top of page

Gëzuar ditëlindjen poetja elbasanase Klejda Plangarica!


Dhe ja tek pikëtakohemi pas shumë vitesh në larminë e TV „Dardan“ me urimin për Ditëlindjen tek „Fjala e Lirë“. Gëzuar ditëlindjen poetja elbasanase Klejda Plangarica.

Shporta jonë perfekte me një dhuratë të sigurt dhe për të mbajtur memorjen gjallë në vargun tënd brilant, me një gjuhë të bukur e tipike elbasanase. Grumbuj kujtimesh. Në një lartësi perfekte, për të pushtuar dhe mbajtur të gjitha llojet skutave të jetës, dashurisë, e fëmijërisë, lumturisë, plotë zemërim, shaka, argëtim, dashuri dhe shume te tjera, të cilat zhvillohen brenda vargut të lirë, duke ju uruar shumë kthime të lumtura të ditës më të gëzuar: Gëzuar ditëlindjen !!


𝐈 𝐆𝐉𝐈𝐓𝐇𝐊𝐎𝐇𝐒𝐇𝐌𝐈 𝐈𝐌

(Të pata thënë)

Të pata thënë mos ndizesh në mua

Ti pate qeshur…

Ndonjëherë zemra rrëkëllehet

edhe kur s'e shtyn kush,

Petëzohet edhe pa ndezur zjarre.

Të vura kusht mos fundosesh në mua

“Thjesht një shëtitje”... gjer në shtator,

Ti u betove...

Por gushti krejt m’u zbardh nga dëbora

Që ia hodhe kaçurrelave si shtrojë.

Ndonjëherë, rrallëherë

Fati rrymon edhe pa lutjen tënde

Dhe ti digjesh kur hyn në lojë me borën

Se vjeshta s'vjen kur rrëkëllehet zemra!

Të pata thënë… U dogjëm!

(E pakohë)


Pa bëzajt


Ai është buzëqeshje

Shpon tejpërtej mjegullat rreth meje

Pa bëzajt

Hiç, asnjë shkrepje!

Ai është vështrim

E rrokullis si zhongler rruzullin tim

Pa bëzajt

Hiç, asnjë pëshpërimë!

Ai është kripë

M’i shpërthen një e nga një receptorët

Pa bëzajt

Hiç, asnjë pikë!

Ai është frymë

Më përvidhet si ikacak anë e kënd trupit

Pa bëzajt

Hiç, asnjë grimë

Ai është gjumë

Më nanuris, më trullos e shpie në shtegtim

Pa bëzajt

Hiç, asnjë çikë…

Ai nuk bëzan, por nuk është heshtje!

Është rrokullisje, trullosje, shpërthim…

Thellë meje!

Klejda Plangarica

Dhjetor, 2020


KUR AKOMA…


Cilës dashuri i përkas?

Asaj të prushtës, që dridhet e feks një çast,

Pastaj sprapset e zhytet nën brymën e hirtë

Që botë e zjarrtë lë pas?!

Asaj të amulltës, të psherëtimtës,

Që kurrë s’e njohu flladin e as shtjellën

Dhe fle e zgjohet në të njëjtin shtrat?

Asaj të rrjedhtës, që rrymon trupit tej e përtej,

Rrok e përpjek tallazshëm ndjesitë

E të përplas atje ku do dhe s’do të jesh,

Ku frymë jep dhe prapë gjallon?!

Cilës dashuri i përkas,

Kur akoma pres gjunjëzimin tënd?

Kur akoma pres gjunjëzimin tënd…


DËSHIRA DHIMBJE


Dëshpërimisht e lumtur sonte!

I huaj ky shtrat,

ku ngjizet dëshira-dhimbje,

e ku prushitet mbarim-fillimi i dashurisë.

I pari shtrat për ne.

Pafundësisht i fundit...

E vetmja fushë-betejë e paqes,

ku duhemi duke u vrarë,

ku vritemi për t’u dashur...

Dëshpërimisht, e lumtur sonte!

Fshehur në terr, më mungon

hëna e vështrimit tënd.

I pari shtrat për ne,

I përgjithmonshmi...

Ti po më çmend!

* * *

S'KUPTOJ


I pashmangshëm është kthimi im te ty…

Je kaq i largët sa s’e kuptoj si të arrij!

Çdo mëngjes

i gjurmoj mjegullat ku fshihen

Dhe s’e kuptoj si s’humb…

I përmbrëmshëm është kthimi im te ty…

Strukem errësirës sa s’e kuptoj ç’ngjyrë kam!

Çdo mbrëmje

i trembem hënës mos m’i çjerrë grilat

Dhe s’e kuptoj pse s’i mbyll sytë…

I trishtueshëm është kthimi im te ty.

Tretem thellësive sa s’e kuptoj si s’bëhem ujë!

Çdo herë,

liqeni më trillon se je vetëm

Por unë prapë të gjej dy…

* * *

PO QE SE...


Refuzoj të marr frymë pa dashuruar!

Verbërisë i jepem peng

Po qe se s’kam sy të puth…

I falem pa kushte heshtjes

Po qe se ndalen hapat e tij pas dere

Po qe se pritja mbetet pa emër

Kjo botë le të jetë e shurdhër…

Po qe se nata regëtin pa puthje

Po qe se prekja s’më drithëron në ëndërr,

as në shtrat,

I falem tokës, i falem territ.

Po qe se jam një trup pa përqafim

Refuzoj të jem gjallë…

( Po qe se…)

* * *

SHPRESË


Pareshtur hedh guralecë dhimbjesh

Mbi një det që nuk e shoh,

Por e di që është…

A thua do krisë ndonjëri

Një guaskë perle

Të fshehur për mua?

* * *

PAS PAK...


Pas pak do jem me ty

Dhe sërishmi

si pranga do ia vë mallit eshtrat.

Pas pak,

Malli do shfryjë njëqindfish përmes eshtërzimit

E shpirti do dridhet njëqindfish.

Pas pak,

Një sy i hënëzuar do skicohet në sy,

E vështrimi s’do gjejë dot vend

ku të mbështetet pa frikë.

Për pak,

malli do ta thërrmojë ngurosjen

dhe do të hidhet lehtësisht jashtë buzëve.

Për pak…

Por paskan qëlluar të rrepta eshtrat…

* * *

JE TI NË NJË SHTRAT BOSH


Ajo që më ngacmon tek ti:

Je ti

Pa koracën tënde.

Tunikën e fshehtë që të mbështjell

kur unë fundosem në limitin e ikjeve.

Je ti

Pa tufanin e çmendur të zërave,

Piskamën e tyre të frikshme

kur më përplaset kaçurrelave.

Je ti

Me hënën në krah në papafingon time,

Ku natës kyç gojët e zërave

dhe zhvesh paqësisht tunikën.

Ajo që më ngacmon tek ti:

-Je ti

Në një shtrat bosh..!

* * *

QË TI TË VISH


Unë nuk e di

Kur do të vish…

Si do të vish?

Si do të jesh,

Nëse do të vish?!

Di vetëm që

Më ka ngecur një copëz hënë

Në grykë

E më mbyt!

Një copëz re në sy,

Një copëz diell

Ndizet e fiket në gjoks,

Si sinjal.

Një copëz qiell, në duar,

Më rrëshqet si ujë.

Një copëz mjegull

Bën ecejake nëpër frymë.

Copëza të tjera rrugësh

Hapen në trup,

Që ti të vish…

67 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page