top of page

FOTOGRAFI ME TE VDEKUR BRENDA


Faruk Myrtaj


[Sa herë ma ngrohë shpirtin mbarësia, por sidomos kur zhgënjehem, sa herë provojnë të më mashtrojnë ata sipër, apo dalë i humbur në lojën me hileqarët këtu poshtë, i çmoj edhe më shumë ata njerëz që njoha nën tokë. Nuk dua t’i harroj. Në të vërtetë s’mund. Prej tyre mësova të hyja nën tokë si në varr dhe të dilja sërish në ajrin e dielltë të sipërfaqes. Vetëm një fotografi ndodhi të bëja me ta. Foto bardhë e zi, letra e së cilës është zverdhur e ngrënë prej kohës. Mu bë zakon i padëshiruar, të shënoja në të, me rreth të kuq, fytyrat e atyre që humbnin jetën nën tokë... E mbart me vete këtë fotografi, kudo ku zhvendosem, si varr të hapur...]


E freskët si vesë mëngjesi, kujtesa për ditën e parë nën tokë. Hoqa xhaketën dhe bluzën-ngaqë atje poshtë ishte shumë ngrohtë- ata panë kanatieren time qumësht të bardhë dhe qeshën. “Është i ri, fringo...” thanë. Për mua. Kanatieret e tyre ishin zgjyrë. I këshilluar nga misteri në të cilin sapo kisha hyrë, nuk reagova. Pas një ore punë, kanatierja ime ishte bërë blozë, shumë më keq se e të gjithëve të tyre bashkë!

Si kujtdo që fillon punën nëntokë, edhe mua 22 vjeçarit, mu drejtuan me “xha Faruk...”, dhe, siç ma kishin parathënë, u ndjeva menjëherë i afërt me ta. Fatet e njerëzve nuk këmbehen. E mira, e keqja i shtohen njëra-tjetrës, ndodh edhe që kalojnë te njeri-tjetra, alternohen, gjer edhe brenda njëzetë-e-katër-orëshit të jetës së njeriut. Nën tokë, ku ka vetëm natë, jeta provon apogjeun e vetë.


FOTOGRAFI ME TE VDEKUR BRENDA

Dëgjoja nga ata njerëz lloj-lloj urtësish, të thëna si zhargone përditësie. Më bëheshin të miat, në çast. Rrezikun e vdekjes as që e zinin me gojë, por merrnin e jepnin jetë bujarisht prej njeri tjetrit. Siç nisa të bëja edhe unë. Për shkak të ajrimit të paktë në galeritë, po mendoja se ajrin që nxirrte njeri e thithnin gjithë të tjerët. Mbase nga që aty mund t’i humbje të gjitha, menjëherë, ishte gati t’i ndaje të gjitha me të gjithë, çdo moment. Lodheshin, nxitonin pas vagonave, shtonin shpejtësinë, si për tu lehtësuar nga diçka që digjej si karburant brenda tyre. Po, i dëgjoja që hera herës shanin. Edhe pa vend. Dhe shanin me zë të lartë. Por nuk dalloja zemërim tek ta. Kur nisa të shaj edhe unë, ndjeva se vetëm sharje s’mund të quheshin. Ishte një si valvule shkarkuese. Lëshoje ca fjalë dhe ndjeheshe më mirë. Një lloj shlodhje, pa u ulur, duke nxituar edhe më shumë.

Për një sy të jashtëm, ata njerëz sikur nxitonin të lodheshin, të robtoheshin, me dëshirë. pa e ruajtur veten, pa e kursyer. I dëgjoja të thoshin, pa pushim, “paratë e tejkalimeve të normës bëhen ilaçe”, po kësaj nuk i shmangeshin. S’kaloi gjatë, e përmendën edhe emrin tim ndër ata që punonin shumë. Nuk e kisha fare këtë synim, madje nuk e pëlqeja. Por s’e mora vesh pse, bëja të kundërtën. Si ata, pra. Kurrkush s’më kërkonte të sforcohesha, por ai që ishte përpara meje nxitonte. Tjetri, që vinte pas, edhe ai nxitonte. Ndodhur midis dy njerëzish në nxitim, bëja si ata. Nxitonim të gjithë. Njëherësh me tejkalimet (ilaçe do të bëheshin, edhe për mua), edhe të sharit si ata. Shaja vagonat kur rrëzoheshin, plisat e dheut kur më binin para këmbëve, mbi kapele, apo të atyre që rropateshin përqark, shaja kur mbarohej uji dhe kur qumështi që na jepnin si antidote qe shtuar me shumë ujë, shaja kur hyja nën tokë por edhe në fund të turnit, kur dilja prej dheut. Edhe aty, në sipërfaqe, shaja.

