top of page

Gëzuar Ditëlindjen i nderuar Prof Dr Eshref Ymeri!


Prof Dr Eshref Ymeri

Gëzuar Ditëlindjen i nderuar Prof Dr Eshref Ymeri!

Dhe kjo nuk është thjesht një ditëlindje e tillë, por një shënim për të shkundur vëmendjen që i duhet një „Nderi të Kombit“!


Fatmir Terziu


Shënime të shtrenjta respekti ishin shkruar midis ngjyrave dhe goditjeve të penës në iriset e syve të qetësuar nga veprat, nga gjuha me të cilën shkruheshin vitet, kohërat të cilat zbrisnin e ngjiteshin njëherazi nga shkallët dhe dritëhijet e auditoreve. Disa të shkurtër, disa të gjatë, disa pothuajse nuk mbarojnë kurrë, dhe disa thjesht vetëm i thanë lamtumirë një rrëmuje që pasoi kohën me të cilën vetë rrëmuja e njeriut u ngashërrua për t’u ngatërruar në qasje të tjera rrëmujash. Disa ishin sikurse ndodh mes fjalëve, fjalë të ngrohtë dhe të punuar mirë vetëm me një dëshpërim të shpejtë për atë që e ka vrarë dhe vdekur fjalën. Të tjerët fjalë u diktuan se kishin mbetur në atë rrëmujë të kohërave që harruan Fjalën, të parën, e të bukurën, ndaj fjalët ishin të ftohta dhe mizore, të mbushura me ankesa dhe urrejtje nga vetja e keqpërdorur e kohërave me diktat. Disa të shkruara nga dora e palodhur, të tjerat të memorizuara nga libra dhe Fjalorë enciklopedikë, frazeologjikë, terminologjikë dhe vetë mendja, që sjell mes tyre autori i respektuar në disa gjuhë të Botës. Por tej respektit heshtjet, si heshtje modeste, të bukura të modës së egër të përballura me nocionet e vdekjes së pajetë, pas vdekjes së vetë Fjalës, që e ngjallën fletët e shumta të mbira nga Fjalori Frazeologjik Anglisht -Shqip, i vetmi dhe i papërsëritshmi i këtij lloji.

Vetë heshtja, si heshtje, dukej se shumë shpesh mendonte se a është me të vërtetë ringjallje kur dikush tashmë ka dalë në dritë nga brenda errësirës?

Edhe me ëndrrat e ndezura të ringjalljes së Fjalëve që notonin në të zezën e thellë të skalitësit të tyre, buzëqeshja e saj kishte ende një hijeshi të pafajshme. Një ekuilibër perfekt i asaj që quhej profesionale. Kishte një durim të etur në dridhjet dhe lëkundjet që prisnin premtimin e prekjes së saj me penë, tastierë e formë dixhitale të kohës së Shekullit të Njezetë e Një. Nuk ishte për t'u dëshiruar, ose për të dëshiruar, por pasioni i thjeshtë i njohjes së çdo momenti të shtypjes dhe mbylljes dhe presionit e afroi atë pranë frymës së fundit në kapakë të tilla të pavdekshëm libri. Ajo nuk ishte e interesuar për luksin e ikjes, të bardhët e tij margaritarë të ndritshëm, ose shpërthimin e fundit të stolisur semantikisht të një Fjale që vjen në dygjuhësinë e duhur e të arsyeshme të gjuhës më të bukur në botë, aty ku zanafill e shtrenjta ilirishte... heshtja, tej modestisë, donte të dinte intimitetin e së panjohurës, një skuqje të shkurtër të ngrohtë të fundit të pafund të dashurisë dhe dëshpërimit të jetës: me kumtin e bukur Gjuha Shqipe. Për të zbuluar mirësinë, ose aftësinë e asaj që është më tej shkrimi kapte dhe rrokte përmasa të pamatshme. Shumë shpesh ajo (heshtja) mendonte pse sheh shumë më tepër bukuri në ringjallje, sesa në jetë apo dashuri. Fundja kot nuk do të quhej Heshtje.

Ajo buzëqeshi, disa ditë përnjëherësh në një Ditë ... dhe ishte një buzëqeshje e ngrohtë dhe tërheqëse, e bukur në mënyrën e vet të hijshme, pasi tashmë quhej madhërishëm Ditëlindje, që përkon disi jo ratësisht me Krishtlindjet. Kështu u mbajt mend. E tëra që mund të shohim tani, duke ndriçuar nëpër hapësirat e ringjalljes së Fjalës dhe mrekullisë së saj, është një shënim i pikturuar në vëmendjen profesionale të asaj që na ka lënë të pavdekshme për brezat e brezave, Prof Dr Eshref Ymeri. Gëzuar Ditëlindjen i nderuar Prof Dr Eshref Ymeri! Dhe kjo nuk është thjesht një ditëlindje e tillë, por një shënim për të shkundur vëmendjen që i duhet një „Nderi të Kombit“!

118 views18 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page