top of page

“Gafa” me zarar e jetës sime


Kopi Kyçyku

“Gafa” me zarar e jetës sime

(Kujtime)


Ajo stinë, me sa shihej, e pat ndarë mendjen të godiste furishëm me dy armë njëheresh: me dëborë e me stuhi. Megjithëse xhamet e veturës “Varshava” ishin të puthitura mirë, të ftohtët hynte brenda dhe shtrohej si në shtëpi të vet. Po kthehesha nga një seminar i zhvilluar në Peshkopi për t’u njohur me përvojën e Rrethit të Dibrës në ndërtimin e banesave me kontribut vullnetar. Fatmir Spahiu, shoferi, dukej sikur bënte ushtrime të rrezikshme akrobatike tek fërkonte tërë kohën duart me njëra-tjetrën, në vend që t’i mbante në timon.

Unë, në të djathtë të tij, kisha ngritur jakën e palltos dhe po vërshëlleja ngadalë një melodi të përvajshme rumune.

- Prapë ajo vllahinka. Nuk të ndahet! - më ngacmoi Fatmiri me shpoti, mua, Kapon, duke ma hedhur fjalën tek vitet e studimeve jashtë shtetit. Kapo më thërriste ky shok i fëmijërisë, çka nënkuptonte edhe funksionin shtetëror që mbaja.

- Edhe ajo... - mërmërita.

- Si “edhe ajo”?! - u habit Fatmiri. - Paske pasur më shumë se një?

- Jo, bre, jo. Por...

Ndërkaq para nesh qe përshfaqur një mbishkrim që tregonte kahun drejt Burrelit.

- Kalo këtej! - i fola.

- Ç’duam nga kjo anë? - ma ktheu gati me inat Fatmiri.

- Ta shpjegoj më vonë. Vazhdo nga të thashë! - këmbëngula.

Desh s’desh, Fatmiri nuk ma bëri dysh fjalën. U ndala tri herë për të blerë ushqime dhe kaushë duhani. Shitësja e fundit m’i vendosi të gjitha në një qese të madhe. Fatmirit nuk i shpëtoi as këtë herë “huqi” im i zakonshëm: lënia e bakshisheve të majme, që, ndonjëherë, e tejkalonin vetë vlerën e mallrave përkatës. Gjithaq e çuditi fakti që nuk më kishte parë asnjëherë të blija ushqime për shtëpinë time. E vërteta ishte se, me t’u bërë deputet e fill paskëtaj zëvendëskryetar komiteti, kur zija radhë, si gjithë të tjerët, në ushqimore apo gjetiu, nuk ishin të pakët ata që më thoshin: “Merrni i pari, shoku Kopi, se ju presin punë me rëndësi”. Natyrisht nuk pranoja dhe vazhdoja të qëndroja në radhë. Por, meqë këmbëngulja e “dashamirësve” ishte e paepur, një ditë i thashë sime shoqeje: “Në do që të hamë, shko në radhë, se unë nuk e përballokam dot!”

- Ç’u mbushe kështu, Kapo? – ma pat Fatmiri.

- E do puna. Do ta marrësh vesh pas pak.

Sakaq ndala në rrugë një të moshuar dhe e pyeta për diçka. Me të zënë vend në sedilje, i thashë Fatmirit ta kthente makinën paksa prapa e më pas djathtas.

- Ku po na çon, Kapo?

- Në burgun e Burrelit.

- Si?!

- Ashtu siç e dëgjove.

- Ke luajtur nga fiqiri?!

Ia tregova arsyen. Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe nuk u përmbajt më:

- Thirri mendjes, se do të marrësh veten më qafë!

Unë lëvizja vetëm buzët që vazhdonin të vërshëllenin melodinë e përvajshme vllahe. Befas ia mora edhe me zë: Bjeri veglës, sazexhi, / Ditë e madhe ësht’, s’e di? / Do pi që të ndjehem mirë, / Tok me ty, gjer në të gdhirë...

Muzika sikur na çoi më lehtë te post-blloku. Rretheqark: tela me gjemba. Përpara na doli një thatanik mustaqezi, me automatik kraheqafë. Pasi më hetoi me një vështrim të rreptë “gjithëpërfshirës”, nga këmbët deri te flokët, më pyeti se çfarë kërkoja. I tregova dokumentin që vërtetonte funksionin që kisha në rrethin përkatës. Pasoi një dialog, që ngjasonte me një dyluftim, të cilin Fatmiri po e ndiqte nga larg. Meqë ndodhej brenda në veturë, nuk arriti të kuptonte dot as edhe një fjalë. Por lëvizjet e shpeshta të duarve të thatanikut i lanë të kuptonte se kish diçka që nuk ecte.

