top of page

Floriri i stërgjyshit


Vasil Klironomi

Në tavolinën afër dritares së lokalit gjithnjë ulej një grup nga Saranda. Ajo tavolinë pasditeve rrallë ishte bosh. Klientët e tjerë, si shqiptarët ashtu edhe grekët, duke e ditur se nga çasti në çast do të vinin sarandjotët, në shenjë respekti e linin tavolinën të lirë. Sikur edhe njëri prej tyre të hynte në lokal me celularin te veshi, pronari i lokalit ulte në tavolinë dy kana me verë dhe shtat a tetë gota. Motoja e grupit ishte: «Jeto të sotmen sikur do të vdesësh nesër!» Pothuajse të gjithë ushtronin profesione të ndryshme dhe ishte koha kur në Greqi, xhepat nuk të mbeteshin kurrë bosh, sidomos po të ushtroje profesionin e elektricistit, të hidraulikut ose të ndërtuesit të cilin e ushtronte dhe pjesa më e madhe e emigrantëve. Në qoftë se do të ishin pakë më të kursyer, do të kishin të gjithë nga dy tre apartamente po ja, pakë lojërat elektronike, lokalet e natës, femrat, bën që të kenë monedha vetëm nëpër xhepa. Megjithatë askush si vinte fajin tavolinës. Sa ishin harxhet e qejfeve? Pothuajse zero kundrejt atyre të abuzimeve. Pastaj, te lokali sikur harronin mërzitjet. Dy kanat e para me verë ishin për të shuar etjen. Piheshin duke treguar ku punuan, me kë u takuan dhe për marrëveshjet apo mosmarrëveshjet me punëdhënësit. Kish raste që vinin në lokal me gërvishtje ose çarje të thella nëpër duar, por dhe ato harroheshin sa vinin kanat e dyta, sidomos kur shoqëroheshin me lajme nga qyteti i lindjes. Në qoftë se në qytet kish ndodhur ndonjë vdekje, në shenjë respekti për të njohurit ose të afërmit, e kthenin në raki ndërsa kur merrnin lajm për dasmat, kanat e treta me verë shoqëroheshin me këngë e valle, të katërtat duke qerasur të gjithë ç’ ishin në lokal dhe më pas si gjithmonë vinin zënkat kush më parë të paguante. Më shpesh paguante Nikua se ai kish duar më të gjata. Një elektricist i pashëm dhe shtatlartë që kurrë nuk mundi të përshtati kërkesat e zemrës me ato të mendjes dhe këtë, e justifikonte për humor me pozitat anatomografike që kish çdo njëra në fizikun e tij. Një pasdite në lokal hyri një cigane rreth të pesëdhjetave e shëndosh por dhe e plotë nga trupi e shoqëruar nga një cigankë e bardhë dhe e bukur.  Dhe vetëm nga kontrasti i ngjyrave midis dy femrave të porsaardhura, u dyshua në se ADN-ja e tyre kish një burim të përbashkët, pale pastaj mënyra se si lëviznin gjatë ecjes! Lëvizjet e ciganes ishin të njëtrajtshme ndërsa ato të bukuroshes, të lakuara. Si u ulën në tavolinën afër sarandjotëve, e madhja u hodhi nga një shikim, sikur të kontrollonte sasinë e dritës që mbarte secili nëpër xhepa dhe me një shenjë të fshehtë me lëvizjen e kokës, skanoj në sytë e së voglës fytyrën e Nikos. Për t’ i tërhequr vëmendjen shtatlartit, i drejtohej adoleshentes duke shoqëruar fjalët me pasthirrma. Ndërkohë, nga tavolinat përreth shkrepën dyshime dy prej të cilëve dhe u dëgjuan. Dyshimi i par ishte, se mund ta kish zënë me ndonjë rus poshtë ndonjë ure, ndërsa i dyti, mund ta kish të vjedhur që fëmijë kushedi nga. Cigania që siç duket këto dy variante do t’ i kish dëgjuar dhe herë të tjera, bëri sikur s’ i dëgjoi duke u përqendruar në reagimin e Nikos i cili porositi një birë për të dhe një lëng frutash për zonjushkën. -Duhet të jesh i pasur në shpirt – i tha cigania dhe në shenjë mirënjohje për qerasjen, i kërkoi pëllëmbën e dorës. Nikua në fillim hezitoi, po si pa nga shokët, ngriti gotën për mirësi dhe si e la në tavolinë, i afroi fallxhores pëllëmbën e hapur. - Je i larë në flori – i tha pas një pauze cigania dhe duke i mbajtur pëllëmbën mes duarve, i tregoi vijat ndarëse të cilat vinin duke u ngushtuar afër gishtit tregues. - Këtu dhe ke dhe s’ ke të drejtë – ia ktheu Nikua duke buzëqeshur – se unë as kam dhe as më mbarojnë, megjithatë, nuk e di sa është e vërtetë, por kam dëgjuar se ekziston një pasuri nga stërgjyshi. – Po atë të them!