top of page

Fran Gjoka: këmbëngulës, produktiv, modest


Gëzim Tushi

Mjeshtër i Madh




Personalisht me mësuesin e njohur të Lezhës Fran Gjoka më ka njohur rastësia. Ka qenë një e diel e disa viteve më parë, kur duke shëtitur nëpër bulevardin e Tiranës bashkë me mikun tim të vjetër, shkrimtarin Viron Kona, ai më prezantoi me të. Më parë as nuk e kisha njohur personalisht, as nuk kisha dëgjuar gjë për të, punën dhe vullnetin e këtij njeriu. Vironi si gjithnjë dashamirës me njerëzit, diçka më kishte folur për një mikun e tij, për lidhjet e tyre miqësore dhe profesionale.

Mësova ndërkaq se Frani ishte një nga bashkëpunëtorët më të rregullt të gazetës dhe skrupuloz në bashkëpunimet e tij. Ajo që më bërë përshtypje duke e parë “nga jashtë” Franin, ishte se mu duk njeri pretencioz dhe me dëshirë për të qenë i “dukur”. Por kafja e parë që pimë tek “Tajvani” atë ditë, më la një tjetër përshtypje krejt të kundërt nga ajo që mendova pa e njohur atë. Ndoshta nga që edhe Vironi kishte ndikuar, duke më folur herë pas here për Franin për shkak të njohjes së tij si njeri, mësues dhe gazetar.

Në të vërtetë thelbi i këtij njeriu me të cilin u prezantova ishte krejt tjetër. Një burrë modest, pak i ndrojtur, me dëshirë të madhe për të dëgjuar, shumë miqësor dhe i hapur. Në vitet në vazhdim të njohjes dhe miqësisë më Franin m’u krijua një tjetër ide, shumë pozitive, e bazuar në intensitetin e njohjes dhe zgjerimin e marrëdhënieve shoqërore dhe profesionale. Rezultantja është se thelbi i këtij njeriu është vërtetë njerëzor. Ai që e njeh atë nga afër sinqeritetin e tij, nuk mund të gabojë në njohjen e personalitetit të tij individual, profesional dhe social.

Ky takim i parë me Franin ka qenë pikënisja e miqësisë dhe pse jo edhe e bashkëpunimeve tona në fushë të dijes sociale, të problematikave dinamike të arsimit dhe interesimeve reciproke qytetare në përgjithësi. Frani është nga ata njerëz që di ta çmojë miqësinë e tjetrit, ai nuk e ka zakon ta shpërdorojë atë, madje duke ruajtur dhe sensin e masës, si kusht për t’i mbajtur sa më gjatë miqësitë e mira.

Që nga ajo ditë që jam njohur me Franin, kam patur dhe vazhdoj të kem vazhdimisht takime miqësore, diskutime për çështje teorike të arsimit dhe të zhvillimeve të jetës shoqërore shqiptare. Me këtë njeri të sinqertë është e mundur të flitet pa paragjykime, hapur dhe në mënyrë miqësore me njëri-tjetrin. Një njeri i butë, miqësor, i përkushtuar për miqtë, që e çmon miqësinë më shumë se shumëçka, me pasion dhe vullnet të shëndetshëm profesional. Në thelb kjo në mënyrë sintetike është ana e rëndësishme e këtij njeriu, që mua më ka bërë përshtypje. Dashamirës për “tjetrin” dhe të “tjerët”, aspak egoist për arritjet e të tyre, një lexues i rregullt i shkrimeve në gazeta dhe librave të mi në fushë të sociologjisë (midis të cilëve edhe të sociologjisë së arsimit). Për një pjesë të madhe të shkrimeve që unë kam botuar në gazetat e ndryshme, “lajmëtari i parë” i botimit dhe komentuesi i parë i përmbajtjes së tyre, gjithnjë ka qenë Fran Gjoka, i cili asnjëherë nuk ka përtuar të më urojë, të komentojë dhe të më takojë për të biseduar për to.

Ndërkaq më ka bërë përshtypje intensiteti i lartë i punës së tij, jo thjesht si gazetar narativ i përshkrimit të çështjeve konkrete dhe shqetësimeve të arsimit në shkollat e Lezhës, detyrë të cilën e ka bërë me “fanatizëm” profesional dhe intelektual, duke i dhënë “botës pedagogjike” të arsimit lezhjan, historikut të shkollave dhe sidomos personaliteteve me kontribute në arsim, një hapësirë të vazhdueshme, të pamatë dhe të pandërprerë në faqet e gazetës së tij të dashur dhe me të cilën ka bashkëpunuar më shumë, “Mësuesi”. Dhe në se do të vlerësojmë punën, pasurinë dhe larminë e shkrimeve të Franit, do të kuptojmë fare qartë se ai këtë punë e ka bërë me pasion qytetar, ka zbuluar dhe evidentuar vlera, ka lançuar dhe bërë publike njerëz të arsimit, traditën historikisht të njohur të shkollave lezhjane dhe jo vetëm.

