fytyrën dhe nderin ai nuk pranoi hapur mizoritë por as nuk i përjashtoi ato. Në librin 3 dhe 4 Barleti shprehet kritik edhe kundër heroit të vetë, atij nuk i pëlqen përleshja e forcave të Skënderbeut me ato të Venedikut, pra, midis taborit kristian derisa, Amurathes (Murati) fërkonte duart dhe mirëpriste betejat dhe gjakderdhjen midis të ”pafeve”. Mina Skafte Jensen shton më tutje, se Barleti portretizon heroin e vetë madhështor por jo edhe të pagabueshëm. Në fund të këtij kapitulli autorja thekson se edhe përkundër ndonjë lëshimi kronologjik që mund të këtë bërë Barleti në portretizimin e heroit të vetë; ai është dhe mbetet bazë e çdo studimi të ardhshëm për Skënderbeun.

Në sythin e 6-të radhës “historia dhe epika, autorja Mina Skafte Jensen, në fillim bën një pasqyrim të qartë mbi rrolin e historisë në kohën e renesancës. Shih për këtë, ajo pohon se në këtë kohë ekzistonte një diskutim i hapur lidhur me atë se biografia ishte histori. Diskutimi nuk bëhej për trillimin e historisë por për stilin si të shkruhej ajo. Që nga kohet e lashta historia kishte për synim të paraqes retorikën si qëllim e kjo gjë ishte arritur që nga koha e Livit (Livius Andronicus). Historiani shkruan ngjarjen si tregim dhe nuk ndërprenë tregimin me citate dhe ndërhyrje tjera. E gjithë kjo manifestohet në formë të retorikës, pra, të folurit. E në këtë mënyrë dramatizohet ngjarja. Kjo teknikë e të shkruarit daton qysh nga koha e Herodotit dhe është përkthyer nga Thukydides (411- 397 para erës sonë). Edhe Barleti ndjek këtë stil, duke e bashkuar ligjëratën (retorikën) me mjeshtërinë e të shprehurit. Pra, Barleti i mbetet besnik modelit të antikitetit. Për shembull para çdo beteje shqiptarët bënin thirrje për luftë në emër të lirisë.

Më lartë është përshkruar arsimimi i Skënderbeut, andaj edhe lexuesi nuk çuditet për aftësitë e tij retorike të stilit latin. Barleti sikurse portretuesit tjerë të biografive të renesancës dhe antikës nuk citon burimin, por kënaqet vetëm duke i zgjedhur figurat dhe si të tilla i merr si shëmbuj. Barleti ishte lexues i mirë i kohës. Ai para se të shkruante biografinë e tij për Skënderbeun kishte njohuri për veprat e Ciceronit (Livin, Quintus Curitus Cicero 102-43 p.e.s.) biografitë greke të Arianusit e Plutarkut të cilat ishin të përkthyera në latinishte. Gjithashtu epika antike, nga Homeri dhe Virgjili ishin modele për të shkruar monografinë e Skënderbeut. Është më rëndësi të pohohet, shton autorja, se Barleti përdor metodën krahasuese të Herodotit, por tek Barleti nuk hasim në fenomenin e përsëritjes që ishte karakteristikë homerike. Duke përfunduar këtë temë, autorja përmend përshkrimin e vdekjes së Skënderbeut në librin e 13-të, ku epika zë vend qendror. Apo rasti në librin e 9-të ku Hamzai ishte në anën e taborrit turk. Këtu përshkruan komandantin turk që udhëheq ushtrinë turke herët në mëngjes. Citat: ” Bari është i njomë me vesë, sikurse dikur ishte i njomur me gjakun romak. Duket sikur fusha ka nevojë për gjak të ri e ku jepen shenja ogurzezë që paralajmërojnë një katastrofë të pashmangshme” Këto detaje, janë karakteristika të epit antik dhe atij të renesancës.[21]

