top of page

GJENIU QË JETOI ME DHIMBJEN SI SHKËMBI NË SHPIRT




SHPENDI TOPOLLAJ


DOSTOJEVSKI, GJENIU QË JETOI ME DHIMBJEN SI SHKËMBI NË SHPIRT


Rruga e krijimtarisë letrare e Fjodor Mihajlloviç Dostojevskit, që kalon nga botimi i novelës “Njerëz të varfër” në vitin 1848, deri te romani “Vëllezërit Karamazov”, botuar në vitin 1880, ishte periudha kur Rusia lëngonte. Dhe kjo, jo vetëm pse sistemi i bujkrobërisë ende nuk ishte prekur, por se përpjekjet e regjimit carist dhe në përgjithësi ato të klasës së çiligarëve, për ta mbajtur gjallë atë, u intensifikuan akoma më shumë. Por, siç ngjet rëndom, atje ku shtypja është e madhe edhe reaksioni ndaj saj ngre krye. Kishin dalë mendimtarë të shquar nga ai vend si Aleksandër Nikollajeviç Radishçevi, Aleksandër Ivanoviç Herceni, Nikollaj Gavriloviç Çernishevski dhe Nikollaj Aleksandroviç Dobrolubovi që po ndikonin fuqishëm për zgjimin e masave. Por këto masa, kryesisht punëtorë jo shumë të shkolluar dhe muzhikë analfabetë, nuk mund të komunikonin drejtpërsëdrejti me filozofinë e tyre. Kështu që ndërmjet tyre hynin poetët e shkrimtarët në radhë të parë, dhe të gjithë ata intelektualë përparimtarë që e shihnin ndryshimin si domosdoshmëri historike dhe kërkonin mënyra, deri dhe revolucionare, për realizimin e shndërrimit. Dhe njëri nga këta, ndofta më i dallueshmi i kësaj kohe, ai që gjithmonë i shprehu keqardhjen atyre që i ka quajtur të fyer dhe të poshtëruar, ishte Fjodor Mihajlloviç Dostojevski. Mjeshtër i njohjes së psikologjisë së njerëzve dhe fenomeneve shoqërore, edhe pse nuk ishte partizan i mjeteve të dhunshme, ai pa frikë mund të renditet si mendimtar te katër ata që u përmendën më sipër. Prejardhja e familjes së tij, me mbiemrin fillestar Rdishev, vinte nga Dostoje afër Minskut. I ati, Mihail Andreviçi ishte mjek ushtarak, dikur fisnik, por tani punonte në një spital për hallexhinjtë të quajtur Marinski, ku dhe lindi djali i tij, Fjodori. E ëma, Maria Fedorovna Neçaeva, që vinte nga një familje tregtari nga Darovoe e Tulës, ishte një grua e urtë dhe e përmbajtur, krejt e kundërta e të shoqit, i cili dallohej për rreptësi edhe me shtatë fëmijët e tij. Veç librave fetarë, Maria i lexonte të birit edhe letërsi artistike, si fjala vjen poezitë e Pushkinit dhe ato me përmbajtje historike. Gjatë fëmijërisë, ai vinte rrotull mjediseve të spitalit, ku nuk i zinte syri asgjë të këndshme veç një varreze për të kriminelët, një azil për të marrët dhe një jetimore. Në 1831 shkojnë familjarisht afër Tulës, pasi i ati kishte blerë një tokë. Nëna i vdiq në vitin 1837, kur ata qenë në Moskë. Kurse i ati pak kohë pas saj, më 8 qershor 1838. E theksoj këtë datë, pasi ai kur e mëson lajmin, pati krizën e parë të epilepsisë, sëmundje që nuk ju nda gjatë gjithë jetës. Mihali, nuk e kishte lënë pijen dhe arrogancën, gjë që e pohon edhe vetë Dostojevski, aqsa kur vdiq, nga një goditje e papritur cerebrale, disa thonin se e kishin vrarë fshatarët, se s`para rrinte urtë. Në vitin 1834 Fjodori së bashku me të vëllanë Mihalin regjistrohen në konviktin

