top of page

Frenat e gjuhës


Fiqri Shainllari

U mbushën 30 e ca vjet që në Shqipëri vijnë e shkojnë specialistë të huaj të fushave të ndryshme të jetës e punës, biznesmenë, juristë e politikanë nga vende tjera të botës me synim ndihmën e vendosjes dhe sidomos zbatimin e ligjeve. Është e lehtë të shembësh një ndërtesë apo një sistem tjetër shoqëror, siç ishte sistemi komunist, fjala vjen. Po sa e vështirë është të ndërtosh një të ri, sistemin kapitalist. Ke të bësh me mentalitete, me ligje, me marrëveshje, me komunikim. Ka vështirësi edhe në komunikimin midis specialistëve të huaj me ata vendas. Sepse ka raste që nuk tingëllon mirë mendimi shqip kur shprehet në gjuhë të huaj. Tingulli është binjak me fjalën.. Me që arritëm këtu le të themi ndonjë shembull jo aq preciz për të ilustruar idenë. Të huajit i fshik veshi shprehjet: "Tëmën e sëmës!". Është habi apo mallkim kjo shprehje? "Çlirim i vendit" si t'ua shpjegosh? Se fjala çlirim është e kundërta e fjalës lirim. Më tej. Kur specialisti i huaj dëgjon fjalën "yt" kur i thua qenit zarbahanë, ndërkohë që ai këtë fjalë e ka dëgjuar edhe në variantin : "djali yt, zakoni yt" etj. Një i huaj çuditet kur dëgjon t'i thuash tjetrit me fjalët: Hajde ik! Dy fjalë që kundërshtojnë njëra-tjetrën, por që rrinë bashkë. Është e lehtë për shqiptarët, që këto shprehje t'i kuptojnë edhe nga intonacioni i zërit po edhe nga konteksti i ngjarjes, po ec e ia shpjego tjetrit se! Dikur në Korçë jetonte një person fisnik, që të tjerët i thoshin Filan Njëshka. Pse ky llagap? Sepse kur e pyesnin të tjerët: Si je?, ai përgjigjej: Njëshkë fare! Personi në fjalë luante bixhoz me letra dhe kënaqej kur i binte letra AS. Besoj se mendimi i një gjuhe nuk tingëllon mirë tek një gjuhë tjetër nuk ndodh vetëm me shqipen. Këtë ka patur parasysh, mbase, Tolstoi kur pjesë, jo të vogla të romaneve të tij, i shkruante frëngjisht e jo rusisht. Më qartë duket kjo veçori në përkthime. Lexoni po mundët poezinë IF e të madhit Kipling përkthyer nga dy shqiptarë të spikatur të letrave; Fan Noli dhe Robert Shvarci. Gjuha kocka s'ka po kocka thyen. Qoftë e shkruar qoftë e folur. E di si buka që ha se këtë shprehje nuk ka njeri që nuk e ka dëgjuar në vendin tonë. Napoleoni, personalitet i kalibrit botëror paska thënë përafërsisht se njeriun mund ta vrasësh në disa mënyra: me plumb, me shpatë, me varje në litar, me helmim, por mund ta vrasësh edhe moralisht me fjalë të rënda. Të gjitha në një qafë të çojnë, një fund kanë. Por vrasja morale është më e egër, më torturuese. Me që jemi te Napoleoni le të qëndrojmë te koha e tij..Thonë se Fusheja, ministër i brendshëm i perandorit Napoleon, kur "piketonte" ndonjë person, që e kishte bërë borxh, e kishte mbushur kupën e ligësive por nuk kishte prova bindëse për ta dënuar, ky Fusheja i kërkonte të shkruante si të donte ai (personi i piketua) vetëm dy gisht letër. Dhe atje mbi letër Fusheja, si një zhongler do të vërtiste e përtypte fjalët e shkruara dhe pikërisht atje do të gjente shkakun e burgosjes së personit të "piketuar". Ai në këtë rast nuk ishte Diogjeni që me fener kërkonte njeriun, jo. Ai ishte shndërruar në një person njëlloj si ata qe me lupë kërkonte ndonjë të metë tek dikush, që ka 100 të mira në punë. Kësaj i thonë të kërkosh qiqra në hell. Njëlloj si në politikë, kur qiqrat në hell të kallin sëlliben e t’i sjellin zorrët në gojë. Janë fakte-thonë disa Po a mund të vlejnë faktet pa i interpretuar ata? A është e mundur të fshihesh pas fjalëve? Rasti që. cekëm tregon se fjalët u kthyen të hidhura shafran e pelin. Mirëpo janë mësim për jetën. Pa provuar të hidhurën nuk mund të shijosh të ëmblën. Në këtë botë njerëzit janë burgosur edhe për një fjalë goje... Mirëpo nuk burgos dot mendimin, as ndjenjën shpirtërore. E rëndësishme është që edhe fjala, që shpreh perceptimin e shqisave, duhet të ketë vetëpërmbajte, të ketë frena nga ai që e shpreh. Dialogu, së pari, duhet bërë brenda vetes. Edhe kur ka rast, që zemra nuk i bindet mendjes shkëmbimi i fjalëve te personi i dyzuar, është dialogu më fitimprurës. S'ka gjyq më të rreptë dhe më të drejtë se sa gjyqi, që njeriu i bën vetes. Askush nuk është ashtu si e shohim. Për të njohur vetveten njeriu ka nevojë për fjalët dhe opinionet e të tjerëve, sidomos familjarëve, por të tjerëve, qofshin edhe miq apo "armiq". Njerëzit shikojnë, dëgjojnë për bëmat e njërit apo tjetrit. Dhe i bien lapsit të logjikës. Nëse njeriu vepron gabimisht në mënyrë të çartur, sepse është gjaknxehtë dhe "përfiton" nga huqet e rinisë e të lirisë, të tjerët, të urtët i heqin veshin, e qortojnë me fjalë por nuk e dënojnë. Nuk çalon gomari nga veshët në këtë rast. Problem është atëherë kur njeriu humbet kontrollin e vetvetes, kur ai "armikun" e shikon te tjetri dhe në asnjë rast te vetja e tij Kur kërkon të nxjerrë gështenjat nga prushi me duart e te tjerëve. Polloni, midis këshillave që i jep birit të vet Laertit, i thotë: Mbi të gjitha mbaji besën vetes...Kështu nuk i del dot i pabesë askujt. Babai, me një barrë përvojë jete mbi kurriz, nuk do kurrsesi, që biri të harrojë vetveten. Ai dëshiron që fëmijët e tij të vet kontrollohen, që çdo gjë të mos i shikojnë, flasin apo dëgjojnë fjalë, sipas midesë së tyre, por si është e vërteta. Për të parë më qartë në këtë korkolepsje të problemeve të shumta të kësaj bote jallanë, çdo njeri ka nevojë për fjalë të ngrohta, për shpatulla ku të mbështetet në ditë të vështira. A ka vallë shpatulla më të sigurta se ato të prindërve, se gjuha e tyre këshilluese?



67 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page