top of page

FYTYRA DHE MASKA


Vili Minarolli


Shumȅ njerȅz do tȅ trȅmbeshin nȅ qoftȅse nȅ pasqyrȅ nȅ vend tȅ fytyrȅs tȅ tyre do tȅ shikonin karakterin e tyre

Ai e shikonte fytyrën në pasqyrë çdo mëngjes dhe nuk i kishte shkuar në mendje, se do të vinte një kohë, që do të ndahej prej saj.

Një ditë, në orën e mësimit, ai i tha mësueses se nuk i kishte bërë detyrat, sepse kishin pasur të atin shumë sëmurë, në spital. Ai i tha këto fjalë në këmbë, para mësueses, në fillim duke e parë atë në sy, por pastaj ndjeu diçka në fytyrë dhe uli kokën.

-Po tani, si është babai?-pyeti mësuesja.

-Hë... më mirë.

Këtë radhë e kuptoi, se fytyra duhej t’i ishte bërë flakë e kuqe dhe ndjeu nxehtësi në të. E uli më shumë kokën. Mësuesja i tha të ulej dhe ai, pasi u ul, instiktivisht vuri dorën në ballë.

“Jo, nuk ke temperaturë. E ke nga e skuqura ime, se sapo gënjeve.”

Ai pa nga shoku i bankës dhe e kuptoi se tjetri as nuk kishte folur dhe as nuk kishte dëgjuar gjë.

Ai- Kush je ti?

Zëri: Jam fytyra tënde. Jam flakë e kuqe dhe shumë e nxehtë nga gënjeshtra, që sapo the.

Ai: Po ç’punë ke ti, se ç’bëj unë?

Fytyra: Po ne bashkë jemi gjithnjë dhe çdo

mëngjes bisedojmë shumë miqësisht, kur shohim njëri-tjetrin në pasqyrë.

Ai: Po tani ç’pate? Ti nuk më ke folur ndonjëherë.

Fytyra: Sot gënjeve për herë të parë dhe dua të them, të mos e përsëritësh herë tjetër, se do të gjesh belanë nga unë.

Ai: E ç’do të më bësh? Do të gënjej, sa herë do të më duhet të “hedh lumin” dhe s’të pyes fare ty.

Edhe pas disa kohësh kjo bisedë me fytyrën e tij i mbeti në mendje dhe kur shikohej çdo mëngjes në pasqyrë, nuk harronte t’i fliste fytyrës përballë.

-E, po tani, ke gjë për të më thënë?

Pas këtyre fjalëve fytyra e tij nga pasqyra i buzëqeshte dhe ai ndjehej i kënaqur.

Në vitin e katërt të shkollës të mesme, së bashku me dy nga shokët e klasës,kishin filluar të mungonin ditën e hënë. Në këtë ditë në kinemanë e qytetit shfaqej filmi i ri dhe ata nxitonin ta shihnin që në orët e para kur fillonte shfaqja. Një ditë rastësisht e jëma takoi mësuesin kujdestar.

-Si u bë tani vajza?-pyeti mësuesi pas përshëndesjes .

-Vajza ime?...Mirë është,nuk ka qënë ë sëmurë?

-Më falni, ndoshta gabohem, po djali ka munguar dy tre të hëna dhe më ka thënë se shoqëron të motrën në ambulancë për analiza.

E jëma kishte shtangur e habitur dhe tjetri e kuptoi se nxënësi i tij e kishte gënjyer.

Kur hyri në shtëpi atë pasdite, tek dera u ndesh me të jëmën.

- Ishe në shkollë të hënën?- e pyeti ajo pa iu përgjegjur përshëndetjes të tij. Ai pa se e jëma i kishte ngulur sytë dhe në çast ndjeu të nxehtë në fytyrë.

- Isha...kishim pushim dy orët e para dhe...-Uli kokën se e kuptoi që fytyra do i ishte bërë flakë e kuqe.

-Turp të kesh që gënjen!Nuk e mendoja se do arrije ta bëje këtë-i tha ajo me inat.

-Po ç’farë kam bërë, mami?

-E ç’të bësh më shumë se kaq? Të gënjesh

mësuesin dhe neve bashkë dhe të bësh edhe tët motër të sëmurë! Kështu?

Ai e kuptoi se përse ishte fjala dhe uli kokën

duke ecur në drejtim të dhomës të tij. Por e dëgjoi të jëmën që tha:” Nuk do e lëmë me kaq dhe do e bisedojmë në darkë kur të mblidhemi të gjithë.”

Në darkë, kur u mblodh e gjithë familja, i ati, e jëma, i vëllai dhe e motra, të dy më të vegjël se ai, atij iu duk se “i ra tavani mbi kokë”. U ngrit nga tavolina pa ngrënë dhe u shtri në krevat. Dëgjoi një zë, që pothuaj e kishte harruar

Fytyra: “Të kisha lajmëruar të mos gënjeje më, se do ta pësoje.”

Ai:” Po si t’i thosha mësuesit që mungova?”

Fytyra:” Sigurisht, të thoje të vërtetën,kur ike ditën e parë dhe të mos e përsërisje më. Ti nuk je i vogël, pas disa muajsh merr maturën dhe e vërteta është garancia për të mos e përsëritur më gabimin. E more vesh tani se gënjeshtra nuk të shpëton?”

