top of page

Frymorët e Kapanonit


Frymorët e Kapanonit

Fatmir Terziu

Në Kapanon, u ndje një Hije. E ftohtë akull, zbriti me këmbë të padukshme dhe u ngjiz aty në atë murranë. E Hija si të gjitha hijet. Nuk mund të dallohej lehtë nëse nuk do të ofshante në gjuhën e saj të njohur. Eh, thamë menjëherë, qenka nga radhët e Klanit të Molave. E kështu si një Hije e këtij Klani mes britmës së ftohtë të dëborës, rrëfeu menjëherë se ajo mund të bënte çdo mrekulli, madje të kapte kristalin e brishtë të akullit që ngulej si heshtë, pa e prishur atë. Hija mund të shëtiste mbi dëborë pa u zhytur brenda bardhësisë së ftohtë e madje mund të mos linte asnjë gjurmë. I gjithë Kapanoni ishte shastisur ndërsa hapte veshët e dëgjonte. Sakaq edhe dimri i ftohtë i Kapanonit, ndjehej shumë i hutuar, madje mbetej mjaft misterioz kur ajo ishte krejt e padukshme në sy të ngulur me vëmendjen më të madhe mbi të. Dhe më i zvetënuar e i shastisur dukej Kapanoni, kur niste debati i mbytur nga grigja e saj. Grigja e saj në fakt ushqente egon, të shkuarën e të tashmen e fryrë nga qasja mbi festinë të rolit egoistik. Ushqente egon e një frymori të pashëm e të bëshëm në atë Kapanon, saqë kurioziteti kishte bërë namin. Dhe ja papritur egoja e saj e ftohtë akull, ra në kontakt me një sqimatar vetmie, i cili ishte i stërvitur që të ndjejë të ftohtin. Ishte i lindur prej ngricës, ishte i mësuar me të, por ama ishte i tillë kur qasej në sy të Hijes vetëm një herë. E që të ndjente të ftohtit, pa e ngrirë veten e tij nuk duhej të binte më shumë se një herë në sy të Hijes. Dhe nëse ndodhte ndryshe… Atëherë do të kuptohej si ai ishte Kacarrumi. E Kacarrumi do të mundej menjëherë…, do të syrgjynosej, internohej, burgosej… e do t’i shkulej jeta nga trupi i tij…

“Kacarrumi u mund” – foli në një farë mënyre, sikurse ndodh të flitet në akullsi.

U mund, por nuk ishte i mbaruar, sikurse thuhej. Ishte në jetë, si një i pavdekshëm në këngët që iu kushtuan atij nga Molat e trarëve të mëdhenj e të vegjël që mbanin çatinë e atyre dimrave të shumtë e të egër në atë Kapanon. Ai vetëm sa u përçmua prej Perëndisë së Ngricës. Dhe kjo ndodhi gjatë një stuhie dëbore… ku nuk mund të shuheshin të gjithë kacarrumët…

…Në atë rast ai u ul në gjunjë, sikurse ndodh në raste të tilla kur i tha vetë Perëndisë së Ngricës: “Unë jam më i miri. U mposhta nga një Molë druri. Ndaj, i bëj thirrje të fuqishmit, që të më japi fuqinë e brendshme të akullit, në mënyrë që askush të mos përshtatet me të ftohtit e shpirtit tim. Ndërsa ti o Perëndi e Ngricës, më jep fuqinë e ditës, dhe Grigja ime do të jetë në shërbimin tuaj”.

Kaq. Vetëm kaq ishte çasti i rrënies në gjunjë. Pastaj ra një kristal dëbore, më i madh se shumica e kristaleve, dhe Hija e mbërtheu atë, e vuri në pëllëmbën e saj. E vështroi dhe e vështroi. Kristali ishte në formën e një pentagrami. Mbi atë pentagram ishte ulur era. Era pëshpëriti në veshët e tij të dhjamosur: “Kapanoni do të mbetet më i ftohtë dhe akoma më shumë mëkate do të hyjnë në venat e tua, nëse merr ndonjë pjesë nga ky kristal”. Tashmë fuqia e të akulltës, që askush nuk mund ta duronte ishte në dispozicion të tij, dhe ai atë e kishte mbyllur në një kontratë. Kjo kontratë ishte e pathyeshme.

Hija u bë udhëheqës i fisit. Ndryshoi ngjyrën e uniformës së padukshmërisë me ngjyrën e rajonit të ftohtë të ferrit, ku e kacarrumta grishej dhëmbëferrazi në shtatin e tij filifistun. Gjëja e parë që bëri ishte fillesa e veprimeve të kërkimit në errësirë. Tromaksej me veten. Nuk e besonte të kishte tjetër krijesë në atë Kapanon që të kishte veti si të tijat. Nuk mund ta gjente Molën që e mundi, dhe kështu ia theu njërin nga shkëlqimet e tij të akullta mbi krye. E cifloi dhe me to ndërtoi një ushtri të akullt. Ishte symprehtë, gjithnjë në vëzhgim. Gjithnjë… Ndaj ngriti të gjithë në këmbë e i bëri ushtri. E nisi të bënte luftëra imagjinare. Luftëra në të errëtën e atij Kapanoni. E aty në atë Kapanon, vetë shkruante e vetë vuloste. Në një rrethim të tillë të ftohtë akull, i dukej vetja gjithnjë fitimtar me ushtrinë e tij aritmetike.