Të nesërmen puna niste sërish, nga e para. I harroja gjithë ç’kishte ndodhur një ditë më parë. Edhe çfarë më bënte të shaja, dhe ata që më prisnin të dilja bashkë me ta, gjallë, në sipërfaqe. S’kuptoja se si nuk shpërbëheshin së qeni. Fillimisht, ditët e para, kisha idenë se përpara se të plakeshin, përpara se të arrinin moshën e pensionit, shumë më përpara, ata do shndërroheshin në djersë e një ditë do avullonin.

Pas çdo vagoni me qymyr, sjellë në fund të dishenterisë – prej ku i tërhiqte me kabëll arganella, vendosur në sipërfaqe, pinim nga një vazo me ujë. E zhysnim vazon kiloshe në bidonin pesëdhjetëlitrosh dhe e kthenim me një frymë. Uji gurgullonte në gurmazet si i derdhur në një motor të nxehur. Më vinte të ktheja kryet nga ana tjetër, në fillim, kur shihja jargët e Nestros që kullonin brenda bidonit. Ata që më vinin re, qeshnin. Mbyll sytë dhe...nuk sheh gjë, këshillonin. Ashtu bëra, i mbylla sytë, u mësova edhe me Nestron. Por jo veç me të. Çdo ditë mësova gjëra të reja, aty, nën dhè.

Endè qeshem, kur sjellë ndërmend rastin e parë të alarmit atje, nën tokë. Kishte plasur uji diku dhe mua më dërguan të njoftoja në frontin e verilindjes. (Ta merr mendja, ka Jug, Veri, Perëndim dhe Lindje nën tokë, dhe Vdekja shfaqet befas, në secilën prej pikave të horizontit pa diell.) Vrapova të lajmëroja rrezikun. Të më shihnit si vrapoja, si fluturoja, si rrokullisesha thuaj! Besoja njëqindpërqind se nga shpejtësia ime varej jeta e atyre të verilindjes. Hera herës më zinin kryet në armaturë, kapelja e minatorit më fluturonte disa metra përpara këmbëve. Ulesha e merrja, e ngjishja sërish në kokë. Llampën e mbaja në dorë, drita i mekej, gjatë lëkundjeve sikur bëhej gati të shuhej, bashkë me të rrahurat e zemrës sime. Kisha drojë se do mbetesha diku aty, në terr, pa frymë...

Por më në fund arrita. Një lloj marathonomaku më dukej vetja. U thashë atë që më kishin thënë t’u thosha, pra që duhet të dilnin menjëherë nga aty... U thashë ta lënë punën, menjëherë, të niseshin, menjeherë. Kështu thuaji Veros, më thanë dhe unë po të them, menjëherë të dilni, dëgjon apo jo, menjëherë, tani, se do përgjigjesh, i thashë atij që pranoi se quhej Vero (Ishin ditët e para, nuk i njihja për emër). Prita pak. Të kthehesha bashkë me ta, por pashë se ata vazhduan punën. Sikur ajo ç’u thashë s’kishte asnjë lidhje me ta. O njerëz, a më dëgjuat?! Ik përpara, se do vijmë edhe ne, më tha Vero. Frymëmarrja ime gjëmonte ende, dhe isha gati të shpërtheja në lotë. Merrni vesh ju apo jo? Ata më harruan pas shpinave të kthyera. Dhe unë, ç’të bëja. Ika. Nuk rrihej më aty. U vura në udhë për tek isha nisur, s’kisha përse vrapoja, tek e fundit, përderisa së paku ata që lajmërova ishin pas meje, në raport me vijën e rrezikut. Më shumë se hapave i mëshoja pyetjes- vetes- se si do t’u rrëfeja moskokëçarjen e Veros me shokë. Natyrisht që s’do gënjeja, por s’mund ta ndjeja veten në rregull kur ata i kisha lënë në sy të rrezikut.