Ai:”Ti gjithnjë më tradhëton, se unë e ndjej se me skuqet fytyra.”

Fytyra:” Unë të kisha thënë, se nuk do të mbuloj gënjeshtrat e tua. Dhe, herë tjetër kur të gënjesh, do i them edhe gojës, që kur të fillosh të flasësh, ajo të fillojë të belbëzojë.”

Ai: “ Pikërisht, pse jam pjesa tënde, dua të ndihmoj. Por mos prit ndihmë nga unë, që të mbuloj gënjeshtrat e tua.”

Ai:” As ta kam nevojën. Do të bëj, si të më pëlqejë.”

Por kur kujtoi atë që i kishte ndodhur në tavolinë disa çaste më parë, mbuloi kokën me batanije. Atë kohë iu bë se dëgjoi një zë më të trashë.

Zëri:” Je mërzitur? Mos e çaj kokën, se kështu është jeta. Je i mbaruar, po të dëgjosh fytyrën...”

Ai:” Po ti kush je?”

Zëri i trashë: “Nuk më njeh akoma, po do më

njohësh dhe do të bëhemi miq. Zakonisht unë shfaqem në një moshë më të rritur për njerëzit, se atëherë ma kanë më shumë nevojën.”

Ai: “ Si të quajnë?”

Zëri i trashë:” Unë jam Maska, kështu e kam

emrin. Jo ajo maska lodër, që e vini në rastin e karnavaleve.”

Ai:” E pse do ta kem nevojën ty?”

Maska:” Ke dëgjuar për një, që gënjen apo mashtron dhe të tjerët, që thonë: ”Ky qenka i pafytyrë”? Kjo do të thotë, se ai njeri, në vend të fytyrës, që të bën atë, siç ta bëri sot ty para të gjithëve, vë Maskën dhe “e hedh lumin”. Pra, në qoftë se fytyra të lë në baltë, do më kesh mua, që do të shpëtojë. Dhe unë do të vij, sa herë të kesh nevojë dhe të thuash “eja maskë e më ndihmo”. Pastaj e di unë si e bëj.”

Ai:” Po mund të përdor edhe fytyrën edhe maskën, në të njëjtën kohë?”

Maska: “Kjo s’mund të ndodhë kurrë. Ti vë Maskën, kur nuk do të përdorësh Fytyrën tënde. E kuptove tani?”

Ai: “E kuptova, por nuk e besoj, se do ta kem nevojën.”

Maska:” Do e shohim. Kështu kanë thënë edhe të tjerët në fillim, por tani janë bërë një shumicë, që nuk e përdorin më Fytyrën dhe kanë vënë Maskën në vend të saj. Ke dëgjuar kur thonë “njeri me dy fytyra” ose “ky është i pafytyrë”?”

Ai:” Po, ma ka zënë veshi...”

Maska: “ E pra, të parët janë ata që e përdorin sipas nevojës, herë Fytyrën e herë Maskën, ndërsa të dytët janë ata, që s’kanë më Fytyrë, por vetëm Maskë.”

Ai:” A dallohen njerëzit me Maskë nga të tjerët, ata që e kanë Fytyrën?”

Maska:” Në pamje të jashtme jo, por ndryshimi është përbrenda vetë njeriut. Të siguroj, se edhe Maska do të bëhet pjesë e natyrshme e vetes tënde. Sonte të pashë, që u mërzite shumë..”.

Ai:” Ashtu është, s’dija ku të futesha nga turpi...”

Maska:” Ky është ndryshimi midis meje dhe

Fytyrës. Njerëzit që venë Maskë, nuk e vrasin shumë mendjen dhe gjejnë rrugën më të shkurtër, për të arritur atë që duan. Prandaj ata që më vënë mua, janë më të lumtur, mendojnë mënyra nga më të ndryshmet pa asnjë kufizim për të “hedhur lumin”, ose për të marrë edhe atë, që nuk e meritojnë, dalin kurdoherë fitimtarë dhe bëjnë përpara në jetë, me pak mundime. Ja, ti për shembull, po të më kishe kërkuar ndihmë, do të thosha unë si të bëje dhe tani do ta bëje gjumin për “shtatë palë qejfe”.”

Ai: “Pse s’thua, se qenke shpëtimtari im?”

Maska:” Ashtu jam, do e provosh!”


* * *

Erdhi fundi i shkollës dhe koha për të shkuar në shkollë të lartë. Ishte marrë vesh, se kishte vetëm një të drejtë studimi për atë degë që donte edhe ai. Por e dinte, se ishte i humbur, sepse një shoku i tij kishte nota më të larta. Ishte i fiksuar pas asaj dege dhe prindërit po ia kujtonin pothuaj çdo natë, se nuk kishte mësuar sa duhet, që të ishte i pari. Kishte mbuluar kokën me batanije, siç bënte sa herë mërzitej shumë dhe i ndjeu lotët t’i rrëshqisnin në faqe. Iu duk se dëgjoi një zë, që e kishte harruar.

Ai:” Kush je?”

Maska:” Maska jam. Të kisha thënë, se kur të kesh nevojë, më kërko. Po kështu u ka ndodhur edhe të tjerëve, kur e kanë thirrur Maskën e tyre për herë të parë. E di se më ke harruar, prandaj erdha ta kujtoj. E di ku e ke hallin. A ke nevojë për ndihmën time që të shkosh në atë degë, që do?”