Në sythin e radhës të këtij punimi që quhet “Sfondi shqiptarautorja duke nxjerr pjesë nga biografia e Skënderbeut, fillon me pyetjen: Cilët janë shqiptarët në këtë imazh romak? Pyetja është e vështirë për tu përgjigjur për shkak të mungesës së burimeve tjera. Barleti i përshkruan shqiptarët si shumë të besuar dhe njerëz me dashuri të madhe për liri. Edhe pse ai përshkrimin për bashkëkombësit e vetë e bënë nga mërgimi, nuk i lejon vetës të bie në sentimentalizëm. Përkundrazi ai i përshkruan ata me shumë dashuri dhe me mençuri, me racionalizëm e realizëm. Në një pejzash, ku përshkruhet fitorja e betejës së parë ndaj turqve, Barleti shkruan:” Ushtarët ishin të lejuar të plaçkitnin çfarë të donin, në kampin turk, por jo të përdhunonin”. Por Barleti nuk nguron ti përqesh këta luftëtar që ishin ngarkuar me plaçkat e tyre.[22]

Barleti pothuajse në asnjë vend nuk pohon se ka një epos tek populli i vet edhe pse e kundërta nuk mund të vërtetohet. Në një vend Barleti përmend një kontratë gojore, ku për saktësinë e saj thotë se do ua lë avokatëve të përcaktojnë saktësinë. Gjithashtu, Barleti merret me përshkrimin e mortit dhe ritualeve mortore ndër shqiptarët e atëhershëm. Barleti rrëfen se Mehmeti dhe Skënderbeu i matnin forcat me një hark. Ky element epik është i njohur nga eposi Mahabharata, Ramayana dhe Odiseu por edhe nga përrallat.

Barleti mund ta ketë huazuar nga Homeri, por autorja aludon se mundësia më e përafërt është ta ketë huazuar nga përrallat gojore për të cilat ndërton veprën e vetë. Në librin e 12-të kur përshkruan rrugëtimin e Skënderbeut, në Romë te Papa, Barleti përshkruan sesi heroi i tij ishte veshur dhe i maskuar në një çoban të varfër. Është e rëndësishme se rrëfimi i Barletit për Skënderbeut i ikë tregimit përrallor edhe pse shumë herë informacionet i kishte mitike. Me sa duket, konstaton Mina Skafte, Barleti i kishte dhënë detyrë vetës të racionalizonte historinë dhe të eliminonte çdo gjë që nuk i ngjasonte besueshmërisë. Barleti gjatë gjithë veprës për heroin e tij, Skënderbeun, preferon të quaj luftën e shqiptarëve kundër osmanëve si luftë kundër dy qytetërimeve: barbarisë dhe civilizimit. Mina Skafte Jensen në këtë syth e vë në pah se Barleti nuk pëlqen thëniet ”Të pafetë dhe ata që besojnë, sepse, sipas Barletit, lufta nuk kishte luftë mes dy feve, por ajo kishte karakter pushtues dhe çlirues. Si argumente të barbarisë Barleti prezanton egërsinë, dinakërinë dhe pabesëshmërinë e barbarëve. Duke ilustruar me shembuj Barleti përmend edhe ofertën që i kishte bërë Murati Skënderbeut, duke i ofruar flori e pozita në Perandori. Barleti pohon këtu se një qytetërim që përdor ryshfetin dhe shantazhin për të arrit te qëllimi nuk është tjetër gjë veç barbari. Në anën tjetër Barleti përmend fjalët e fundit para vdekjes së Skënderbeut. “Unë asnjëherë nuk kam iniciuar apo kurdis mashtrim apo dhënë ryshfet”.[23]

Barleti konstaton se përpos atyre atributeve që i përmendi më lartë për barbarët ata ishin edhe tepër të ashpër. E këtu, Barleti bën krahasime midis Amorathes ( Muratit) dhe Mohamethes (Mehmetit), ku thotë se Mehmeti ishte shumë më i ashpër se Murati. Në anën tjetër Skënderbeu përshkruhet si i butë e njerëzor. Këtu përmenden edhe rastet e faljeve të Mojsiut dhe Hamzës edhe përkundër tradhëtisë ndaj Skënderbeut dhe atdheut. Ashpërsinë e Mehmetit e përshkruan në librin e 8-të, ku përshkruhet trajtimi i robërve shqiptarë të luftës, nga ana e turqve me mënyrat më mizore. Barleti me ironi konkludon se e gjithë kjo egërsi e turqëve ka burimin tek difatat që pësonin shqiptarëve dhe, në raste kur ndonjë ushtar shqipëtar binte në dyar të tyre ata silleshin shumë egërsisht ndaj tyre.