Por, pasi arrita në sipërfaqe, as që shkoi ndërmend njeri të më pyeste nëse e kisha kryer lajmërimin. Mbase ata kishin harruar fare që më kishin dërguar për korier në verilindje. Mbase nuk më kishte nisur askush, o mbase kishin harruar dhe filla pas meje kishin përdorur ndonjë korrier tjetër, në rrugë të tjera...I lehtësuar u ndjeva vetëm pas nja dy orësh, kur pashë Veron e të tjerët që dolën te gryka. “Mirë, xha Faruk?!” më pyeti ai.

Pas kësaj punët e nëntokës i merrja më shtruar. Edhe rreziqet. Si të sharat. Më parë s’isha i qetë, i kisha frikë, nuk i arsyetoja dot njerëz me mend në kokë që mund të ndiznin cigare edhe nën tokë, ku dihej se shpërthimi mund të ndodhte edhe nga një shkëndijë e vetme. Isha po unë, ca kohë më vonë, që isha gati ta ndizja, me ta. Afër ventilatorit rreziku ishte më i vogël, do të mund të justifikohesha, si ata. Nuk do më dukeshin as të marrë as të çuditshëm duhanpirësit aty, po t’i shihja me sytë e mi. Se, arsyetoja, ku kishte ngè i gjori njeri të ngjitej tërë asaj të përpjete, deri në sipërfaqe, për një të flamosur duhan. Lodheshin aq shumë sa s’gjenin dot kohë as për të llogaritur sa kushtonte jeta e tyre. Jo më kot thuhej se çdo pikë në rregulloren e sigurisë teknike të nëntokës ishte shkruar me gjak, paçka se atje brenda dukej se ndonjëherë harronin. Harronin edhe ditët e javës, por asnjëherë ta thërrisnin edhe më të riun me “xha...” përpara emrit.

Po, e besova se piqeshe, burrëroheshe para kohe, nën tokë. Sikur fitoje në moshë. Alushi, ishte njeri prej tyre. I kishte mbushur të 35 vjetët, nga të cilët 17 nën tokë. Atë ditë vendoste shtylla ahu të prera shkurt, midis shtresave të qymyrit... Të vinte aq shtylla sa duheshin, atje ku duheshin, s’dilte koha. Duhej prerë edhe më qymyr, për të arritur normën, ditë-punën. Lodhja ngjallte përtesë. Aq më tepër që Alushit i duhej të punonte pothuaj shtrirë midis pllakave të qymyrit. Befas ato rrëshqitën. Ishte me fat. Ia doli të rrëshqiste, arriti të nxirrte kokën, por edhe pothuaj tërë trupin jashtë. Por njeri nga krahët i mbeti peng, midis pllakave. Brenda pak kohe erdhën të tërë nën tokë. Edhe ata të zyrave. Njerëz që s’kishin zbritur kurrë nëntokë. Edhe pse askush prej tyre s’kishte asnjë mundësi për t’ja shpëtuar krahun. Lëvizja më e vogël mund të sillte shembje të mëtejshme. Masa të tëra qymyri, dherash e shkëmbinjsh, mund ta zinin brenda, Alushin dhe të tjerët. Ata me më përvojë dhe ata me më pushtet, me lejen e pashmangshme të mjekëve, ia prenë krahun Alushit të shkretë. Doli nga miniera pa një krahë, por gjallë, në fund të fundit. Po t’i dëgjoje ç’i thoshin Alushit teksa rrinte si miu në çark dhe ata i prisnin krahun, mund të krijoje idenë se këta lloj njerëzish nuk dhimbeshin për gjë. Të pashpirt, mund t’i mendoje. Por shihje edhe më qartë akoma se Alushi nuk ua merrte për keq. Ai bënte shaka bashkë me ta. Gjithë punët në jetë, këndej e tutje do t’i bësh me dorën e majtë! Do të të duket sikur nuk ke qenë kurrë me dy duar...!

Sado që ndërkohë nuk isha aq i ri nëntokë, s’do ndjehesha mirë po të flisnin kështu edhe për jetën time, si për diçka që e kisha tani, e mund të mos e kisha në çastin tjetër. Edhe pse këtë e bënin njëlloj si me jetët e tyre. Të Tjerët, që nuk punonin në minierë, thoshin se na donin më shumë seç e donim ne veten. I pash se si e vështronin Alushin me një dorë. Si dikë që sa ishte ngritur nga varri. Për ndokënd, sapo e kishte lënë peng krahun atje poshtë, nën dhè, kish të garantuar një vend bosh në tribunën e stadiumit ku skuadra e qytetit luante në kategorinë e tretë. Dihej se paskësaj Njerëzit e Pushtetit do ta ftonin Alushin në gjithë presidiumet e mbledhjeve. Nuk do ta harronin kurrë as në takimet për t’u mbushur mendjen të rinjve të vinin e të punonin nën tokë.