Ai: “ Po si jo! A mund të më ndihmosh?”

Maska: “ Patjetër. Por je gati ta heqësh Fytyrën, se ajo nuk të ndihmon dhe na prish punë. Të kam thënë o njërën, o tjetrën.”

Ai:” Menjëherë. Ç’më duhet Fytyra, kur nuk më ndihmon?”

Maska:” Shkruaj një letër, ku të thuash, se ai tjetri, dëgjon radiot e huaja dhe dërgoje në lagje.”

Ai:” Po të merret vesh, se kush e shkroi?”

Maska:” Letra do të jetë anonime. Kështu bëjnë të gjithë dhe letrat anonime tani i besojnë më shumë, se atyre, që u vihet emri.”

Ai:” Meqenëse është kështu, po e provoj.”

Bëri siç i tha Maska e tij dhe e fitoi atë që donte.

Shokut të tij nuk i dhanë fare shkollë. Kur po shihej në pasqyrë, në mëngjesin e ditës të parë që do të shkonte në universitet, dëgjoi zërin e Fytyrës:

Fytyra: “Nuk të bën përshtypje, se e le tjetrin pa shkollë? Do i flasësh shokut tënd kur ta takosh?”

Ai:” E pse të mos i flas? Këtu nuk ke ç’të thuash, unë nuk gënjeva. Thashë atë që është e vërteta. A dëgjojmë të gjithë ne muzikë të huaj?Ti këtë më ke kërkuar të bëj gjithnjë. Pse të mos i flas? Ai nuk e di, se ishte letra ime që e la pa shkollë. Madje, do i shpreh më shumë se të tjerët keqardhje, që të mos e kuptojë, se isha unë shkaku që humbi shkollën.”

Fytyra:” Ja ku po të lajmëroj, se fatkeqësinë e

tjetrit do ta kujtoj, çdo mëngjes, sa herë të shikohemi në pasqyrë.”

Ai:” Dhe unë, sa herë të matesh të ma kujtosh, do të vë Maskën. Ha, ha, ha, ta hodha këtë herë!”

Fytyra: “Ta paska mbushur mirë mendjen Maska dhe u bëre shpejt njeri me dy fytyra.”

Ai: “Jo, një Fytyrë dhe një Maskë. I përdor si të më vijë rasti. E ç’të keqe ka këtu? A e fitova të drejtën e studimit? Kjo ka rëndësi.”- dhe u largua nga pasqyra.

Shpejt ia mori dorën ndërrimit të Fytyrës me Maskën dhe anasjelltas. Shpesh herë e kuptonte, kur ziheshin të dyja me njëra tjetrën, por në fund ua priste shkurt: “Kot e keni që ziheni. E di unë, se kur do të përdor njërën dhe kur tjetrën”. Në të vërtetë ai përdorte më shpesh Fytyrën dhe e dinte se Maskës nuk i ngelej hatri. Marrëveshja me të ishte bërë, që do të përdorej, kur të kishte nevojë, kur ngelej ngushtë dhe s’kishte nga t‘ja mbante. Këtë i thoshte edhe Fytyrës të nesërmen në mëngjes, kur shikohej në pasqyrë. Në të tilla raste, shpesh dëgjohej kjo bisedë:

Fytyra:” Ke filluar të më nxish faqen dhe ke filluar të përdorësh më shpesh Maskën.”

Ai:” Isha i detyruar, se ti nuk më ndihmon, më le në baltë. Ti thua vetë, se ke filluar të nxihesh, prandaj jam i detyruar të përdor Maskën.”

Fytyra: “Ti më ke nxirë dhe po ti mund të ma zbardhësh ngjyrën. Prisja të ndryshoje tani, që po mbaron edhe shkollën e lartë dhe do të dalësh në jetë. Jeta ka më shumë vështirësi dhe do të duhet t’i përballosh vetë, me zotësi, me drejtësi dhe zgjuarsi. Do të shikosh, se shumë njerëz kanë Maskën në vend të Fytyrës dhe përplasjet midis njerëzve me Maska është më e ashpër, sepse nuk njohin asnjë normë morali, etike apo profesionalizmi. Do të mbizotërojë gënjeshtra, mashtrimi, shpifja,servilizmi... Ti tani i ke përdorur disa prej tyre dhe të duket se ke fituar, por në të vërtetë ke humbur. Unë e kam kuptuar se vuan kur vë Maskën. Kjo do të thotë, se ke akoma kohë të ndryshosh. Por ato që ke bërë, do të ndjekin gjithë jetën, do të prishin gjumin, do të ndajnë nga shokët dhe do të ngelesh pa miq…”

Ai:” E di se je e zonja të më bësh moral! Më thua se kam humbur? E pse kam humbur? A e mora të drejtën e studimit? A i kam marrë shumë nga provimet, duke kopjuar? A e kam mirë me profesorin, se i paguaj drekat e darkat, kur hamë bashkë? Ti, sa herë kam bërë nga këto, ma ke përmendur, më ke prishur humorin. Dhe kur të kam pyetur, se si mund të veproja ndryshe, s’më ke dhënë përgjigje. Të ishte për ty, nuk do të isha këtu ku jam. Dhe as jam penduar dhe nuk do të pendohem. Deri tani ia di për nder Maskës... Sa për atë që më thua, se do më ndjekin tërë jetën ato që kam bërë, unë dhe tani i kam harruar.”