Veprimtaria shumëvjeçare e Franit, të paktën në fushën e gazetarisë profesionale, është një punë e cila duhet mbledhur, sistemuar dhe botuar. Sepse krijimtaria e tij është me shumë vlera. Duke e parë pak më gjerë këtë kontribut personal në fushën e arsimit. Frani nuk ka qenë “kronikan” i zhvillimeve sasiore dhe ndryshimeve empirike të arsimit, as thjesht transmetues i transformimeve të përvojave në fushën e mësimdhënies dhe pedagogjisë konkrete. Këtë ai e ka bërë, madje shumë mirë.

Zhvillimet e ditës, dinamikat e ndryshimit, problematikat e modernizimit të mësimit, pasqyrimi i përvojave të më të mirëve, problemet e arritjeve të personalizuara të mësuesve më të mirë, më të njohur dhe më të spikatur të Lezhës janë stampuar në dhjetëra artikuj problematikë që ai ka shkruar në faqet e gazetës “Mësuesi” por dhe gazeta të tjera.

Një angazhim i fortë prej “lokalisti”, me sens të spikatur për të elaboruar përvojat lokale, problematikat komunitare të zonës së vet. Një zë i sigurt për të afirmuar sukseset dhe arritjet e të tjerëve, një dëshirë që buron natyrshëm prej thelbit të tij për të vënë njerëzit, dhe kontributet e shumë arsimtarëve të Lezhës në vendin e merituar.

Nuk besoj se ka mësues në Shqipëri që nuk e njeh Franin, në mos personalisht, të paktën nga faqet e gazetës “Mësuesi”. Nuk ka individ që lexon këtë gazetë të mos jetë i informuar deri në detaje për arritjet dhe problemet e arsimit të Lezhës. Pikërisht në sajë të punës së këtij njeriu, që është jo thjesht nder i arsimit, por dhe i gjithë qytetit të tij. Unë të them të drejtën nuk kam patur rastin ta njoh si mësimdhënës në shkollë apo dhe inspektor për çështjet e arsimit në Drejtorinë Rajonale të Lezhës. Por problematika e shkrimeve dhe shqetësimeve profesionale të Franit, e vlerësuar të paktën nga shkrimet e tij në gazetë, flet se pas njeriut modest nuk është profesionisti rutinier, apo ai që thjesht “fotografon” dhe rendit fakte të zakonshme të “botës së shkollës” dhe problemeve proceduariale e didaktike të orës së mësimit apo të komponentëve të tjerë të punës në shkollë.

Gama e interesimeve të Franit për jetën e shkollës, për proceset e modernizimit të saj, nevojat dhe kontradiktat e thella të përmirësimeve të duhura në marrëdhëniet mësues nxënës, problemet e kompetencës së të drejtimit dhe organizimit të punëve në shkollë, etj, janë fakte që tregojnë se ai është profesionist i mirë. Fakti që ai ngrihet mbi problemet e njohura të arsimit dhe shkollave të Lezhës, bën përgjithësime, sjell njohuri psikopedagogjike dhe përvoja të mira, për përmirësimin e të gjithë komponentëve të punës së shkollës, flet fare qartë që pas Franit mësues apo inspektor “fshihet” profesionisti i çështjeve arsimore, njeriu me përvojë. Kjo është njëra anë e njohur e interesimeve të Franit për aspektet teknike të arsimit, shkollës, mësimdhënies, intensifikimit të metodave të mësimit, përhapjen e përvojave të mira kombëtare dhe më tej.

Por Frani ka dhe një “anë tjetër” që duhet njohur dhe evidentuar patjetër. Ai aq sa ka qenë i shqetësuar dhe kontribuues për anët teknike të organizimit të shkollës, mësimit dhe procesit pedagogjik të mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollë, kontributi i të cilit nuk është i vogël as i papërfillshëm, po aq është interesuar edhe për problemet e “anës tjetër” të veprimtarisë së punës edukative e formuese të shkollës. Interesimet social pedagogjike janë të qarta, konkrete, bindëse.

