top of page

Gëzuar 7 Marsin! Ku ka shkuar Mësuesi Shqiptar?!


Ku ka shkuar Mësuesi Shqiptar?!

 

 

Gëzuar 7 Marsin! Ku ka shkuar Mësuesi Shqiptar?!

Flet urtësia e pashprehur

 

Nga Fatmir Terziu

 

Mësuesi im i Letërsisë që na jepte dramën shekspiriane të shkollës së mesme, Xhemal Xhepa, njihej si një shumë arsimtar „strikt“. Kur ishim nxënës, unë dhe dy shokë të mi kaluam afër derës së mbyllur të kabinetit të tij, dhe dëgjuam se ai gati fliste me një zë të lartë, ndërsa shikuam nga dritarja e ngushtë vertikale, se ai ishte i vetëm. Që aty shihnim gjestet e tij të çrregullta ndaj një klase të lartë, si dhe damarët e fryrë në ballin e tij. Ne ishim vërtet të frikësuar. Megjithatë, një ditë zbuluam se mësuesi i pasionuar i Letërsisë, nuk ishte vërtet ashtu sikurse e mendonim se ai ishte strikt. Ai ilustronte personazhin shekspirian Othello, i cili është i mbushur me zili. Ky rast më pas na tregoi se si mendjelehtësia dhe pedanteria mund të shkatërrojnë edhe liderin më të fortë. Xhepa e bëri këtë me të gjitha veprat e dramaturgut anglez, duke nxjerrë episodet më tronditëse dhe duke i frymëzuar ato: Puck i shqetësuar (nga drama "Ëndrra e një nate vere"), shtrati i vdekjes së Zhulietës, varrmi që mban dhe ekzaminon kafkën e Yorick ("Hamlet" ). Kështu, të paktën për mua, mësuesi „strikt“ u kthye në frymëzim të vërtetë. Nuk e harrova kurrë.

Elbasan: Kujtojnë për shkollën dekada pas diplomimit

Tashmë pas shumë vitesh, edhe pse larg, e ndjek se sistemi arsimor flet dhe thekson standardet, njohuritë e kurrikulës dhe notat, por kur i pyesim të rriturit se çfarë kujtojnë për shkollën dekada pas diplomimit, përgjigjet kanë të bëjnë gjithmonë me mësuesit e tyre më të mirë. Çfarë është ajo që i bën mësues të paharrueshëm si Xhemal Xhepa i Letërsisë në Elbasanin e kohëve të ngurta, të cilët lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme? Nëse kujtesa e asaj që kemi mësuar në shkollë dhe në përgjithësi në pedagogji zbehet me kalimin e kohës ose nuk mbahet mend fare, pse disa mësues na mbeten përgjithmonë në mendjen tonë vite më vonë? Filluam të jemi kuriozë: cilat janë cilësitë e spikatura që i bëjnë mësuesit agjentë të ndryshimit? Dhe kështu në magazinimin tonë të gjërave, dhe pas shumë vitesh takim me shokët dhe shoqet e shkollës së mesme në Elbasan, mësova prej tyre disa pika.

Së pari mbetet kur ata e shihnin mësuesin si një prezencë qetësuese. Së dyti si një pasion jo thjesht frymëzues, por ngjitës. Së treti kur mësuesit janë parë si modele të durimit. Së katërti mësuam se mësuesit frymëzues e dinë se kur duhet të jenë disiplinorë. Së pesti, mësuesit frymëzues besojnë te studentët e tyre dhe i ndihmojnë ata të besojnë në veten e tyre. dhe ndoshta jo e fundit, por ne u ndalëm në këto gjashtë përzgjedhje, mësuesit frymëzues i duan nxënësit e tyre. dhe natyrisht dhe nxënësit, edhe kur ata bëhen më vonë mësues dhe profesorë i duan ata të cilët janë dhe kanë mbetur për ta në këta gjashtë pika. Dhe kjo dashuri reciproke shkon përtej në 7 Mars të vitit 2024 që ka dhe ngre mjaft pyetje për këta e të gjithë mësuesit në vite!

***

Qofsh i paharuar! Ti që më ke dhënë dijen, leximin, mësimin, Gjuhën Shqipe, që më mësove atëherë të shkruaj emrin tim. Ndërsa edhe erërat ndryshojnë drejtim, dhe gurët më të fortë gërryhen me kalimin e kohës, dëshira dhe dashuria ime e vetme do të mbesin mbi këtë lidhje të pashkëputur …

Ndaj nuk di si ta shkruaj këtë dëshirë dhe dashuri në kushtet e sotme me një arsye të pavdekshme drejt lumturisë. Sidoqoftë, Ju na kishit mësuar që urimi le të shkëlqejë, edhe në kohërat më të errëta, edhe në këto kohë me Covid-19. në këto ditë të tilla, në këto vite të ngrira nuk e di pse më vijnë në mendje këto pyetje:

Ku kanë shkuar mësuesit e vjetër të shkollës? Mësuesit që dinin të hyjnë thellë brenda vetes. E kjo, për të gjetur një mënyrë „efikse“ për të prekur zemrën dhe mendjen e një nxënësi, apo nxënëseje. E kjo, duke i inkurajuar ata të vendosin qëllime dhe ëndrra që i përshtaten rrethanave të tyre të veçanta, ndërsa besonin në mundësi edhe më të mëdha për të ardhmen e tyre.