Atdheu është edhe atje poshtë, nën dhè, atdheu është jeta dhe vdekja jonë, këto do thuash, do ta porositnin ata Alushin para takimeve. Duke qeshur ia thanë edhe aty, duke i prerë krahun. Njerëzit e Sipërfaqes, dëgjonin duke përfytyruar krahun e Alushin vënë si shenjë në kufijtë e poshtëm, nëntokësorë, të Atdheut. Askush nuk e shkonte ndërmend mos ndokush prej të rinjve të ngrihej dhe të thoshte: Në rregull, ju dëgjova. Nesër do zbres të punoj në minierë, por Alushin me një krahë mos na e sillni shembull, ju lutem...

As Jari, me trup të lidhur e krahë muskulozë, nuk i tha dot jo Alushit. Erdhi edhe ai në minierë. Rastisi të punoja edhe unë me të. Disa muaj. Rregulli ishte që, pasi Jari të më bënte shenjë se i kishte lidhur vagonët, unë të tërhiqja telin deri në tendosje. Çdo herë. Që të bindesha se vagonët ishin lidhur me njeri tjetrin dhe me telin e arganellës. S’ka nevojë të bësh provën, më tha Jari atë ditë, besoje Jarin tënd, i lidha, çdo gjë në rregull, për kokën time! Pështeti supin tek vagoni i fundit, i vuri të tre përpara, unë lëshova telin...vagoni i parë arriti tek gryka dhe u lëshua vërtik tëposhtë. Jari kishte harruar ta lidhte! Në çast, instinktivisht, ndala makinerinë. Fluturimthi arrita te gryka e galerisë. Mos o Zot, të dëgjoja gjëmën e mundshme atje poshtë. Duke nxjerrë shkëndija në rrotat, vagoni kishte arritur fundin e galerisë për punë sekondash. Sigurisht që kishte dalë shinash duke shkatërruar ç’kishte gjetur përpara. Tmerronte ideja se mund të kishte mbyllur edhe ndonjë jetë njeriu.

Më në fund, një shekull u duk, dikush u shfaq atje poshtë. “Çfarë bëtë kështu more...?” “A jeni gjallë...të gjithë?”, pyeta unë. Ose Jari. Ose në një gojë të dy. “Gjallë jemi gjallë...S’na gjen gjë ne...!” E njohëm zërin që vinte nga fundi i dheut por, vërtetë e dëgjuam? Apo na bëhej kështu, se këtë donim të dëgjonim? Jari më dha një grusht të lehtë në shpatull. Unë e mora në qafë. “S’duhet t’i kishim lëshuar vagonit pa bërë provën...” thashë përsëri. “Sa të jesh me mua, mos ki frikë!”, mu gjegjë, duke nxjerrë përpara gjoksin e hovur. U kthye në sigurinë e trupit të tij.

Jari vazhdoi të punonte në minierë, edhe pasi unë u largova prej andej. Isha student kur dëgjova lajmin e fundit për të. Në mbarim të një dite pune, mbase i lodhur, ishte kapur pas vagonëve që ngjiteshin në të përpjetën e galerisë. Kapaku i njërit prej vagonëve qè liruar, ishte anuar dhe kish rrëzuar edhe tërë vagonët e tjerë. Trupi i Jarit kishte humbur mes vagonëve, si një lodër me shpirt në putrat e luanit të hekurt zemëruar me njeriun që si të mos i mjaftonte mbi toka, sipërfaqja, i ishte sulur nëntokës...