Më në fund u hap dera dhe unë, me qesen e madhe në dorën e djathtë, u çapita më tej.

Pas gjysëm ore, Fatmirit, sa të paduruar, aq edhe të shqetësuar, do t’i rrëfeja gjithçka, fill e për pe.

Kur ishim të mitur, shpesh në shkollë na vinin veteranë, që na flisnin për betejat kundër fashistëve. Edhe Fatmirit iu kujtua ai burri i shëndetshëm, gjithnjë diellor, për të cilin thuhej se pat qenë trim mbi trimat. Mua më pat lënë mbresë të pashlyeshme fakti që, edhe për aksionet që i kish kryer vetë, Bestari, nga Gora, - kështu quhej veterani, - ngulmonte se kish pasur mbështetjen e shokëve.

- Nuk e kam bërë vetëm unë, por ne, të gjithë!

Shumësi “ne”, në gojën e këtij luftëtari, kishte një tingëllim e një hijeshi krejt të pazakontë.

- Por ti ndodheshe fillikat atje! Kjo dihet nga të gjithë! - i qe drejtuar Bestarit, në një moment, një veteran tjetër.

- Ashtu është. Por shokët nuk ishin larg dhe qenë gati të më vinin në ndihmë, po të ndihej nevoja, - ia kish kthyer Bestari.

Mua, por edhe Fatmirit, na kujtohej se si Bestari gjithmonë zinte vend në tribunë në raste përvjetoresh betejash. Edhe aty bënte çmos të mos rrinte në rreshtin e parë, aq të lakmuar nga plot të tjerë, madje edhe nga “trimat pas lufte e të mençmit pas kuvendit”. Unë, por edhe Fatmiri, kishim dëgjuar, gjithashtu, se fill pas Çlirimit, Bestarit i kishin propozuar të merrte një post të lartë në organet shtetërore. Duke i falenderuar, ai u kish thënë se detyra e tij pat mbaruar njëheresh me luftën me armë. Luftën e re, që po fillonte, duhej ta bënin më të rinjtë.

Me kalimin e kohës, nuk dihet pse, i hyri pijes. Pinte dhe qante. Nuk fliste. Nuk bënte sherr me askënd. Në dasma e vdekje e kalonte masën. Dhe, bashkë me të, edhe sasinë e lotëve. Por sherre jo e jo!

Në 1968-ën rastisi që, fill pas ngjarjeve në Çekosllovaki, në fisin e Bestarit u bë një fejesë. Atje, siç e ka zakon shqiptari, politika nuk mungoi. Bisedat, pra, nuk e anashkaluan. Ato lavdëruan aktin e daljes së Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe çlirimin nga çdo detyrim ndaj tij. Ky ishte çasti më i përshtatshëm për të ngritur një dolli për Enverin. Dhe një tjetër për Mao Ce Dunin. Të parën e ngriti edhe Bestari. Për të dytën tha: “Nuk e pi për Mace Mjau Dunin!” Dhe u ul. Shumica bënë sikur nuk dëgjuan gjë, me përjashtim të të nipit, Farudinit. Ky nuk u ndje fare aty, por fill paskëtaj shkoi në Degën e Punëve të Brendshme. Të nesërmen me natë, kur Bestarit nuk i kishin dalë ende as gjumi e as pija, trokiti dera vrrullshëm. Me të hyrë, ia hodhën prangat, bash në shtrat. E dënuan me pesëmbëdhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë. Farudini, ndërkaq, nga punëtor i thjeshtë, gjysëm-analfabet, u “gradua” kryetar lagjeje.

Bestarin e përplasën në një nga qelitë e errta të Burrelit. Kur vendosa t’i bëja vizitë në burg, Bestari kishte kaluar aty dy vjet e gjysmë. Nëndrejtori i burgut, të cilit i kërkoi të më lejonte të takohesha me Bestarin, nga pamja e jashtme të sillte ndërmend agjentët e Gestapos. Bëri çmos që të hiqja dorë nga dëshira e saposhfaqur. “E kam për të mirën tënde. Je duke i rënë me shkelm bukës së Partisë”, ma përsëriti disa herë rresht. Por, kur u bind se e kishte kot, ma plotësoi kërkesën. “Ke vetëm dhjetë minuta kohë, asnjë sekondë më shumë!” shfreu dhe u largua me nxitim.

