top of page

Gjashtë Muaj


Gjashtë Muaj Fatmir Terziu

Diku, diku tutje, aq pak dhe aq shumë përtej syve të lagur shikon në mëngjesin e bardhë. Koha në këtë hapësirë është e zymtë. Mbetet si gjithnjë në kohë të saj, me qiellin e saj gri dhe lagështinë që kapet pashpjegueshëm pas xhamit të dritares. Ka diçka për ditën. Ka gjithnjë një gjë. Një gjë më shumë kur e di se do të jetë e prekshme, e ndjeshme. Ajo mund ta ndiejë atë në lutjen e saj. Ajo i shtyn gishtat nëpër flokët e saj ngjyrë bardhëborë dhe i ndan lutjet e lëna mbi perdet që marrin dihamë nga dihama ime. Kaq pak. Ndoshta edhe pak më shumë për një pamje më të qartë të lagështisë që shtohet si një ullëzbritje ujore e pakontrolluar rrugës. Kanë kaluar Gjashtë Muaj. Gjashtë! Dhe duket se gjysëmviti i tillë ende lahet vetvetiu dhe bulëzat e kripura ende prekin jakën e fustanit të saj gri, fustanin që Nëna e mbante kujtimin e saj më të shtrenjtë. E kishte fiksuar këtë në memorjen e saj, disa vjet më parë. E ndjej. Dhe duket se dëgjoj ende babain tim të shtrenjtë të kollitet dhe të tingëllojë gjithnjë e më shumë si një e çarë deti çdo herë. Nëna është në …, është kudo, dhe ku nuk është Nëna. Edhe pse mungon në prekjen time, Ajo është gjithnjë e prekshme, e ndjeshme, e urtë dhe ndjesore. „E bëre bir atë të tretën?“ „Mos të dhemb krahu, mos të dhemb…“ Dhe natyrshëm ulësja e tutjetejshme shkëputet në sytë e mi si një meteor. Më djeg thuajse të gjithin. Më djeg…, por e ujta nuk struket, nuk shuhet, nuk thahet, nuk mbaron në atë proces që quhet avullim. Nuk shkundet nga sytë e mi. Dhe e ndjej se më shikon. E ndjej se kërkon të rrëfej… Nëse ajo do ta dinte se çfarë kam parë, do të ishte ndryshe. Të kthehesh është e vështirë. Të dish të kujtosh është si të ecësh pas ndonjë ekrani, që ka xhirruar shekuj ardhjen dhe ikjen e Njeriut. Duhet kohë. Rruga është e dhimbshme. Mund ta nuhasësh praninë këtu me sytë e mbyllur. Dhe duket sikur psherëtin për të padukshmen, që vonon të shfaqet në kohën e duhur këtu. Kaq ishte… „Jam nëna jote“, ndërsa m'i fshiu lotët nga sytë e mi, u ngrit dhe kërkoi të vallëzojmë .... Shumë kohë më para. Shumë kohë më parë, në një dasëm familjare…



26 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page