Një ditë në mëngjes, e ndërpreu të ruajturit dhe i foli Fytyrës, që e shikonte në pasqyrë.

Ai:” Kam një problem shumë të madh, a më ndihmon dot?”

Fytyra:” Hiqe njëherë shkumën nga unë, se më duket si Maskë. Pastaj flasim.”

Dhe pas pak kohe:

Ai:” Ja, tani jemi ballë për ballë. Më ndihmon dot?”

Fytyra: “ Përse e ke fjalën?”

Ai: “Tani që po mbaroj shkollën, dua të emërohem këtu, në Tiranë. E di se është një vend në Institut, por më duket se do të emërohet Sazani.”

Fytyra:” Kam dëgjuar edhe unë, se ai ka kohë që aktivizohet me Institutin, por më duket se edhe ai po përdor disa marifete jo të ndershme...”

Ai: Këtë e di, prandaj të pyeta. E shikon, se edhe të tjerët nuk bëjnë si mendon ti? Po si t’ia bëj tani, që në vend të tij, të shkoj unë?”

Fytyra:” Po e meritove, për mua, s’ka rrugë tjetër.”

Ai:” Ja e sheh se më le në baltë? Ai tjetri, me siguri ka përdorur Maskën. Dhe po e fiton atë që do. Pse të mos e përdor edhe unë dhe të shikojmë kush do të fitojë?”

Fytyra: “Si të duash, boll ma ke nxirë fytyrën deri tani...”

Këtë herë Ai e thirri për ndihmë Maskën. Ndryshe nga herët e tjera, duke menduar se përplasja do të ishte e vështirë, iu përgjërua:

Ai:” Të lutem më ndihmo, që ta siguroj atë vend.”

Maska:” Je ca me vonesë dhe Maska e tjetrit ka kohë, që po punon...”

Ai: E di, por këtu do të duket zotësia tënde.

Maska:” Zotësia ime varet krejtësisht nga ty. Sa do të ma dëgjosh fjalën dhe të bësh atë që të kërkoj unë.”

Ai:” Menjëherë, vetëm më thuaj si...”

Maska:” Po të më kishe thirrur më parë , do të ishte më e lehtë, tani ke vetëm një zgjidhje...”

Ai:” Ma thuaj pra dhe do të bindesh, se do të bëj, si të ma kërkosh.”

Maska: “Duhet të shkosh vetë te kryetari i Degës dhe t’i thuash se ai tjetri, kundërshtari yt, ka goditur me shishen e rakisë portretin në mur, e di ti për kë e kam fjalën dhe ka bërë në plan që të arratiset këtë verë...”

Ai:” Po si ta them, unë nuk di gjë!”

Maska: “Ti thuaje, që ata të veprojnë menjëherë. Pastaj të mësoj unë, si do të bësh më tej. Vetëm po të them edhe njëherë, se do të bësh si të them unë, ndryshe, në vend të atij tjetrit, do e pësosh ti.”

Ai:” Po pastaj, a është i sigurt vendi në Institut?”

Maska:” Për këtë të siguroj unë.”

Dhe Ai bëri si i tha Maska. Kryetari i tha të nënshkruante deklaratën, që ishte shkruar sipas denoncimit të tij dhe ai në fillim u tremb dhe hezitoi. Por si duket Maska ishte aty pranë tij dhe i foli në rrëzë të veshit: ”Po nuk e nënshkrove, u dogje vetë”. Dhe ai e nënshkroi. Pastaj kryetari e pyeti: ”Dëshiron të punosh me ne?” Ai heshti deri sa dëgjoi zërin e Maskës, që i tha, se çfarë të thotë: ”Me shumë kënaqësi”- u përgjigj menjëherë. Kur u plotësuan dhe u nënshkruan edhe disa formularë të tjerë, kryetari e pyeti: Ku do të punosh tani që po mbaron shkollën? Ai përsëri heshti, por Maska i foli menjëherë: “Budalla, thuaj menjëherë në Institut”. Dhe ai tha: ”Në Institut, shoku kryetar”.

“Patjetër atje do të çojmë, se edhe ne nuk kemi një njeriun tonë atje dhe s’ka kush i kontrollon ata që thonë se merren vetëm me shkencë ”.

Ai filloi punën në Institut, por me dy detyra të ndryshme, prandaj i duhej që herë pas here të ndërronte Fytyrën me Maskën.

Ai:” Eh, e shikon se tani do të punoj në Institut!-i tha Fytyrës ditën e parë të punës, kur po bëhej gati në mëngjes-Të ishte për ty, kush e di, ku do të isha sot...”

Fytyra: “E di, po e pagove shumë shtrenjtë...”

Ai:” Asgjë nuk pagova dhe veç asaj, tani kam edhe miqtë e degës...”

Fytyra:” E di unë se ç’miq janë ata! E di ti atë baltën e keqe, që kur i ngjiten këpucës, nuk i shqitet deri sa t’i hedhësh këpucët në koshin e plehrave! Ashtu janë edhe ata, mbrapa do i kesh tërë jetën. Por mjerë ti si përfundove!”

Ai: “Si jo më mirë! Në Tiranë, po! Në Institut, po! Çfarë dua më shumë?”