Unë kam dijeni të plotë nga bisedat e mia me Franin se ai gjithnjë e ka parë shkollën jo vetëm si institucion të mësimdhënies dhe mësimnxënies, por si institucionin e rëndësishëm të edukimit dhe formimit qytetar të nxënësve. Ai ka interesime interesante socio-pedagogjike për fenomenet që preokupojnë shkollën, mësuesit dhe të rinjtë, për indikacionet pozitive dhe negative që interferojnë në shkollë në cilësinë e punës së vet dhe që nuk varen më shumë prej saj se sa ambientit të jashtëm sociale dhe problematikave që prodhon ajo. Në këtë kontekst nuk kanë qenë të rastësishme shikimet e shqetësimeve të shkollës nga kjo anë. Frani ka një verb të fortë të qytetarit të shqetësuar, që nuk shikon vetëm njërën anë të medaljes së shkollës duke qenë i njëanshëm.

Ai është marrë me problematikat e forta të adoleshentëve dhe rreziqet e vështirësitë e ndërtimit të marrëdhënieve me ta në familje dhe në shkollë, me teknikat dhe mënyrat e komunikimit dhe zgjidhjes së konflikteve të adoleshentëve me mësuesit dhe prindërit e tyre. Dhe në të gjitha raste ai është mundur të sjellë mendim sa më të bazuar, të analizuara me optikë sociolologjike të qartë dhe të shkruara shumë qartë dhe fare kuptueshëm për nxënësin, prindin, mësuesin. Në interesimet e tij kanë qenë problemet e gjakmarrjes si një problem i ndërlikuar, i cili ka impakte jo vetëm në jetën sociale por dhe në veprimtarinë e shkollës dhe zhvillimin normal të fëmijëve të familjeve të ngujuara për shkak të hakmarrjes apo gjakmarrjes.

Nuk kanë munguar as analizat me spektër të gjërë teorik të situatës që pësojnë të rinjtë shkollarë prej ndikimeve degraduese të lëndëve psikotrope. Të cilat kanë efekte paralizuese mbi nxënësit dhe shfaqen pastaj nëveprimtarinë e shkollës në format e shumta tëdhunës dhe krimit.Frani ka folur drejt dhe ka trajtuar çështjet e“pasioneve moshore”dhe rreziqet e përdorimit në rritje të drogës, alkoolit dhe efektet mbi të rinjtë dhe jetën e shoqërisë.

Frani është vazhdimisht i shqetësuar si intelektual dhe qytetar aktiv. Sidomos interesimet e tij teorike e praktike janë tejet intensive e të vazhduara, kur është fjala për problemet që shfaqen dhe shqetësojnë atë dhe shoqërinë në fushat e gjëra e delikate të arsimit dhe edukimit. Me veçorinë e natyrshme të tij, që ai problemet e këtyre dy fushave nuk i shikon “en block” dhe nuk i trajton në mënyrë të sipërfaqshme.

Përkundrazi në shkrimet e Franit duket qartë që përvoja e gjatë e punës në sektorin e gjërë të arsimit e ka bërë atë të jetë i angazhuar, interaktiv dhe ndjekës i dinamikave të vazhdueshme të ndryshimit në përmbajtjen dhe format e punës në shkollë dhe jashtë saj. Padyshim ai është një nga vëzhguesit e vëmendshëm dhe “diagnostikues” permanent i dukurive të përgjithshme dhe fenomeneve specifike që shoqërojnë të gjithë komponentët sinkretikë të shkollës. Për të janë në optikë gjithpërfshirëse struktura e shkollës, përmbajtja kurrikulare, cilësia e lëndës dhe e mësimdhënies, marrëdhëniet mësues nxënës dhe problemet e aigurës dhe autoritetit në shkollë, problemet e njëanshmërisë së shkollës dhe kostot e saj mbi nivelin dhe cilësinë e edukimit qytetar të nxënësve.

Shumë të shpeshta janë analizat dialektike e të dyanshme të nevojës së lidhjes kompakte të shkollës me prindërit, komunitetin dhe shoqërinë civile. Kjo optikë e gjërë e interesimeve profesionale të Fran Gjokës, gjëndet e paqyruar në sasinë e panumurt të shkrimeve të tij. Ato janë të pasqyruara pothuaj në të gjithë gazetat shqiptare, të cilat kanë vlerën e tyre, jo vetëm për autorin por ato mund të shërbejnë si pasurim me përvojë konkrete por edhe si “letërsi pedagogjike” teorike, në shërbim të funksionimit të shkollës dhe rritjes së cilësisë së edukimit dhe mësimdhënies.

Unë besoj se botimi i tyre i kompaktësuar në një libër me natyrë psikopedagogjike, është detyrë, jo vetëm për Franin si autor por edhe për publikun. Një obligim që duhet përmbushur.

16 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page