Bëra ta përfytyroja deri në detaj, tërë skenën. Të tjerët, shokët e mi dhe të Jarit të gjorë, përpiqen t’ja bëjnë bashkë pjesët e trupit, një nga një (më vonë më treguan dikush i kishte mbledhur trurin, dhe futur sërish në kafkën e vetë). Të tëra këto punë besohet se i bënin pa qarë, pra jo si njerëzit e sipërfaqes në këto raste. Unë qava se, ndërkohë student, isha njeri i sipërfaqes... E përsëris, në skena të tilla, ata nuk qanin, nuk i pashë kurrë të qanin në sy të njeri tjetrit. Më tronditnin me ftohtësinë e tyre, në fillimet atje, më dukeshin të pa ndjenjë, oh sa të ashpër... Vetëm më vonë, kur s’isha atje, sidomos tani kur disa prej tyre nuk janë më, i dua, më dhimbsen. I kuptoj më mirë, kuptoj jetët e tyre, veten e atëhershme si plastelinë për jetën që bëj tani. Mbase lotët u mbeteshin në qeskat e krijuara poshtë syve, mbase kur thuhej se fshiheshin për të pirë ndonjë cigare, në të vërtetë hiqeshin mënjanë për t’i zbrazur këto qeska prej lotëve...

Megjithatë, s’them dot që s’kishte të qara në minierë. Së paku se atje kishte edhe gra. Ato derdhnin lot. Si nëna, si motra, si të dashura, fshehtazi. Jo me zë, jo me thirr-a-vaj, jo si gratë e tjera që nuk e dinin minierën. Dikur, para nja njëzetë vjetësh, gratë e atjeshme kishin punuar edhe atje poshtë, nën tokë. Merret vesh, diku aty, rreth e qark fundit të dishinterive, punimeve të pjerrëta. Jo larg, jo zgjatimeve që fshiheshin tutje galerive. Por nën dhè ishte, gjithsesi. Edhe pse asokohe, për femrën nuk përdoreshin cilësime të tilla moderne si “sex i dobët”. Kam ndjesine e thellë, s'kishte as “abuzime seksuale”. Teksa tregova se tërë meshkujt e nëntokës bëheshin me njëherë “xhaxhallarë”, femrat aty thirreshin me emrin e përbashkët “gra të minierës”. Si të tilla, dukej se nuk i vështronin si femra, edhe pse askujt nuk i ishte kërkuar dhe as mund t’i kërkohej të betohej se ato nuk ishin përfytyruar edhe si femra atje poshtë, në terrin e rrugëve të nëndheshme, në ajrin e ngopur me gazra stimulues e dritë të vakët si të dhomave të gjumit.

“Gratë e minierës” kishin status të veçantë, si atë të të kthyerave në virgjëresha në Kanun, atyre gra-burrave që uleshin këmbëkryq në odën e meshkujve dhe merrnin përsipër punët si ata. Ndryshimi qëndronte se oda e grave të minierës ishte nën tokë. Dhe, ashtu si për virgjëreshat, s’kishte përfolje as për gratë e minierës. Ndaj, ju lutem, është e pa udhë, e pafalshme është, nëse kërkoni vënien e “dorës në zjarr” për diçka që atje e kishin tabu. Gra, femra ishin, si të tjerat, nuk ishin thirrur të shndërroheshin virgjëresha, nën dheu s’ishte manastiri i tyre dhe as i joni, por kujt i duhej, kush shkonte ndërmend të hynte në vogëlsira të tilla, atje ku jeta mund të humbte krejt befas, si në lodër fëmijësh? Ajo që dihet me siguri është se gratë e minierës bëheshin gra, të gjitha bashkë, njëherësh, vetëm për të qarë: kur nën tokë ndodhnin aksidente...

Në fotografinë time, si palimpsest i kohëve kur nisi të shkruhej natyra dhe fati im (për fatin tim, që nëse u bë i mirë, i bukur, njerëzor, kjo ndodhi për shkak të atyre ditëve nëntokë) asnjëra prej këtyre grave nuk u shënjua me rreth të kuq...Mbase nga që ato, dëshmitare të jetëve të vështira burrërore, e përdornin të kuqin e buzëve fare rrallë...

