top of page

Gjenealogjia dhe shqiptarët




Gjenealogjia (nga greqishtja genea, logos "brez" dhe "njohje") është "lista e anëtarëve të familjes. Gjeneologjia konsiderohet një shkencë ndihmëse e historisë. Historikisht, ajo ishte përdorur nga njerëz të pasur për të vendosur fisnikërinë e gjakut të një individi.

Duke u nisur nga motivime të ndryshme, gjenealogjia e një individi mund të kryhet nga një gjeneanolog profesionist ose në baza personale, për të identifikuar paraardhësit gjatë disa brezave. Kjo punë kërkimore bën të mundur vendosjen e historisë së një familje, bazuar në lloje të ndryshme të arkivave, por edhe intervistave me gojë apo edhe gjenetikës. Ne përgjithësisht dallojmë gjenealogjinë ngjitëse, paraardhësit e një personi dhe gjenealogjinë zbritëse, pasardhësit e një personi ose çifti të caktuar.

Paraqitja grafike e individëve dhe marrëdhëniet e tyre zakonisht paraqiten në formën e një diagrami peme nga një individ rrënjësor, i ankoruar në fund të faqes dhe individët mëmë në "degët" dhe "gjethet", d.m.th. është arsyeja pse një skemë e tillë zakonisht quhet pemë familjare. Ky plan urbanistik është përshtatur veçanërisht për të vizualizuar një gjenealogji ngjitëse, gjithashtu mund ta kthejë atë me një individ rrënjësor në krye të faqes dhe ngjitësve më poshtë. Lloje të tjera të paraqitjes ekzistojnë si përfaqësimi rrethor, gjysëm rrethor apo edhe lista e prejardhjes.

Zhvillimi i teknologjive të informacionit dhe komunikimit duke lehtësuar në mënyrë të konsiderueshme aksesin e Internetit në bazat e të dhënave të ndryshme dhe përfaqësimin e dosjeve të ndryshme falë softuerit të specializuar, e ka bërë kërkimin gjenealogjik më të lehtë. Për më tepër, arkivat mund të jenë gjithnjë e më të disponueshme nga distanca përmes Internetit, si arkivat e departamenteve për shembull në Francë, apo kantoneve në Zvicër, të cilat gradualisht i bëjnë arkivat e tyre dixhitale në dispozicion të publikut.

Shoqatat gjenealogjike janë krijuar në një nivel lokal për të ndihmuar njëri-tjetrin midis studiuesve, si dhe revistat gjenealogjike janë botuar dhe specializuar në këtë temë që lejojnë të thellojnë hulumtimin e një personi ose të njohin teknika të reja.

Gjenealogjia është tashmë e pranishme edhe në Shqipëri, Kosovë apo edhe në trevat e tjera ku jetojnë bashkëkombasit tanë. Im atë i ndjerë, Tuni Papuçiu e ka lënë të dokumentuar pemën gjenealogjike të familjes. Dhe ajo plotësohet brez pas brezi nga të afërmit tanë. Kësaj radhe do tu sjell një dëshmi mbresëlënëse të paraardhësve të një fisi që është vendosur në Fier, shekuj më parë.

Papuçinjtë në Fier

Të ardhur në Fier qysh në vitin 1770, sipas dëshmive të marra në muzeun historik të rrethit Fier, Papuçinjtë u përkasin personave të parë që kanë "populluar" Fierin. Papuçinjtë kanë ardhur në Fier pas prishjes së Voskopojës. Sipas historianit fierak, Hysen Emiri, mësohet se Papuçinjtë erdhën në Fier rreth vitit 1770, por eksodi i tyre ka vazhduar edhe më tej, vit pas viti. Aty ku është ndërtuar shkolla 9-vjeçare “Andon Xoxa”, dikur sipas pleqve të vjetër quhej “ara e Papuçinjve”, sepse aty ka qënë fushë e tërë dhe vëllezërit punonin të gjithë në arë.

