FORCA INTELEKTUALE E MIT’HAT FRASHËRIT


Sinan Gashi


Sa herë që zihet në gojë emri i atdhetarit të shquar Mit’hat Frashëri (1880-1949), djalit të patriotit Abdyl bej Frashërit, gjithmonë kihet parasysh atdhetaria e tij e manifestuar gjatë gjithë jetës në propagimin e tërësisë shqiptare, formimit dhe udhëheqjen e organizatës Balli Kombëtar, aktivitetet e natyrës politike të tij në emigracion, pas ardhjes së komunizmit në pushtet, e kështu me radhë, madje e gjithë kjo në orientimin negativ dhe antikombë-tar. Fare skithi ose hiq fare nuk përmendet pjesëmarrja e tij në Kuvendin e Vlorës dhe

Mit’hat Frashëri nënshkrimi i deklaratës së Pavarësisë edhe nga ai më 1912, organizimi dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Elbasanit më 1909, pjesëmarrja aktive në Kongresin e Manastirit, kur u vendos për alfabetin e shqipes më 1908, kur edhe iu besua posti i kryetarit, pastaj pjesëmarrja në Konferencës e Paqes në Paris, në Konferencën e Lidhjes së Kombeve, punën e tij si ministër i Postës dhe Çështjeve Botore në Qeverinë e Vlorës, ministër pa Portofol në Qeverinë e Durrësit më 1919, ambasador i Shqipërisë në Athinë për vitet 1923-1926, kur tërhiqet pas kundërshtimit që bëri për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi nga qeveria jugosllave Madje, duke mos i njohur ose qëllimisht duke i fshehur aftësitë e tij intelektuale dhe veprat e shumta shkencore e letrare, ai është paraqitur nga propaganda e kohës si një njeri me dije të pakta dhe gagaç rrugësh.

Kësaj radhe po e paraqesim punë e tij të natyrës intelektuale dhe aftësitë e tij krijuese shkencore dhe letrare, disa nga të cilët janë të patejkalueshme edhe sot.


Kultura e përgjithshme



Mit’hat Frashëri kishte mbaruar të gjitha shkallët e shkollimit të mirëfilltë, filloren, të mesmen dhe të lartën në Stamboll, në përkujdesjen e të atit dhe ungjërve intelektualëve të lartë e atdhetarëve të dëshmuar, Naimit e Samiut. Kishte punuar në administratën turke në Stamboll e pastaj edhe në administratën e Selanikut. Që herët nis të botoi shkrime në periodik, disa nga të cilat edhe i nënshkroi me tri pseudonimet e njohura të tij: Lumo Skendo, Mali Kokojka (toponim i vendlindjes së të atit në Frashër) dhe Skendo Frashëri, që haset në ‘Albania’ e Konicës, kur ajo dilte në Bruksel.

Duke qenë edukimi kombëtar parësor nga i ati, ai kërkonte mënyra dhe forma se si të zhvillonte aktivitet, por të një natyre tjetër, që kishte të bënte me vetëdijesimin dhe mobilizimin shpirtëror të shqiptarëve. Nisur nga kjo ai angazhohet në nxjerrjen e të përkohshmëve, për së cilave përhapeshin idetë, rrëfeheshin idealet dhe nuk shkëputej interesimi për çështjen atdhetare dhe artistike. Janë të njohura të përkohshmet që i nxori ai, si revistën “Kalendari kombiar” 1897-1928, “Besa” në Stamboll, shqip-turqisht, pastaj “Diturija” e Selanikut, gazeta “Liria” në Selanik më 1908-1910; revista “Diturija” në Selanik më 1910-1915, më 10 numra, pastaj e vijoi botimin në Bukuresht më 1916 më 3 numra dhe së fundi në Tiranë, gjatë viteve 1926-2929/

Duke menduar se propagimi bëhet më aktual në gjuhë evropiane, ai nxjerr në frëngjisht revistën “L’ indépendence albanaise” në Sofje 1914, më 14 numra, ndërsa vijoi botimi i saj më 1915 në Bukuresht, po ashtu me gjithsej 14 numra. Ai, ndër të tjera ishte edhe njohësi i mirë i shumë gjuhëve. Përveç atyre orientale, të cilat i kishte mësuar gjatë shkollimit në Stamboll, dinte mjaft mirë frëngjishten, anglishte e gjermanisht, në të cilat edhe botonte artikuj të ndryshëm, mbase edhe vepra të plota, si dhe shqipëroi disa sish.

Megjithëkëtë angazhim të dendur, ai përherë bashkëpunoi me revista të huaja, të Francës, të Anglisë, të Zvicrës etj., si: “Mercure de France”, “Les peuples Libres”, “Revue Politechnique”, “Revue de Geneve”, “Le Monde”, “La Mercure Suisse”, “The New Stratesman”, “Foreing Affairs” e tjerë.

Është për t’u vënë re edhe një përkujdesje e tij e rrallë në raport me dashamirët e kombit shqiptar, që reflekton edhe kulturë civilizuese të tij.

Mit’hati ishte një njeri që kishte kujdes të veçantë për ato personalitetet që kishin bërë të mira për shqiptarët, e në veçanti për të huajt, siç është rasti për zonjën e nderuar Edith Durham, anglezen e cila kishte dëshmuar një përkushtim të madh për paraqitjen e botës shqiptare realisht në botë, duke qëndruar vetë për disa kohë në mesin e tyre. Mu për këtë, Mit’hati e nisi një iniciativë për të mbledhur mjete financiare për një dhuratë simbolike për Miss Durham. Këtë e mësojmë nga një letër dëguar drejtorit të gazetës së Vlorës “Përlindja e Shqipëniës”, v.II, nr. 6, dt.18\31 Kallënduar 1914, f. 4, ku ndër të tjera sqaron: “Këtu n’Elbasan filluam që të mbledhim ndihmë nga një metelik (10 para, 5 qindarka) për njeri: duamë të blemë një kalem të florinjtë që t’ja dhurojmë zonjës Edith Durham, si kujtim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tënë, me shkrimet dhe botimet e saj. Për të rrëfyerë këtë mirënjohje kombi ynë, kemi dashurë që edhe ndihma të jetë e popullit, dhe nga ky shkaka s’marrim më teprë se 10 para për njeri.”


Veprat shkollore dhe shkencore


Pos interesimeve të gjëra e të përhershme kombëtare, Mit’hatin e ndihmoi në këtë drejtim edhe njohja e shumë gjuhëve të huaja. Nisur nga kjo përparësi, ai lexoi vepra origjinale në ato gjuhë, duke i gjurmuar në veçanti ato që lidheshin me fatin e shqiptarëve gjatë viteve e shekujve, e të cilat ia kompletonin dihet për të shkruar vepra pastaj që kishin mbështetjen shkencore reale edhe nga të huajt, në vitet e hershme. Kështu mendimin as i konsultonte me mbështetje të studiuesve eminentë të kohës, aty ku ata ishin marrë me çështjen shqiptare ose problematikën që ishte në vargëzimin territorial të problemeve.