- Shpërtheu cigania gjithë entuziazëm sa dëgjoi emrin stërgjysh - Ja ku është pasuria në themelet e një shtëpie. - Dhe i shtrëngoi pëllëmbën. Vërtet fjalët stërgjysh dhe themele nuk kishin të njëjtën rrënjë, por ama kishin sinkronizim në imagjinatë dhe në kohë. Reagimi i ciganes ishte aq i besueshëm sa, ç’ ishin në tavolinë kthyen sytë gjithë gëzim nga Nikua. Ndoshta ndodh shumë rrallë, po dhe vetë cigania besoi në ato që thoshte. Për ta bindur Nikon, i dha dhe numrin e vërtetë të celularit të saj. Interesimi shumë i gjallë i shokëve dhe admirimi, u bënë një me gjendjen e gëzuar shpirtërore të Nikos të cilit në çast i lindi dëshira për veprim. I lëshoj fallxhores njëzetë euro në prehër dhe doli nga lokali pa ndonjë qëllim të caktuar. Ndoshta për tu qetësuar. Ishte i pa përgatitur për atë akusmë aq të interesante. - Sidoqoftë nesër duhet të jem në Sarandë - pëshpëriti ndërsa nisi të mendoj për sasinë dhe trashësinë e pllakave të floririt, që stërgjyshi kish shkrirë në kallëpe atje në argjendaritë e Afrikës për ta fshehur pastaj këtu në themele, ashtu siç bënë ish pronarët e një ndërtese aty mbi plazhin e ri, të cilët kishin ardhur fshehtas një natë dimri me një varkë nga Korfuzi për të nxjerrë nga trualli rreth shtëpisë bagazhin e metaltë dhe si e ngarkuan mbi supe, u larguan po atë natë me varkën drejt ishullit. Shtëpia e trashëguar nga i babai i gjyshit ishte dykatëshe me themele të thella dhe një nga më të hershmet në mos më e hershmja e ndërtesave të qytetit, e ndërtuar akoma në kohë dhe para kishës së Shën Xarallambit së cilës stërgjyshi i kish falur atëherë dhe një pjesë nga trualli, ndërsa pas vdekjes së tij, kisha kish marr dhe dy qiparisat. -Duhet të jem pa tjetër në Sarandë përsëriti- dhe disi i çuditur për moskokëçarjen e tre brezave duke futur brenda dhe veten, u përpoq t’ i justifikoi me thënien e çmuar të Balzakut: «Gjithçka arrin në kohë për ata që dinë të presin.» - Dhe mirë bëmë - mendoi - se po ta kërkonim në kohën e monizmit, të gjithë do të përfundonim burgjeve dhe internimeve, sa për floririn që stërgjyshi e kish nxjerr nga thellësitë e nëntokës duke rrezikuar jetën atje në minierat e Afrikës, askush s‘ mund ta marrte me mentë se në duart e kujt krimineli të kuq do të përfundonte. Po nejse, me këto dhe të tjera ajo kohë iku; ndoshta për të mos u kthyer më. Iku duke lënë atje në themelet e thella të shtëpisë, të ardhmen e të gjithë trungut të familjes.- Të nesërmen pas gjashtë orësh udhëtimi mbërriti në Kakavi dhe si kaloi në kontroll makinën dhe pasaportën në të dy anët e pikave kufitare, nxitoi sikur atë pasuri të fshehur prej tetëdhjetë vjetësh, do t’ ia rrëmbenin tani brenda pakë orëve. Për një çast kujtoj se kish harruar çelësat e shtëpisë në Athinë dhe instinktivisht kaloi njërën dorë mbi xhepa dhe kjo, ndodhi pikërisht atje te kthesa e madhe dhe e rrezikshme ku njëra rrugë të çon për në Delvinë, ndërsa tjetra të zbret poshtë për në minierën e kripës. Për pakë vajti për kripë. Si futi makinën përsëri në rrugë, i premtoi Shën Harallambit