"Pushtimi" i Fierit nga Papuçinjtë

Olimbi Papuçiu, një nga nuset më të vjetra të Papuçinjve, banuese në lagjen “29 Nëntori” të Fierit, pohon se tashmë në Voskopojë nuk ekziston asnjë prej trungut dhe familjes së Papuçinjve, çka do të thotë se shpërngulja e tyre drejt Fierit ka qënë masive, ndryshe nga shpërngulje të tjera të ngjashme, gjurmët e të cilave i gjen ende në vendin e të parëve... Papuçinjtë kanë qënë blegtorë dhe ata së bashku me tufat e mëdha të bagëtive të kësaj familjeje, të joshur nga klima e butë dhe e favorshme e Myzeqesë, "zbarkuan" drejt fushave të saj të bollshme edhe për kullotat. Me mbërritjen e tyre në Fier, Papuçinjtë ngritën 24 shtëpitë e tyre të para prej druri dhe kallami, të lyer me baltë dhe banorët e tyre të rinj filluan të mos largohen me. Sipas dëshmive te me te vjetërve te Papuçinjve, mësohet se kur ata mbërritën per here te pare ne Fier, atëherë fshat, ata përbënin 8 familje te mëdha patriarkale, çka dëshmonte per ekzistencën e një fisi te madh. Sot numërohen rreth 40 familje Papuçinjsh. Papuçinjtë jane ndër të parët të vendosur në Fier, e me pas sipas dëshmive të pleqve të kohës, Loni Xoxa dhe Grigor Dhima, kanë ardhur familje të tjera si Demajt, Xoxajt, Plakajt, Pogaçajt, Tiçojt, Dhimajt, Lakot, Verriajt etj. Dalëngadalë Fieri po rritej dhe pas ndërtimit të urës se Gjanicës dhe kishës së Shën Gjergjit, më 1864-n, Fieri u shndërrua në qytet, themeluar nga Kahreman pashë Vrioni, i cili me ndihmën e urbanistëve dhe arkitektëve francezë hodhën themelet e qytetit modern të Fierit. Fizionominë e këtij plani, qyteti i Fierit e ruan edhe sot ku ndërthuren dy sisteme; ai kuadratik dhe rrezor. Në fund të shekullit të XIX Fieri kishte 4 lagje: Shkozë, Belik, Kishë dhe Pasha. Në librin e saj Brenga e Ballkanit udhëtarja angleze Edit Durham kur shkruan për Fierin e vitit 1904, tregon se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë çuditërisht moderne.

Gjatë fillimit të shekullit të XX-të deri në vitet e Luftës së Dytë Botërore në Fier ndodhën mjaft ndryshime demografike. Aty u vendosën banorë te ardhur nga Labëria, Çamëria dhe Kosova , si dhe grupe të ndryshme popullatash të ardhur nga Toskëria, si nga Mallakastra, Berati, Gjirokastra etj. Ndërsa pas Luftës në qytetin e Fierit u vendos një numër i madh çamësh të dëbuar nga Greqia.

Shtimi i familjeve të Papuçinjve

Papuçinjtë u vendosen në lagjen “Pasha”, lagje e cila mori emrin pas themelimit të Fierit si qytet. Ajo lagje shtrihej deri në Qenas. Kjo lagje sot quhet “29 Nëntori”, por një pjesë e saj është edhe “15 Tetori”. Edhe sot e kësaj dite, Papuçinjtë ndodhen në lagjen “29 Nëntori” ose lagjen “Pasha” të dikurshme. Burrat e vjetër të fisit Papuçiu, në vendin e tyre, në Voskopojë, merreshin me zejtari dhe kryesisht këpucari. Prej këtij zanati u ka mbetur mbiemri Papuçiu, nga fjala “papuçe”. Kur u vendosën në Fier, burrat bënin punën edhe të marangozit, dhe të kasapit. Tre burrat e vjetër, tre vëllezërit Papuçiu: Liu, Petraqi dhe Ligori, tashmë jane shtuar dhe shumuar. Po kështu edhe motrat e tyre. Djemtë dhe vajzat e tyre tashmë janë bërë prindër, duke e shtuar fisin e madh të Papuçinjve. Veç tre vëllezërve, janë edhe kushërinj të parë të kësaj familjeje të madhe, të cilët edhe ata nga ana e vet jane shtuar e shumuar. Liu Papuçiu kishte 5 djem dhe 2 vajza. Dy djemtë dëshmorë, Leonidha dhe Miço, u vranë gjate luftës; Andoni jetoi derisa vdiq. Një djalë tjetër, Nasi, iu sëmur dhe vdiq. Vajza, Marija, jetoi derisa vdiq, dhe Niqi doli partizane së bashku me vëllezërit.

