Gjashtë poezi nga poeti Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”.
1-Bashkëmoshatarëve emigrantë
Hypët në guxim të brezit
Ëndra plot e xhepa zbrazur
Veshët cipën e mëngjezit
Taksi-mjegulla kish ardhur
Nga lëndina e fëmijërisë
Ylberin morët nxituar
Se në shtigjet e stuhisë
U duhej për të kaluar
Jeta vetull shën Ndreu
Si ortek ju rrokullisi
Sa herë qenia ju gënjeu
Nga fillimi prap ju nisi
Bukë plot, po kurrë s’ju ngopi
Hëna u ësht’ dukur njerkë
Rrumbullak vërtet është globi
Emigranti del pa pjesë
2-Dhe në yje varën djepe
(Prishja e katundit[1])
Ç’ësht’ kjo psherëtimë jetime
E ftohtë si thikë shpine
O bij-o o o.?
Vjen gjëma me kryeqyqe
Grykës lumit hingëllinte
Moj mëm-o o o!
Stamboll u bëfsh gurë-gurë
Nise fermanin në udhë
Pilurin te verë në gjumë
Katundin me rrënjë ta ç’kulë
U nis gjaku shoi zjarrin
Flaka e dogji të gjallin
Shpirti trupit s’ja gjen varrin
Dhe mitrës foshnjën ja marrin
Osmanllinjtë qiellin rrjepin
Hëngrën fushën, vollën detin
Nëpër gjak e mbytën demin
Që të vrasin amanetin
Hiri katundin mbuloi
Ikja malet i kaptoi
Dhe një grusht shpirt’ që shpëtoi
Brenda amanetit roi!
Plagët mbuluan me sherqe
Nëpër yje varën djepe
Në vetëtima, për vete
Atje hodhëm rrënjë jete
3-Mos e digj shpirtin poet!
Mos e digj shpirtin poet
Zjarri i jetës ka marrë ujë
Uji nuk zbret më në det
Me vetveten bën rrëmujë
Mos e digj shpirtin poet
Nëpër djep tundet vetmia
Nusja vellon nis e shqep
Dhëndri s’vjen në dasmën e tia
Mos e digj shpirtin poet
Sytë e qorrit ka marrë rëra
Guri durimit i flet
Heshtjen mike unë e bëra
Mos e digj shpirtin poet\
Fol dhe ti sa flet ikona
Koha dhembjen me lot qep
E qëndis me hallet tona.
Mos e digj shpirtin poet
Të rënët po pinë lavdinë
Amanetin kanë për drek
Dhe plagët mbi tavolinë
Mos e digj shpirtin poet
Vdekja merr liçencë të tallet
-Sa sëmurë që është kjo jetë
S’besoj ta shërojnë spitalet
Mos e digj shpirtin poet
-Le të digjet, është zë fikur
Kur dhe pena nuk i shkrep
Në të gjallë quhet i ikur
Shpirti vet po shkon në meshë
Se ringjallja paska zbritur.
4-Ti vjedh dritën flakës
Nën ato kanata
Sokaku më këreru
Nuk guxonte nata
Të binte përdheu
Kishte dalë si ëndër
Flokë kapullenja
Ecte hëna shtrembër
Me inat përbrenda
Qerpiket me maja
Si shigjeta ç’ponin
Nga shikimi i saja
Merrte dritë qorri
Më ftohej guximi
Dhe frymën ma zinte
Nga shtiza shikimi
Pushtimi më vinte
Si krah kalqyqe
Vetulla lëvizte
I qëronte yjet
Nata të mos binte
I thoshja: bjerrë, natës
Të vijë mugëtira
T’i vjedh dritën flakës
Nga faqet pasqyra
5-Varma shpirtin në tërkuzë
Një dashuri e marrosur
Malluar në shteg të fjetur
Erdh si vetëtimë e ftohur
Se rrënjët re si ka gjetur
Unë si ylberi mbi hone
I thashë: më s’më gjen mua
Ajo tha- Jam vepra jote
Dhe një puthje ma ke hua
Puthëm moj me ato buzë
Ler kamatën e vonuar
Varma shpirtin me tërkuzë
Në të nesërmen e shkuar.
6- Jemi pagzuar lumit Akeron
Ç’ke moj shpresë e prerë që vetëm mbjell lot
Më ri vështrim shuar, nxin si korbi zog
Si një natë dimri, shumë e gjatë, hata
Se për ne shërimi thua ilaç s’ka?
Ngjallu! Zbukurohu! Fshije ç’të mundon!
Kemi pirë uje lumit Akeron!
Herë na rrallon plumbi, ikja na këput
Kur na dremit gjumi, engjëlli vjen mbi sup
O ëndër vonuar çohuni mos flini!
Brenda gjakut tuaj thëret rebelimi.
Deti i përpjekjes jetën e shpëton
Të gjithë notojmë lumit Akeron!
Malet hingëllijnë, logatje në dete
Dhëmbjen maje thike kemi lidhë në djepe
Shkulim vetëtimat nga leshrat e reve
Qiellit të vrenjtur i rrëzojmë themelet.
Në ujin e vdekjes fati ynë jeton
Jemi pagëzuar lumit Akeron!
[1] Pas vitit 1650, kur nisi myslimanizimi i Labërisë, pushtuesi turk i bëri ftesë edhe Pilurit të ndëronte fenë. Pilurjotët, duke respektuar vendimin e Kryepleqësisë së Himarës e refuzuan brutalisht ftesën. Turqit gjetën shkak një vrasje që kreu një pilurjot mbi dy të rinj nga Kuçi dhe, gjasme për të marë hakun se Kuçi kishte nisur me disa familje ndërimin e fesë, sulmojnë me forcat e garnizonit të Delvinës Pilurin në një natë me shi e frutunë, mposhtën rezistencën sporadike dhe të paorganizuar të fshatarëve dhe kryen një masakër të paparë, ku u vranë dhe u masakruan mbi 60 e popullsisë. Ata që shpëtuan u larguan drejt “Maleve të vetmuara” (ishull grek përballë Korfuzit) duke përdorur si varka magjet (e larjes së robave. Vanë me magje në Pujë..thotë një këngë e jona) apo mjete të tjera dhe pjesa tjetër u largua drejt Qeparoit apo fshatrave të tjera. Përfundimisht në Pilur u rikthyen më pak se 30% e banorëve që kishte patur fshati, nuk e ndëroi fenë, duke e ruajtur amanetin për këto dy element.
Comments