se sa të mbërrinte në Sarandë do t’ i ndizte një qiri sa vetja. Dhe me të vërtet si plotësoi kushtimin doli nga kisha shpirtërisht i lehtësuar. Për Shën Harallambin flitej se kur prefekti romak Luçiani atje në Azinë e Vogël çoi shpatën për ta vrarë, si për mrekulli dora e prefektit u pre dhe ngeli e varur në trupin e shenjtit; por prifti thoshte se shenjti ynë, nuk kish asgjë të përbashkët me të parin. Për Shenjtin tonë ekzistonte një variant më i besueshëm. Kur erdhën aeroplanët e Italisë së parë për të bombarduar qytetin, Shën Harallambi ynë u ngjit në manastirin e dyzetë shenjtorëve dhe ngriti flamurin e bardhë. Këtë variant sa herë që prifti ua afronte besimtarëve, e pohonte duke tundur kokën dhe Selmani të cilin Nikua e pat njohur te prifti dhe ky i fundit e mbante për kishar. Selmani pastronte ikonat, mblidhte qirinjtë, i binte kambanës. Ajo që e veçonte nga bashkëqytetarët ishte dobësia për italianët, jo për këta të sotmit, po për ata të Musolinit dhe shkaku ishte se në saj të një dëshmori fisnor të vrarë nga fashistët, Selmani kish mundur të vishej polic. Për gjetjen e floririt në themele, Nikua mendoi të kërkonte ndihmën e tij, por miqësia me priftin, shpërblimi që Selmani merrte për shërbimet si kishar, përvetësimet nga ushqimet e falura të besimtarëve , vënia dorë në tabakanë e lekëve që prifti herë pas here bënte sikur nuk e shikonte, e detyruan Nikon të shkoi sipër te agjencia e pasagjerëve ku mëditësit e ardhur nga malësia prisnin që dikush t’ i thërriste për punë, por edhe kur mbërriti atje ndërroi mendim. Po sikur ta vrisnin në çastin e gjetjes së floririt? Vërtet në shtëpinë e tij, por i vetëm. Atëherë gënjeu Selmanin duke i thënë se do të lyente shtëpinë dhe të dy bashkë çuan të gjitha plaçkat e katit përdhes në katin e sipërm. Tre ditë e tre net gërmoi Nikua i vetëm brenda shtëpisë me kazmë e lopatë gjersa nxori themelet. Njëkohësisht për tre ditë e tre net kërkoi dhe stërgjyshin nëpër parajsë po nuk e gjeti. Me goditjet e varesë u përpoq ta nxirrte akoma dhe nga ndonjë skutë e ferrit. Mos ndoshta i bie kot në qaf, pyeti veten në notat e një qortimi dhe pa dhënë përgjigje, instinktivisht kërkoi në celular numrin e ciganes. Nga ana tjetër i erdhi në vesh zëri i fallxhores që shoqërohej nga një ndjenjë kënaqësie sikur ato që pa në pëllëmbën e tij të ishin të vërteta. Që ajo besonte dhe vetë në kuturinë e saj, ishte një ngjarje jo e përsëritur por heshtja dhe vonesa domethënëse e zërit nga ana tjetër, i ndali në veshët akoma dhe vibrimin e erës. Shtyu me bërryl cigankën që i varej përqafe dhe e sigurt në kuturinë e saj shqiptoi: «s’ ka mundësi, s’ ka mundësi! Gërmo dhe jashtë mureve ose në rrënjët e ndonjë peme aty afër.» ...Dhe Nikua, u vuri syrin dy qiparisave. Vërtet me ligj ata i takonin kishës, por ishin pothuajse ngjitur me themelet e shtëpisë. Sa ra mbrëmja shkuli disa hunj nga gardhi dhe si i nguli përreth qiparisave, nderi mbi ta gjashtë batanije. Në qiparisin e parë, nuk gjeti gjë. Në qiparisin e dytë, gërmoi më në thellësi të rrënjëve dhe një çast kazma lëshoi shkëndija. Nikua nga gëzimi nxori një britmë të fuqishme; rrëmoj pastaj dheun me duar kur ç‘ të shikoj?! Një rasë e mbishkruar....! Ndërkohë Selmani që brofi nga britma, doli në ballkon dhe përsëriti në vetën e tretë atë thënien e famshme të Arkimedit: «E gjeti, e gjeti.» Dhe lajmi shkoi nga ndërtesa në ndërtesë, në të gjithë qytetin.

96 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page