Trungu i Liu Papuçiut

Një emër pagëzon stadiumin, dy dëshmorë per çlirimin e Atdheut. Plaku i vjetër, Liu Papuçiu, babai i dy dëshmorëve te Luftës Nacionalçlirimtare, Miço dhe Leonidha Papuçiu, ka qënë një ndër kasapët më të vjetër të qytetit të Fierit. Megjithëse familje e thjeshte, djemtë e tij përqafuan dhe u bënë pjesë e formacioneve ushtarake antifashiste, dy prej të cilëve vdiqën në luftë.

Papuçinjtë e paharruar

Lufta Nacionalçlirimtare rrëmbeu për çlirimin e atdheut edhe zemrat e rinisë në Fier. Ndër këta dëshmorë të rënë gjatë luftës, përmenden edhe dy djemtë e Liu Papuçiut, Miço dhe Leonidha (Loni) Papuçiu, i cili ka qënë edhe sportist. Emrin e tij e mban tashmë stadiumi i futbollit në Fier. Traditën e sportit tashmë e kanë përcjellë dy nipërit e dëshmorit: Miço Papuciu (ish-futbollist i ekipit “Apolonia” në Fier) dhe Leonidha Papuçiu, ish-shefi i seksionit të arsimit. Emrat e dëshmorëve tashmë janë gdhendur përjetësisht në emrat e nipërve të tyre. Ndërkohë, ne qytetin e Fierit ekziston ne një nga rrugicat e qeta te lagjes “29 Nëntori” ende shtëpia e Liu Papuçiut dhe djemve te tij dëshmorë. Ajo mban ne murin e jashtëm edhe pllakatin e mermerte qe e tregon këtë shtëpi, baze te Luftës Nacionalçlirimtare. Shtëpitë e Papuçinjve duken që jashtë me oborret plot trëndafila dhe blerim, një tradite e vjetër prej amvise. Ato jane njëkatëshe, por te larta, me binca dhe shume te bukura.

Gjate luftës

Edhe djali i trete i Liu Papuçiut, Andon Papuçiu, vëllai i dy dëshmorëve, ka qene ne kohen e Luftës Nacionalçlirimtare se bashku me vëllain, Leonidhën ne burgun e Prishtinës. Para pushtimit, ai ishte “shtylla vertebrale” e ekipit te futbollit “Apolonia” se bashku me vëllain e tij. Por me pushtimin fashist ai u be nder anëtarët më aktive te organizatës se Rinise Komuniste te Fierit. Veprimtari e tij ra ne sy te armiqve dhe më 19 prill 1944, ai dhe vëllai i tij Leonidha u kapen rob nga gjermanet dhe u internuan ne kampin e Prishtinës. Përditë ne këtë kamp bëheshin pushkatime. Me zgjuarsinë dhe shkathtësinë e tyre, dy vëllezërit, dhe me disa shoke te tjerë munden te arratisen nga kampi i përqendrimit. Gjate largimit nga kampi, ne zjarrin armik, u vranë disa shoke, nder ta edhe vëllai i Andonit, Leonidha. Andoni gjysme i gjalle dhe gjysme i vdekur arriti forcat e Brigadës se XVIII sulmuese, komisar i se cilës ishte bashkeqytetari i tij Miço Kallamata. Aty merr vesh se ishte vrare dhe vëllai tjetër, Miçoja, duke u bere kështu me dy vëllezër dëshmorë nga e njëjta familje.