Fytyra:” Vërtet shumë ke fituar, por mua nuk më ke lënë pjesë të pa nxirë...”

Ai:” Punë për ty. Unë fitova ato që doja dhe kam plane të tjera për më tej.”

Por ndryshe nga sa kishte menduar, në vend ndodhën disa ndryshime dhe i dhanë një drejtim tjetër planeve të tij. Turma rrëzoi monumentin e Diktatorit në Tiranë dhe në disa qytete të tjera. Një grup njerëzish u mblodhën dhe vendosën t’i kthejnë monumentet përsëri aty ku kishin qënë. Ai u urdhërua të bashkohej me këta njerëz dhe të kthenin monumentin përsëri në shesh. E mendoi se nuk duhej të binte shumë në sy dhe kur grupi u prish, ai vazhdoi punën i qetë në Institut. Pastaj i thanë, që të angazhohej në një nga dy partitë kryesore dhe u instruktua me hollësi, si të vepronte, që gradualisht të dilte në krye.

U caktua si komisioner nga partia në një qendër votimi dhe u zu me komisionerin e partisë kundërshtare, duke pasur Maskën në fytyrë. E kuptoi, se këto kohë i duhej ta mbante më shumë Maskën dhe një ditë e theu pasqyrën, si pa dashje, ku rruhej çdo mëngjes, sepse nuk donte të shikonte më fytyrën. Fytyra i ishte “qepur” keq dhe ishte bërë e padurueshme.

Vendosi të linte mjekër dhe për të tani kujdesej berberi.

Në zgjedhjet e radhës fitoi partia e tij dhe ai u bë drejtor në Institut.

Pastaj, gjithnjë me ndihmën e Maskës, u zgjodh në organin drejtues të partisë të qytetit dhe kishte filluar t’i shikonte me zili deputetët, që pothuaj i njihte, se zakonisht pasditeve pinte kafe me ta. I dukej se Ai ishte shumë më i zoti, se shumë prej tyre dhe me “zotësi” arriti të mësojë se si funksiononte mekanizmi, për caktimin e tyre në listat e kandidatëve. Ai e kuptonte, se pothuaj të gjithë ata kishin vënë Maska, në vend të Fytyrave të tyre. Nganjëherë ndodhte që padashur ta hiqnin Maskën dhe kjo ndodhte zakonisht, kur e kishin kaluar masën e të pirit. Atëherë ai kuptonte, se ata ndryshonin shumë, nga ata që paraqiteshin në publik, apo në parlament, kishin mendime të ndryshme nga ato, që shprehnin në mbledhjet e partisë, në sallën e parlamentit apo edhe në media. Veçanërisht shumë të ndryshme ishin mendimet e tyre për kryetarin e partisë. Ata kishin pakënaqësi të vjetra me të, e përçmonin dhe i nënvlerësonin aftësitë e tij intelektuale dhe arrinin deri atje, sa ta quanin njeri mosmirënjohës, të pabesë, hileqar dhe të lidhur me njerëz të dyshimtë.

Të gjitha ç’thuheshin për kryetarin Ai i kishte regjistruar në kokën e tij dhe ishte i gatshëm t’i përsëriste pa asnjë gabim.

E kuptoi se të gjithë i kishin braktisur Fytyrat dhe kishin vënë Maskat. Përjashtime bënin shumë pak prej tyre, po të gjithë thoshin, se këta në zgjedhjet e reja, do e mbyllnin karrierën politike.

Ai kishte filluar të bëhej person publik dhe disa herë, kur nuk kishte njeri në Selinë e partisë, ishte ai që komunikonte me median. Në të gjitha këto dalje publike, Ai parapërgatitej, duke përsëritur ato që kishte thënë më parë kryetari i partisë, por bënte kujdes, që gjithnjë të kishte një paragraf të veçantë në deklaratën e tij, që i kushtohej kryetarit, duke ngritur sa më lart meritat dhe zotësinë e tij në drejtimin e partisë dhe duke sharë paraardhësin e tij. Shumë nga cilësitë që përmendte, kryetari nuk i kishte fare. Ai e kishte mësuar nga drejtuesit, që hynin e dilnin më shpesh në zyrën e tij, se kryetari i ndiqte me vëmendje të gjitha prononcimet, që bëheshin në media dhe i bëhej qejfi, kur flisnin mirë për të. Në këtë drejtim Ai po e perfeksiononte mjeshtërinë e tij dhe në rrethet më të larta të partisë, kishte filluar të flitej për ngritjen e tij të shpejtë në strukturat drejtuese.

Por Ai nuk nxitonte, se synonte Kuvendin. Ai e dinte tashmë, se në parti ishin krijuar dy grupe ose klane, siç i quante media dhe ishin, jo shumë të tjerë, që nuk bënin pjesë në asnjë grup. Këta edhe Atij nuk i pëlqenin, se hiqeshin shumë të moralshëm dhe e kishte kuptuar se mbanin akoma Fytyrën e tyre. E vërteta është se këta të fundit i donin militantët dhe ishin të pëlqyer nga publiku. Ai kishte dëgjuar, se njëherë kryetari ishte nevrikosur shumë, me njërin prej tyre, se në komisionin parlamentar, kishte mbrojtur ligjin dhe jo atë, që i ishte kërkuar nga kryetari. Dhe e kishte marrë vesh zëmërimin dhe shpërthimin e kryetarit, për këtë që kishte thyer urdhërin politik. Prandaj Atij nuk i hynte në punë, se sa e donin apo nuk e donin njerëzit. Atij i duhej vëmendja e kryetarit dhe duhej të zgjidhte me kujdes, se me cilin klan të afrohej e të bëhej pjesë e tij.