Në shëmbullin tjetër ku përmend dy persët me prejardhje skythe, e tëcilët për çdo ditë terririzonin ushtarët.Ata i kishin kërkuar duel edhe Skënderbeut. E, Skënderbeu edhepse kundër të dyve pa helmetë dhe pa mburoje trupore kishte arritur tua pres kokat të dyve. Barleti bënë edhe një krahasim, kur shprehet: se këta skyhtet ishin edhe më barbarë se turqit nga shkaku se ulërinin si shtazë dhe ishin të rreshtuar dy kundër Skënderbeut të vetëm. Barleti nxjerr heroin e tij superior edhe nga çështja e arsimimit, ku për të thuhet se përpos gjuhëve dhe shkollimit që kishte marrë në Adrianopojë, Skënderbeu zotëronte greqishten dhe latinishten gjë që nuk i zotëronin turqit osman. Barleti në librin 3-të ngatërron çështjen e të quajturit barbar, ngase një komandat venedikas duke ju drejtuar ushtrisë së vetë e quan Skënderbeun barbar, nga shkaku i vetëm se ai kishte marrë mësimet nga barbarët. Ndërkaq, në librin 10, përshkruhet ftesa Ferdinandit të Napolit, ku Skënderbeut në Raguzë i ishte bërë pritje madhështore dhe për nder të tij ishin organizuar manifestime sportive dhe festivale të ndryshme. Barleti, nuk lë pa vë në pah edhe fjalimet e Skënderbeut dhe nikoqirëve që u bënë nder shqiptarëve dhe raguzianëve. Skënderbeu përshkruhet sipas autores i civilizuar i barabartë me përfaqësuesit e atëhershëm të krishtërimit.

Në librin e 12-të, ku Skënderbeu shkon në Romë për të kërkuar mbështetje nga Papa. Ku kardinalët dhe Papa e pritën me dashamirësi për famën e tij, por kur Skënderbeu mbajti një fjalim brilant dhe lavdëroi ata për mbrojtjen e krishterimit, atij ju hapen të gjitha portat dhe ju plotësuan të gjitha kërkesat. Autorja duke përshkruar Barletin në këtë kontekst, vë në pah se Barleti është me rëndësi parësore të përshtat kombin dhe kulturën e tij në Botën e Evropës Perëndimore e kryesisht të Italisë. Dhe në fund të kësaj rubrike autorja ngreh shumë lart Barletin, i cili qysh në librin e parë përshkruan Skënderbeun një komandant superior i cili me kthimin e tij në atdhe, nuk ju desht fare të vihet në opozitë të vendit. Por, ai menjëherë bëri marrëveshje me gjithë princërit e Epirit. Por edhe princërit shqiptarë përshkruheshin nga Barleti si të etshëm për luftë çlirimtare. Por, deri me kthimin e Skënderbeut në atdhe atyre u mungonte udhëheqësi. Barleti përshkruan përshtypjen se nga të gjithë, si princër, si ushtarë dhe si popull, u ishte ngulitur mendimi se ata bënin luftë për liri. Biografia e heroit mes epikës dhe romanit është rubrika e fundit e këtij punimi. Autorja kujton lexuesit e këtij studimi se luftërat mes shqiptarëve dhe turqve në shekullin e pesëmbëdhjetë ishin një periudhë tipike, heroike në kuptimin e Chadwik[24].