Pas çlirimit

Çlirimi i Shqipërisë e gjen Andonin oficer te Ushtrisë Popullore. Më 1946-n e kërkojnë dhe ai behet pjese e ekipit përfaqësues te ushtrisë ne takimin ndërkombëtar me “Spartakun” e Moskës, por ai nuk pranoi, duke i hapur kështu udhe te rinjve qe ishin e ardhmja e futbollit. Djemtë e Andonit jane Leonidha Papuçiu, ish-shefi i seksionit te arsimit, tashme profesor ne Fier, dhe Miço Papuçiu, ish-futbollist i "Apolonisë", tashmë mësues i edukimit fizik ne shkollën 9-vjeçare “Andon Xoxa“ ne Fier. Andon Papuçiu jetoi një jete plot dinjitet dhe krenari, duke u bere shembull per breza te tere futbollistesh. Ai vdiq ne vitin 1999, ne qytetin e tij te lindjes ne Fier, ne moshën 86-vjeçare.

Trungu i Petro Papuçiut

Plaku tjetër i Papuçinjve, Petro Papuçiu, ka qënë këpucar por edhe kasap. Ai ka pasur 5 vajza dhe një djalë, Tunin. Tuni ka lindur më 23 mars 1922 në Fier. Jeta e tij pak e veçantë nga djemtë e fisit Papuçiu. Ai nuk u mor as me drurin, as me këpucët, por me profesionin e bukur të gazetarit. Së bashku me shkrimtarin Jakov Xoxa nxorri që nga 1943 gazetën « Përpjekja e Rinisë » në Sevaster të Vlorës. Në 1945 e më tej ishte kryeredaktor i « Sportit » dhe së bashku me të paharruarin Andon Mazreku, dhanë një ndihmesë të çmuar për fitoren e Shqipërisë në Ballkaniandën e 1946. Për vite të tëra ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit” e më pas derisa vdiq, në revistën për fëmijë “Fatosi”. Ai ka pasur temperament të gjallë. Pas çlirimit i përkushtuar i shërbeu atdheut në publicistikë. Alfred Uçi e ka cilësuar Tunin si “njeri te pazëvendësueshëm”. Te revista “Fatosi” ai shpalosi sërish talentin e vet. Piktori i merituar Agim Faja e ka cilësuar Tunin si njeri me zemër të madhe dhe shpirt fisnik. Tuni Papuçiu ishte edhe shpirti i festivaleve kombëtare të këngës për fëmijë në Shkodër, ku laureohej çdo vit me çmime nderi. Ai i përket elitës së publicistëve. Librat e tij « Një sirtar i veçantë », « Midis shelgjesh buzë lumit », si dhe qindra e qindra poezitë dhe pjesët teatrale të përgatitura prej tij, edhe sot gjenden në botimet shkollore dhe kujtohen nga lexuesit e shumtë. Tuni Papuçiu vdiq ne Shkodër më 3 qershor, në vitin 1975.

Trungu i Ligor Papuçiut

... Dhe trashëgimtarët e tjerë te Papuçinjve. Vëllai me i vogël i 3 vëllezërve, Ligori, kishte djalë Vangjelin, i cili ka lindur Petraqin dhe Mozen, tashmë emigrant ne Greqi. Por këta ishin vetëm një “pjesëz” e vogël e Papuçinjve. Pjesa tjetër u përket kushërinjve. Këta jane kushërinjtë e tyre te pare, edhe këta njerëz me reputacion dhe te respektuar ne Fier. Sili Papuçiu, kushërinj me 3 pleqtë: Liun, Petraqin dhe Ligorin, ka pasur djalë Hali Papuçiun, fotografin më të njohur të qytetit të Fierit. Ka pasur 2 vajza mësuese: Kijen dhe Donikën. Vëllai i Silit ka pasur 4 djem: Sifi Papuçiun, berberin e parë; Luçin, Pipin dhe Jorgjin. Edhe këta fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, te cilët jetojnë në lagjen “29 Nëntori”. Një prej pinjollëve të këtij trungu eshte edhe i respektuari Kostandin Papuçiu, shef i burimeve njerëzore në Drejtorinë e Arsimit, në Fier.