Një ditë të nxehtë, ushtarët e tij u kthyen të mundur. Dhe humbja ishte nga një zhytës qejfqerata, që refuzoi të paguante haraç për sevdanë e tyre. Kështu ndëshkoi ushtarët e Klanit, që mbanin uniformën e tij dhe e bëri copa – copa një veshje të tillë, që e quajti veshje humbësish, duke ngritur shtizat e ngrira të akullit nga ferriet duke ua ngulur atyre sa në sy e në pjesë të tjera të trupit. Akulli nuk u tret kurrë, dhe burrat kurrë nuk vdiqën plotësisht, por ndoqën lartësinë e tij nga grigja në rrëfim tek rrethimi i tyre kristal akulli në një mozaik të një fushe të akullt dhe të vetmuar, një mesazh për këdo që nuk e pranonte fisin, që do të shpohej dhe do të ndëshkohej me qytë, tytë e bajonetë nëse nuk qëndronte nën zero. Pra në ngrirje. Në të ftohtën e akullt të atij Kapanoni. Dhe kështu më pas ai u mbajt fort me pjesën tjetër të cilën e formoi nga mësimet e tij të pavdekshme. Me të shkoi për të bërë një vizitë tek zhytësi i perlës, i cili e kishte njollosur uniformën e Klanit me ngjyrën e gjakut të turpit.

Zhytësi i perlës, ishte në gji duke u zhytur në fund të asaj Ujësie dhe ishte gati të sakrifikohej për perlat. Ai ndjeu ujin papritmas të ftohet, dhe notoi vetëm lart në sipërfaqe, ku ra në kontakt me sipërfaqen e ujit, të ngrirë sipër, ai pa vetëm çizmet duke ecur mbi akull. Ata po mbanin jo më trupa, por koka që varreshin mbi dyshemenë e akullit, ndërsa zhytësi i perlës luftonte për një grimë ajër nën të. Ai pa kokat e Klanit të tij se si binin si zarë mbi akull.

Pastaj Kacarrumi u orvat më poshtë, duke mbajtur vetëm kokën e gruas së tij, të cilën e vendosi me kujdes mbi akull. Kështu që ai nuk dëshironte më të shihte foton e tmerrshme ndërsa u mbyt nën të. Klani u largua nga Kapanoni.

Zhytësi i perlës nuk i frikësohej vdekjes, por u çmend, pasi u mbyt poshtë në harresë, duke ngulur me sytë lart, ku natyrshëm u mësua se tërbimi i mori zemrën e tij një herë e mirë, derisa Hija e tij u rikthye për të parë nga ajo thellësi e errët, duke bërtitur: “Më lër të lindë përsëri, kështu që unë do të jetoj një jetë me zjarr, në mënyrë që kushdo që guxon të afrohet, do të përçmohet, Oh Zoti i Hakmarrjes, më lërr të bëhem e të ribëhem Hije e hije…hijezime”.

Zhytësi i perlës merrte frymë thellë në ujë pa marrë flakë kur fap edhe zemra e tij ndaloi, por prapë ai u tha se jetoi edhe pse u mbyt atje në atë fund. Thanë se …, e përhapën se edhe aty ishte një akrep në këmbët e tij, dhe vetë thellësitë flisnin: “Lëreni këtë akrep t’ia mbajë ndezur të dy sytë dhe të urdhërojë zjarrin e xhehenemit …, ai do të lindë përsëri, për të shkrirë akullin”.

Ai u paqtua dhe u pajtua me akrepin, i cili shkëlqeu me helmin e tij dhe përfshiu në zjarr të madh edhe ato thellësi të errëta. Pastaj u shkund dhe i mbërtheu sytë në harresë të përjetshme. Nxënësit e tij shkruan duke lexuar nga sytë e tij, duke lënë shakuj kusuresh si veprat e tij të hakmarrjes. Thonë se ishte një Hije, thanë se ishte një sajesë e Kacarrumit, thanë se ishte Klan i pavdekshëm…, thanë se ishin kusuret e Kapanonit … por tani ende thuhet “Ia harruam fytyrën, buzët dhe mjekrën, por ia kemi ende në dorë litarin që ka lënë kundër armiqve të tij të zjarrtë. Ai qenka ende në jetë, madje akoma në një pozitë më të fortë, sepse i këndohen ende këngë, pa kënduar për mishin e tij”. E nga kush? Nga frymorët e kapanonit… Ata ende janë njëmbëdhjetë të stiluar diku në hapësirën mentale të Kapanonit. Ende janë…

36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page