L.I.Çernak, e më pas në Moskë, tek ai i kapitenit Kostomarov, ku përgatiteshin paraprakisht për Institutin e Inxhinierisë. Nga janari i vitit 1838 vazhdon studimet në gjimnazin e Xhenjos Ushtarake në Peterburg, qytet, që i krijuar nga Pjetri i Parë, para 135 viteve, tani kishte marrë formën e një qyteti evropian dhe ishte bërë qendra e kulturës së Rusisë. Në vitin 1841nis kursin për oficer, dhe nga kjo shkollë del me gradën nëntoger dhe caktohet me detyrë në Komandën e Inxhinierisë së Peterburgut. Këtu miqësohet me figura me influencë, dhe lexonin literaturë të ndaluar, por epilepsia që e mundonte vazhdimisht e kishte bërë dyshues dhe pak mizantrop. Përfshihet në lëvizjen gjysmë klandestine me shokët e rrethit politiko - letrar të Petrashevskit, ku diskutohej me zjarr rreth ideve liberale dhe socialiste, por edhe i bëhej jehonë ngjarjeve të vitit 1848 që ishin armiqësore për qeverinë. Ndaj, në vitin 1849, pasi e mbajtën në burgun e tmerrshëm të fortesës së Petropavllovskut, bashkë me të tjerët, me akuzën se po punonin për rrëzimin e carit dhe lexonin literaturë të ndaluar, në nëntor të po atij viti gjykohet dhe dënohet me vdekje. Por këtu të dënuarve me pushkatim, u kurdisin një reng; pasi i lidhin te shtylla e turpit, para togës së ekzekutimit, mbërrin një korrier që sjell dekretin e faljes dhe zëvendësimin e dënimit me dhjetë vjet punë të detyruar në Siberi. Kaloi andej nga Tobolsku, ku gratë e dekabristëve të internuara e pritën me dashuri duke i dhuruar edhe një Ungjill që ai e mbajti gjatë gjithë kohës, pasi libra të tjerë nuk i lejoheshin. Qe një periudhë mjaft e vështirë për të, ku veç punës së rëndë, kryen dhe shërbim për nja katër vjet në radhët e ushtrisë. Vuan shumë në luftë me kufizimet, privacionet dhe të ftohtit, por dhe mëson shumë. Ashtu sikurse kishte mësuar edhe më parë nga bisedat me të sëmurët në oborrin e spitalit ku punonte i ati. Dikur qe marrë me përkthimet e H. Balzakut, Zh. Sandit e E. Sysë dhe kishte shkruar etydin mjaft të bukur “Njerëz të varfër”, për të cilin Nekrasovi, duke ja rekomanduar V. Bjelinskit, kishte thënë se “Lindi një Gogol i ri”, gjë me të cilën edhe kritiku më i madh rus, ishte i një mendjeje. Për më tepër, atë e mirëpritën dhe e përshëndetën si vazhdim i shkollës natyraliste. Dhe tani, pavarësisht gjendjes shpirtërore, ai vazhdon të shkruajë dhe këtyre viteve i përkasin shumë tregime e novela se “Sozie: Një poemë e Shën Peterburgut”, “Novelë me nëntë letra”, ‘Zoti Prokharçin”, “Një zemër e dobët”, “Qiradhënia”, “Burri xheloz”, “Një hajdut i ndershëm”, “Një dru Krishtlindjesh dhe një martesë”, “Netët e bardha” që është edhe më e njohura, etj. Në vitin 1862 botoi librin “Kujtime nga shtëpia e të vdekurve”, ku përshkroi vuajtjet e tij që i rëdonin , sikurse shprehej, si shkëmb në shpirt. Këtu edhe shpirti sikur ju zbut nën influencën e doktrinës fetare. Nuk ishte më ai revolucionari i dikurshëm, por gjithsesi mbeti po ai njerëzori. Shkruan ”Netoçka Nezvanova” (61), “Familjarë të përjetshëm”, “Të fyer e të poshtëruar”, dhe “Shënime nga nëntoka” të cilin e kanë konsideruar si pararendësin e ekzistencializmit dhe të cilin V. Kaufmani e ka quajtur: “Uvertura më e mirë për ekzistencializëm që është shkruar ndonjëherë”. Në këtë kohë vendosi të martohej. Jo se e dashuroi gruan që mori, Maria Dimitrievna, por se kishte nevojë për një të tillë, pasi nuk e lanë të vinte në kryeqytet, pas mbarimit të dënimit, por e detyruan të banonte diku po atje në Siberi. E shoqja që nuk jetoi gjatë, pasi vdiq si dhe e ëma nga tuberkulozi në vitin 1864, lindi dy fëmijë. Si u kthye në Peterburg, bashkë me vëllanë, nxorrën një revistë dhe nga shitjet e saj e siguroi disi jetesën. Kur i vdiq dhe vëllai dhe problemet ekonomike ju shtuan, pasi duhej të interesohej dhe për famijljen e tij, shkoi jashtë shtetit me shpresë se do të bënte prokopi, por u mundua më kot, pasi atje e vetmja gjë që fitoi ishte vesi i kumarit. Nga kjo edhe u shkrua romani “Kumarxhiu” në vitin 1866. Afërsisht në këtë kohë boton dy nga librat e tij më të rëndësishëm “Shënime nga shtëpia e të vdekurve” dhe “Krim e ndëshkim”, me figurën e dyzuar të Raskolnikovit. Opinioni e kishte