“S’e gjen gjë femrën, si do ta hedhësh bie në të butë!”, thoshte Nehat Ermeni që vinte aty nga fshati. Fshatar miniere. Pranuar nëntokë si “aleat i klasës punëtore”. Kaq, jo më shumë. S’mund të quhej proletariat tipik në rrethana tipike se, për të ardhur në qytet përdorte një gomar, që ishte pronë private. Për herë të fundit e takova një ditë më parë se të nisesha për në kryeqytet, si student. Tek Agjencia e Udhëtarëve, aty qenkej. Më kishte parë që larg. Mbase më priste. Më doli përpara dhe më ftoi tek bufeja aty. Për një kafe. Porositi dy kafe dhe një teke raki. Raki vetëm për mua. Nuk i dilte xhepi të paguante raki edhe për veten. Kaq kushtonte bileta deri në fshatin e tij. Kur ndodhte të gjente e të hipte në ndonjë makinë, them, se kur ishte kohë e mirë e bënte rrugën më këmbë, Nehati. Do të më bëhej helm kafeja dhe rakia e paguar prej tij. Ngula këmbë, të paguaja, por s’pranoi. Ma mori kartëmonedhën time nga dora dhe e futi dhunshëm në xhep. Në xhepin tim. Deri në fund të astarit. Mu qesh, deri në lot, me gjestin e tij. “Mos harro kur të kthehesh inxhiner, atë bëj ti, se këto i paguaj vetë unë! Ti vjen inxhinier pas pesë vjetësh, apo jo? Ashtu dè. Kur vjen ti, mua më mbeten edhe dy vjet për të dalë në pension, që mos e hëngsha! Po më bëre ndonjë lehtësi atëherë, nderuar qofsh...Kaq dua nga ti, kur të kthehesh...Rakinë e kafen sot e ke nga unë...” Nehati i gjorë...Kur i ktheva shpinën, mu mbushën sytë. Me lot...

Prej kryeqytetit ia nisa një letër Gazmirit, tim-kushëriri, teknik në minierë. I kërkova ta ndihmonte Nehatin. Sa të mundësh, i shkrova. Siç më ndihmoje mua. Sikur të jem unë inxhinier aty. Më shkroi se, për tri muaj rresht e kishte vënë xha Nehatin në një punë ku s’lodhej aq. Por s’mund t’i jepja dot fat, më shkroi së fundmi kushëriri. Se ti e di, jetën na i jep dhe na i merr tjetërkush... Një natë me shi të ftohtë dimri, kishte udhëtuar në karrocerinë e një makine të zbuluar. Kur arritën në fshat, shoferi kishte pritur që Nehati të zbriste e t’i jepte lekët për biletën. Shkoi ndërmend mos pasagjeri kishte kërcyer nga makina për të mos paguar, dhe u zgjat për të këqyrur në karroceri. Atje ishte, pështetur tek goma rezervë. E paska zënë gjumi, merhumin, tha shoferi me vete. Kërkoi ta zgjonte, trokiti në kabinë, iu desh të ngjitej, ta prekte, që të bindej se Nehat Ermeni kishte vdekur...

Isha në mëdyshje nëse edhe fytyrën e rrudhosur, vështrimin e paqmë të tij, duhet ta qarkoja me të kuqe. Vërtetë që ishte thjesht aleat, dhe s’kishte vdekur në minierë, por po të hiqje orët e gjumit dhe të rrugëtimit vajtje-ardhje për shtëpi, dilte se një të tretën e jetës Nehati e kishte kaluar në minierë. Aq më shumë se, te agjencia e autobusëve, kishte paguar edhe rakinë, dhe e kishim lënë të më priste si inxhinier...

Sa për tim kushëri, lajmi për ikjen e tij ishte goditje e beftë, e qëruar, e kthjellët, e thellë, e pastër, dhimbje deri në asht. S’e besova lajmin. Deri vonë. Bashkë me të qenit njeri nga ata në fotografi me minierë, hynte edhe gjaku në mes. Meqë, tek e fundja, është thjesht një rrëfim shpirtrash, Gazmiri mbeti psherëtima ime për ato vite. U ndjeva veçanërisht keq, mbase ngaqë Ikjen e tij e dëgjova prej këndej ku jam mërguar. Larg atij vendi, nën tokën e të cilit kisha njohur këta njerëz...

Në varrin e tyre të hapur, në formë fotografie që zverdhet e shkërmoqet paprerë, në kujtesën e bërjes ai që jam, në atë copë dhèu prej Atdheut prej letre që mbaj me vehte, s’mund të mos e ve shenjën e kuqe, edhe për të. Me të kuqe e rrethova fytyrën e dashur. Mu errë vështrimi dhe qava me ngashërimë. Me zë të mbytur, si gratë e minierës qava. Vala e një shpërthimi kishte vënë përpara njerëz e shtylla e vagona, bashkë. Prej pesë të vdekurve, dy ishin të fotografisë që kam unë. Që nuk e di kush tjetër e ruan. Si ato ikonat e hershme me shenjtorë, kur gjërat e shenjta ishin ndaluar.

71 views42 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page