Ngjarjet e dhunshme e dramatike ishin burim për poezi gojore. Heroi i kësaj epoke të lavdishme të shqiptarëve, Skënderbeu do bëhet subjekt i eposit gojor në mesin e emigrantëve shqiptarë në Puglia të Italisë. Një gjë e tillë nuk ndodhi në atdheun e Skënderbeut, pohon autorja e këtij punimi, nga shkaku se pushtimi dhe dhuna në atdhe, pas vdekjes së heroit ishte e tmerrshme. Në vitin 1832 J.G. Von Hahn, bën përpjekje në rrethin e Krujës të gjej elemente të eposit gojor, por rezulton pa ndonjë sukses. Lexuesit evropianë patën mundësi të kenë në dorë biografinë e Barletit në gjuhën latine. Ky libër u bë libri më i shitur në tërë Evropën e asaj kohe. Kështu emri dhe vepra e Skënderbeut u bënë të njohur përmes librave dhe revistave të kohës në mbarë Evropën. Ai u bë personaliteti më i përfolur në mesjetën e vonshme. Në këto rrethana biografia e Barletit kushtuar Skënderbeut, për një kohë të shkurtër u përkthye në shumë gjuhë të Evropës.

Pas përkthimit dhe botimit në gjuhë të ndryshme botërore, Skënderbeu u bë i njohur dhe u aktualizua në mbarë Evropën, përmes revistave dhe librave të shumtë. Si rezultat i të gjitha këtyre shkrimeve në Evropë u krijua edhe një epikë e shumanshme kushtuar Skënderbeut. Po të ishte gjallë Barleti sigurisht se nuk do t’i pëlqenin disa epika lirike dhe romane që u shkruan dhe u kënduan për Skënderbeun. Autorja Minna Skafte Jensen, rrëfen se Barleti Skënderbeun nga aspekti emocional e përshkruan shumë të disiplinuar dhe tepër ngurrues në aspektin seksual. Barleti përshkruan se akti i martesës së Skënderbeut ka qenë një çështje e shtyrë nga miqtë e tij dhe pa ndonjë interes nga ai. Barleti do ta kishte shumë të vështirë të kuptonte që heroi t tij ishte vendosur mes heronjve ekzotikë, e jo evropianë. Duhet vënë në pah, thekson autorja, se Edukimi, pra, shkollimi si prift, do ta pengojë Barletin që të bazohej nga epika gojore e popullit të vetë. Qëllimi i tij ishte ti heqë perdën e pluhurit historisë dhe para audiencës së vet të jetë sa më objektiv dhe racional. Atij, në atë kohë me siguri një epikë e kohës nga bashkëkombësit e vetë i dukej e pamjaftueshme për të paraqitur në gjuhën latine para kulturës italiane heroin e tij.

Për këtë arsye, ai zgjodhi zhanrin më të kapshëm për kohën, pra, biografinë dhe në këtë mënyrë u mënjanua nga proza. Në këtë mënyrë ai mundi të sajojë në mënyrë krejt fantastike, portretin e heroit, por edhe të paraqes kapitullimin e Krujës dhe Durrësit pas vdekjes së Skënderbeut. Në të njëjtën kohë puna e Barletit kishte një vlerë zbavitëse që korrespondon me atë të romaneve dhe tregimeve qytetare. Me një mjeshtëri të jashtëzakonshme, le përshtypje te lexuesi evropian për heroizmat e popullit të vetë gjë që ishte shumë e lehtë për lexuesin për hyrë në brendi të çështjeve që shtjellohen në veprën e tij. Historia e Skënderbeut nuk ishte një roman moralo-psikologjik; heroi i përmban të gjitha cilësitë e pandryshuara që nga fillimi i librit e gjatë gjithë biografisë. Njohja e Barletit dhe biografisë së tij nga gjitha autoritetet e atëhershme botërore për Barletin paraqet një përparim të dukshëm. Fare në fund të këtij punimi Mina Skafte Jensen përkufizon me këtë thënie biografinë e Barletit:” Biografia e tij vendoset mes epikës dhe romanit sipas modelit zhanrit të Lukasc George[25] që përkon me përpjekjet e autorit për të ndërlidhë zbrazëtirën ne mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane të shekullit 15-të.