Iu desh disa kohë për të vendosur, por kur e ndau mendjen, u bind se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Në një nga ditët, kur kishte filluar të ishte protagonist në grupin ku bënte pjesë, një nga drejtuesit e lartë të partisë i tha, se e kërkonte për ta takuar kryetari i partisë.

- Pse më do, të tha gjë?

- Jo, po me siguri është për mirë. Unë i kam folur gjithnjë mirë për ty. Mos e harro këtë.

Kryetari e priti ndryshe nga herët e tjera, kur e kishte takuar në prani edhe të të tjerëve. U ulën të dy në qoshen e dhomës, ku ishin kolltukët dhe menjëherëu sollën kafet.

-Të kam ndjekur në prononcimet në media dhe të përgëzoj .

-S’kam bërë asgjë të veçantë, jam kujdesur të mos dalë jashtë qëndrimeve të partisë. Prandaj i ndjek me vëmendje çdo gjë që thoni ju. Për mua jeni modeli i njeriut të urtë e të zotë dhe dëshiroj t’ju ngjaj sadopak...

-Ç’mendim ke për kryetarin e departamentit tënd?

-Është njeri i mirë dhe e bën shumë mirë detyrën...

Kryetari lëvizi pak nga vendi dhe Ai e kuptoi domethënien e kësaj lëvizje.

-Po nganjëherë se si më duket...-vazhdoi Ai

-Për shembull?

-Po ja, si të them...-tjetri i kishte ngulur sytë dhe po priste të dëgjonte-Ka pasur raste, pas ndonjë deklarate tuaj që ka thënë se,... më falni, po dua ta them si e ka thënë ai...

-Dhe unë ashtu e dua.

-Ka thënë: ”Ç’ja fut kot edhe ky nganjëherë! Ky nuk merr vesh fare nga politika!” Sigurisht unë e kam kundërshtuar dhe e kam parë, se nuk i ka pëlqyer.

-Kështu ka thënë, ë? Po tjetër?

-Ka qëlluar, që ka marrë ndonjë vendim dhe unë i kam thënë, se a e ke pyetur kryetarin. Dhe ai më është përgjigjur: ”Pse, edhe për këtë do ta pyes? Ne nuk jem hunj gardhi, që të bëjmë vetëm atë, që na thotë ai”. Madje një ditë, që u kthye nga parlamenti, bëmë shumë fjalë, kur i thashë, se përse nuk fole për kryetarin, kur kundërshtarët e shanë dhe s’i lanë gjë pa thënë. Dhe ai më tha, se unë nuk jam avokati mbrojtës i kryetarit. Ja, për këtë bëmë llafe dhe i dëgjuan edhe të tjerë, që u ndodhën aty.

-Mirë, shumë mirë!-dhe i buzëqeshi me ëmbëlsi.

Kur po e përcillte tek dera, i tha:

-Është mirë të dimë, ç’mendojnë të tjerët, se disa e di unë, që janë me dy fytyra ose të pafytyrë fare.

Nga këto fjalë Ai e mori porosinë dhe filloi të hynte e të dilte jo rrallë në zyrën e kryetarit. Gjithnjë, kur sekretari e njoftonte, se e priste kryetari, do e gjente vetëm në zyrë dhe, duke biseduar, do të pinin kafen së bashku. Ky mjedis shumë miqësor i kryetarit, i zgjidhte gjuhën tjetrit dhe Ai e kishte përgatitur mirë, që më parë, se çdo t’i thoshte në takimin e radhës. Ai e kishte të qartë planin e tij , prandaj punonte me kujdes, pa u nxituar. Fytyrën e kishte harruar fare, ose si i thoshte nganjëherë vetes, se tani jam i pafytyrë dhe e shikonte, se me Maskën po mirëkuptohej dhe po bënte përpara.

Në zgjedhjet e ardhshme për në parlamentin e ri, partia e tij humbi dhe Atë e hoqën nga Instituti. Nuk i erdhi keq, se më shumë nuk shkonte në punë, për shkak të një biznesi, që kishte krijuar, nga ato para’ që kishte fituar në tre tendera, gjoja për pajisje për Institutin. Kishte dy supermerkato në lagje të ndryshme dhe, meqenëse nuk kishte besim tek të tjerët, çdo gjë e kishte vetë nën kontroll.

Në një nga takimet e zakonshme , ai i tha kryetarit, se kishte mbetur pa punë, se e kishin hequr për shkak të aktivitetit të tij partiak. Por ai gjithçka e kishte vënë në shërbim të partisë.

Kryetari e emëroi si funksionar në një nga zyrat e selisë , me një rrogë jo të madhe, që më shumë e shpenzonte duke qerasur ata që kishte mbi krye. Por si edhe më parë, herë pas here, pasditeve, e informonte kryetarin për ç’kishte ndodhur në selinë e partisë dhe rreth saj. Në një nga këto takime, vetë kryetari i kishte thënë: ”Edhe partia, ashtu si shteti, ka nevojë për informim dhe unë duhet të di gjithçka, jo vetëm në kampin kundërshtar, por edhe në kampin tonë. Dhe ti më duket, se je i prerë për këtë punë”.