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër i shkollës? Mësuesi i cili kishte aftësinë e mahnitshme për të parë „talentin“ në shpirtin e një fëmije dhe për të sjellë një buzëqeshje, si dhe një dëshirë për të arritur, qoftë vetëm për të kënaqur mësuesin.

Ku ka shkuar mësuesja e vjetër i shkollës? Mësuesja që e kaloi kohën e lirë duke gjetur mënyra për të motivuar një fëmijë në një shkallë më të lartë suksesi, pa marrë parasysh idenë e një shpërblimi, përveç një buzëqeshjeje të arritjes që shkëlqen në fytyrat e nxënësit të dashur të saj.




Ku ka shkuar mësuesi i vjetër i shkollës? Mësuesi që i pa shpërblimet si përkushtimin më të madh e më të ndritshëm të shërbimit profesional, në arritjen e një nxënësi me një temperament të mjaftueshëm të kënaqshëm për t'i inkurajuar të gjitha ata me këtë shembull që të kërkojnë një tjetër që mund të përdorë drejtimin dhe ndihmën e tyre të kujdesshme.

Ku kanë shkuar mësuesit e vjetër të shkollës? Mësuesit që ishin të rreptë në kërkesat e tyre dhe pa kompromis në pritjet e tyre nga një fëmijë, sepse ata e kuptuan që shoqëria do të kërkonte më shumë nga fëmijët sesa nga një i njohur e miku i tyre, sepse ne jemi të programuar me idenë që të jemi më të mirë sesa të bëhemi të barabartë. Një besim që ka ndihmuar shumë prej nesh në një nivel më të lartë të arritjeve.

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër i shkollës? Mësuesi i cili nuk do ta konsideronte ndryshimin e një note në një më të lartë kur përpjekjet e një fëmije nuk e justifikonin atë, sepse ai e kuptoi që shoqëria priste që një fëmijë  të bënte shumë më tepër përpjekje sesa një e vetme „me dorën e një miku, apo paterice ekuivalente“, ose të vuante realitetin e ashpër të dështimit pa pushim.

Ku kanë shkuar mësuesit e vjetër të shkollës? Mësuesit të cilët ishin të thjeshtë dhe të respektuar nga shumica e nxënësve të shkollës dhe mbetën të tillë edhe pas ikjes, ende të nderuar për integritetin e tyre dhe angazhimin e palëkundur ndaj standardeve të tyre personale të edukimit të fëmijëve shqiptarë.

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër i shkollës? Mësuesi i cili mund të qeshte dhe të buzëqeshte me ty aq lehtë të jepte notën më të ulët të fituar kur nuk arrije të përmbushësh standardin e pritur për të arritur një më të lartë.

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër i shkollës? Mësuesi, standardet e pakompromis të të cilit i vendosnin mendjen një fëmije në drejtim të arritjes së suksesit, pavarësisht nga kostoja e nevojshme në sasinë e kohës që duhet të kalojnë në përgatitjen, studimin dhe mësimin.

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër Shqiptar?

I zhytur në një shoqëri të asimiluar; ndryshe i shkuar, i mbaruar, i asfiksuar, i keqpërdorur, i tradhëtuar, i nëpërkëmbur, i humbur, i zhdukur, i gëlltitur nga progresi i madh, i njohur si Integrimi.

Ku ka shkuar mësuesi i thjeshtë dhe i sinqertë Shqiptar?

Në ’e di? Mos e trego…

Ekskluzivisht dhe Fillimisht mundohu që të gjesh adresën e tij në barnatoret e Botës, ku thith ende pluhurin e shkumësit dhe të dërrasës së zezë. Në e gjen me intuitën tënde mos i dërgo lule vetëm sot, se duart i ka me kallo nga zanatet e reja në pleqëri dhe ai mund të jetë duke ngulur gozhda në ndonjë skelë me të cilët ndërtohet Bota. Dhe nëse ta bën dikush me gisht, ndiqe me kujdes gishtin e tij dhe jepi një përqafim. Ai nuk është jetim! Ka mijëra e mijëra Fjalë në gjuhën më të bukur të Botës që e zgjojnë me ledhatin e mirëkuptim. Ai ka bekimin dhe urimin më të Madh të Njeriut të mirë: Gëzuar 7 Marsin mësuesi i madh, mësuesi im i parë!

18 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page