Përfundim

Nga vendet Nordike, përpos Danimarkës dhe Suedisë për Skënderbeun kanë shkruar edhe islandezët e largët. Profesori i mirënjohur Xhevat Lloshi na jep një pasqyrim të thuktë mbi sagat që janë shkruar për këtë temë gjatë periudhave të ndryshme në Islandë. Profesor Xhevat Lloshi, në intervistën dhënë gazetës Dita, në lidhje me sagat Islandeze për Skënderbeun shkruan më sa vijon: Kemi tashti një numër të përcaktuar sagash në dorëshkrime: 13 të shekullit XIX me titull në islandisht” Sagan af Skanderbeg”. Më i vjetri me sa duket, është JS, 344 hartuar gjatë dimrit 1803-04 si pjesa e shtatë( apo e nëntë?) e materialit prej dhjetë njësish në faqet 160-173. Hartuesi duhet të ketë qenë Gudhmundur Illugasoni, i cili shkruan emrin e vet në disa vende të përmbledhjes [26], konkludon profesor Xhevat Lloshi në këtë intervistë.

Në itin 2010, në revistën shkencore “Allt om historia” nr.7 në faqet 56-59, me ISSN 1653-3224, redaktorja e çështjeve ushtarake Anna Larsdotter, nën rubriken Berömda Befähavare (Komandant të adhuruar), boton një prezentim mbi personalitetin e Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, me titull ”Han Ledde kampen mot osmanarna” ( Ai udhëhoqi kampin kundër osmanëve).

Ky punim prej katër faqesh A3 është i ilustruar me fotografi dhe fakte historike që nga lindja deri në vdekjen e Skëndërbeut. Prezentimi për lexuesin e ri bëhet me një teknikë moderne ku ngjarjet dhe heroi i prezentohet lexuesit nën llupën e perspektivës së kohës kur heroi jetoi dhe zhvilloi të gjitha luftërat kundër pushtimit osman.

Të gjitha të dhënat në këtë artikull kanë mbështetje shkencore mbi biografinë e Skënderbeut, të vetmin lëshim e bënë në faqën 57, citat: “Han var son till klanledaren John och princesa Vojsava, bördig från ett slaviskt släkt”[27] (Ai ishte bir i Gjonit, udhëheqës klanor dhe princesës Vojsava, me prejardhje nga një fis sllav). Ka gjasa që skribentja i referohet historianit austriak Oliv Jens Schmitt; në lidhje me prejardhjen e nënës së Skënderbeut Vojsava. Autorja përfundon artikullin më këta rreshta:[28] “ Pa prijësin e tyre, Lidhja e Lezhës nuk mund të funkciononte e bashkuar. Me kohën osmanët e rikthyen nën pushtim vise të tëra edhe vet Krujën. Dhjetra mijëra shqiptarë ikën në Itali, ku grupacionet e pasardhësve të quajtur arbëresh ende edhe kësaj dite përbëjnë minoritet që flasin gjuhën e tyre shqipe të asaj kohe. Vendlindja e tyre mbeti nën pushtimin osman deri në vitin 1912.”

Dhe fare në fund, pa pretenduar se kam përmbledhur të gjitha shkrimet nga autorët nordik mbi Skënderbeun, po përmendi edhe një përsonalitet të njohur të shkencës së historisë, Docentin e Universitetit të Lundit, Sanimir Resic (me prejadhje, nga babai boshnjak dhe nëna kroato-italiane) i cili në librin “Një histori për Ballkanin, ngritja dhe rënja e Jugosllavisë” në mes tjerash për Skënderbeun shkruan:[29] “Për gëzimin e shumë të krishterëve evropian Skënderbeu udhëhoqi nga viti 1444-1466 me kryeqyet në Krujë 13 ekspedita ushtarake kundër turqve. Dhe kështu i mbajti në një formë ata larg nga Shqipëria”. Mbështetur në shkrimet e elaboruara te autorëve nordik mbi Skënderbeu mund te konkludojmë e se këto shkrime edhe pse te pakta ne numër tregojnë interesimin edhe të këtyre popujve për Skënderbeun.

Pra, emri i Skënderbeut nuk ishte i pa njohur edhe në këto vise te largëta. Ai ishte bërë i njohur në saje të Librit te Marin Barletit por edhe të autorëve tjerë që kishin trajtuar trimëritë e tija.