Atij i erdhi mirë nga këto fjalë.

Ai kishte arritur të mësonte edhe një të fshehtë tjetër. Veç tij, kryetari kishte edhe burime të tjera, nga informohej, prandaj filloi të kishte kujdes, që të mos krijonte përplasje me informacionet e tjera dhe mendoi, se mënyra më e mirë ishte, që informacionet e tij, të kishin të bënin me njerëzit, me të cilët lidhej drejtpërdrejtë. Ai kishte pasur edhe një qëllim tjetër, që edhe vetes të tij, nuk ia kishte thënë me zë të lartë. Ai ëndërronte të zinte në parlament, pikërisht vendin, që kishte shefi i tij i drejtpërdrejtë, prandaj tani, që po afronin zgjedhjet e reja në parti, do përpiqej të zinte një pozitë sa më të lartë.


Një ditë, duke pirë kafen me kryetarin, ashtu si rastësisht, i tha:

- Se si po më duket këto kohë shefi im...

- Pse, ç’farë ka thënë?

- Jo se ka thënë gjë, po kam përshtypjen se po afron ata që i ka pas vetes të tij, pa pyetur strukturat dhe statutin....-Tjetri vazhdonte ta shikonte në sy- Dhe një prej tyre ia tha edhe në sytë tonë :”Së shpejti të pafshim kryetar të madh.”

- Kështu tha, ë? Dhe i zgjedh njerëzit si do vetë, ë? E kam kuptuar se këtë synon , të ulet në karriken time, po nuk ka shanse.

-Sigurisht kryetar, ku ai dhe ku ju....Kur humbëm zgjedhjet para dy vjetësh unë sapo isha zgjedhur në kryesi, por e dëgjoja se e thoshte hapur se ju duhet të jepnit dorëheqje, se kështu e kishte statuti...

-E di, e di... E qartë...Mbaruam edhe për sot, se më duhet të punoj një material...

Ai e kuptoi, se kryetari po turfullonte nga inati dhe vetë doli shumë i kënaqur nga Selia e partisë. E kishte hak një pije dhe trokiti në derë të shefit të tij.

-Shef, më ka vajtur mendja për një drekë të mirë dhe mos ma prish, kam dëshirë të shkojmë bashkë. Merre edhe si shenje mirënjohje për mbështetjen, që më ke dhënë, se ju shef jeni me eksperiencë dhe i vjetër në punët e partisë.

-Nuk po ta prish, se edhe mua po më lëvizin zorrët.-i tha tjetri.

Ata, që i panë, ashtu krahë për krahë, me njëri tjetrin, me siguri, që kanë menduar, se miq më të ngushtë se ata, nuk ka.

I doli gjumi pa zbardhur mirë dhe e kuptoi se kishte qenë zëri i Maskës, që e zgjoi.

Maska: Tani gjithçka e ke vënë në vijë dhe kujdes “nga shkalla e fundit”.

Ai: Po, dhe mua më duket se e bëra ç’kisha në dorë. Tani më duhet të pres, por takimet me kryetarin nuk do i ndërpres, se si i thonë: Larg syve, larg zemrës””.

Në zgjedhjet e partisë, në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk ishte i papritur caktimi i tij në organin kryesor të partisë. Ajo që i habiti më shumë, njerëzit pranë partisë, ishte largimi i shumë prej figurave të njohura dhe ardhja e të rinjve, emrat e të cilëve as ishin dëgjuar më parë.

Njeriu ynë tashmë me Maskë, e vuri re se shumë nga të larguarit, ishin pikërisht ata, që më shpesh ishin diskutuar gjatë takimeve të tij me kryetarin, në zyrën e tij. Sigurisht edhe shefi i tij këtë radhë kishte mbetur jashtë çdo liste dhe Ai të nesërmen e pa të udhës, t’i shkonte në zyrë.

-Më erdhi krejt e papritur, kur nuk e dëgjova emrin tënd, por dje ju pashë të mërzitur dhe nuk erdha t’ju takoj... Mos është bërë ndonjë gabim, shef?

-Jo, janë gjëra, që kanë ndodhur edhe më parë dhe kjo më duket, se nuk bën ndonjë dallim. Për një gjë jam krenar, se kam bërë gjithnjë atë, që kam ndjerë dhe kam dashur të bëj dhe s’kam dalë nga vetja ime.

-Sigurisht shef, ne të gjithë kemi respekt për ty. Dhe nuk do të harrohet ajo, që ke bërë ti në këtë parti.

Ai u habit edhe vetë për qetësinë, me të cilën i fliste tjetrit. Në fytyrën e tij, tani ish shefi e dallonte shumë qartë keqardhjen e vartësit dhe i erdhi keq.

-Urime dhe për ty dhe po të them, se ke qenë një bashkëpunëtor me vlera për mua.

Pasdite u thirr në zyrën e kryetarit dhe tregoi për reagimet, që ishin dëgjuar atë paradite në oborrin e selisë. Ish shefin e tij nuk e zuri në gojë dhe pyetjes të kryetarit për të, iu përgjigj:

-Nuk e takova. Më thanë, se kishte qenë herët në zyrë, kishte marrë disa nga sendet e tij personale dhe nuk është dukur më pas.