Papuçinjtë e kanë zgjeruar rrethin e miqve të tyre, pasi ndër të tjera kanë krijuar krushqi me fisin Kuko, Ikonomi, Lule, Shtëmbari, Kokoneshi e shumë të tjerë.

Fieri dhe Tafil Boletini

Tafili ishte lindur në Boletin, pranë Mitrovicës dhe ishte një nga filizat e rinj të familjes së njohur të Boletinëve, djali i parë i Ahmetit, vëllait të madh të Isa Boletinit. I jati e kishte lënë jetim Tafilin fare të vogël, rreth 3 vjeç, kështu që së bashku me dy vëllezërit dhe tre motrat, u rrit nën kujdesin e axhë Isë, të cilit ai do t’i qëndronte gjithnjë pranë në oda, kuvende e beteja, duke përqafuar edhe ai virtytet fisnike të atdhetarit të shquar dhe të bashkëluftëtarëve të tij. I jati i Aliut, Tafili, sikurse dhe Isa Boletini kishin marrë rrugën e Vlorës më nëntor 1912, si dhe kosovarë të tjerë, për të parë me sytë e tyre ngritjen e flamurit kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë së ëndërruar. Ai u vu pa rezerva në shërbim të qeverisë së parë kombëtare. Gjatë viteve 1920-1924 Tafili shërbeu si nënprefekt në Fier dhe në Lushnjë, i caktuar me një detyrë të tillë menjëherë pas Kongresit të Lushnjës. Shumë shpejt u bë një njeri tepër i respektuar nga populli. Në librin e tij me kujtime « Pranë Isa Boletinit & Përballë sfidave të kohës », Tafil Boletini përmend ndër të tjera : « I dhashë leje Vangjel Lules me hap dyqan e furrë pranë shpisë dhe Peçi Papuçiut me hapë dyqan këpucarie në Bishanak…Atëhere Sami Begu më tha : « Në je burrë, ma thuej sinqerisht e haptazi, pse e me çfarë qëllimi po na damton kaq shumë ? » « Qe, besa, vetëm pse e quej për detyrë njerëzore që edhe populli i Fierit të kenë banimet e veta e të mos t’u paguej gjithmonë qira juve që e kani komplet një qytet e shumë çifliqe me mijëra hektarë tokë. Kurrgja tjetër ». U çudit, vazhdon Tafili, « Domethënë, e keni vetëm për të drejtë të perëndisë ? ». Atëhere unë : « More, Sami Beg, çfarë interesi mund të kem prej Peçi Papuçiut që s’ka për veti, apo prej Vangjel Lules, që furrë e dyqan i ka ba me ndihmën e Taq Bozos (i jati i Helena Kadaresë-shënimi im) et të Nazmi Skëndulit e të Elmaz efendi Poces ? Të isha i interesit edhe ju do të më kishit kuptue deri tash ».

Cdo gjë e gjallë, lind, jeton dhe vdes. Por kujtimi i njerëzve të tillë si Ali Boletini do mbetet për jetë të jetëve në kujtesë të njerëzve. Një ditë të afërt do t’i rikthehemi jetës së tij, për t’u dhënë brezave të ardhshëm një mesazh human të këtij njeriu të thjeshtë, midis Njerëzve, që pa kërkuar lavde e brohoritje, i bëri vend vetes në altarin e vlerave të arta të Kombit.

*Në hartimin e këtij shkrimi janë marrë parasysh edhe kujtimet që ndodhen në muzeun historik të Fierit, me drejtor Nuri Plakun, si dhe shkrimet në gazetën “Metropol”, “Panorama” , “Bota Sot” etj.

55 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page