kthyer vëmendjen nga vepra e tij, dhe ai nga ana e tij vendosi të ndryshojë diçka nga jeta personale, duke u martuar me Ana Grigorievna Snitkinën e cila i shërbente atij si daktilografiste. Kur ai ishte dyzetekatër vjeç, ajo ishte vetëm njëzet vjeçe, ndaj dhe marrëdhëniet e tyre qenë me ulje - ngritje të vazhdueshme. Veç moshës, ai ishte dhe shëndetlig, gjë që e bënte xheloz, aqsa edhe vetë dyshonte se ajo po torturohej me të. Kuptohet që Ana, më shumë drejtohej nga sugjestioni për njeriun gjenial. Me kohë, kjo erdhi duke u përmirësuar dhe ajo e nxiti që të shëtisnin jashtë shtetit. Dhe një herë në Baden - Baden, ai nuk u përmbajt dot dhe i hyri sërish bixhozit. Ana, nga ana e saj, nuk e dha veten, dhe kur ai humbi gjithçka, u kthye në Rusi, pasi la peng unazat e shtrenjta për të shlyer borxhet. Ai ja njihte asaj vlerat si bashkëshorte. Me zgjuarsinë e saj, por dhe me zemërgjerësinë e saj, Ana që i dha dy fëmijë të tjerë, ja krijoi të shoqit të gjitha kushtet që ai të punonte i qetë. Vlen të përmendet sesi shprehet Leon Tolstoi për këtë grua, pasi njihet me ditarin e saj, duke thënë se ajo do t`i bënte nder ç`do shkrimtari. Kjo është dhe arsyeja e shpërthimit të tij me vepra madhore. Kështu, në 1868 botohet “Idioti” që e kishte nisur qysh në Zvicër, dhe që për nga vlerat artistike dhe trajtimet që bën, e krahasojnë me veprat e Shekspirit. Ndërsa Mishkinin e tij, heroin kryesor të këtij romani e kanë vënë në një plan me Don Kishotin. Ai ka diçka nga vetë Dostojevski dhe bën për njerëzit sa mundet, se i do ata. Këtu, Dostojevski e tregon si askund tjetër gjenialitetin e tij, të cilin e kanë quajtur të paarrtishëm duke thënë se ai “…kishte kyçin për të hapur çdo ndërgjegje individuale”. Ndërkohë, vazhdonte të shkruante tregime dhe novela si “Heroi i vogël”, “Fshati i Stepançikovëve”, “Një tregim i ndyrë”, “Krokodili”, “Burri i përjetshëm”, “Bobok”, “Një krijesë xhentile”, “Fshatari Morej”. Për të dënuar terrorizmin, ai shkroi romanin “Djajtë” në vitin 1872 dhe romanin voluminoz, me dy vëllime “Vëllezërit Karamazovë”, i cili përshkohet nga mendimi i tij se “Bukuria do e shpëtojë njerëzimin”. Pa tjetër, që ai bie disi në utopi kur shtyhet më tej, duke e kërkuar harmoninë dhe vëllazërimin e përgjithshëm, bazuar në dashurinë reciproke mes njerëzve. Kjo është tërësisht e drejtë, por hajde të vihet në jetë. Se ai e kishte parathënë vetë se “Unë mendoj edhe se, nëse djalli nuk ekziston, atë e ka shpikur mendja e njeriut si kopje të saktë të vetes”. Dhe kur në vitin 1880 ai i mrekulloi të pranishmit me fjalën që mbajti kur u përurua monumenti i Pushkinit në Moskë, veprën e të cilit ai e kishte lexuar e mësuar qysh kur ishte fare i vogël, askush nuk mund ta shkonte ndërmend, se fare pak më vonë, do të pushonte së rrahur edhe zemra e atij, që vuajtja i kishte rënduar si shkëmb në shpirt, por që më shumë se për veten, mendonte për lumturinë e të tjerëve. Dhe të tjerët, u mblodhën ku ishin e ku s`ishin, atë 28 janar të vitit 1881, për t`i dhënë lamtumirën atij që dikush e kishte renditur edhe mbi Tolstoin. Ja pse edhe ne shqiptarët i kemi të gjitha arsyet ta duam, ta nderojmë dhe ta kuptojmë atë kur thoshte: “Në një kohë të turbullt, luhatjesh ose tranzicionesh shfaqen kudo e gjithmonë ca palo njerëz. Unë s`e kam fjalën për ata që vetëquhen “përparimtarë”, të cilët shpejtojnë gjithnjë, para të tjerëve (ky është kujdesi kryesor), ndonëse shpesh shpejtojnë për një qëllim të marrë, por të përcaktuar mirë. Jo, unë e kam fjalën për fundërrina. Në çdo kohë tranzitore dalin e ngrihen lart këto fundërrina, që ekzistojnë në çdo shoqëri, të cilëve nuk u mungon vetëm qëllimi, por edhe aftësia për të menduar dhe që shprehin me gjithë forcën e tyre, nervozizëm e padurim. Këto fundërrina, pa e ditur vetë, bien e vihen nën komandën e një klike të vogël “përparimtarësh”. Që veprojnë sipas një qëllimi të përcaktuar; kjo klikë i drejton këto fundërrina aty ku i duhet, ndonëse kjo klikë ndodh të jetë e përbërë edhe prej idiotësh të vërtetë... Dhe mendjet më të ndritura habiten e bëjnë pyetjen; Si ia lejuan vetes të mashtrohen prej tyre?”

38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page