Pas dy javësh me veshët ngritur dhe sytë katër, vuri re se kishte më shumë hyrje e dalje në zyrën e kryetarit. Mori vesh, se njerëzit, kryesisht figura të njohura të partisë, por edhe nga ata, që kishin ardhur rishtas, hynin një nga një dhe kur dilnin nuk thoshin asnjë fjalë. I vajti mendja, përse duhej të ishin këto takime, por nuk ishte i sigurt. Pyeti njërin, që sapo doli, por ai i tha shkurt:

-Më thirri për të më dhënë një porosi.

Ai e kuptoi, se tjetri nuk kishte dëshirë të zgjatej më tej.

Dy ditë më pas i thanë, se e kërkon kryetari. Në të vërtetë, njoftime të tilla kishte marrë shumë herë kohët e fundit, por Ai e mendonte, se kjo e tanishmja, kishte të bënte me hyrjet e daljet e shpeshta, që kishte vënë re këto ditë. Dhe nuk u gabua.

-Kam menduar të jesh kandidati ynë në zonën X... -Kryetari heshti, se e kuptoi, që tjetri u trondit- E ke merituar dhe futju punës...Unë do të mbështes, se më duhet të të kem në parlament. Por jemi keq me financat dhe...

- Dhjetë kryetar i kam që nesër dhe pastaj të tjera pas disa ditësh...Ju falenderoj dhe ju jam shumë mirënjohës për kandidaturën dhe ju siguroj se do e fitoj...

-Patjetër, se ajo historikisht ka qënë zona e jonë.Prandaj të caktova ty, se e ke për herë të parë. Shko tani dhe futju punës.

Kishte kohë, që kishte filluar një miqësi të ngushtë me një njeri shumë të njohur në publik. Ishte gazetar i zoti dhe shpesh e gjeje të ftuar në mediat televizive, për të dhënë opinione dhe për të bërë analiza politike. Por ishte tërhequr nga skena aktive politike, pasi kishte ndërruar disa parti. Ai kishte parë tek ky njeri pothuaj veten e tij dhe kjo i kishte lidhur shumë me njëri-tjetrin.

Këtë njeri e caktoi si shef të shtabit të tij elektoral dhe u bind shpejt, se kishte bërë zgjedhjen e duhur. Të dy vizituan disa biznese private dhe ishte miku i tij, që u thoshte pronarëve se Ai do të fitonte, se ishte një nga njerëzit më të afërt të kryetarit, se partia do të fitonte zgjedhjet, se palën tjetër e kishte konsumuar pushteti dhe Ai me siguri do të ishte anëtar i kabinetit të ardhshëm. Pastaj i kërkohej biznesmenit “Të zgjidhte qesen”, se ministri i ardhshëm do ia shpërblente disa fish më tepër.

Kur shkonin në takime me elektoratin, miku i tij, që ia dinte mirë fillin kësaj pune, merrte të dhëna, se çfarë nevojash kishin njerëzit dhe Ai, me mjeshtëri ua premtonte, pa asnjë hezitim, se do ua zgjidhte menjëherë hallet e tyre. Në çdo takim që bënte, e kishte gjithnjë në mendje porosinë, që i kishte dhënë shefi i tij i shtabit: “Për çdo gjë do të thuash “po”, “do e bëj sapo të zgjidhem” dhe asnjëherë “do e shoh” apo “nuk mund ta bëj”. Ky është sekreti i fitores në një fushatë, por jo të gjithë e zbatojnë. Këtë mos e harro”!

Ai e ndiqte me përpikmëri këtë porosi dhe e shikonte, se njerëzit, që e dëgjonin, kënaqeshin, sikur ta kishin marrë atë, që kërkonin.

Në parti ishte hapur fjala se Ai po bënte një fushatë të shkëlqyer, të ndryshme nga të tjerët dhe thoshin se do të fitonte me siguri.

Dhe fitoi.

Nga paratë e shumta, që u ishin mbledhur nga biznesmenët, i tepruan goxha dhe ai i ndau me shefin e tij të shtabit. Pastaj mendoi, që me pjesën e tij, të kalonte pushimet familjarisht në plazhet e një vendi fqinjë, që e kishte pasur dëshirë të hershme, por nuk kishte dashur të prishte nga ato që fitonte nga bizneset të tij.

E kishte vendosur, që të rruante mjekrën mëngjezin e parë në hotelin luksoz, ku kishte zënë vend. Kur mbaroi, lau fytyrën dhe, pasi e fshiu, vështroi veten në pasqyrë. Shikonte një fytyrë dhe iu duk e huaj. ”Jo, s’ka mundësi, kjo është Fytyra ime. Si duket e kisha harruar këto kohë që mbaja mjekër”- mendoi dhe priti që Ajo t’i fliste.

Heshtje.

Pastaj dëgjoi një zë, që e njihte mirë:

- Jam unë, Maska tënde. Atë, Fytyrën mos e kërko më, se nuk e gjen. Je vetëm me mua tani, Maskën ose ndryshe siç ju quajnë, je njeri i pafytyrë.

-Punë e madhe-foli me zë- se mos jam unë i vetëm!

22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page