Nën mbikëqyrjen e një polici të armatosur, pasi e përqafova Bestarin dhe i thashë se cili isha, shtova: “Nuk mund të harrojmë meritat tuaja dhe rrëfimet aq tërheqëse për betejat. Me një thjeshtësi si thjeshtësia vetë. Tani keni gabuar dhe partia ju ka dënuar. Por duhet durim e besim. Rëndësi ka që ta kuptoni se keni shkelur në dërrasë të kalbur”. Bestari vazhdonte të rrinte kokëulur. Tek po ndaheshim, mbetëm për disa çaste të mbërthyer në krahët e shoshoqit.

- Bekuar qofsh, o bir! - mundi të shqiptonte me zë të dridhur Bestari, pa i mbajtur dot lotët.

Vështrimet plot mllef, që nuk m’u ndanë deri në daljen nga post-blloku, më bindën se, njëlloj si Bestari, edhe unë “kisha shkelur në dërrasë të kalbur”. Fatmiri nuk m’i kurseu qortimet deri sa mbërritëm në qytetin juglindor, buzë liqenit.

Martha, ime shoqe, më dalloi menjëherë që nuk isha në formë. Në fytyrën time ajo lexoi pa kurrfarë vështirësie një pezm të thellë, që u përpoqa ta lidhja me lodhjen nga udha e gjatë. Pas këmbënguljes së saj, ia tregova të gjitha. Pasoi një: “Habitem me ty. Ç’të duhet t’i hapësh vetes telashe të tilla?” Atë natë e gdhimë. Të nesërmen, të pasnesëermen, të..., Martha u përpoq të më qetësonte sadopak, por u bind se fjalët e saj nuk kishin asnjë ndikim. Tani nuk po më shqitej frika se mund të m’i hidhnin prangat. Këtë pandehmë ma përforconte ftohtësia me të cilën më qarkonin Sekretari i Parë i Partisë dhe kryetari i Degës së Brendshme të Rrethit. Për më tepër, nuk më ftuan të merrja pjesë në një festë lokale.

Në krye të javës më thirrën në një mbledhje në kryeministri, ku do të jepeshin udhëzime të hollësishme për aksionin e ndërtimit të banesave me “kontribut vullnetar”. Kjo ma lehtësoi njëfarësoj gjendjen shpirtërore, çka më dha mundësi mua, por edhe Marthës, të merrnim, më në fund, një sy gjumë.

Në pushimin e parë midis seancave, tek po pija një kafe në bufenë e kryeministrisë, m’u avit një grua e moshuar, Hedo Xhango, e cila, me ton miqësor, më njoftoi se, me të mbaruar mbledhjen, - nuk kish rëndësi kur!, - të paraqitesha në zyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kuadrit të KQ të PPSH. Kafeja e papërfunduar m’u duk helm.

Për çudi, drejtori i Kuadrit, i cili njihej gjithaq i egër sa edhe mbiemri që mbante (Bisha), më priti gati-gati buzagaz, më pyeti për shëndetin tim e të familjes dhe më zgjati një cigare. Fill paskëtaj shtoi: “Po si e bëre atë gabim, mor djalosh? Partia mezi të ka. Kulmi është se atë armik nuk e ke as farë e as fis...”

- Pikërisht, kjo është arsyeja që i shkova, shoku Mihal. Gjithashtu, nuk pata frikë se mund të më ndikonte me mendime të papranueshme. Unë i fola me gjuhën e partisë që ta kuptonte gabimin...

- E dimë, e dimë, por herë tjetër hap sytë, se janë veprime me rrezik të madh e me pasoja të rënda!

Dola i lehtësuar, sidomos kur drejtori i mësipërm më ngjatjetoi duke m’i rrahur shpatullat miqësisht.

Ky gjest për mua mbeti i pashpjegueshëm, përderisa e nuhata se karriera ime mund të ndalej përfundimisht aty. Pas disa muajsh ndodhi diçka e papritur, befasuese: Bestarin e liruan nga burgu pa mbushur ende tre vjet, kur duhej të qëndronte edhe dymbëdhjetë vjet të tjerë!

Qysh të nesërmen, Bestari i lirë hyri në lokalin më të frekuentuar të qytetit të Korçës, - të birin, oficer, e kishin zhveshur dhe e kishin çuar punëtor në minierën e Mborje Drenovës, - në prani të pak miqve të vërtetë, që nuk ia kishin kthyer krahët, ngriti një dolli për mua. “Të rrojë e të përparojë familjarisht!” Këtë urim e ktheu në një ritual të përditshëm derisa ndrroi jetë. Kur ndokush kërkonte të mësonte “pse”-në, Bestari ia kthente: “Arsyen e dimë vetëm unë, Kopi dhe Perëndia”.

79 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page