Në Kontekstin kohor mund të themi se autorët nordikë që shkruajnë për Skënderbeun i takojnë periudhave të ndryshme kohore e qe na jep te kuptojmë se interesimi per Skënderbeun është i vazhdueshëm dhe prezent në të gjitha periudhat. Ai vlerësohet shumë larte dhe merret si model i luftëtarit e atdhetarit të shquar, i cili duke mbrojtur vendin e vet i benë një shërbime të çmuar edhe Evropës duke penguar depërtimin osman drejt perëndimit.

[1]Shmidt, Ulrik Kristoffer, Dokument: Universitety of Copenhagen, publication date: 2015 [2] Corvinus Mattias (1443-1490), mbret i Hungarisë djali i John Hunyadit [3] Gjegj Kastrioti Skenderbeu(1405-1468), hero kombëtar shqiptar në luftërat kundër osmaneve në shek..XV. [4] Nikola Zrinski (1508-1566), gjeneral austro-hungarez me prejardhje kroate. [5] Hussite: Lëvisje reformatore fetare në Bohemi [6] Holberg om Skenderbeg ” Sammenlignede historier” Version 2.1-02.12.200 [7] Shih fusnoten nr. 6 [8] Saga e Skënderbeut në arkivat Islandeze II. Intervistë me profesor Xhevat Lloshi, në portalin e gazetës Dita, me datën 6 shkurt 2018 [9] Unifersity of copenhagen Köbenhavns Un iversitet “ Ludvig Holbergs Heltehistorier” nga Kristoffer Schmidt, Download date: 19.apr..2018 [10] Den store Castriotto af Albanien kallad Scanderbeg. Stockholm, tryckt hos Anders Zetterberg, 1788. [11] Qëndresa nr.1-2, të vitit 1990, organ i Bashkësisë së Shoqatave Shqiptare në Suedi. Shkrimi prej 3.5 faqesh në A3 në gjuhën suedishte gjendet në faqet 36-39 të kësaj reviste. [12] Në parathënien e librit” Den store Castriotto af Alabnien Kallad Scanderbeg. Stockholm 1788. [13] “ Den Store Castriotto af Albanien Kallad Scanderbeg. Stockholm 1788, faqe 82. [14] Den store Castriotto af albanien kallad Scanderbeg. Faqe 86. [15]Gazeta, ”Dituria Nr.3 faqe 106, viti 1910. [16] Den store Castriotto af albanien kallad Scanderbeg. Faqe 98. [17] Miqësia- Dansk albansk ferening. Minna Skafte Jensen, En heltehistorie Marin Barletis Skanderbeg mellem mundlighed og skriftlighed. Danish edition: http://scanderbeg.dk/Barletus.pdf Internet-version 1.3-15th March 2007(first published 2006) [18] Po aty, PDF-version. Albanian edition:http//scanderbeg.dk/Barleti.pdf, Prill 2018. [19] Dokumeti i fustnotës 17, faqe 1. [20] ”Pasqyrim dhe bigrafinë e princëve” [21]” Sythi Historia dhe epika” [22] Sythi”Historia dhe epika” [23] Sythi “Sfondi shqiptar” [24] John Chadwick (1920-1998) Filolog klasik i Britanisë së Madhe. Eshtë një nga njohësit më të mëdhenjë të çështjeve letrare nga koha antike deri tek letërsia moderne. [25] Georg Luács (1885-1971) Ish politikan, filozof dhe letrar me prejardhje ebreje.gjermane e hungareze. Eshtë e njohur vepra e tij filozofiko-teorike ”Geschichte und Klasenbewusstsein” botuar me 1923. [26] Profesor Xhevat Lloshi, Intervistë dhënë gazetës “Dita” me titull: Skënderbeu në petkun islandez, botuar me 5 shkurt 2018. Marrë nga portali i kësaj gazete. [27] Anna Lorsdotter, Allt om historia,nr. 7, 2010, 57. [28] Anna Lorsdotter, Allt om historia,nr. 7 2010, 59. [29] En Historia om Balkan Jugoslaviens uppgång och fall, Sanimir Resic, 77.

40 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page