top of page

FTOHJA E ZEMRËS MANARE


Vullnet Mato


Ndoshta habitesh që s’më tërheq më trupi yt,

si m’i korrje puthjet, me draprin e vetullës,

si më ndizje dëshirën, kur zbuloje gjinjtë,

si më dehje me aromën femërore të sqetullës.

Ndoshta mendon, mos t’u zbeh bukuria,

apo lëkura s’të përcjell rrymë në lëkurën time,

mos të janë ftohur epshet, për prekjet e mia,

që nuk gdhijmë netët bashkë, gjer në agime.

Ndoshta kërkon të gjesh, cili qe gabimi fatal,

me cilin akull, ma ftohe gjakun gjer në deje,

me cilin breshër dimri, më vrave lulet në maj,

cilën britmë më lëshove, si krismë rrufeje!

Dyshon mos ka ndodhur, ajo që korçarët thonë,

me shprehjen alegorike: “U njohëm si shumë!“

Por jo, nuk është asnjëra, nga sa po numëron,

pasi nuk shteron dashuria, si thahet një lumë.

Se pasionin e ndjenjave dhe tërheqjen e mishit,

me flakërima drithëruese pulsimi të zjarrtë,

me shenjën e fshehtë, si mjekra e dervishit,

që na dehte e na magjepste natë përnatë;

E bënte veç zemra, që ka autoritet të magjishëm,

të tjetërsojë krejt ndjenjat, me vendim kategorik,

t’i japë urdhër absolut, trurit të plotfuqishëm,

të pezullojë veprimet, në çdo milimetër organik.

Sepse ti, moj mike, me atë natyrën lozonjare,

s’përdore ndjesitë femërore, siç bëje më parë,

të vazhdoje, zemrën time, ta ndillje si manare,

mos të shkonte kafeneve, te grigja me beqarë!...

17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page